Kanë kaluar disa orë nga deklarata e ambasadorit amerikan në Tiranë, e cila ishte vazhdë e qëndrimit të lartë amerikan që u anonçua nga goja e një zyrtarit përgjegjës të DASH-it për Ballkanin, siç është Hoyt Brian Yee, por komentet e palëve janë të ndryshme.
Të gjithë e mbështesin këtë deklaratë, por intepretimet i bëjnë sipas “midesë”.
Edi Rama, kryeministri i intepretoi si sinjal i qartë për të mos pasur gjueti shtrigash por hetime, kurse opozita, e në veçanti njerëzit e LSI-së, theksojnë se ambasadori i SHBA ka nënvizuar se asnjëri nuk është mbi ligjin.
Në fakt, Donald Lu i tha të dyja, që edhe asnjëri nuk duhet të jetë mbi ligjin, edhe që nuk duhet të ketë gjueti shtrigash, por deri tani askush nuk po merret me një nga frazat më të rëndësishme të deklaratës së njeriut të Uashingtonit në Tiranë, që tashmë nuk është thjeshtë një i zgjedhur nga senati, por i deleguari politik i administratës së Presidentit Donald Trump në Tiranë.
Fraza realisht ishte shumë dramatike:
“Në 27 vitet e fundit, ky vend është përballur me problemin e turpshëm të politikanëve të fuqishëm, nga e djathta dhe nga e majta, që kanë kryer krime të tmerrshme dhe i kanë shpëtuar drejtësisë, pa pushim”.
Edhe pse ka katër rreshta ajo është shumë e fortë dhe mbart disa mesazhe njëherazi.
I pari: në 27 vjet Shqipëria është përballur me problemin e turpshëm ku politikanë si nga e majta, si nga e djathta kanë “kryer krime të tmerrshme”.
Është përcaktimi i parë, i dhënë në këtë mënyrë nga një ambasador, përfaqësues i shtetit më të fuqishëm në botë, në mënyrën më zyrtare të mundshme.
Pra, për herë të parë thuhet zyrtarisht nga SHBA se ajo e di që ka politikanë që kanë “kryer krime të tmerrshme”!
Për çdo qëmtues të politikës shqiptare, kjo frazë nuk thotë gjë tjetër, por një kërkesë e qartë e prerë dhe zyrtare që drejtësia shqiptare duhet të hetojë këta politikanë që në të kaluarën kanë bërë këto krime.
Që do të thotë se nuk do të ketë thjesht një skaner të politikës së qeverisë së Edi Ramës në 4 vitet e fundit, por një radiografi të të gjithë qeverive, që do të përgjigjen një me një.
Pra qeverive të Ylli Bufit, Vilson Ahmetit, Aleksandër Meksit, Bashkim Finos, Fatos Nanos, Pandeli Majkos, Ilir Metës dhe natyrisht Sali Berishës.
Qeveritë e Ylli Bufit, Vilson Ahmetit dhe Bashkim Finos kanë qenë kalimtare dhe vendimet e tyre nuk kanë ndikuar për zhvillim por për periudhë kalimtare.
Pra në skanër do të kalojnë qeveritë e Fatos Nanos, Pandeli Majkos, Ilir Metës dhe Sali Berishës.
Por nëse e studiojmë edhe më tej frazën e ambasadorit Donald Lu, do të shkojmë natyrisht tek pjesa e dytë e saj; dramatike dhe e fortë gjithashtu.
Pra ata që “I kanë shpëtuar drejtësisë vazhdimisht”
Nëse i bëjmë reçensë kësaj, fraze kemi të bëjmë me politikanë që janë hetuar, ose kanë nisur të hetohen por i kanë shpëtuar drejtësisë gjykimit, apo vendimit të gjyqësorit pa u hetuar nga prokuroria e gjykuar nga gjukata.
Po kush janë këta politikanë?!
Le të marrim vetëm çështjet penale të hapura nga Prokuroria ndër vite.
I pari që u përball me drejtësinë ishte Fatos Nano, kryeministër në vetëm pak muaj në vitin 1991 që u akuza për “abuzime indirekte me dashje”.
Nano u arrestua me burg dhe pas dy vjetësh paraburgim te 313-a, u dënua me 4 vite burg.
Në vitin 1997, Nano u fal nga Sali Berisha dhe më pas mori pafajësinë nga gjykata, ku mori edhe dëmshpërblimin.
Në qeverinë e parë të Aleksandër Meksit, të vetmen çështje ndaj qeveritarëve që hapi prokuroria ishte ajo e ashququajtura “Çështje e drurit të Arrës”, ku kërkoi heqjen e imunitetit të Ministrit të Financave të asaj kohe, Genc Ruli dhe Ministrit të Bujqësisë Rexhep Uka.
Në atë kohë grupi parlamentar i PD-së e rrëzoi kërkesën e Prokurorisë për të hequr imunitetin, pra vetëm që të hetoheshin e jo më prangoseshin, pasi duhej leje tjetër atë kohë.
Në vitin 1998, Prokuroria hapi çështje ndaj 5 ministrave të qeverisë së PD-së për çështjen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe masave për të shtypur rrebelimin e vitit 1997.
Çështja u mbyll më pas.Më 16 shtator 1998, me kërkesë të Prokurorisë së Përgjithshme Parlamenti i heq imunitetin deputetit Sali Berisha, njëherësh ish-president dhe kryetar i opozitës në atë kohë.
Akuza ishte për grushtin e shtetit apo sulmin ndaj kryeministrisë në 14 shtator 1998. Çështja u mbyll më pas.
Në vitin 2002, Prokuroria hapi hetimin për ish-ministrin Dritan Prifti(I ndarë nga jeta kohët e fundit) për korrupsion. Çështja u mbyll.
Në vitin 2006, Prokuroria nisi një hetim me kërkesën e qeverisë ndaj ish-ministrave socialistë: Anastas Angjeli dhe Arben Malaj. Çështja u mbyll.
Në vitin 2008, Prokuroria e Përgjithshme nisi një hetim ndaj Fatmir Mediut për rastin e Gërdecit, ku si pasojë e shpërthimit të një fabrike demontimi municionesh vdiqën 26 veta. Nisi hetimi, Fatmir Mediut ju hoq imuniteti, madje pas një përplasje mes Jozefina Topallit dhe ish-kryeprokurores Ina Rama.
Por pas zgjedhjeve të vitit 2009, Gjykata e Lartë e mbylli çështjen, pasi Fatmir Mediu kishte fituar imunitetin parlamentar dhe çështja u mbyll.
U hap hetimi për rrugën Durrës-Kukës, ku ministri i asaj kohe i Transporteve, Lulzim Basha, akuzohej për abuzim që arrinte shifrën e 220 milionë eurove.
Bashës ju hoq pushteti, madje edhe nisi gjykimi, por më pas çështja u mbyll pas kalimit të afateve të dosjes jashtë kufijve ligjorë.
Në janarin e vitit 2011, si pasojë e daljes së videos Meta-Prifti, Prokuroria kërkon heqjen e imunitetit për deputetin Ilir Meta, ish-zv.kryeministër në atë kohë.
Çështja nuk u gjykua asnjëherë në themel, pasi Gjykata e lartë vendosi të mos e marrë për bazë videoregjistrimin, duke pranuar raportin e tre ekspertëve shqiptar që e quanin “të pamipuluar”. Ndërkohë një ekspert amerikan e cilësoi videon si “të rregullt”.
Pas 21 janarit, ku përpara Kryeministrisë Forcat e Gardës vranë 4 qytetarë, Prokuroria nisi hetimet ndaj zinxhirit komandues të Gardës së Republikës. Policia nuk lejoi që të thirreshin në prokurori krerët e gardës dhe me një negocim të ambasadorit amerikan u vendos që gardistët të merren në pyetje nga prokurorët në selinë e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
Më në fund Prokuroria arreston komandantin e Gardës Ndrea Prendi dhe gardistin Agim Llupo, me akuzën se me pistoletën e tij janë qëlluar Ziver Veizi dhe Faik Myrto.
Paralel Prokuroria akuzoi zyrtarë të lartë të qeverisë, ndër ta edhe Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë se ka fshirë serverin e Kryeministrisë ku ndodheshin të filmuar pamjet e kamerave të Gardës dhe Kryeministrisë. Po ashtu krerët e Gardës u hetuan për prishjen e provave të procesverbalit për pistoletën me të cilët ishin qëlluar qytetarët. Pistoletës ju ndërrua qyta, por FBI me provë balistike arriti të gjejë në mënyrë të saktë se kush ka qëlluar.
Por gjykata i liroi shumë shpejt të gjithë, duke arritur një vit më parë ku Gjykata e Lartë e mbylli çështjen pa fajtorë.
Në vitin 2014, kur Edi Rama u bë kryeministër, qeveria e tij dërgoi denoncime për Arben Malajn dhe Ridvan Boden, me akuzën që kanë abuzuar me fondet publike. Dosjet u mbyllën nga Prokuroria e Përgjithshme.
I vetmi zyrtar që është dënuar është Spiro Ksera, përkatësisht me 1 vit e 8 muaj burg or që bëri shumë më pak. Ksera u dënua për vogëlsira krahasuar me dosjet e tjera.
Zoti Ksera, nuk ishte kurrë bindja si për publikun, ashtu edhe për ndërkombëtarët që përfaqëson një “pesht të madh” të korrupsionit qeveritare, por vetëm një viktimë e një loje jo të ndershme politike.
Leave a Reply