Kritiku zviceran i globalizmit Jean Ziegler mbi urinë në Botën e Tretë, kohën e tij si shofer i Che Guevaras dhe arsyen kryesore të dëshpërimit të tij: gratë.
Si dhe për Zvicrën, atdheun e tij, të cilin e quan një Shqipëri alpesh, historikisht të korruptuar! Intervistë (nga arkivi!) në gazetën «Die Zeit».
Natyrisht nuk është rastësi që ai banon këtu: në kufi me Francën, atje ku Zvicra, siç thotë, për fat të mirë gati përfundon.
Jean Ziegler, profesor i sociologjisë, këshilltar i Kombeve të Bashkuara, ndërgjegje e botës, jeton këtu.
Kur e hap derën, shikimi i tij kureshtar drejtohet nga vizitorët, Ziegler bart një palë syze briri, të cilat i kishte blerë para disa decenieve në Republikën Demokratike të Gjermanisë.
Ai është quajtur një revolucionar i papërmirësueshëm, zëdhënës i të varfërve dhe tmerri i pushtetarëve. Njeri që njollos vatrën dhe relikt i viteve gjashtëdhjetë. Një njeri, të cilin ose mund ta duash ose ta urresh.
Tashmë 50 vjet Ziegler shkruan mbi hendekun e padrejtë mes Botës së Parë dhe asaj të Tretë; ai ishte ndër të parët që paralajmëroi mbi rrezikun e globalizmit të pafrenueshëm.
Kur këto ditë flet në foltore për të prezantuar librin e tij «Urrejtja ndaj Perëndimit», ai bart një kostum të errët me kravatë. «Sa më radikalisht që flet, aq më mikroborgjez duhet të dukesh», thotë Ziegler.
Ai tani është 76-vjeçar, por nuk i shkon mendja të heq dorë prej «luftës për ide». Rrallë rri një javë në shtëpi, në Russin. Ka mjaft punë nëpër botë.
Dhoma e tij e ditës është plot dritë dhe e rehatshme, mbi një komodinë qëndrojnë fotografi të familjes. Ziegler jeton këtu me gruan e tij të dytë, një historiane arti. Na fton të ulemi në një tavolinë druri në mes të dhomës dhe na gostit me verë të kuqe.
– Zoti Ziegler, a është e vërtetë që keni bankrotuar?
Ziegler: E saktë. Shtëpia ku banoj i takon gruas sime. Veturën e kam me qira. Kam mbi gjashtë milionë franga borxhe.
– Prej gjykatave ndërkombëtare ju jeni dënuar shpeshherë për t’ju paguar dëmshpërblime politikanëve, bankierëve dhe spekulantëve, të cilët i keni sulmuar në librat tuaj.
Ziegler: Këta kusarë nga lagjja e bankave në Zürich! Njërin prej tyre, avokatin e bizneseve Hans W. Kopp, e kam quajtur hut. Kjo më ka kushtuar 320 mijë franga, u detyrova të tërheq fjalën hut. Por, kur Gjykata e Lartë e Zürich-ut e dënoi më vonë Kopp-in për shkak të mashtrimit të investitorëve, atëherë m’u lejua t’i them mashtrues.
– Augusto Pinochesë u detyruat t’ia paguani një gjobë prej dy mijë frangash, sepse e quajtët fashist.
Ziegler: Përgojim i keq, sipas ligjit, por relativisht me çmim të lirë! Moussa Traoré, i cili ishte 23 vjet president i Malit, m’i mori 180 mijë franga. Sepse kisha shkruar se ai kishte lëvizur dy miliardë dollarë nga arka e shtetit në xhirollogarinë e tij private në Zvicër, derisa njerëzit në vendin e tij vdisnin nga uria. E kam quajtur kleptokrat.
– A nuk është dashur që nganjëherë ta mbyllni pak gojën?
Ziegler: Jo, madje duhet hapur gojën shumë kur rrokesh me këta horra të pushtetshëm. Edhe pse shpesh i kam humbur proceset gjyqësore, kjo nuk domethënë se nuk kam pasur të drejtë. Traoré më vonë në Mali u dënua me vdekje për shkak të keqpërdorimit të parave të buxhetit. Unë mendoj si (autori austriak, v.j.) Karl Kraus, i cili për veten e tij thoshte se shpesh qëllon mbi cak, por rrallë përtej. Më kuptoni?
– Jo aq.
Ziegler: Mendoj se krejt drejtësia është këtu për të ruajtur fasadën. Bankat dhe firmat e mëdha e përdorin atë për të hequr qafe një autor të parehatshëm. Kur i sulmon ato, atëherë angazhojnë repartet e tyre të komunikimit, avokatë të shtrenjtë të medieve, krejt aparatin e tyre, dhe ai aparat kërkon gabime në detaje. Kjo është një fushatë me qëllim që njerëzit si unë të shkatërrohen financiarisht. Për fat të mirë unë kam pasur një komitet ndërkombëtar mbështetës, i cili më ka ndihmuar të paguajë avokatët e mi.
– Atëherë s’keni kursyer hiç me avokatë?
Ziegler: Si të kursejë? Të humbin 10 mijë euro vetëm po e hodhe këmbën në qilimin e tyre të kuq. Sikur të isha pastruese unë moti do të kisha falimentuar, fund e krye.
– Sa lëndë janë të hapura kundër jush?
Ziegler: Edhe disa, por nuk flas me qejf për to.
– A keni frikë nga humbja e madhe, përfundimtare?
Ziegler: Jo më. Prej se punoj për OKB-në kam imunitet. Në kontratat e mia të librave ekzistojnë nene, ku thuhet se shtëpitë botuese paguajnë deri-diku shpenzimet e avokatëve. Më e keqja është frika e familjes sime se do të fundosem në këtë rrebesh procesesh, frika se do të humb katedrën universitare, kërcënimet me vrasje, mbrojtja nga policia. Ka mundur të ndodhë shpejt: unë nënshkruaj një libër dhe… bum! Në Gjenevë është një zyrtar policie, të cilit i them se ku shkoj. Nëse unë sonte nga ora dhjetë nuk i lajmërohem, atëherë ai do të më pyeste se ku mbeta.
– Zoti Ziegler, ju tani jeni 76-vjeçar. Ju gati për çdo vit shkruani nga një libër, mbani referate, udhëtoni nëpër botë për Kombet e Bashkuara. A nuk do të pensionoheni kurrë?
Ziegler: Një intelektual nuk pensionohet kurrë. Ai duhet të jetë i dobishëm, kur gëzon privilegje sikur unë: i bardhë, profesor universiteti me asistent, si zviceran jam një njeri i kursyer nga të këqijat mes të kursyerve, kurrë nuk ka pasur luftë këtu, kurrë s’kam shkelur në ndonjë minë në Nikaragua apo Salvador, kam mandate të OKB-së, mandate parlamenti. Natyrisht Parlamenti zviceran është i mbushur me anëtarë dembelë të bordeve të firmave, por prapë është skenë. Privilegjet e mia janë një armë, të cilën ma kanë dhënë në dorë. Prandaj, më duhet ta përdorë atë në emër të të shtypurve.
– Ju jeni një moralist.
Ziegler: Unë jam njeri tërësisht i pamoralshëm. Të kesh ndërgjegje të vrarë është një punë e mjerueshme. Duhet të kesh vetëdije të qartë.
– Çfarë ju shtyn të veproni?
Ziegler: Zemërimi. Perceptimi i marrëzisë, i vuajtjes së panevojshme. Rregullisht shkoj në Sao Luis, në Brazil. Atje gjendet një shtëpi e shtetit, ku fëmijët e pastrehë njëherë në ditë marrin nga një shujtë. Me atë rast ata mbyllen me dry në mënyrë që të mos e ndajnë ushqimin me vëllezërit dhe motrat e tyre jashtë, por që të kenë mjaft për vete. Atyre u hiqet humanizmi, në mënyrë që të mbijetojnë! Kur e shoh këtë, atëherë më duhet të bëjë diçka. Më duhet t’i përmend shkaktarët.
– Kush janë shkaktarët?
Ziegler: Po ju jap një shembull. Më 12 tetor 2008, në kulmin e krizës financiare, në Paris u takuan shefat e shteteve të zonë së euros dhe vendosën për një kornizë kredish prej 1700 miliardë euro për stabilizimin e bankave të tyre. 1700 miliardë! Para se të mbarojë ai vit po këta burrështetas e reduktuan përgjysmë buxhetin e Programit të OKB-së për Ushqim, prej gjashtë në tre miliardë. A e dini çka domethënë kjo? Nuk ka më shujta për fëmijë në Honduras apo në Bangladesh. As racione ushqimore në kampet e refugjatëve në Darfur, përmbajtja kalorike e të cilave sipas matjes mjekësore është nën minimumin e ekzistencës. Atje vdesin njerëz, a po kuptoni?
– Ju besoni se politikanët janë fajtorë?
Ziegler: Ata janë dora e zgjatur e këtyre banditëve, të cilët aq gjatë spekuluan në bursë derisa u shkatërrua gjithçka. Ata fitojnë atje ku nuk proteston askush. Njerëzit e uritur nuk gjenden në livadhin para Reichstagut (parlamentit gjerman, v.j.). Po ju them diçka: në çdo pesë sekonda në botë vdes një fëmijë nga uria. Kështu shkruan në Raportin Botëror për Ushqim të FAO-s, Organizatës për Ushqim dhe Bujqësi të OKB-së. Në çdo pesë sekonda, tash, derisa ne po flasim! Në çdo katër minuta një njeri humb dritën e syve, sepse merr pak vitaminë A. Çdo i gjashti njeri vuan vazhdimisht nga uria…
– Këto shifra ju i përsërisni vazhdimisht.
Ziegler: Këto shifra janë armë, armë të mira, sepse nuk dyshohen as nga njerëzit e Bankës Botërore. I njëjti Raport Botëror mbi Ushqimin shpjegon se ne me bujqësinë tonë do të mund t’i ushqenim normalisht 12 miliardë njerëz. Nuk ka mangësi objektive. Një fëmijë që sot vdes nga uria, ai në fakt vritet. Dhe vrasësit e tij do duhej të dilnin para një gjyqi si ai i Nürnbergut. Pikë, fund.
– Ju po e teproni.
Ziegler: Jo, nuk po e bëjë këtë.
– Në Zvicër kodra me ar, në Afrikë kodra me kufoma?
Ziegler: Duhet të bërtasim, që të na dëgjojnë në këtë botë të zhurmshme mediale.
– Kush bërtet shumë dikur nuk tingëllon si i besueshëm.
Ziegler: Nganjëherë për këtë më akuzojnë kolegët e mi të Universitetit: se unë shkruaj me stil joakademik, jo sa duhet kujdesshëm. Çfarë mendësie e getos e akademikëve! Puna është te efikasiteti.
– Mund të mendohet se Ziegleri me frazat e tij standarde është po aq kryeneç sa edhe kundërshtarët e tij.
Ziegler: Pasioni im nganjëherë më del prej dore. Por, nga ana tjetër mua më kujtohet se në një roman kam lexuar për një burrë, i cili pasdite qëndron në shesh dhe thotë se është mesnatë. Njerëzit mendojnë: çfarë budallai! Por, koha ecën, dikur është mesnatë, dhe tani të njëjtit njerëz thonë: njeri, ai ka të drejtë.
– Ju keni një mori fjalësh fyese për kapitalizmin: kapitalizëm vrasës, kapitalizëm kazinoje, kapitalizëm xhungle. Cili është favoriti juaj aktual?
Ziegler: Kapitalizëm i kafshëve grabitqare, edhe pse kjo është një fyerje për kafshët grabitqare.– Komunizmi u shkatërrua edhe për shkak se njerëzit e donin kapitalizmin.
Ziegler: Ah, ndaluni. Bashkimi Sovjetik kishte të përbashkët me Marxin aq sa kam unë me budizmin. Më besoni: nuk jam për stalinizëm. Jam për arsye.
– Çka do t’ju thoshit kinezëve apo banorëve të Indisë, të cilët falë kapitalizmit dhe globalizimit mund të blejnë veturë?Ziegler: Tash po flisni si ambasadori amerikan! E vërteta është se në këto vende një oligarki e ndan fitimin mes veti. Kina është një diktaturë brutale policore, në Indi jeton gjysma e të gjithë njerëzve të uritur të kësaj bote.
– Pse është kështu sipas mendimit tuaj?Ziegler: Tash e pesë shekuj pakica e bardhë e sundon planetin me sisteme përherë të ndryshme të plaçkitjes. Së pari plaçkitjet dhe gjenocidi në Amerikën Latine, gjë që Marxi e kishte quajtur akumulim primitiv i kapitalit. Pastaj qarkullimi në trekëndësh: skllevërit nga Afrika në Amerikë, sheqeri në Evropë. Pastaj 150 vjet masakra kolonialiste, dhe sot sistemi më i keq i të gjitha sistemeve: diktatura botërore e kapitalit të globalizuar financiar. Etja e shfrenuar për fitim. Plaçkitja totale e njeriut. Shkatërrimi i natyrës. Sipas Bankës Botërore 500 firmat më të mëdha multinacionale vitin e kaluar (fjala është për vitin 2009, v.j.) kanë kontrolluar 53,8 për qind të bruto-produktit kombëtar botëror. Kjo është një pasuri, një pushtet që s’e ka pasur kurrë asnjë perandor, asnjë mbret dhe asnjë papë.
– Si e shpjegoni se ky sistem parimisht nuk vihet në dyshim nga askush – bile as tash kur gati pësoi kolaps?
Ziegler: Besoj se ideja e çmendur neoliberale e ka shkatërruar dukshëm vetëdijen kolektive. Fakti se fëmijët vuajnë nga uria prej kësaj perspektive duket si ligj natyror. Ashtu siç duket edhe etja për fitim. E pabesueshme që UBS, banka më e madhe e Zvicrës, u ka paguar shpërblime financiare punëtorëve të saj për 1,9 miliardë franga, pasi një vit më herët nga taksapaguesit kishte futur në xhep 61 miliardë.
– A i urreni këta njerëz?
Ziegler: Jo, nuk kam asgjë kundër tyre. A e njihni Brabeck-un, shefin e Nestlé? Herë pas here takohemi duke skijuar. Ai nuk është horr, por një njeri mjaft i ndershëm. Ai bën atë çka presin prej tij aksionarët. Jean-Paul Sartre ka thënë: për t’i dashur njerëzit, duhet të urresh fuqishëm atë që i shtyp ata. Jo kush i shtyp. Nuk është fjala për armiqësi personale. Fjala është për strukturat e kësaj bote.
– Ju për nëntë vjet keni qenë raportues special i OKB-së për të drejtën njerëzore për ushqim. Që nga gushti (2010, v.j.) gjendeni në komisionin këshillues të Këshillit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së. Çfarë bëni aty?
Ziegler: Jam një njeri i vogël në OKB-në gjigante. Çfarë mund të bëjë është të tërheq vëmendjen e Këshillit për të Drejtat e Njeriut ndaj problemeve. Si raportues special kam qenë gjashtë deri në shtatë herë në vit në misione, që të inspektojë gjendjen e një vendi. Kam pasur qasje në burgje, në kampe refugjatësh, në jetimore. Kam folur me njerëzit përkatës, me politikanë dhe me shkencëtarë. Në fund raportin ia kam prezantuar Asamblesë së Përgjithshme.
– A vendosë raportuesi special vetë se ku do shkojë?
Ziegler: Po. Mund të them: këtu ekziston një problem, dua të shkoj. Pastaj e thërras Komisariatin e Lartë për të Drejtat e Njeriut dhe, për shembull, i them, dua të shkoj në Mongoli, sepse të dëshpëruarit atje sërish po fillojnë të jetojnë si nomadë. Atëherë më thonë: ekzistojnë tri mundësi. Ose të fluturoni përmes Seulit për në Ulan-Bator, ose të fluturoni në Pekin dhe të merrni trenin nëpër shkretëtirën Gobi, ose të udhëtoni përmes Irkutskit në Siberi. Atëherë e bëjë një kryq në rubrikë dhe disa ditë më vonë vjen bileta me planin e vizitës. Në Ulan-Bator pastaj presin asistentët e mi, personeli i sigurisë, krejt suita.
– Si e gjen njeriu një punë të tillë?
Ziegler: Rastësi. Kofi Ananit iu kam kujtuar. Kur ai ka qenë një zyrtar i vogël i OKB-së në Gjenevë, të dy kemi vrapuar pas grave të njëjta. Kur ai e krijoi funksionin e raportuesit special për të drejtën për ushqim, unë sapo kisha shkruar një libër mbi urinë. Pra, Kofi më propozoi, por shtetet perëndimore gati njëzëri votuan kundër meje. Unë u zgjodha, sepse shumë ambasadorë nga hemisfera jugore më njihnin, disa madje kishin studiuar te unë. Ata e dinin se unë do të jem zë i tyre. Një mik më ka thënë njëherë: Ziegleri është një zezak i bardhë. Kjo është e saktë: unë jam një zezak i bardhë!
– A ju dëgjojnë në Kombet e Bashkuara?
Ziegler: Në New York së paku më takojnë si të barabartë, ndryshe nga një ministër mongol apo somalez. Unë jam profesor i bardhë. Ju nuk mund të besoni sa raciste janë ende Kombet e Bashkuara.
– Në botën e jashtme ju jeni aq popullor sa orët e Zvicrës. Në atdhe për shumëkënd jeni tradhtar. A ju dhemb kjo?
Ziegler: Atdhe për mua është familja. Nëna e djalit tim është egjiptiane. Biri im është dramaturg francez, ndonëse është lindur këtu. Çka është, pra, atdheu?
– Vitin e kaluar (2009, v.j.) në Zvicër u ndalua ndërtimi i minareve. Popullisti djathtist Christoph Blocher tashmë është politikani më me ndikim. Çfarë po ndodhë me vendin tuaj?
Ziegler: Çdo i shtati miliarder i botës jeton në Zvicër, por ne rrethanat i kemi si në Bangladesh: tre për qind e banorëve kanë aq pronësi e para sa kanë edhe pjesa tjetër prej 97 për qind e popullsisë. Këtu në Gjenevë gjithnjë e më pak njerëz mund të paguajnë banesat e shtrenjta. Kështu shtohet frika, të cilën e shfrytëzojnë njerëzit si Blocheri. Me fushatat e tij ksenofobe ai i bën njerëzit budallenj.
– Ekzistojnë vende ku jetohet edhe më keq. Çka keni kundër Zvicrës?
Ziegler: Asgjë, e dua vendin tim. Unë kam diçka kundër shtresës sunduese dhe hipokrite. Matur me të ardhura për kokë banori Zvicra është vendi i dytë më i pasur në botë – një copë tokë pa pasuri nëntokësore me 41 mijë kilometra katrorë, prej tyre vetëm 60 për qind të banueshme, pjesa tjetër është shkëmb e akullnajë. Si ia arrin kësaj Zvicra? Thesari i saj janë paratë e huaja: para gjaku, para të shmangura nga Bota e Tretë, taksa të vjedhura. 2,2 miliardë franga vetëm nga ish-presidenti kongolez Mobutu, e në Kongo pothuaj nuk ka spitale. 1,8 miliardë nga Abacha, një vrasës i varur nga kokaina, i cili njëherë ka qenë kryetar i Nigerisë. Këtë listë do të mund ta zgjasja sa të dua! Dhe mendoni miliardat, të cilat i mungojnë shtetit. Një rrjedhë gjigante, e cila bëhet e mundshme prej Zvicrës. Këtu sabotohet shteti juridik.
– Për shumë gjermanë Zvicra është shembull.
Ziegler: Edhe te ne besojnë se ne jemi të pasur, sepse jemi të zellshëm. Dhe paratë e taksave gjermane rrjedhin te ne, sepse shteti gjerman është terrorist. Pierre Mirabaud, president i shoqatës së bankierëve të Zvicrës, thotë: entet financiare gjermane i përndjekin qytetarët e tyre me metoda të Gestapos. Arratisja nga tatimet, sipas tij, qenkësh një vetëmbrojtje e detyruar. Prandaj u dashka ndihmuar. Ju gjermanët jeni tepër tolerantë ndaj nesh.
– Ç’të bësh, i duam zviceranët.
Ziegler: Por, dashuria juaj nuk pranohet. Madje edhe valën antigjermane, e cila prej kohësh vjen nga Zürichu, ju e shikoni si diçka folkloristike! Ju besoni se ne jemi qytetarë të urtë, por shtresa jonë sunduese është jashtëzakonisht arrogante, ndoshta më arrogantja në gjithë Evropën.
– Prej nga ky mendim?
Ziegler: Sepse ka kontinuitet. Ushtari i fundit i huaj në tokën zvicerane ka qenë një ushtar i Napoleonit. Që nga atëherë Europa ka përjetuar revolucione, luftëra, shkatërrime, diktatura fashiste dhe komuniste. Vetëm Zvicra: asgjë. E njëjta strukturë sunduese me shekuj. Përherë njerëzit e njëjtë, të cilët rrinë ulur mbi Gotthard (vargmal në Zvicër, v.j.) dhe i japin leksione botës. Një Shqipëri alpesh, historikisht e korruptuar!
– Sërish po e teproni…
Ziegler: Jo, po flasim këtu për një elitë, e cila e ka zgjatur Luftën e Dytë Botërore, duke e këmbyer arin e plaçkitur nga nazistët në deviza, pa pyetur se prej nga vinte. Zyrtarët e bankave zvicerane kanë pyetur tek kur qytetarët hebraikë pas luftës dëshironin t’i shihnin xhirollogaritë e familjarëve të tyre. Atëherë bankierët pyetën: ku i keni fletëvdekjet? Thua se në Auschwitz janë lëshuar fletëvdekje!
– A jeni gëzuar pak që vitin e kaluar (2009, v.j.) u zbut sekreti bankar zviceran?
Ziegler: U zbut? Ah, një grimë ndihmë juridike. Jo, në këtë rast shpresa e ima mbështetet te vetë kapitalizmi: që edhe më shumë punëtorë bankash të nxjerrin CD me të dhëna të mëkatarëve të taksave, sepse nuk duan ta pranojnë se disa mashtrues mund të ruajnë miliona derisa ata duhet të mjaftohen me rroga qesharake.
– Ju jeni rritur në Zvicrën gjermane, por emrin tuaj Hans e keni ndërruar me Jean; edhe librat tuaja i shkruani në frëngjisht. Fitohet përshtypja se ju me qejf doni të harroni prejardhjen tuaj.
Ziegler: Vitet të ndryshojnë. Kam pasur një fëmijëri pa halle në Zvicrën gjermane, i integruar në qytetarinë kalviniste të qytetit Thun. Nëna ime ishte shumë e bukur dhe gazmore, ajo ishte bijë e një bujku, babai im ishte një njeri pak i mbyllur, tepër i ndershëm. Kryetar gjykate, shumë i kulturuar. Banonim në një vilë, tërë ditën e kaloja duke ecur me biçikletë. Por, fëmijët e varfër nga fshatrat përreth dërgoheshin prej prindërve të tyre për të shërbyer dhe punonin si argat dhe skllav. Çdo të enjte mbahej pazari i kafshëve, dhe derisa tregtarët e mëdhenj i mbushnin barqet e tyre në restorant, fëmijët e të varfërve i ruanin kafshët përjashta, të zbehtë dhe të mërdhirë. Këto gjëra i kam vërejtur befas gjatë pubertetit. Pata shkuar te babai dhe e pata pyetur: pse ata janë kaq të varfër dhe ne kaq të pasur? Babai im, kalvinisti, tha: «Biri im, këqyre punën tënde. Nuk mund ta ndryshosh botën».
– Si iu përgjigjët?
Ziegler: Kam shpërthyer nga zemërimi. Isha 14-vjeçar, kjo nuk është moshë kur ti thua: gjithçka që dua të arrijë në jetë është të krijojë familje dhe të bëhem avokat në Thun.
– Në moshën 18-vjeçare keni ikur në Paris.
Ziegler: Isha sjellë keq, e kisha fyer babanë tim. Ia dola disi në Paris, gjatë natës transportoja pako në treg. Dikur u njoftova me studentë marksistë, të cilët i takonin një grupi rreth Jean-Paul Sartre. Ai atëbotë botonte revistën «Le Temps Moderne» (Kohërat moderne). Fati im ishte i pakufishëm: kjo revistën për mua ishte diçka si fjala e Zotit, dhe ata më lanë të punojë. Isha më i riu dhe çdo të mërkure mund të shkoja te Sartre në Rue Bonaparte, ku ai banonte te nëna e tij.
– Çfarë kujtime keni për të?
Ziegler: Ai ishte shumë i përzemërt! Një burrë zemërmirë, plot humor, i cili shtronte shumë pyetje dhe mund të dëgjonte gjatë. Paramendojeni: i madhi Sartre më pyeste mua, budallain e vogël! Nganjëherë bënte vaki që ai të ndalej në mes të fjalisë dhe të thoshte: «Maintenant je dois travailler». Tash më duhet të punojë. Pastaj merrte laps-kimikun e gjelbër dhe fillonte të shkruajë.
– A ju bëri ai ta përqafoni marksizmin?
Ziegler: Jo, nuk kishte nevojë. Unë ngaherë isha i pajisur me një sistem të çeliktë besimi. Bashkë me studentët e tjerë rreth Sartre unë përkrahja lëvizjen çlirimtare algjeriane, punoja si korrier për njerëzit në ilegalitet, dhe në çdo dy muaj thosha se e kam humbur pasaportën. Atëherë Ambasada e Zvicrës më dërgonte një tjetër, dhe të vjetrin ua dhuroja shokëve. Ajo çka më ka bërë më së shumti përshtypje te Sartre ishte zemërgjerësia e tij. Në parvazin e oxhakut gjendej një vazo, bajate, borgjeze, e mbushur me para, dhe secili mund të shërbehej prej saj. Sartre jetonte ashtu siç shkruante. Edhe sot nuk mund të shkoj në Paris e të mos e vizitojë varrin e tij.
– Çka i detyroheni atij?
Ziegler: Absolutisht gjithçka. Pas studimeve për gati dy vjet kam qenë punëtor i OKB-së në Kongo. Pas kthimit tim Sartre më ftoi. Meqë nuk dinte shumë për luftërat afrikane për pavarësi, më bëri shumë pyetje dhe në fund tha: duhet ta shkruani këtë. Kështu e shkrova artikullin e parë të jetës sime.
– Dhe?
Ziegler: Kur e mbarova, tekstin e redaktoi Simone de Beauvoir. Ishte një grua e ashpër. Para se ta çonte te “Le Temps Modernes” ajo i kishte rënë vijë emrit tim dhe e kishte zëvendësuar me Jean. «Hans», tha ajo, «ky nuk është emër!» Më vendimtare ishte që Sartre pas qëndrimit tim në Kongo më përpunoi intelektualisht. Unë kisha shkuar atje si kalorës ndriçimtar. Por, atje gjeta realitetin afrikan: pashë se si zezakët masakronin zezakë të tjerë, e njëkohësisht përjetova se si evropianët në kushte të tmerrshme mbanin një ambulancë për të sëmurë nga gërbula. Asgjë s’ishte më si më parë në botëkuptimin tim. Pasi kisha hequr dorë nga kalvinizmi i vatrës prindërore, tani u asgjësua edhe socializimi im i dytë. Ky ishte momenti kur me çliroi ekzistencializmi i Sartre. E kuptova: Njeriu është ai çka bën. Asgjë tjetër.
– A ia nisët nga fillimi?
Ziegler: U ktheva në Zvicër dhe iu qasa punës. E gjeta një vend pune në Institutin e Afrikës, që sapo ishte themeluar në Gjenevë, doktorova, së pari në drejtësi, pastaj në sociologji, më pas mora titullin e profesorit universitar – dhe pastaj me një brigadë ndërkombëtare të punës nxora panxhar në Kubë.
– Atje u njoftuat me Che Guevarën?
Ziegler: Revolucionarët kubanezë takoheshin rregullisht në një kuzhinë të hotelit, ku unë banoja. Che atëherë ishte ministër i industrisë. Ai planifikonte që së shpejti të merrte pjesë në një konferencë për sheqerin në Gjenevë dhe meqë ata s’kishin ambasadë (në Gjenevë, v.j.), njerëzit e tij më pyetën nëse kisha veturë. «Një Morris të vogël, të zi», thashë unë, dhe pastaj ata deshën të dinin nëse mund të jem 12 ditë shofer i Che Guevarës.
– A u bëtë shofer i Che Guevarës?
Ziegler: Pa asnjë dyshim. E prita në stacionin e trenit në Gjenevë, për çdo ditë e çoja prej hotelit në konferencë, e shoqëroja në mbrëmje në pritje, dhe të dielën, kur e kishte të lirë, shëtisnim nëpër Chamonix. Në Zvicër ai më dukej si një jashtëtokësor, me pallton e tij dhe në kokë kapelën me yll komandanti. Dukej ngurrues, ironik, por shpejt e ndieje autoritetin e tij.
– A keni folur shumë me të?
Ziegler: E kam provuar shpesh: «Comandante, explícame…» I dukej e mërzitshme. Mbrëmjen e fundit të qëndrimit të tij mora guximin. Kishte thashetheme se ai planifikonte të shkonte në Afrikë për të luftuar. I thashë: «Comandante, dua të vijë me juve».
– Donit të rroknit armën?
Ziegler: Po, pra!
– Si u përgjigj Che Guevara?
Ziegler: Po qëndronim në dritare të hotelit, mbi një kodër të Gjenevës, dhe ai bëri me dorë nga reklamat e shndritshme poshtë në qytet, nga bankat dhe filialet e ndriçuara të firmave. «Miku im», tha ai, «ti je lindur këtu. Vendi yt është këtu. Këtu kështu truri i përbindëshit, këtu duhet të luftosh». Dhe më la vetëm në këmbë. U ndjeva i fyer. Por, ai më kishte përjetuar si të tillë çfarë isha: një mikroborgjez 25-vjeçar, i cili s’ia kishte haberin armës. Lufta guerile për mua do të sillte me siguri vdekjen.
– A do të përdornit sot dhunën?
Ziegler: Varet. Che Guevara ka thënë njëherë, një revolucionar nuk është asgjë tjetër veçse një mësues i armatosur. Kur nuk ka liri për fjalën e tij, atëherë ai duhet të rrëmbejë atë. Stauffenberg ka pasur të drejtë kur u përpoq të vrasë Hitlerin, (majtisti ekstrem gjerman, vj.) Baader gaboi. Mos më keqkuptoni. Nuk e di nëse unë do kisha guxim për diçka të tillë.
– Zoti Ziegler, a mund të mplakesh me dinjitet si revolucionar?
Ziegler: Çka domethënë të mplakesh? Një fjalë që nuk po e kuptoj. Struktura qelizore e njeriut rinohet më ngadalë, sjellja seksuale ndryshon, unë rrëshqas më ngadalë me ski. Po tjetër? A e njihni sociologun francez Lévi-Strauss? Ai i bëri më shumë se 100 vjet, dhe librat e tij më të njohur i ka shkruar në moshën mbi 80-vjeçare.
– Domethënë koha juaj më e mirë tek do të vijë?
Ziegler: Faleminderit, shokë. Por, unë nuk jam dikush që përherë mendon: vepra ime jetësore, vepra ime jetësore! Jam njeri i lumtur. Secila ditë është një mrekulli. Për çdo ditë luftohet, dhe fund!
– A kanë ndryshuar kundërshtarët tuaj me kalimin e viteve?
Ziegler: Jo, ata vetëm bartin maska të tjera.
– I keni shkruar 20 libra, por nëse bëjmë bilanc esëll, ju nuk jeni ndikuar shumë.
Ziegler: Bertolt Brechtin në fund të jetës së tij e kanë pyetur: A ia ka vlejtur e gjithë kjo? Gjithë ato drama, shkrime, ai mundim në ekzil? Brechti mendoi dhe në fund tha: pa neve do ta kishin pasur edhe më lehtë.
– Cili ka qenë gabimi më i madh i jetës suaj?
Ziegler: Ndoshta Kamboxhia. Së pari revolucioni radikal dhe më vonë krimi i pastër, i përgjakshëm. Unë i pata besuar Pol Potit dhe njerëzve të tij. Ata kanë qenë në të njëjtën kohë si unë në Paris, kanë qenë intelektualë, teoricienë të mirë.
– A ishte ky momenti kur u dëshpëruat?
Ziegler: Jo, i dëshpëruar jam vetëm për shkak të grave. Në Brazil, në Moskë. Me muaj s’hanë, nuk flenë. Brenga për dashuri është njëra prej sëmundjeve më të rrezikshme në botë.
– Brenga e dashurisë është armiku i vërtetë i revolucionit.
Ziegler: Këtu keni të drejtë. A dëshironi pak verë të kuqe?
– Na jepni një këshillë: Si i përballoni me 76 vjet të gjitha këto takime, këto fluturime ndërkontinentale?
Ziegler: E kam një mësues sporti. Dy herë në javë ai më torturon me ushtrime xhudo. Kur i them se nuk mundem më, ai bëhet shume i pasjellshëm. Duhet ta dini: nuk jam i disiplinuar.
– Si mund të bëhet muhabet me liderin revolucionar libian Gadafi?
Ziegler: Shumë thjeshtë: e lini të flasin. Gadafi është arsimuar në Standhurst, flet rrjedhshëm anglisht. Pa e pyetur fare ai të vërsulet me monologë: Palestina, lufta kundër amerikanëve dhe kështu me radhë. Por, Gadafi s’është ndër më të këqijtë. Më të këqij janë njerëzit sikur Blaise Compaoré, presidenti i Burkina Fasos, i cili urdhëroi vrasjen e paraardhësit të tij Thomas Sankara. Sankara ka qenë mik i imi.
– Si kuvendoni me një të tillë?
– Vështirë. Natyrisht mund të përpiqem që dikë ta pyes me ton diplomatik. Do të mund të thosha «Monsieur le Président, Këshilli për të Drejtat e Njeriut është i shqetësuar. Kemi dëgjuar se… A s’mund të jetë…» Dhe natyrisht me atë rast nuk e përdori fjalën torturë, por them enforced interrogation. Marrje e ashpër në pyetje. Por, më shumë se një buzëqeshje mirëkuptuese nuk marrë. Dhe përherë më duhet të kem kujdes që të mos më mashtrojnë. Te unë në zyrë e kam një fotografi, në të cilën Sadam Huseini më përqafon. Pata shkuar për shkak të një pengmarrjeje në Irak, prita në njërin prej pallateve të tij, dhe ai befas u hodh te unë. Fotografët e oborrit shkrepën, fotografinë ma dërguan më vonë. Shpresoj se kurrë nuk do të dalë në opinion kjo fotografi.
– A nuk jeni ju sinonim i përfaqësuesit pa ndikim dhe pa rëndësi të bashkësisë botërore?
Ziegler: Shikoni, si raportues special për të drejtën për ushqim njëherë shkova me krejt ekipin tim te bujqit e përndjekur në Guatemalë. I dëgjova problemet e tyre, dhe po atë çast isha i vetëdijshëm se i tradhtova. Pasi u ktheva në Gjenevë, shkrova raportin tim dhe propozova një reformë agrare, e cila u hodh poshtë nën presion të ndërmarrjeve amerikane të bananeve. E vetmja gjë që e miratuan qenë katër helikopterë, të cilët do duhej të matnin tokën, sepse në Guatemalë nuk ka as kadastër.
– Si veproni në raste të tilla?
Ziegler: Populli i Volofit në Senegal e ka një fjalë të mençur: Nuk mund t’i njohësh frutat e pemëve, të cilat i mbjell.
– Ju po i shmangeni kësaj tradhtie.
Ziegler: Mbase po. Disi më duhet t’ia dalë me këtë skizofreni të Kombeve të Bashkuara: së pari programet e liberalizimit të Bankës Botërore ua plaçkitin bujqve bazën e ekzistencës, e pastaj unë për Këshillin e të Drejtave të Njeriut i regjistroj dëmet.
– Ju keni thënë se jeni si një vampir, se mjerimi është baza e biznesit tuaj.
Ziegler: Po u jap një shembull. Para tri vitesh, kur kam qenë raportues special, për pak më mori një plumb. Atëbotë mbretëronte uri e tmerrshme në Zambi. Firmat agrare ndërkombëtare përpiqeshin të shfrytëzonin këtë gjendje që të fusin në tregun e atjeshëm ushqimet e tyre gjenetikisht të ndryshuara. Kalkulimi i tyre: ata donin t’ia dhuronin misrin gjenetikisht të ndryshuar OKB-së, e cila pastaj do t’ia shpërndante popullit në Zambias.
– Ku është problemi këtu?
Ziegler: Përballë mungesës shumë bujq do t’i kishin ruajtur disa kokrra misër për t’i mbjellë vitin e ardhshëm. Kështu ata do të ishin bërë të varur nga ky misër gjenetikisht i ndryshuar. Për firmat e farës së misrit ky do ishte një biznes fitimprurës, për bujqit në aspektin afatgjatë ky do të ishte shkatërrim. Ata e shesin misrin e tyre kryesisht në Evropë, por në Evropë konsumatorët nuk e blejnë ushqimin e ndryshuar gjenetikisht. Atëherë çka bën presidenti i Zambias? Ai thërret: «Poisoned fond!», dhe i djeg thasët me misër të OKB-së. Unë i dhashë të drejtë. M’u vërsulën mua: amerikanët kërkuan dorëheqjen time. Shtypi piskati: Ziegleri, ky qen, për shkak të dogmatizmit të tij po vdesin njerëz! Një kohë e vështirë. Por, ne qëndruam dhe gjetëm një kompromis. OKB e shpërndau misrin, por jo si drithë, por si miell, kështu që ai nuk mund të mbillej.
– A ju jep shpresë një shembull i tillë?
Ziegler: Edhe pse kësaj here funksionoi, diplomacia multinacionale ka marrë fund. Është shkatërruar totalisht.
– Si po mendoni?
Ziegler: Në fillim të dhjetëvjetëshit që shkoi 147 kryetarë shtetesh u takuan në New York për të bërë një inventar të tragjedive më të mëdha, të cilat e kanë pllakosur botën: uria, analfabetizmi, uji i ndotur, vdekshmëria e fëmijëve, sida. Në fakt ky ishte një moment gëzimi për Kombet e Bashkuara, sepse këto probleme mund të zgjidhen vetëm së bashku. U bë një plan i qartë veprimi për 15 vitet e ardhshme, të ashtuquajturat synime të mijëvjeçarit, por çka ka ndodhur nga atëherë? Asgjë!
– Pse nuk po ndodhë asgjë?
Ziegler: Shpesh e kam pyetur veten, kur në mbledhjet që vazhdonin edhe natën, diplomatët qëndronin përballë njëri-tjetrit, të varfër e të pasur, të paaftë për një konsensus minimal. Njëherë bëhej fjalë për një rezolutë për Darfurin, për trupa helmetkaltra, të cilat do duhej të krijonin një korridor humanitar drejt Çadit. Fjalën e mori koordinatorja e grupit aziatik dhe tha: nuk bëhet kjo punë assesi! Kjo zonjë quhet Sarala Fernando, një grua shumë e mençur nga Sri Lanka. Gjatë një pauze e pyeta pse kishte thënë ashtu, por ajo vetëm tha: «A e patë kush e shkroi rezolutën? Anglezët. Ti e di se çka na kanë bërë ata». Padronët e vjetër kolonialë. Për këtë shkak ajo ishte kundër. Prandaj masakrat vazhdojnë. Më kuptoni? Këtu urrejtja është e thellë, ajo buron nga kujtesa e plagosur e popujve dhe shndërrohet në vetëdije politike.
– Çka domethënë kjo?
Ziegler: Kjo domethënë se Perëndimi e ka humbur besueshmërinë. Hemisfera jugore nuk i beson më atij. Jugu e di se po synohet të çarmatoset. Se plaçkitësit nuk vijnë më me avion në zona tropikale dhe të veshur me kostum kolonialist, por me kostum elegant, dhe jugu po ngre kryet kundër tyre.
– Në librin tuaj aktual «Urrejtja ndaj Perëndimit»tregoni për një përballje domethënëse mes Abdelaziz Buteflikës, presidentit të Algjerisë, dhe Nicolas Sarkozyt.
Ziegler: Ata u takuan në dhjetor 2007 në Algjer për të nënshkruar kontrata mbi furnizimin me gaz. Gjithçka ishte gati mbi tavolinë, kur Buteflika ngritet befas në këmbë dhe thotë: «Dua një kërkimfalje për Setifin». Në qytetin Setif në vitin 1945 u masakruan mijëra algjerianë, sepse ishin ngritur kundër padronëve kolonialistë francezë. Pastaj Sarkozy thotë fjalinë e pabesueshme: «Nuk kam ardhur për shkak të nostalgjisë». Kështu shkruan në protokoll. Por, Buteflika këmbënguli: «La mémoire avant les affaires». Kujtesa para bizneseve. Kontratat nuk janë nënshkruar as sot e kësaj dite.
– Por, pushtetmbajtës disavjeçar si Buteflika i kanë edhe vetë duart e përgjakura.
Ziegler: Për këtë mund të flasim. Por, gjithçka që ai kërkon është së pari një pranim i asaj që ka ndodhur. Mendoj se është si në raportet ndërnjerëzore. Njëri duhet të thotë: më vjen keq, masakrat koloniale, skllavëria, dhe në këtë pikë mund të fillojë pastaj dialogu. Tek atëherë Perëndimi mund t’ia bëjë me gisht hemisferës jugore.
– Çka ju jep shpresë kur gjithçka është ndalur?
Ziegler: Këtu jam me Victor Hugonë: i urrej të gjitha kishat, i dua njerëzit, besoj në Zot. Të gjitha krimet ndodhin nën qiellin e hapur. Do të ketë kryengritje të ndërgjegjes. Po e vëzhgoj krijimin e një shoqërie civile të re, planetare. Pa marrë parasysh a bëhet fjalë për protestat në Samitin e G-8, për transportet e bërllokut atomik apo për stacionin e trenit në Stuttgart: ka sërish njerëz që nuk bëjnë vetëm atë për çka urdhërohen, por që lirinë e tyre e shndërrojnë në rezistencë.
– A ekziston një synim që i bashkon këta njerëz?
Ziegler: Ata e dinë çka nuk duan, dhe askush nuk mund ta parashikojë se çfarë do lind nga kjo. Se çka do të bëjnë me lirinë e tyre, ky është mister i madh i historisë. A e dini atë vargun e Whitemanit: ai u zgjua herët në mëngjes dhe shikoi drejt diellit që po lindte… duke çaluar.
– Këtu e mbështetni shpresën?
Ziegler: Si revolucionar më duhet ta ndiej barin duke u rritur.
Nga gjermanishtja:
E.R.
Profesori zviceran i sociologjisë Jean Ziegler, 76-vjeçar, ka udhëtuar nëpër botë si raportues special i Kombeve të Bashkuara dhe shkroi raporte mbi urinë. Nga gushti i vitit 2009 ai i takon komisionit këshillues të Këshillit për të Drejtat e Njeriut.
Ziegler, i cili me ndërprerje ka qenë 28 vjet në parlament për socialdemokratët zviceranë, u bë i famshëm me librat e tij, ku rroket me të fuqishmit e botës perëndimore.
Në librin e tij «Zvicra, ari dhe të vdekurit» ai përshkruan se si bankat zvicerane mbanin ari të nazistëve në bodrum dhe mbroheshin nga elita politike.
Ziegler ka shkruar 20 libra, ato bartin tituj si «Barbarët po vijnë – kapitalizmi dhe krimi i organizuar», «Perandoria e turpit» dhe «Urrejtja ndaj Perëndimit».
Në vitin 2010 ai botoi romanin e tij parë. Në romanin «Ari i Maniemës»Ziegler përpunon përjetimet e tij traumatike si punëtor i ri i OKB-së në Kongon e sapo pavarësuar në fillim të viteve 60-të.
Leave a Reply