Kush guxon-fiton
Znj. Z. jetonte në një fshat afër qytetit të Korçës. Ajo ishte martuar prej disa vitesh dhe nga kjo martesë kishin ardhur në jetë dy fëmijë. Z. ishte vetëm 17 vjeçe kur u martua.
Ajo nuk kishte mundur të shkonte në shkollë të mesme për shkak të distancës së fshatit të saj nga shkolla, por edhe për shkak të mentalitetit. Në familjen e burrit Z. gjeti me shumicë ato gjëra që njeriu nuk i dëshiron: skamje, grindje dhe një botëkuptim mjaft të ngushtë e të cunguar për jetën.
Problemet e theksuara ekonomike dhe klima patriarkale që mbizotëronte në familjen e bashkëshortit bënë që grindjet të ishin të përditshme në shtëpi. Ardhja në jetë e fëmijës së parë solli pak gëzim në familje, por që nuk zgjati gjatë. E përditshmja e saj ishte një rutinë e mërzitshme, një trishtim deri në dhimbje, kur përjetonte çdo ditë skamjen dhe grindjet. Nuk vonoi shumë dhe Z. krahas dhunës psikologjike nisi të dhunohej edhe fizikisht. Kjo situatë u bë e zakonshme, sa herë niste një grindje përfundonte në rrahje. Momentet e vetme kur ajo çlirohej disi nga stresi ishin bisedat me mikeshën e saj të fëmijërisë, e cila jetonte në fshatin ngjitur së bashku me bashkëshortin dhe fëmijët.
Historia e saj ishte pak a shumë njësoj me të Z. -së, ajo ishte martuar me një burrë që e keqtrajtonte dhe e fyente. Ky është fati i shumë femrave në fshat, sipas saj. E ndodhur në këtë situatë ajo shkoi në qytet për të denoncuar në komisariat. Gjithë Mekanizmi i Referimit për të adresuar rastet e dhunës në familje , që është ngritur në Baskinë e Korçës u vunë lëvizje. Në këtë mekanizëm , të njohur edhe si Përgjigje e Koordinuar e Komunitetit bën pjesë.
Baskia dhe gjithë institucionet në nivel lokal që ligji “Mbi masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare” i ngarkon me përgjegjësi ligjore për të mbështetur rastet e dhunës në familje: policia, gjykata, prokuroria, shërbimi shëndetësor, ai i strehimit, arsimimi, shoqëria civile, komunitetet fetare etj. Për rastin e viktimës së dhunës, për të cilën po flasim në këtë artikull, policia mori masat e duhura. U plotësua menjëherë kërkesë-padia për Urdhër të Menjëhershëm Mbrojtje.
Bashkëshorti i saj u arrestua për lëndim personi me dashje dhe dhunë në familje. Ai u dënua me dy vjet heqje lirie. Shërbimet Sociale të Bashkisë e strehuan Z. dhe fëmijët në strehëz, ndërkohë nisën procedurat e divorcit. Pas divorcit ajo përfitoi nga projekti i rimbursimit të qerasë. Në bashkëpunim me Zyrën Rajonale të Punësimit Z. u sistemua në një punë si ndihmës kuzhiniere, në një restorant në qytet. Paralelisht me të ajo ndiqte dhe kursin profesional. Pas një viti e gjysëm pune në kuzhinë ajo mundi të punësohej si kuzhinierë në një restorant tjetër. Situata ishte përmirësuar. Fëmijët ndiqnin shkollën dhe kishin rezultate të larta, ata ishin më të qetë dhe nën kujdesin e psikologëve të shkollës. Jeta e saj kishte ndryshuar, ajo ndihej gjallë. Këtë histori e mora vesh rastësisht, kur u ndodha për një intervistë në zyrat e shërbimeve sociale të bashkisë. Atje ishte Z. që falënderonte nëpunëset për ndihmën e dhënë gjatë momenteve të saj të vështira. Ato më treguan historinë e Z. dhe unë vendosa të shkruaj këtë artikull si një rreze shpresë në jetën e qindra grave që vuajnë në ndiktanin e dhunës.
Bashkia dhe policia, dyer përherë të hapura për të dalë nga rrethi i dhunës në familje Në Bashkinë e Korçës funksionon prej gati 10 vitesh “Zyra e Barazisë Gjinore dhe Kundër Dhunës në Familje” pjesë e rëndësishme e Mekanizmit multi-disiplinor të Referimit për rastet e dhunës në Familje, i përbërë nga kjo zyrë dhe institucione lokale si Policia, Gjykata, Prokuroria, Përmbarimi, Shërbimi social Shtetëror, Shërbimi Shëndetësor, Drejtoria Arsimore etj.
Kjo zyrë ka trajtuar mbi 817 raste të dhunës në familje gjatë 10 viteve të fundit, gjykata ka lëshuar mbi500 Urdhra të Menjëhershëm Mbrojtjeje apo Urdhra Mbrojtjeje për viktimat e dhunës, . Vetëm gjatë vitit 2017 u regjistruan 108 raste të dhunës në familje që u drejtuan pranë kësaj zyre për të marrë asistencën e nevojshme. Kurba e fenomenit ka qenë në rritje deri në vitin 2015 më pas numri i denoncimeve për rastet e dhunës ka pësuar një rënie të lehtë dhe në dy vitet e fundit është rritur sërish. Rastet dominante janë ato të dhunës ndaj gruas dhe kryesisht midis partnerëve intimë, më pas vijnë ato të lidhjeve familjare dhe me raste sporadike dhuna ndaj meshkujve, ku denoncimi i tyre përbën edhe thyerjen e një tabuje. Megjithatë, femra mbetet objekt kryesor i dhunës. Të dhënat tregojnë se shkaqet që çojnë në përdorimin e dhunës janë të larmishme.
Si shkak kryesor mbetet gjendja e rënduar ekonomike, mentaliteti, stereotipet gjinore (femra konsiderohet ende si “prone”) si edhe shkaqe me motive psikologjike siç është xhelozia, fanatizmi etj. Situata në zonat rurale është edhe më tepër e rënduar për shkak të mentalitetit. Kur gratë në zonat rurale dhunohem, askush nuk e ngre zërin për to, askush nuk ndal e dorën që vërsulet drejt tyre, madje në shumicën e rasteve ato nuk nxjerrin zë as vetë, e aq më pak nuk dot a bënin këtë për të tjerat të ndodhura në të njëjtat rrethana. Kjo gjë duhet të ndryshojë. Gjërat po lëvizin disi, sigurisht që qyteti është ndryshe, po fshatrat? Kur më paraqiti shifrat e rasteve të dhunës punonjësja e Bashkisë Korçë të krahasueshme qytet-fshat, më shtangu diferenca, por nuk u habita duke njohur mentalitetin dhe realitetin. M’u raportuan 689 raste në qytet dhe 129 raste në zonat rurale për periudhën 2010- shkurt 2018. . Arsyeja është e qartë, njerëzit e konsiderojnë dhunën në familje një çështje private. Gratë dhe të afërmit e tyre nuk gjejnë guximin të denoncojnë, ata heshtin. Heshtin nga frika, heshtin nga turpi, heshtin nga mungesa e informacionit, heshtin sepse mendojnë se janë të braktisur në fatin e tyre. Gratë e konsiderojnë veten pronë legjitime në duart e bashkëshortit. Po a mund të jetohet gjithë jetën në diktatin e dhunës. Ndaj duhet bërë shumë më shumë se kaq.
Bashkia Korçë ka ngritur ekipet teknike në shtatë Njësitë Adminstrative, por punonjësit që merren me këtë punë kanë nën sqetull edhe shumë detyra të tjera, atë të ndihmës ekonomike, të pa aftësisë, së njësisë së mbrojtjes së fëmijëve. A mundet një njeri i vetëm të përballojë me sukses një emergjencë të një rasti dhune, ndërkohë që nuk ka shërbime, por duhet ta referojë rastin në bashkinë qendër. Logjistika e zyrave të këtyre punonjësve në zonat rurale është relativisht e mirë, por ka vend për përmirësime. Në një nga njësitë administrative të thella të Korçës, siç është Lekasi, interneti mungon, punonjësja nuk mund të hedhë të dhënat në sisteminon-line, as të raportojë nëpërmjet mënyrave të shpejta teknologjike që mundëson koha sot. Skaneri i Mekanizmit nga Refleksione, mbështetur nga Lëviz Albania Për përmirësimin e situatës po kontribon edhe një projekt, që po zbaton shoqata e grave “Refleksione“ në Bashkinë e Korçës , i mbështetur financiarisht nga Zyra Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, përmes konsorciumit Lëviz Albania. Ky Projekt i titulluar “Monitorim i Mekanizmit për rastet e dhunës në familje – përmirësimi i tij përmes angazhimit qytetar“ po skanon punën e Bashkisë dhe të institucioneve lokale që bëjnë pjesë në Mekanizmin e Referimit për të adresuar rastet e dhunës në familje dhe po monitoron sesa me efikasitet mbështet viktimat dhe sesi po zbaton detyrimet që i ngarkon ligji. Monitorimi po bëhet me një instrument novator , të pa përdorur më parë, me Planin Operacional të Monitorimit. Bashkia dhe gjithë institucionet lokale janë monitoruar on- line përmes pyetësorëve , që institucionet i kanë plotësuar në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri. Nga monitorim i fazës së parë të projektit kanë dalë si anët pozitive ashtu edhe mangësitë në funksionimin e Mekanizmit të Referimit për rastet e dhunës në familje. Mekanizmi në Bashkinë e Korçës është një nga më funksionalët në rang vendi, falë ndjeshmërisë së Kryetarëve të bashkisë dhe angazhimit të gjithë aktorëve lokalë, ku përfshihen. Bashkia Korçë ia ka dalë mbanë të ngrejë dhe të mbajë me fondet e veta një “Strehëz Emergjente” për rastet dhunës në familje ajo jep shërbim nëpërmjet një bashkëpunimi dy palëshme një organizatë me bazë fetare. Strehëza ka kushte të mira dhe mund të strehojë njëkohësisht dy gra dhe fëmijët e tyre. Në strehëz ka furnizim me energji elektrike, ujë të rrjedhshëm, jepet shërbim psiko-social dhe ndihmë e drejtpërdrejtë me ushqim e veshmbathje për një periudhe 48-orëshe, kohë e nevojshme për akoordimit e urdhërit të menjëhershëm të mbrojtjes, deri në 7 ditë afat i mjaftueshëm për mbledhjen e ekipit teknik dhe përpilimin e një plani veprimi individual për të mbijetuarën e dhunës dhe fëmijët e saj, nëse ka.
Por monitorimi nga projekti që po zbaton “Refleksione“ nxori në dritë edhe domosdoshmërinë për shtimin e shërbimeve të domosdoshme, menaxhimin më të mirë të rasteve të dhunës dhe për ri integrimin e tyre në shoqëri. Kështu Bashkia Korçë nuk ka një dhomë ku të intervistohen viktimat e dhunës në familje as fëmijët e tyre. Ata rëndom intervistohen në zyrë, në kushte jo optimale. Bashkia Korçë nuk ofron dot shërbimin psikologjik dhe juridik falas të qëndrueshëm për të mbijetuarat e dhunës në familje, këto shërbime jepen nga vetë punonjësit e zyrës që nuk janë profesionistë, por përpiqen me mish e shpirt që të ndihmojnë rastet në menaxhim, duke bashkëpunuar edhe me organizata që japin shërbim juridik apo psikologjik, jashtë qytetit. Bashkia nuk mund të marrë përsipër në këto kushte, një rehabilitim të plotë të viktimës së dhunës në familje, për shkak të shërbimeve të munguara, por edhe për rrethana të tjera që nuk varen nga vullneti i mirë për të ndryshuar gjërat brenda për brenda territorit vendor. Çfarë mund të themi për viktimat e dhunës në familje që kanë probleme të tipit mendor, apo janë të sëmurë psikikë? Vështirësia në menaxhim rastit shtohet, shërbimet e specializuara mungojnë. Kjo rezulton edhe nga anketimi i Shëndetit Publik, që ka në varësi një Qëndër komunitare atë të”Shëndetit Mendor”, fatmirësisht Korça e ka një institucion të tillë dhe personat me probleme të tipit mendor marrin shërbim, por shumë gjëra lenë për të dëshiruar. Na raportohet se ka nevojë për ambiente specifike për trajtimet psikologjike dhe dhoma ku mund të strehohen dhe personat me probleme te shëndetit mendor që janë viktima të dhunës në familje. Në Mekanizmin e Referimit për të adresuar rastet e dhunës në Bashkinë e Korçës jo të gjitha institucionet lokale angazhohen dhe zbatojnë në kohë detyrimet ligjore. . Është fakt se Prokuroria në gati 10 vite funksionimi të mekanizmit ka ardhur vetëm tre herë në takimet e Komitetit Drejtues të Mekanizmit, që drejtohet nga Kryetari Bashkisë dhe ku marrin pjesë gjithë titullarët e institucioneve lokale që bëjnë pjesë në Mekanizmin multi-disiplinor të Referimit për rastet e Dhunës në Familje. Bashkia dhe Policia pohojnë që ka shkelje të Urdhrave të mbrojtjes. Bashkia shprehet se janë shkelur rreth 15 Urdhra Mbrojtje (UM) në vitin 2017, ndërsa Policia raporton 13 raste të shkeljes së UM, për të cilat është proceduar në bazë të nenit 321 të K. Penal. Urdhrat e mbrojtjes shpesh shkelen se të konfliktuarit jetojnë në të njëjtën banesë, kanë kushte të vështira ekonomike dhe varësi ekonomike nga njëri-tjetri, papunësi, përdorim të pijeve alkoolike, shkaqe personale si xhelozia etj. Shumë dhunues janë ndjekur penalisht, janë dënuar me masë sigurie në burg ose janë në ndjekje të lirë me detyrim paraqitje. Për rehabilitim e dhunuesve në këtë situatë, për momentin nuk bëhet fjalë, nuk ka qendra të specializuara, nuk ka fonde për ta. Viktima e dhunës është në qendër të gjithçkaje. Shteti ka këto mangësi që ka dhe duhet mbushur me shërbime dhe shtim stafi, po qytetarët, po shoqëria civile a e ngre zërin në rastet e dhunës apo në denoncimin e dhunës në familje? Aktivizmi qytetar- për një mbështetje më efikase ndaj viktimave të dhunës Shoqëria/ qytetarët/ korçarët duhet të kenë tolerancë zero ndaj kësaj plage shoqërore, por duhet të shfaqin një ndjeshmëri më të madhe edhe ndaj përmirësimit të vazhdueshëm nga Bashkia dhe institucionet lokale të punës së tyre, të fondeve që venë në dispozicion për të mbështetur rastet e dhunës në familje dhe për të ndërgjegjësuar komunitetet, për të kërkuar më shumë llogari nga pushteti lokal. Pra, që të rritet demokracia lokale përmes pjesëmarrjes së qytetarëve në këtë çështje. Dhuna në familje nuk i përket vetëm katër mureve të shtëpisë, është një çështje që na përket të gjithëve. Familja është qeliza bazë e shoqërisë, shkatërrimi i saj apo degradimi i vlerave nga dhuna rrjedhimisht do të sjellë probleme të mëdha shoqërore. Në takimet me komunitetet rurale dhe urbane në Korçë në kuadër të projektit që po zbatojnë“Refleksionet“ është theksuar fort dobia nga ndërgjegjësimi i komuniteti, nga reagimi qytetar, dhe rritja e demokracisë nëpërmjet kërkesës për llogaridhënie nga ana e pushtetit vendor. Për ta bërë sa më të zbatueshëm angazhimin dhe aktivizmin qytetar projekti po përdor median sociale, FaceBook ”Faqe e hapur“, nëpërmjet të cilës qytetarët mund të shprehin opinionet e tyre, të evidentojnë të metat dhe mangësitë në përgjigjen që japin institucionet lokale dhe bashkia ndajrasteve të dhunës, të kërkojnë më shumë llogaridhënie prej tyre, apo më shumë transparencë për fondet që bashkia vë në dispozicion për të mbështetur viktimat etj, Pra, ndërgjegjësim për rolin aktiv që ne, qytetarët duhet të luajmë që përgjigjja ndaj rasteve të dhunës në familje të jetë edhe me efikase, nëpërmjet përmirësimit të punës së mekanizmit referues, për efikasitet nga bashkia, policia, gjykata, prokuroria, përmbarimi etj. Ndihma për rastet e Dhunës në Familje Pas identifikimit dhe marrjen e masave imediate për rastet e dhunës më pas vijon edhe asistenca për ri integrimin e tyre në shoqëri dhe në tregun e punës. Pjesa më e madhe e femrave janë në gjendje të rënduar ekonomike ndaj sigurimi i një pune rrit pavarësinë e tyre dhe i ndihmon nëpër ballimin e jetesës. Drejtoria e Kujdesit Social, Bashkia Korçë ka një bashkëpunim të ngushtë me Zyrën Rajonale të Punësimit si edhe me Drejtorinë Rajonale të Formimit Profesional. Aty ofrohen mjaft kurse të formimit profesional si: rrobaqepësi, punonjëse sociale, sekretari, parukeri, kuzhinë etj. Fitimi i këtyre aftësive profesionale i ndihmon gratë e dhunuara të rrisin shanset e tyre për një vend pune. Zyra Rajonale e Punësimit i shikon me përparësi këto raste. Shoqatat dhe organizatat janë partnerë të rëndësishëm në plotësimin e shërbimeve të mungura në shtet. Ato ofrojnë mbështetje të drejtpërdrejtë në veshmbathje dhe ushqim për rastet emergjente. Prezenca e tyre lehtëson përballimin e problemeve që vijnë nga dhuna në familje pasi edhe specifikat e rasteve janë të ndryshme. Bashkia Korçë për përballimin e rasteve emergjente ofron dhe një “Strehë” ku viktimat e dhunës marrin shërbim 48 orë deri në një javë, kohë e nevojshme për të ngritur një plan veprimi nga ekipi multi disiplinar (48 orët e para deri në akoordimin e Urdhrit të Menjëhershëm të Mbrojtjes nga gjykata). Ekipi multi disiplinar, i përbërë nga institucionet rajonale si Gjykata, Prokuroria, Përmbarimi, Policia, Shërbimi Social Shtetëror, Zyra e Punës, Drejtoria Arsimore dhe organizatat jo-fitimprurëse mblidhen rregullisht për t’i dhënë zgjidhje rasteve të dhunës në familje dhe marrin përgjegjësi rast pas rasti bazuar në marrëveshjet e bashkëpunimit ndër institucional mes palëve. Bashkia Korçë ka një numër pa pagesë 0800 3434 për denoncimin e rasteve të dhunës në familje, por që jep shërbim 5 ditë të javës gjatë orarit zyrtar. Gjatë vitit 2017 ka pasur vetëm dy telefonata për të marrë informacion dhe për t’u qartësuar mbi shërbimet. Përgjegjës për këtë shërbim është koordinatori vendor KDHF që kryhen njëkohësisht dhe detyrat e tjera parashikuar në ligj. Është fakt prej disa vitesh, pavarësisht promovimit të herë pas hershëm të numrit pa pagesë, si shërbim shtesë ndaj qytetarit, ata preferojnë të denoncojnë në 99% të rasteve në komisariat dhe tek zyra kundër dhunës në familje. Ndërkohë një vend të rëndësishëm zë dhe sensibilizimi i herë pas hershëm i komunitetit. Kjo përfshin aktivitete me shkollat 9-vjeçare dhe të mesme në zonat rurale dhe qytet. Ketu duhet te përmendesh takimet me komunitetin qe ka zhvilluar Refleksione ne zbatim te projektit: Monitorim i Mekanizmit të Referimit për rastet e dhunës në familje. Përmirësim i tij përmes aktivizmit qytetar” që po zbatohet në bashkitë Korçë, Fier; Lushnjë, në këto aktiviteti kanë marrë pjesë nxënës, prindër, mësues. Ata janë informuar mbi çështjet që lidhen me dhunën në familje, dhunën me bazë gjinore, si dhe konceptet e barazisë gjinore. Si materiale promocionale janë përdorur fletëpalosje, stativa, materiale filmike. Zyra kundër dhunës në familje dhe barazisë gjinore është aktive jo vetëm gjatë 16 ditëve tëaktivizimit kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave, por gjatë gjithë vitit, për të sensibilizuar opinioninpublik, por sidomos brezin e ri. SfidatBashkia Korçë nuk ka mundësi të japë shërbim psikologjik falas për periudhë të gjatë për viktimat e dhunës në familje. Institucioni nuk mundëson dot konsulencë juridike falas për çdo rast. Këto dy shërbime jepen në partneritet dhe nuk janë të qëndrueshme. Në shumicën e rasteve specialistja e zyrës kundër dhunës në familje së bashku me koleget e saj, detyrohet të për pilojë kërkesë-paditë për divorcin apo për vendosjen e kujdestarisë së fëmijëve nga përfitueset, për të t’i dhënë rrjedhën e duhur menaxhimit të rastit. Konsulenca psikologjike dhe juridike falas është dhënë në partneritet me organizata brenda dhe jashtë qytetit ( TLAS, Nisma Ligjore Qytetare, Unë gruaja etj). Janë ndjekur 20 raste gjatë vitit 2017, duke i asistuar në përpilimin e kërkesë padive për çështje divorci, kujdestarie dhe konsulencë mbi urdhrat e mbrojtjes. Në rastet e fëmijëve të dhunuar Bashkia Korcë ka ndjekur çështjet në gjykatë në 100%të rasteve. Për mungesën e qëndrueshme të këtyre dy shërbimeve nuk mund të flitet me siguri të plotë, po nga reagimet dhe ato që thuhen nga zyrtarë të ndryshëm të Bashkisë del se është çështje fondesh por edhe organizimi. Nuk duhet anashkaluar edhe mungesa e psikologëve që në qytetin e Korçës janë të paktë. Ata që kanë marrë të drejtën e ushtrimit të profesionit janë të mbingarkuar. Nga ana tjetër bashkia thotë se nuk mund të bëjë shtim të stafit me dy vende të reja pune vetëm për këtë shërbim, i cili u ofrohet falas viktimave të dhunës, ndaj është parë si zgjidhje bashkëpunimi me organizata partnere ashtu siç është vepruar deri tani. Kuptohet se ofrimi i qëndrueshëm i shërbimit psikologjik dhe atij juridik falas për viktimat e dhunës është një çështje e hapur që pret përmirësim. Që të ketë dritë në fund të tunelit. Dhuna në familje ekziston edhe në shoqëritë më të zhvilluara. Ndërgjegjësimi i shoqërisë pa anashkaluar asnjë target grup të saj, i cili mund të ndikojë pozitivisht është një punë që do të marrë dhe duhet të marrë më shumë kohë. Këtu kemi parasysh edhe vetë meshkujt, të cilët nuk duhet të qëndrojnë indiferentë ndaj fenomenit, por ta cilësojnë atë si një plagë të shoqërisë që ka nevojë të kurohet. Ndaj dhunës nuk ka receta të gatshme, por duke iu rikthyer rastit të sipërpërmendur kur një grua arriti të gjeje guximin që t’i thotë “ Jo dhunës!” dhe “Po jetës!”është për t’u marrë si shëmbull pozitiv që ka ende shprese e dritë në fund të tunelit…Për mendësinë patriarkale të burrave që ushtrojnë dhunë ndaj grave sepse i quajnë ato si pronën e tyre flet edhe intervista që zhvillova me znj. Z. , të cilën e realizova pas një këmbënguljeje relativisht të gjatë. Rasti i saj është inkurajues, pasi guxoi te denoncoje duke patur besim tek strukturat e pushtetit lokal dhe Mekanizmi i Referimit. Rasti i saj mund të jetë shembull edhe për ato gra e vajza që ngurrojnë të denoncojnë dhunën që ushtrohet ndaj tyre.
Gazetari: -Sa vjeç jeni?
Znj. Z: – 30 vjeç
Gazetari: – Kur ka nisur dhunë ndaj jush?
Znj. Z: – Që në fillimet time të martesës, që 17 vjeç.
Gazetari – Kur e morët iniciativën për të denoncuar dhunën ndaj jush?
Znj. Z:-Para dy vitesh afërsisht, atë ditë kur ai filloi të qëllonte edhe mbi fëmijët.
Gazetari – Çfarë ju pengonte ta merrnit këtë hap më parë?
Znj. Z- Nuk kisha ku të shkoja jeta më dukej errësirë mendoja fëmijët. Mendoja se nuk do t’ia dilja. Pastaj mentaliteti, një grua që duhet të bindet dhe të pranojë fatin. Kështu e shikon bota.
Gazetari – Po prindërit tuaj çfarë qëndrimi kanë mbajtur pasi ju vendosët të denonconi bashkëshortin si dhunuesin tuaj. A ju kanë mbështetur?
Znj Z – Po, nëna ime e dinte këtë situatë, por nuk kishte mundësi të më ndihmonte të shkëputesha më parë. Të ardhurat e prindërve të mi janë të pakta. Duke e ditur se janë të varfër dhe nuk mund të më ndihmonin nga ana e lekëve që të nisja një jetë të re, nëna ime e vuante problemin tim po nuk më jepte dot zgjidhje. Pasi e mora iniciativën, ajo më ka qëndruar afër, ka ardhur disa herë në Korçë për të më ndihmuar mua dhe fëmijët se jam në punë, punoj dhe nuk kam shumë kohë. Ndërsa babai në fillim u mërzit. sepse mendonte se gjërat nuk ishin aq të rënda, ai nuk e dinte se dhunohesha rregullisht. Nuk më tha gjë pse ika, por nuk i pëlqeu që denoncova burrin. Po kur e mori vesh se keqtrajtonte barbarisht mua edhe rrihte femijët, pastajmë ka dhënë të drejtë dhe ai.
Gazetari – Si ndihesh tani që ke filluar një jetë të re, a je më e qetë?
Znj Z – Po, jam më e qetë kam një punë dhe mundohem të ec përpara.
Gazetari – Po fëmijët si e kanë përjetuar këtë histori këtë ndryshim, si kanë reaguar ata?
Znj Z – Tani janë ambientuar, unë mundohem t’u plotësoj nevojat. Nuk është mirë kështu që më kanë vetëm mua po ky ishte fati im dhe fati i tyre. I madhi që ka provuar edhe drurin e të atit dhe ka parë vuajtjet e mia, më mbështet dhe përpiqet të më ndihmojë. Djali i vogël e ndjen ndonjëhërë mungesën e të atit, por edhe ai më dëgjon, nuk kam patur probleme, në shkollë ka ecur mirë.
Gazetari – Keni patur ndihmë nga Bashkia Korçë apo organizata të ndryshme gjatë kësaj kohe?
Znj Z – Po më kanë ndihmuar shumë që kur denoncova dhe më pas më kanë orientuar, më kanë këshilluar, më kanë qëndruar afër, i falenderoj nga zemra, pa to mbase nuk do t’ia kisha dalë mbanë.
Gazetari – A njihnit shoqe të tjera atje ku banonit, që kishin probleme si ju?
Znj Z – Po njihja, në punë ose në kopësht kur merrnim fëmijët flisnim me njëra- tjetrën për problemet për dhunën , po jo publikisht, vetëm ne që kishim probleme. Të tjerat nuk përziheshin. Na shihnin me keqardhje. Ndonjëherë na jepnin zemër dhe na thonin shpesh të bënim durim. Po çdo gjë e ka një kufi.
Gazetari- Çfarë mesazhi keni për ato femra që aktualisht përjetojnë një situatë dhune?
Znj Z – Të marrin jetën e tyre në dorë, të bëjnë diçka, të kërkojnë ndihmë dhe të denoncojnë se ajo nuk është jetë.
Gazetari – Faleminderit!
Leave a Reply