Nga Kristaq Xharo
Titulli i mësipërm, në origjinal, lidhet me shprehjen e famshme të St. Agustinit, i cili para 1 700 vjetësh (354-430) thotë se “… në mungesë të drejtësisë, sovraniteti nuk është asgjë tjetër veç robëri e organizuar”.
Për ata që kanë ndjekur ligjërimet për sovranitetin, tashmë në mënyrë paradoksale rigjendemi në valën e katërt. Si referencë të hapur apo të mbuluar ato janë lidhur me angazhimin e aleatëve strategjikë në mënyrë të veçantë për reformën në drejtësi dhe së fundi edhe për ndikimin e saj në krizën politike. Heronjtë e gjallë të “ruajtjes së sovranitetit”, kanë mbetur po ata të tre valëve të para.
Numri i tyre nuk është shtuar, nuk janë bërë edhe më të ndjeshëm e për pasojë edhe për mbështetësit, sepse asgjë të re nuk gjejmë në ligjërimet më të fundit.
Ndoshta ata do të vazhdojnë të jenë aty edhe më pas, por pa u flijuar. Edhe pse në këtë valë ligjërimet janë bërë më të egra, përsëri mbetet mjaft e paqartë lidhja e konceptit të sovranitetit me modelin që kritikët kanë në mendje.
Edhe pse kjo lidhje nuk është shumë e vështirë, pasi teoritë politike njohin kryesisht dy lloje sovraniteti: atij që vjen nga Traktati i Vestfalisë më 1648-n dhe që njihet me termin sovranitet “vestfalian” dhe atij që nis me krijimin e Lidhjes së Kombeve më 1920-n, e më pas mori formën moderne më 1945-n me Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Koncepti i dytë njihet si “sovranitet modern”.
Dallimin midis tyre e paraqet Havier Solana, sekretar i përgjithshëm i NATO-s e më vonë përfaqësuesi më i lartë i Komunitetit Europian, kur thotë se “… t’i brendashkruhesh një koncepti të mbyllur të sovranitetit, në këtë kohë, është në rastin më të mirë një anakronizëm i pamenduar dhe në më të keqin, një bast i rrezikshëm”. Pa hyrë në shpjegimin e koncepteve (mund ta gjeni në literaturën bashkëkohore), Shqipëria iu bashkua përfundimisht konceptit modern të sovranitetit pas vitit 1990.
E lidhur me reformën në drejtësi dhe gati me vetë thelbin e krizës politike, vala e tanishme mund të konsiderohet si vala e katërt. Vala e parë i përket periudhës qershor-korrik 2016 dhe kishte për objekt shfrytëzimin e diferencave midis faktorit ndërkombëtar. Vala e dytë mendohet se i përket periudhës shtator–tetor 2016 dhe pati si veçori raportet dhe rolin midis faktorit ndërkombëtar dhe atij vendas.
Vala e tretë, në periudhën shkurt-mars 2017 spikati me përdorimin e armëve më të rënda dhe momenti më vendimtar për reformën. Tashmë jemi në valën e katërt, ndoshta dhe në preludin e reformës, ku edhe rezervat e fundit hidhen në luftim dhe taktikat ndërthuren për të pasur rezultat. Të gjitha valët kanë pasur si element thelbësor raportet midis reformës dhe sovranitetit.
Çfarë përfaqëson vala e re? Kjo valë lidhet me krizën aktuale dhe veçanërisht me dy momente të rëndësishme. Së pari “ndërhyrja” e hapur e SHBA-së dhe BE-së për të shmangur një konflikt “të deklaruar” më 30 qershor. Pra, i vetmi “cenim sovraniteti”, në këtë rast ishte heqja e mundësisë për të shkuar me “urra” në një konflikt/luftë civile. Ashtu si edhe në baticat e mëparshme, edhe kjo valë nuk u lidh me kalendarin hënor, por me amplitudat e reformës në drejtësi. Ndryshe nga vala e parë, tashmë jemi në të katërtën, kjo baticë nuk kapi në “befasi” as publikun, por as edhe aktorët kryesorë, veçanërisht aleatët strategjikë, që po angazhohen fuqishëm për ta bërë shtetin tonë një shtet të së drejtës.
Ajo që e dallon këtë valë janë “heronjtë e gjallë” të mbrojtjes së sovranitetit, ndryshe nga vala e tretë, ku dukej se kishin objektiv përfaqësuesit ndërkombëtarë, në plan personal.
Tashmë nga një pozicion më i avancuar, niveli i sulmeve ka kaluar jo vetëm institucionet, por direkt shtetet që përfaqësojnë. Ndihet që kritikëve nuk u ka mbetur asnjë mjet tjetër politik e diplomatik. Ndoshta edhe vetë po besojnë se është jo vetëm beteja, por edhe lufta e fundit. Kjo baticë, që vështirë se do të arrijë bregun, duket se do të ketë kryesisht këtë efekt bumerang.
Pyetja hipotetike ngrihet: Kush e cenon realisht sovranitetin, angazhimi i fuqishëm i partnerëve ndaj reformës apo sjellja e këtyre aktorëve ndaj aleatëve strategjikë? Nën paradoksin se angazhimi i partnerëve tanë strategjikë po cenon sovranitetin tonë kombëtar, thirrja më tepër po identifikon grupin.
Nuk besohet se adresimet e fundit do të kenë edhe ndonjë efekt dëmtues të drejtpërdrejtë apo anësor në opinionin publik. Aleatët e mëdhenj, që tashmë njohin taktikën dhe objektivat e elitave politike, do të ndikohen edhe më pak. Ato nuk mund të “tremben” nga ndonjë strategji e veçantë sulmi, pasi elitat politike te ne nuk kanë një të tillë, thjesht ato janë zhytur në taktikat e baltosjes dhe ndihen komod në këtë nivel loje.
Efekti i mesazheve për cenimin e sovranitetit do të kalojë me më pak dëme, sepse së pari opinioni publik e demonstron nivelin e ndjeshmërisë dhe inteligjencës më të lartë se ai i mesazheve që i adresohen dhe së dyti, aleatët edhe më tej duan që ky vend të ecë me këmbët e veta, pra duke u bërë edhe më sovran.
Ata, aleatët, do të vazhdojnë të mbeten pjesa motorike e procesit të reformës, si garancia e vetme e suksesit. Ndihet që, për asnjë nga të dyja palët që i adresohen mesazhet nuk do të bien në “grackën” e partizanëve të “sovranitetin vestfalian” dhe fuqishëm do të mbeten të orientuar drejt misionit kryesor. Dhe kjo është më e thjeshtë sesa mund të mendohet, pasi opinioni është i qartë.
Një reformë në drejtësi e bën vendin më të mirë, por jo më pak sovran, apo më të rrezikuar. Nuk ka ndonjë dilemë në raportet midis ndjeshmërisë së termit “sovranitet” dhe qëllimit të reformës.
Artikuluesit e termit “sovranitet”, ndoshta, duke synuar diçka më të largët po e shkëputin termin nga konteksti i përgjithshëm. Ka paradokse në artikulim ashtu siç mund të mendohet se ka qëllime të tjera, por larg shqetësimit të vërtetë për sovranitetin.
Se çfarë është sovraniteti, si sigurohet ai në arenën ndërkombëtare dhe botën bashkëkohore, nuk lidhet aspak me atë që dëshirojnë të lidhin të merakosurit tanë të sovranitetit. Berzinski shprehet se “Sovraniteti është një fjalë që përdoret shpesh, por sot sovraniteti është nominal. Shtete që pretendojnë se janë sovranë janë të tillë vetëm nominalisht dhe relativisht…”.
Nëse do të mendohej për “cenim” të sovranitetit, mendimi do të lidhet me ata që po e cenojnë. Në kontekstin e cenimit të sovranitetit identifikohet rreziku nga ndërhyrja e jashtme. Kështu thonë edhe “mbrojtësit e sovranitetit”. Madje këta të fundit, ndërhyrjen e kanë identifikuar me përfaqësuesit zyrtarë të SHBA-së e BE-së. Po cilët janë cenuesit e sovranitetit. Mos ndoshta ata që morën pjesë në krijimin dhe rritjen e shtetit sovran shqiptar. Edhe vetëm kaq, në çdo rast, do të ishte gabim përafrimi i artikulimit të termit cenim sovraniteti. A thua që po përsëritet viti 1919. Histori e kthyer në tragjikomedi.
Nëse do të dëshironin të debatonin vërtet për konceptin e sovranitetit, debatit mund t’i afrohen çështje që vërtet lidhen me fuqinë e termit. Së pari, duhej të identifikonim se për cilin “cenim” të sovranitetit është thirrja: territorial, ushtarak, politik, ekonomik? Dhe së dyti, nga cilët po cenohet ky sovranitet? Termi sovranitet është koncept madhor dhe luhet vetëm në nivel strategjik. Sovraniteti nuk mund të cenohet nga individë e as nga grupe. Janë shtetet që luajnë në nivelin e sovranitetit. Por në këtë rast nuk bëhet fjalë për shtete, që historikisht kanë cenuar apo rrezikuar sovranitetin, kryesisht fqinjët, por për aleatët strategjikë, ata që historikisht kanë qenë në ngritjen dhe ruajtjen e këtij shteti sovran. Sovraniteti nuk sigurohet as me rapsodë e as me flijime…
Aktualisht, në bazë të kapaciteteve të fuqisë, vendi ynë nuk i kalon përmasat e një shteti të vogël. Pasi i çoi kapacitetet e konvencionale të fuqisë drejt “zero”-s, tashmë edhe sigurinë fizike, në përcaktimin më klasik të sovranitetit ia ka adresuar NATO-s. Në mënyrë “sovrane” ne nuk kemi kapacitete dhe aftësi për ta ruajtur të vetëm sovranitetin territorial. Ne nuk kemi kapacitete për të mbrojtur hapësirën detare dhe më pak për hapësirën ajrore.
Ne kemi kapacitete shumë të kufizuara për kufijtë tokësorë. Nëse është fjala për sovranitet ekonomik, jo ne, por edhe vende të tjera më të mëdha e më të fuqishme, në epokën e globalizmit, nuk mund mbesin sovran për zhvillimet ekonomike.
Për gati 30 vjet FMN-ja, BB-ja, apo BE-ja asistojnë në politikat dhe ndihmat ekonomike për zhvillimin e vendit. “Sovraniteti politik” është po aq i ndërvarur dhe i “cenuar” ndërkohë që kemi pranuar dhe dëshirojmë integrimin në BE, NATO apo organizime të tjera politike ndërkombëtare. Nëse dëshirojmë të integrohemi në Perëndim, ku ofrohen mundësi zhvillimi dhe mbijetese kombëtare, kërkohet të ecet me hapin e tyre, në të cilën bën pjesë edhe drejtësia, duke qenë të ndërgjegjshëm për detyrimet jovestfaliane.(Gazeta Liberale)
Leave a Reply