Presidenti i vendit më të fuqishëm të botës, Donald Trump, paguhet 400 mijë dollarë në vit. Presidenti rus, Vladimir Putin, paguhet 137 mijë dollarë. Keith Brandt, kirurg i famshëm amerikan, përfiton 315 mijë dollarë në vit, ndërkohë që James Manley, avokat i famshëm, merr 208 mijë dollarë. Tom Cruise raportohet të jetë paguar 28 milionë dollarë për një film dhe, duke aktruar në 3 filma gjatë vitit, siguron të ardhura që shkojnë rreth 85 milionë dollarë. Sportistë të famshëm si Lionel Messi përftojnë 80 milionë dollarë në vit, Roger Federer 64 milionë dollarë dhe LeBron James 86 milionë dollarë. Hock Tan, CEO i Broadcom paguhet 103 milionë dollarë në vit.
Vihet re që politikanët, mjekët dhe avokatët, sado të rëndësishëm, prestigjiozë dhe të zotët, shpërblehen nga shoqëria qindra herë më pak se aktorët, sportistët e famshëm dhe CEO-t (drejtorët ekzekutivë të kompanive të mëdha). Diferenca kaq e madhe e shifrave, sigurisht, nuk mund të justifikohet prej teorisë marksiste që ka në bazë të shpjegimit të saj elementin e punës së investuar për të realizuar mallin apo shërbimin. Doktori, avokati dhe politikani punojnë shumë herë më tepër orë se sportisti dhe aktori. As rëndësia për funksionimin e shoqërisë nuk duket ta shpjegojë këtë diferencë të jashtëzakonshme në shpërblim. Doktori shpëton jetë, avokati shpëton pasuri dhe politikani menaxhon fatet e vendit; ndryshe nga aktorët dhe sportistët që i përkasin thjesht industrisë së argëtimit. E megjithatë, këto shifra nuk janë as spekulim i rëndomtë tregu, as rrjedhojë e “shoqërisë së spektaklit”, siç do të shprehej Guy Debord. Përtej çështjes nëse janë të drejta apo jo, ato mbartin një të vërtetë të madhe, e cila tregon shumë për gjendjen njerëzore.
Ne jetojmë sot në një botë të çmagjepsur. Sociologu gjerman Max Weber, e huazoi termin ‘çmagjepsje’ nga Friedrich Schilleri për të përshkruar racionalizimin kulturor dhe zhvlerësimin e fesë në shoqërinë moderne. Shoqëria e çmagjepsur është shoqëria e modernizuar, burokratike dhe shekullare, ku të kuptuarit shkencor vlerësohet më shumë se besimi fetar dhe ku proceset janë të orientuara nga qëllimet racionale, ndryshe prej shoqërisë tradicionale në të cilën bota, sipas Weberit, mbetet një kopsht madhështor i magjepsur.
Duke i përzënë zotat, shpirtrat, orakujt, të padukshmen që ndërhyn në mënyrë vendimtare në jetët tona, shoqëria moderne detyrohet të përballet me një botë të çmagjepsur – e cila përjetohet prej ne modernëve me sigurinë e mërzitshme se gjithçka në këtë botë i bindet ligjeve të natyrës, se nuk ka asgjë përtej fakteve të rëndomta që ndijojnë shqisat tona, se jeta njerëzore është aq banale saqë mund të strukturohet dhe sigurohet pa asnjë problem prej policave të sigurimit, ligjeve dhe rregullave tërësisht njerëzore.
Kjo botë e çmagjepsur e shoqërisë moderne është psikikisht e padurueshme për njeriun modern. Që të shpëtojmë nga mërzia e thellë, nga mërzia ekzistenciale, ne modernët kemi nevojë për mrekulli, për ato akte që i tejkalojnë ligjet e natyrës dhe prandaj na magjepsin; kemi nevojë që kjo botë e çmagjepsur të popullohet përsëri me zota, të cilët, prej qenies së tyre të mistershme, na japin shenja domethënëse për jetët tona.
Këtë bëjnë aktorët, sportistët e famshëm dhe CEO-t – ata janë zotat që kryejnë mrekulli në shoqërinë moderne. Hapësira dhe koha në film, në fushën e sportit dhe në vizionin e CEO-ve ka ligjësi krejt të tjera prej hapësirës dhe kohës së çmagjepsur të jetës sonë të përditshme. Përjetimet që kemi nga njëra dhe tjetra janë krejt të ndryshme. A e keni menduar ndonjëherë, pasi kam parë një film western që ju ka mrekulluar, se sa e mërzitshme duhet të jetë jeta në ato vise të ashpra ku në fakt nuk ndodh asgjë interesante?
Leave a Reply