Pas afro dy javësh, më 16 korrik, pritet të takohen në kryeqytetin finlandez, Helsinki, Presidenti i SHBA, Donald Trump, dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin. Lajmi u bë i njohur, ndërkohë që John Bolten, Këshilltari i Presidentit Trump për Sigurinë Kombëtare, ndodhej në Moskë, ku bisedoi me kreun e Kremlinit dhe zyrtarë të tjerë rusë rreth këtij takimi. Ky është takimi iarë zyrtar, pas takimeve ndërkombëtare, qysh nga Takimi i parë i G20- ës, një vit më parë në Hamburg dhe atij më të fundit, në Samitin e Azi-Paqësorit, në Vietnam, si dhe shkëmbimit të mendimeve përmes telefonatave.
Helsinki është bërë tashmë qyteti që mirëpret herë pas here krerët e dy vendeve për rikthimin e dialogut, në përpjekjet për zgjidhjen e nyjeve në ecurinë e marrëdhënieve SHBA-Rusi. Njëzet e tetë vjet më parë, Presidenti Bush u takua me homologun e tij, Gorbaçov, në prag të shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe shtatë vjet më vonë do të ishin në të njëjtën tavolinë bisedimesh presidentët Clinton dhe Yeltsin. Ky është takimi i parë zyrtar i dy liderëve. Pavarësisht rezultateve pas këtij takimi, e rëndësishme është që ata po takohen e bisedojnë kokë më kokë me njeri-tjetrin, një dëshirë kjo që është shprehur nga të dyja palët dhe sidomos gjatë këtyre ditëve në deklarimet pozitive të secilit. Mbi të gjitha, veçojmë atë çka ka tërhequr më tepër vëmendjen: këmbëngulja e Presidentit Trump për të dalë nga gjendja e amullt e derisotme e marrëdhënieve.
Një nismë kjo jo e lehtë, por që, në fund të fundit, nuk ka përse të na bëjë shumë përshtypje, sepse tashmë jemi mësuar me nismat e guximshme dhe të një qëndrimi ndryshe të Presidentit amerikan. Le të kujtojmë optimizmin e Trumpit gjatë fushatës së tij presidenciale. Edhe pse ai mund të rrezikonte, premtoi se në marrëdhëniet ndërkombëtare të SHBA-së, përmirësimi i marrëdhënieve me Rusinë do të kishte një vend të rëndësishëm gjatë presidencës së tij.
Ai edhe më vonë do të pohonte rolin që mund të luajë Rusia në zgjidhjen e krizave në arenën ndërkombëtare dhe se të pasurit e marrëdhënieve pozitive me të janë vetëm një gjë e mirë. Aktualisht, iniciativa e Trump ngrihet mbi rezervat, ndasitë e hapura të vendeve të ndryshme, anëtare të Bashkimit Europian dhe të NATO-s lidhur me qëndrimet e SHBA-së ndaj Rusisë. Madje, edhe ndaj kundërshtimeve të administratës së tij, dallime, të cilat janë bërë publike. Edhe në këtë takim, sikurse është e njohur për takime të tilla, së pari pritet të dialogohet për marrëdhëniet dypalëshe, por dhe impaktin e drejtpërdrejtë, si vende të fuqishme, në zgjidhjen e krizave rajonale dhe problemeve të tjera ndërkombëtare.
Dhe pse dallimet në interesat gjeostrategjike janë të njohura, dialogimi për çështjet e mësipërme dhe të tjera i shërben së mirës dhe jo fryrjes a zgjerimit më tej të ndarjeve, tensioneve, që të mos ketë një tjetër Luftë të Ftohtë, siç pohoi këto ditë dhe shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili më parë ka paralajmëruar se, “Rusia po bëhet edhe më e pallogaritshme dhe më agresive”.
SHBA, sikurse dhe Bashkimi Europian, katër vjet më parë vendosën ndërmarrjen e sanksioneve kundër Rusisë, si masë ndëshkuese për aneksimin e Krimesë gjatë konfliktit me Ukrainën, zgjatja e të cilave ka vijuar dhe më vonë. Por, ndërsa Kongresi ishte i palëkundur ndaj kësaj të fundit, Donald Trump dukej më pak i vendosur. Nënshkrimi nga ana e tij për legjislacionin përkatës, u bë vetëm për një shkak, sikurse u shpreh ai, “për t’i shërbyer unitetit kombëtar”. Jo pa ndikim kanë qenë në marrëdhëniet midis dy vendeve dhe akuzat që janë bërë ndaj palës ruse për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së. Kështu, këto marrëdhënie erdhën duke u ngrirë.
Moska, pas këtyre, si përgjigje mori dhe vendimin për zvogëlimin e menjëhershëm të trupit diplomatik amerikan në Rusi. Të vazhdojmë më tej. Përballë optimizmit të Presidentit të SHBA-së, pyetja që shtrohet: A do të sjellë ky takim i dy të mëdhenjve, për të cilin treguan interes palët, një klimë më të ngrohtë në marrëdhëniet e ftohura? Fati i mëtejshëm i sanksioneve ndaj Rusisë vështir të ndryshojë, vetëm ndoshta me ndonjë zbutje të vogël të tyre. Kjo lidhet me faktin që vështir apo e pamundur të bëhet fjalë për një pikë kthese, sidomos me Krimenë e deri diku edhe me mbështetjen e Presidentit të Sirisë, Assad, nga ana e Rusisë, por dhe me vetë vendosmërinë e ligjvënësve amerikanë ndaj sanksioneve.
Tematika e bisedimeve, përveçse sa më lart, do të shtrihet me siguri dhe në çështje të tjera, ku dhe mosmarrëveshjet kanë qenë prezente. Ndoshta, siç u shpreh dhe vetë Presidenti Trump, “do të dalë diçka e mirë prej këtij takimi”. Edhe Putin shpreson në hapat e para për ringjalljen plotësisht të marrëdhënieve midis Kremlinit dhe Shtëpisë së Bardhë. Takimi është sidoqoftë një investim në përmirësimin e marrëdhënieve për të dalë nga niveli më i ulët i tyre. Vetë, të dy liderët, ai i favorizon në opinion. Dhe në fund, pavarësisht rezultateve të tij, të cilat vështir të priten, takimi, megjithatë do të shihet, por dhe do të shitet si një arritje.
Leave a Reply