Mbledhja e përbashkët e këtyre ditëve në Pogradec, midis Qeverisë shqiptare dhe asaj maqedonase, shihet si moment i rëndë- sishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve ballkanike. Të dy palët e vlerësojnë atë si stad të ri në ecurinë e këtyre marrëdhënieve. Madje, Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, e konsideron këtë si moment historik. Një numër marrëveshjesh u nënshkruan. Realizimi i tyre do t’i shërbente lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, bashkëpunimit për Rrugën e Arbrit dhe korridoreve të tjera rrugore dhe hekurudhore apo në fushën energjetike. Por mbi të gjitha, do t’i afronte më tepër popujt me njëri-tjetrin.
Vitin e ardhshëm, të dyja qeveritë do të mblidhen në Ohër ose në Strugë. Pavarësisht epiteteve apo superlativave që i vishen kësaj mbledhjeje, një gjë është e qartë: Takime të tilla, sidomos këto të dy qeverive, marrin rëndësi të veçantë, për shkak të progresit që kërkohet të arrihet, në rastin konkret, në marrëdhëniet dypalëshe. Kur ato, pra, nxiten nga vullneti, dëshira e mirë e të dy palëve, inkurajuar dhe nga orientimi i përbashkët euroatlantik, i kontribuojnë realisht një klime të shumëdëshiruar, jo vetëm te këto vende, por dhe më tej, në rajonin tonë në tërësi, paqes, stabilitetit të qëndrueshëm të tij.
Nga ana tjetër, ato ngrohin sadopak opinionin e të dy anëve për të gjykuar me zjarrmi më të ulët dhe kapërcyer problemet që lindin herë pas here në këto marrëdhënie. Për rrjedhojë, vetë agresivitetit të forcave ekstremiste u bëhet ballë më lehtë për zbehjen e tyre. Çështja është që këto takime të mos mbeten thjesht si dekor dhe as për shou mediatik. Sepse, sigurisht, jo në kontakte të këtij niveli, takimet dypalëshe, protokollet, marrëveshjet dypalëshe nuk kanë munguar dhe më parë, por zbatimi i angazhimeve të marra shpesh ka mbetur në vend.
Pra, ku janë efektet e këtyre takimeve, si në rrafshin politik dhe në atë ekonomik? Pengesat e shfaqura më vonë, të cilat, në fakt, kanë qenë po aty, nuk lëviznin lehtë, të frymëzuara jo pak nga qëndrimet nacionaliste. Ndryshe, si mund të shpjegohet që, edhe pse nuk bëhet fjalë për një marrëveshje dypalëshe, si ato të mësipërmet, kërkesa të rëndësishme si; ligji për gjuhët e të tjera, të Marrëveshjes së Ohrit, e arritur kjo me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës ndëretnike e ku garantues të saj ishin NATO, BE, SHBA dhe OSBE, nga pala maqedonase janë lënë thjesht në letër.
Partitë e saj së toku, por edhe me zërin e vakët të liderëve të partive shqiptare për shkak të spektrit politik të përçarë të tyre, përmbi gjashtëmbëdhjetë vjet kanë mbajtur varur elektoratin. Statusi kushtetues i shqiptarëve në këtë republikë mbeti po ai, pavarësisht disa të drejtave të avancuara, kur, sipas Marrëveshjes, duhej të sigurohej në mënyrë rigoroze bashkëjetesa dhe barazia midis shqiptarëve dhe maqedonasve. Raportet mes këtyre të fundit jo rrallë kanë qenë me probleme.
Shqiptarët janë parë si qytetarë të dorës së dytë. Krijohet përshtypja, nisur dhe nga fjala e Kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev, në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, se do të ketë një angazhim të ri në realizimin e këtyre çështjeve jetike, të cilat, edhe sipas vlerësimit të tij, “i shërbejnë forcimit të mëtejshëm të themeleve të një Maqedonie moderne”. Kjo përshtypje, duket se lidhet së pari, me zgjimin më të madh të presioneve të ndërkombëtarëve, sidomos nga BE dhe SHBA, për shkak edhe të një qasjeje më të madhe ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe këmbënguljes për plotësimin e nevojshëm të standardeve nga këto për integrimin europian të tyre.
Ftesa për Maqedoninë për anëtarësim në NATO, ka qenë qysh në 2008-ën dhe ajo për hapjen e bisedimeve për në BE, nga viti 2005. Nga ana tjetër, vetë shqiptarët në këtë republikë kanë dëshmuar përgjithësisht konstruktivitet, që vendi ku jetojnë të jetë sa më i konsoliduar e në progres të vazhdueshëm. Të mos shkojmë më tej, por le t’u kthehemi zgjedhjeve të fundit parlamentare.
Në këto zgjedhje, shqiptarët, për t’i thënë ndal regjimit të njohur të Gruevskit, për vlerat e demokracisë, bënë një gjest tepër emancipues, duke votuar për opozitën, sot në pozitë, madje, duke pasur dhe përfaqësuesit e tyre në të për deputetë, përkrah Zaevit, kryeministrit të sotëm.
Janë këto arsyet që e bëjnë aktualisht Qeverinë e Zaevit më bashkëpunuese me të gjithë faktorët e në kërkim të një politike më realiste. A do të arrijë ajo që ligjin “Për përdorimin e gjuhëve” ta kalojë në Parlament, sipas premtimit, brenda janarit që vjen dhe shqiptarët të realizojnë një të drejtë kushtetuese për përdorimin e gjuhës së tyre amtare? Mbajtja pezull e problemeve, duke u mjaftuar me renditjen e tyre, qoftë edhe në takime të përbashkëta si ky i dy qeverive apo në protokolle e marrëveshje, nuk mund të jetë në interes të dy palëve.
Ato kanë nevojë të jetësohen përmes rritjes së kontakteve njerëzore, midis institucioneve në Maqedoni e në Shqipëri dhe mbi të gjitha, me më pak paragjykime ndaj njëri-tjetrit. Pika kufitare dhe doganore të përbashkëta, sikurse kemi me Malin e Zi, nuk ka pse të mbeten thjesht si opsione me Maqedoninë. Ato vetëm do të lehtësonin qarkullimin e njerëzve dhe mallrave të të dy anëve.
Apo probleme që lidhen me rishikimin e ujërave kufitare, të kalimit pa pengesa të librave shqip, sipas procedurave doganore e të tjera si këto, zgjidhja e të cilave kërkon më shumë vullnet. Në këtë mënyrë dhe mbledhjet e qeverive do të bëhen edhe më të nevojshme, për rrugë e bilance të reja dhe nuk do të shihen apo paragjykohen ndryshe.
Leave a Reply