Në një postim në fb., profesori i universitetit Oakland, mataematicieni Tanush Shaska, para disa ditësh, shkruan se një “gjykatës në Amerikë, i cili akuzohet për korrupsion publik mund të dënohet me 395 vjet burg dhe 5.5.milionë dollarë gjobë. Ka përdorur disa sende të zyrës, credit card dhe makinën e institucionit”. Ky informacion më shtyu të kërkoja diçka më tepër rreth kësaj ngjarjeje që lidhet me drejtësinë, ku ne jemi në procesin e vlerësimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve për “babëzinë” në pasuri, ikompetencë profesionale dhe figurë të dyshimtë morale. Shumica e tyre, ish oficerë sigurimi me juridikun e asaj kohe, “plepistat” e Saliut me kurse gjashtëmujore, të tjerët mbaruar në universitetet tona private e publike, në shumicën e rasteve me diploma të blera dhe gjithë kësaj “arradhe” juridike i shtohen edhe avokatët “sekserë”(në shumicën e rasteve, se midis kësaj arradhe ka edhe prokurorë, gjyqtarë e avoketër relativisht të ndershëm) që gjatë këtij tranzicioni, nën udhëheqjen e politikës, ka bërë kërdinë me pronat, krimet, dhunimet,tjetërsimet etj, duke e futur Shqipërinë në një qerthull të tillë krizash morale, politike, ekonomike e sociale , që nuk ka Veting ta kthejë këtë vend në gjendje normale.
Gjatë kërkimit mësova se bëhej fjalë për një mashtrim federal të Allen H. Loughry II, një gjyqtar 47-vjeçar i Gjykatës Supreme të Apelit të Virxhinias së West Virginia. Loughry, i cili mori detyrën në vitin 2012, u zgjodh për të shërbyer si Shef i Drejtësisë në Gjykatën Supreme të Virxhinias Perëndimore në prill 2017. Ai u akuzua nga një juri e madhe federale të mërkurën për mashtrime të shumta, deklarata dhe dëshmitarë të rremë,për 22 akuza Ndër veprat e shumta penale, Loughry është akuzuar se ka përdorur një automjet qeveritar dhe kartë krediti për udhëtime personale si dhe përdorimin në mënyrë të paligjshme prej tij të mobileve historike, një tavolinë që i përkiste arkitektit të famshëm Cass Gilbert. Ai gjithashtu është akuzuar për përpjekje për të penguar dhe ndikuar në mënyrë korruptive në dëshminë e një punonjësi të Gjykatës Supreme në një hetim të pashmangshëm të jurisë.Loughry u arrestua nga agjentët e FBI-së të mërkurën në mëngjes në shtëpinë e tij dhe u dërgua në gjykatën federale në Charleston për përpunim dhe për të planifikuar dënimin e tij.
“Korrupsioni publik është një përparësi e lartë hetimore për FBI-në,” tha agjenti i FBI-së, Nick Boshears, sepse “Shkatërron besimin e publikut dhe minon sundimin e ligjit. Ndërkaq Prokurori i Shteteve të Bashkuara, Mike Stuart deklaroi për këtë ngjarje : “Një juri e madhe federale ka akuzuar një gjykatës në gjykatën më të lartë të shtetit për krime federale të shumta dhe serioze,” “Në këtë ditë – Dita e Virxhinias Perëndimore – njerëzit e shtetit tonë të madh meritojnë më të mirën. Ata kanë punuar shumë dhe shumë kohë për të mos toleruar sjelljen e keqe që godet në zemër besimin e publikut nga zyrtarët e tyre të zgjedhur. Kam ndërmend të bëj gjithçka që mundem për të siguruar që njerëzit tanë të kenë qeverinë e ndershme që meritojnë.
Krahasoni këtë betim të Prokurorit të Amerikës “do bëj gjithçka që mundem për t’i siguruar njerzit tanë të kenë qeverinë e ndershme që meritojnë”, me veprimet dhe qëndrimet e ish Prokurorit tonë të Republikës, Llalla, që bëri gjithçka që mundi të mbronte dhe të mbyllte dosje krimi dhe korrupsioni publik dhe të pasurohej brenda një periudhe të shkurtër duke u kthyer në latifondist tokash. Dhe gjëmb në këmbë nuk i hyri nga veprime kriminale të këtij Prokurori mediokër (kështu i duhej politikës). Jo vetëm kaq! Por edhe e lënë të “arratiset” e të fshihet si miu në ndonjë cep të Gjermanisë apo diku tjetër. Si ky ka edhe shumë të tjerë që që po dhe do t’i shpëtojnë Vetingut me vlerësime relative. Kësisoj, është shumë e vështirë me gjëndjen që është krijuar që t’i kthehet besimi popullit tek drejtësia dhe forca e ligjit. Madje aq keq, sa që, edhe po të vinte në krye të Prokurorisë tonë, vetë M. Sturt, do ta kishte të vështirë në mos të pamundur për t’i kthyer besimin njerëzve tek drejtësia. Gjithsesi, nuk është keq që njerëzit ta shtyjnë jetën e tyre me besimin se një ditë do të ketë Drejtësi dhe Demokraci. Drejtësia dhe Demokracia për ne shqiptarë as nuk kuptohen e as nuk zbatohen. Janë thjesht iluzione. “Pushtet i popullit”( Demos +Kratos) dhe “Të gjithë janë të barabartë para ligjit”, nuk kanë ekzistuar as në kohën e mbretnisë, as në monizëm edhe tashmë nuk ekziston në”totalitarizmin demokratik, i zbatuar në mënyrë skllavopronare “dhe zor se mund të funksionojnë edhe për disa breza pasardhës. Se sa” të barabartë jemi para ligjit” dhe se si e “ushtron populli “pushtetin e vet”, të gjithë besoj e kemi provuar, qoftë edhe në një rast të vetëm.
Njerëzit janë të lirë të besojnë çdo premtim, gënjeshtër e mashtrim dhe të dyshojnë për gjithçka më lart. Koha ka vërtetuar se besimi është receta e injorancës, ndërkaq dyshimi motori për t’iu afruar së vërtetës. Njerëzit janë të lirë të zgjedhin, por pas kësaj të mos ankohen se “trimi paslufte, fjala pas kuvendit dhe shiu pas të korrave nuk kanë vlerë” – thotë populli.
Leave a Reply