Vdekja para disa vitesh e një prej aktorëve që kam dashur shumë, Philip Seymour Hoffman, nga një mbidozë heroine më ka trishtuar pa masë.
Sigurisht që kaloi pa shumë bujë te ne sepse kemi halle të tjera, vdekja e një aktori nuk na e prish shumë terezinë dhe aq më tepër përtojmë të merremi si duhet me drogën.
Herë pas here në rrënzat e Tiranës, në gërmadha a poshtë ndonjë ure gjendet ndonjë djalë i ri i konsumuar nga heroina deri në vdekje, por kjo është shumë pak për të thithur energjitë e shtetit.
Mes kokainës që është kthyer në standart respekti mes pasanikëve shqiptarë e frekuentuesve të këtyre, dhe barit që nis të përdoret që në klasë të 9 tashmë, heroina duket si mall i të varfërve, shpesh në cilësi të ulët, gjithmonë vdekjeprurëse, një fenomen krejtësisht jashtë vëmendjes së qeverive shqiptare.
Heroina, droga e të varfërve
Në një artikull mbi përdorimin e heroinës, The Economist sillte disa fakte për të cilat akush në Shqipëri nuk duket i interesuar: programet e trajtimit të heroinomanëve nga shteti.
Janë disa vende europiane si Zvicra e Hollanda, ku heroinomanët jo vetëm marrin heroinë falas nga shteti, por shteti u krijon dhe kushtet që ta injektojnë në mënyrë të sigurt atë. Këto projekte mbi 10-vjeçare kanë dhënë efekte shumë pozitive, trafiku i heroinës ka rënë, vdekjet nga mbidoza nuk ndodhin më, dhe numri i përdoruesve është ulur.
Çfarë e pengon Shqipërinë që të marrë masa të tilla për heroinën? E njëjta gjë që e pengon edhe të liberalizojë përdorimin e marihuanës.
Shoqëria ndëshkuese
Problemi i Shqipërisë me drogën, është se shteti shqiptar e konsideron thjesht si një aktivitet të jashtëligjshëm që duhet luftuar e jo si një problem social që duhet pranuar e me të cilin duhet përshtatur.
Institucionet shqiptare jo vetëm me drogën, por çdo problem presin që ta zgjidhin në hallkën e fundit (prodhimi) dhe jo në të tërë hallkat zinxhir.
Vullneti për t’u marrë me drogën vetëm në nivel krimi që duhet zgjidhur, për fat të keq nuk vjen nga lobimi i mafias së drogës. Vjen thjesht nga padija dhe përtesa e shtetit për të t’u marrë me problemin në tërësinë e vet.
Fundja, pse duhet t’i bëhet vonë pushtetit? Nga heroina vdesin fëmijët e të varfërve; me hashash kapen e dënohen shpërndarësit e vegjël; mjaft që kokaina të lëvizë lirshëm në tavolinat e tyre të mermerit.
Leave a Reply