Tani jemi mësuar me rrugën e protestave të popullit rumun, me qëndresën e tij përballë atyre padrejtësive që ushqehen, në veçanti, nga drejtues dhe përfaqësues të tjerë të forcave politike në pushtet. Edhe këto ditë, as të ftohtit dhe as reshjet e borës nuk i tulatën qytetarët e thjeshtë të dalin në protesta masive, jo vetëm në Bukuresht, por dhe në qytetet e tjera të Rumanisë, teksa qeveria kërkon t’i lejë të shpërfillur. Dhe për të mos u ndjerë të tillë, këta qytetarë nuk mund të pajtohen me korrupsionin dhe qeverinë, që e inkurajon atë.
Ata e akuzojnë këtë të fundit se është duke bërë ç’është e mundur që lufta kundër këtij korrupsioni dhe pavarësia e gjyqësorit, të zbehen sa më shumë, që Drejtoria Kundër Korrupsionit(DNA), me një pavarësi reale, të dobësohet dhe të mos ketë forcën e deritanishme. Sot në pushtet, në Rumani, janë SocialDemokratët(PSD) me Aleancën e Liberalëve dhe Demokratëve(ALDE). Muajin e kaluar, qeveria, përmes Parlamentit, bëri përpjekje të çojë Ligjin për një organizim të ri të gjyqësorit. Me fjalë të tjera, që sistemi i drejtësisë të futet nën çadrën politike, duke qenë nën kthetrat e qeverisë.
Kështu, zyrtarët e njohur në strukturat e larta shtetërore, do ta kishin më të lehtë për të dalë nga gara e hetimit për korrupsion. Sikurse dihet, Transparency International, e radhit Rumaninë në shtetet më të korruptuar të Bashkimit Europian, duke u privuar nga BE-ja në dhënien e fondeve të tij për fusha të ndryshme. Qysh më parë, këtë përpjekje të fundit të qeverisë, Komisioni Europian e kundërshtoi. Madje, të njëjtën gjë bëri edhe vetë Gjykata Kushtetuese.
Por, a do të pajtohen parlamentarët me dekriminalizimin e veprave penale? Çuditërisht, koalicioni qeveritar, duke pasur shumicën në Parlament, shpreson t’ia arrijë qëllimit. Pyetja që të lind me të drejtë pas kësaj dhe të ngacmon më shumë: Si mund ta përballojë ai zemërimin e qytetarëve të vetë, të cilët realisht nuk kanë pyetur përballë sfidave qeveritare, çfarëdo që mund të kenë qenë ato?
Ata që sot janë në pushtet, e njohin mirë zemërimin e bashkështetasve të tyre. Po këta, në fillim të vitit të shkuar, mbushën sheshet e Rumanisë kundër një dekreti jo pak të habitshëm të qeverisë, të një qeverie që sapo kishte ardhur në pushtet nga zgjedhjet parlamentare. Dhe fare açik. Me të i jepej e drejta e qytetarisë zvogëlimit të dënimeve të zyrtarëve të korruptuar, si dhe mosndëshkimit të atyre, dëmi i të cilëve nuk do ta kalonte shifrën 44 mijë euro(!).
Në këtë mënyrë, një numër i madh të burgosurish do të linin vendin e dënimit, në emër kjo edhe të “shpopullimit të ndjeshëm të këtyre burgjeve”. Me këtë rast, edhe çështje të tjera nën hetim do të mbylleshin. Domethënë, abuzuesit inkurajoheshin dhe më tej, sepse këtej e tutje, ata do të mbroheshin nga ligji. Vetë kreu i Social-Demokratëve, Liviu Dragnea, do të ishte përfitues i parë pas dënimit të tij me kusht, për manipulim të zgjedhjeve dhe abuzim me detyrën.
Kjo do t’i hapte rrugën atij të merrte kreun e ekzekutivit. Një situatë e tillë nuk mund të mos ndizte zjarrin e protestave. Këtyre, atë fund janari, iu bashkua edhe Presidenti i vendit, Klaus Johannis, duke u bërë mbështetës real i protestuesve, numri i të cilëve arrinte në 500 mijë vetë, duke u bërë nga protestat më të mëdha në Rumani, qysh prej vitit 1989, nga rënia e regjimit komunist.
Dhe protestat kanë vazhduar. Por ajo që të bën më shumë përshtypje është fakti që, edhe pse zinxhiri i protestave duket i pashkëputur, qëndrimet e qeverisë rumune mbeten po ato; një tërheqje e përkohshme e saj, për të vepruar përsëri. Nën trysninë e protestuesve, vetëm gjatë kësaj periudhe të shkurtër pas zgjedhjeve, janë ndryshuar disa kryeministra.
Me ikjen këto ditë të Kryeministrit Mihai Tudose dhe ardhjen e Viorica Dancila, njeri i afërt i kreut të Partisë Social-Demokrate, sipas analistëve vendas, vështirë të mendohet për ndryshimet e pritura nga protestuesit e ditëve të fundit. Këtë e bën dhe më tej të besueshme edhe parashikimi për kabinetin e ri qeveritar, një copy-paste e kabinetit të derisotëm, i cili këto ditë konfirmohet nga Parlamenti. Vendimi i presidentit për miratimin e propozimit të socialdemokratëve dhe liberalëve për kryeministren e re, është mirëpritur nga ata.
Ndryshe, sipas tyre, vendi mund të kalonte sërish në zgjedhje të parakohshme, duke iu shmangur një krize politike. Duket që kjo, normalisht, u përgjigjet interesave të njohura të koalicionit në pushtet. Nga ana tjetër, ajo nuk i ka kënaqur protestuesit, të cilët duken të zhgënjyer nga qëndrimi i presidentit. Rruga e protestave mund të vazhdojë dhe më tej. Çështja është që, dhe qëllimi i tyre të mos degjenerojë pa e humbur efektin e vetë pozitiv.
Leave a Reply