• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 5th, 2026
  • HOME
ILIR YZEIRI/ Stinë e re, por politikë e vjetër
Home
Blog

ILIR YZEIRI/ Stinë e re, por politikë e vjetër

September 2nd, 2019 F.autor Blog 0 comments

Nga Ilir Yzeiri

Gushtin e lamë pas, por, mesa duket, do të marrim pas jo vetëm nxehtësinë e ditëve të atij muaji, por edhe ajrin e rënduar të vapës politike. Shenjat e para u dhanë me zbulimin e qarkores së Lulëzim Bashës për qëndrimin ndaj mediave dhe gazetarëv « armiq », ndërsa fytyra e qeshur e Ilir Metës që u ngjitet maleve të Shqipërisë me triumfin e atij që ka humbur sensin e realitetit dhe fluturon në botën virtuale, si ai, që, për të shmangur të vërtetën, merr malet, na tregon se stina e re bart të gjitha problemet e vjetra që kanë lindur në këtë vend qysh se skena politike zotërohet ende nga ata që triumfin antikomunist e kthyen në aset për të pasuruar veten dhe për të ndërtuar kaos e rrëmujë për të tjerët.

Partia Socialiste e shpërdoroi me mendjelhetësi besimin që i dhanë të gjithë, por sidomos partnerët tanë të huaj dhe veçanërisht z. Palmer, i cili për të legjitimuar zgjedhjet e 30 qershorit u investua edhe vetë personalisht në një intervistë te «Zëri i Amerikës ». E kam fjalën për Shkodrën. Është e pafalshme që pas disa të zgjedhurëve, qoftë si deputetë, qoftë edhe në krye të bashkisë, të cilët dolën të përlyer nga Ligji i Dekriminalizimit, Partia Socialiste të mos tregohej korrekte dhe në lartësinë e vendit që ajo ka në skenën politike dhe të kandidonte Valdrin Pjetrin. Në qoftë se edhe për kandidatin e Vorës vertetohet e njëjta gjë, atëhere kjo është shumë e rëndë. Partia Socialiste i ka një borxh të madh një pjesë shumë të madhe të opinionit dhe elektoratit shqiptar që i beson asaj dhe që e voton. Këta sa vjen e po zhgënjehen nga kjo sjellje e papërgjegjshme dhe aventureske e PS-së dhe lidershipit të saj. Është e vërtetë se, për sa kohë që PD-ja dhe opozita drejtohet nga Lulëzim Basha, Monika dhe Ilir Meta, PS-ja mund të fitojë lehtësisht, por kjo nuk do të thotë që PS-ja të shkelë mbi të gjitha parimet dhe të shndërrohet në një forcë të lodhur, të ngopur me pushtet dhe arrogante. PS-ja duket se i ka shkëputur të gjitha lidhjet me strukturat poshtë dhe u beson më shumë lobingjeve të biznesmenëve, të fortëve dhe njerëzve të lindur për të qenë pranë pushtetit. PS-ja kërkoi falje për Shkodrën, por, megjithatë, kjo nuk mjafton. Ai qytet nuk e meriton që të rrijë pa qeverisje dhe nuk e meriton të ndëshkohet me humbje në një ndeshje që u fitua në tavolinë. Unë jam i sigurtë që Edi Rama e ka bast personal Shkodrën dhe si kryeministër do të bëjë atë që nuk e ka bërë askush për atë qytet, por, para kësaj, nuk kishte pse mandatonte Valdrinin duke lidhur besën me ata që në besë nuk lidhen kurrë.

Sezoni i ri, siç e përmenda, u hap edhe me një qarkore të Lulëzim Bashës që shtypi e ka komentuar gjatë. Personalisht, nuk kam dyshuar kurrë që Lulëzim Basha është jo vetëm i pa aftë, por, për fat të keq, edhe jo i zgjuar. Në politikë, zakonisht përfshihen njerëz që si dhunti të parë kanë nivelin e lindur intelektual, pra, nga natyra, e kanë më të zhvilluar inteligjencien se të tjerët. Arsimimi është një plus. Lulëzim Basha, për fatin e keq të opozitës nuk i ka asnjë nga këto cilësi. Dhe një njeri i tillë, i hypur me të shtyrë në një post të lartë politik e realizon  veten duke fryrë dhe duke shfryrë unin dhe egon e tij. Ai ndjehet i pasigurtë, por edhe i fortë. I rrethuar nga turma, ai nuk e kupton se këtë turmë duhet ta iluminojë me fjalë, jo ta nxisë në beteja sureale në mënyrë që ai të projektohet si luftëtar dhe kështu edhe i ikën frika edhe i shuhen turbullirat e nënvetëdijes së trazuar. Ky njeri që nuk prodhon dot asnjë tekst normal të artikuluar me qetësi ku të tregojë normalisht se cili është, çfarë di të bëjë, si do që t’i bëjë ato që thotë, është gjithë kohës në ankth dhe në frikë dhe vazhdimisht prodhon një ligjërim që i ngjet njeriut që është duke u zënë me grushta me kundërshtarin te cepi i pallatit. I përfshirë natë e ditë në ankthin e luftës, ai e ka kuptuar politikën si lumë sharjesh për kundërshtarin, si një logorre akuzash nga cepi i pallatit për të fortin e pallatit tjetër. Ndërsa, qarkorja jo vetëm që i vë pikën mbi « i » një të paafti, por tregon se ai e kupton publikun dhe ndjekësit e tij si një çetë fanatike që nuk duhet as të lexojnë as të dëgjojnë njeri tjetër, por veç thirrmat e atij kur e kap panik i frikës dhe i pasigurisë dhe kur është nën kthetrat e ankthit ekzistencial.

Për fat të keq, vetëm fanatikët e ISIS-it djegin shenja dhe kulte, libra e tekste që mbajnë fjalën e kundërshtarit. Luli ynë, në mënyrë metaforike, u thotë ndjekësve të vet : digjini në shpirtin tuaj dhe në mendjet tuaja fjalët e jezitëve që shpifin për mua. Nxirrni nga zemra juaj dhe nga shpirti ata jezitë që flasin keq për mua, hidhini ata në zjarrin e ferrit që të digjen dhe nga zjarri i tyre të ndriçojë emri im që po përdhoset nga faqezinjtë e blerë nga kryejeziti Rama.

Priten më në fund që edhe institcionet e drejtësisë që do të dalin nga Vetingu të konstituohen. Është e vetmja shpresë që mund të na bëjë të besojmë se stina e re, mund të prodhojë edhe një politikë tjetër, një frymë të re. Të presim.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article MERO BAZE/ Për ata që presin Bashën të rikthehet në sistem!
Previous article KRESHNIK SPAHIU/ 6 arsye morale dhe ligjore pse votimet në Kosovë nuk vidhen si në Shqipëri?

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k