Ka disa arsye thelbësore pse Presidenti i Komisionit Evropian Jean Claude Juncker gjatë vizitës në Tiranë nuk dha një datë për çeljen e negociatave të anëtarësimit tonë në BE.
Në radhë të parë, ai nuk e bëri një gjë të tillë, sepse qëllimi i turit të tij ballkanik ishte promovimi i Strategjisë së re për Ballkanin Perëndimor.
Ndaj, duke vlerësuar arritjet e shënuara, Juncker kërkoi sërish hapa dhe reforma të tjera të matshme gjatë muajve të ardhshëm. Veç kësaj, edhe pse gjasat janë që negociatat të çelen gjatë këtij viti, Juncker, si politikan i kalibrit më të lartë dhe me përvojë të gjatë nuk mund të jepte para kohe një datë të tillë; sepse sapo të gjykohet e mundshme, kjo datë do të shpallet me rastin e ngjarjeve të njohura madhore kushtuar Ballkanit Perëndimor, sidomos Samiti kushtuar Ballkanit Perëndimor në muajin maj në Sofje.
Mbi të gjitha, caktimi i një datë të tillë kushtëzohet domosdoshmërish me disa procedura, hapa dhe etapa të brendshme të BE-së, ku do thënë se Juncker në krye të Komisionit Evropian është vetëm një prej aktorëve madhorë që e ve në lëvizje këtë proces; por, vendimmarrësit e tjerë, madje më të rëndësishëm, krahas Brukselit, janë në Berlin, Paris, Romë dhe gjetkë.
Nisur nga përvoja mbi 20 vjeçare e angazhimit praktik në këtë proces si diplomat në Tiranë, Berlin dhe për 10 vjet në Bruksel, më poshtë po i parashtroj konkretisht këto hapa dhe etapa, realizimi i të cilave mund të çonte në çeljen e negociatave qysh këtë vit.
Si fillim, më 18 prill Komisioni Evropian do të bëjë publik Raportin mbi Progresin për secilin vend të rajonit; është pothuajse e sigurt, po qe se nuk do të ketë ndonjë çudi allashqiptare, që ky raport të jetë pozitiv dhe të rekomandojë çeljen e negociatave me vendin tonë në vjeshtë.
Gjithsesi, në vartësi të rezultateve tona, por sipas gjykimit të BE-së që ka burime të shumta dhe të besueshme informimi nuk përjashtohet mundësia që raporti i Komisionit Evropian të ketë tone ose nuanca hezituese dhe përfshirjen e ndonjë kushti; atëherë në parim ai sërish do ta ndezë dritën jeshile, por duke propozuar shtyrjen e datës në fjalë në dhjetor.
Ndërsa në rastin më të keq, po qe se vlerësimi i Komisionit Evropian do të jetë negativ, ai nuk do të propozojë çeljen e negociatave. Këtu mbyllet gjithçka për këtë vit dhe hapja e tyre do të shtyhej për në vitin 2020, sepse vitin e ardhshëm do të jenë zgjedhjet e reja të Europarlamentit dhe riorganizimi i strukturave të tij. Gjithsesi, ky skenar duket fare pak i mundshëm, sepse nuk do të përputhej me frymën e samitit të BE-së në maj në Sofje.
Por, le të vijojmë me versionin pozitiv, me etapën e parë, kur Komisioni Evropian do të japë propozimin për çeljen e këtyre negociatave gjatë këtij viti; pas kësaj, ky rekomandim do të analizohet në dikasteret dhe agjencitë përkatëse nën koordinimin e Ministrisë së Jashtme në secilin kryeqytet të BE-së; më tej, ky propozim do të kalojë për diskutim dhe konsultime intensive në strukturat përkatëse – Grupi i Punës për Ballkanin Perëndimor (COWEB) i përbërë nga këshilltarët Politikë dhe në COREPER – Komiteti i Përhershëm i Shefave të Përfaqësive të Përhershme të Vendeve Anëtare të BE-së në Bruksel.
Në vijim, do të jenë ministrat e Jashtëm të 27 vendeve anëtare që do ta shqyrtojnë në një takim të veçantë dhe me konsensus të plotë të mundshëm do t’ia dërgojnë propozimin e tyre përkatës samitit të BE-së në muajin qershor; ndërkohë, propozimi i Komisionit Evropian do të kalojë për shqyrtim dhe miratim dhe në instancat përkatëse të Parlamentit Evropian, i cili do thënë se ka qenë dhe mbetet në favor të çeljes së negociatave.
Vendimin përfundimtar për datën e çeljes së negociatave do ta marrin në samitin e muajit qershor kryetarët e shtetit/qeverive të 27 vendeve anëtare të BE-së.
Lidhur me këto të fundit, ndonëse po punohet dhe shpresohet për një konsensus të plotë, deri tani kjo duket ende vështirë për shkak të rezervave që kanë disa vende ndaj ecurisë sonë, një perceptim skeptik dhe negativ dhe në përgjithësi mungesë entuziazmi për zgjerimin evropian për shkaqe dhe arsye tashmë të njohura. Për pasojë, mund të ndodhë që një ose disa vende, sipas rastit, mund të kenë hezitime dhe të kërkojnë shtyrjen e vendimit për caktimin e datës në vjeshtë. Por sërish, mundësia e fillimit të negociatave brenda vitit do të mbetet.
Ky ishte një shkak tjetër i fortë që Juncker nuk nxitoi të japë një datë, çka mund t’i hapte telashe te vendet anëtare; këto të fundit do t’i rikujtonin në mënyrë kritike se Raporti vlerësues i Komisionit nuk ka dalë ende.
Ja pse Komisioni Evropian dhe Juncker po e shfrytëzojnë periudhën e mbetur për të na nxitur për kryerjen e «detyrave të shtëpisë» brenda vendit dhe sidomos në marrëdhëniet me fqinjët, me qëllim që të akomodohen të gjitha pozicionet/sensibilitetet përkatëse dhe të sigurohet mbështetja nga secili vend anëtar i BE-së.
Këtu përfshihet dhe kujdesi nga politikanët tanë për shmangien e deklarimeve dhe qëndrimeve të pavend dhe të panevojshme që bien ndesh me Strategjinë e re të Komisionit Evropian mbi Ballkanin Perëndimor.
Kësisoj, edhe diplomacia do të punonte në kushte shumë më optimale, pa shpenzuar kohë dhe energji shtesë për justifikimin e atyre deklarimeve. Në fakt, partnerët evropianë kanë vlerësime pozitive ndaj diplomacisë sonë; për hir të së vërtetës, ajo ka jo pak titullarë dhe punonjës të aftë dhe me përvojë të gjatë integruese në drejtoritë përkatëse në MPJ, në vendet e tjera dhe sidomos në Misionin tonë pranë BE-së në Bruksel; ky i fundit punon me maksimumin e kapaciteteve të shoqëruar me përkushtimin profesional dhe qytetar.
E fundit, por jo më pak e rëndësishmja, në Bruksel ka perceptim pozitiv dhe për Kryesinë e Kuvendit tonë me grupet parlamentare dhe stafin e saj cilësor; pa zhurmë dhe bujë, krahas hapave intensive në drejtim të miratimit të legjislacionit, Kuvendi me aktivitetin e tij të dendur dhe në këtë fushë ka dhënë disa mesazhe pozitive në Tiranë, Bruksel dhe gjetkë. Veçojmë këtu gjatë dy muajve të fundit, praninë e disa deputetëve të zgjedhur për herë të parë në një vizitë pune në institucionet kryesore evropiane në Bruksel, ku u shquan për paraqitje serioze; mbi të gjitha përgatitja dhe zhvillimi i suksesshëm i Takimit të Përbashkët me delegacionin e Parlamentit Evropian më 12 – 13 shkurt në Tiranë; siç dihet, më në fund u arrit të miratohej dokumenti i përbashkët dypalësh ku dhe opozita u prononcua në favor të çeljes së negociatave, çka është pritur mjaft mirë. /Gsh.al/
Leave a Reply