Shkrimet e përsëritura në “Washington Times” që godasin vazhdimisht reformën në drejtësi si një proces i projektuar për interesa pushteti të Kryeministrit Rama, për këdo që e ndjek rregullisht jetën politike të vendit, tingëllojnë po aq agresive, sa edhe banale, sa sloganet e një viti më parë nga çadra e “Republikës së Re”. E jo rastësisht! Të njejtat akuza, e më rëndë akoma, të njejtat sulme mbi ambasadorët e huaj në vendin tonë që i cilësojnë si komplotistë në këtë plan të mirëorganizuar për një veting selektiv, opinioni publik shqiptar i ka dëgjuar vazhdimisht nga një njeri dhe në një vend.
Në Prill të vitit 2017, Lulzim Basha do të bllokonte bulevardin kryesor të Tiranës me një çadër proteste që u kthye jo vetëm në simbol të një krize artificiale politike, por edhe në simbolin e turpshëm të një qëndrese agresive kundër reformës në drejtësi.
Nëse në shkrimet e Washington Times lexojmë të thuhet se ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, po mbështet qeverinë socialiste për “kapjen” e vetingut, menjëherë kujtesa na kthen në Prill, kur në mënyrë të paprecedentë, Lulzim Basha i hakërrehej ambsadorit Lu dhe asaj të BE-së, Romana Vlahutin, me të njejtat fjali identike.
Lulzim Basha akuzonte në Prill 2017 Kryeministrin Rama dhe ambasadorët e SHBA-ve dhe BE-së se janë të implikuar në krijimin e një reforme në drejtësi në favor të qeverisë. Basha e cilësonte vettingun e reformës në drejtësi si një projekt mafioz ku “bashkëfajtorë” ishin Rama dhe ambasadorët e huaj.
Përgjatë gjithë vitit, Lulzim Basha e Sali Berisha kanë sulmuar dy ambasadorët duke i cilësuar ata si guvernatorët e Shqipërisë dhe projektuesit e reformës famëkeqe në drejtësi.
Mbrëmjen e djeshme, vetë Lulzim Basha, si një komunikues amator në publik, zbuloi padashur se po, ishte ai që i kishte porositur këto shkrime në Washington Times, teksa në një përgjigje për Kryeministrin Rama mbi këtë çështje, shkruante se Rama i ka blerë ambasadorët e huaj. Mesazhin për të cilin pagoi gazetarin Todd Wood përmes lidhjeve të tij me rusët, Basha më në fund guxoi ta thotë hapur, njëherë e mirë.
Por pse vendosi pikërisht tani Lulzim Basha, pasi një vit të tërë këndoi këngën e përvajshme se drejtësia është kapur nga Rama me ndihmën e ambasadorëve, që këtë sulm ta transportojë në mediat ndërkombëtare? Pse pikërisht tani që procesi i vetingut ka filluar të japë rezultatet e para duke nxjerrë jaashtë sistemit dhjetra gjyqtarë e prokurorë që nuk arrijnë të justifikojnë pasuritë e tyre?
Mos të harrojmë se pasi bllokoi jetën politike për një farë kohë me çadrën në mes të bulevardit duke shpresuar se do të bllokonte reformën në drejtësi, e kur pa se krijimi i një konflikti artificial nuk e ndihmoi për asgjësendi, Lulzim Basha filloi ta transportojë histerinë e dështimit të tij përtej kufijve. Përmes kompanive të lobimit u mundua ta baltosë vendin deri në SHBA, por kur pa se balta mbi Shqipërinë iu kthye mbi vete, pas zbulimit të lidhjeve të pisëta me rusët që e sponsorizuan atë, vendosi të ngrejë sërish topin e luftës mbi vetingun. Këtë herë, duke shfrytëzuar lidhjet e tij me lobistët e implikuar në afera ruse si Nick muzin, Michael Flynn dhe Yuri Vanetik, Lulzim Basha e zhvendosi këngën e vajit, që e dalë nga goja e tij, tingëllon tashmë bajate për çdo shqiptar, në gojën e një gazetari pro rus. Kush me mirë se sa një gazetar pro Putinit mund të sulmonte më mirë, me porosi të Lulzim Bashës, ambasadën amerikanë në Tiranë?
Tani, frika e tij është me e madhe se sa dështimi në aksionin politik, sepse një sistem i ri drejtësie ku nuk ka vend për gjyqtarët që i kanë shërbyer politikanëve të inkriminuar si Basha, është kërcënim serioz për të. Për rrjedhojë, paratë që Basha paguan kundër vetingut në median e huaj kundër Shqipërisë, janë një pëprjekje e dëshpëruar për interesa tërësisht personalë. Ajo që Lulzim Basha ka vështirë për të kuptuar është se të mallkosh vetingun dhe Edi Ramën nuk është zgjidhje për disavantazhet e tij politike, e aq më tepër nuk lan përgjegjësitë e mëdha që ai duhet të japë përpara drejtësisë.
Nëse procesi vetingut do të ecë me këto ritme, ndoshta shumë shpejt do të vijë koha që llogari të japin politikanët si Basha, që drejtësisë i kanë shpëtuar me raporte mjekësorë, por deri atëherë, e sigurt është që kënga e vajit për drejtësinë e kapur nga Rama, do të jehojë edhe më shumë nga selia blu, jo si një thirrje për ndryshimin që duhet të vijë, por si tregues se Lulzim Basha, ndihet çdo ditë e më frikësuar për fatin e tij personal.



Leave a Reply