• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 7th, 2026
  • HOME
ILIR YZEIRI/ Një ditë sa 500 vjet
Home
Blog

ILIR YZEIRI/ Një ditë sa 500 vjet

April 17th, 2018 Redaktor2 Blog 0 comments

Sot, Shefja e Politikës së Jashtme në Bashkimin Europian, Federica Mogherini deklaroi, se Këshilli vendosi të rekomandojë hapjen e negociatave me Bashkimin Europian për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Pa as më të voglin dyshim është një Ditë e Madhe për Shqipërinë. Për shumë arsye. Por kryearsyeja lidhet me identitetin tonë, me atë se çfarë përfaqësojmë dhe çfarë jemi në të vërtetë.

Fati ynë i keq dhe tragjik u shënua mjaft herët dhe sot përshkrimi i udhës së gjatë prej 500 vjetësh bëhet i lodhshëm dhe të rrëzon në romantizëm e në retorikë. Mirëpo, mua më duket se bash sot është dita që edhe pak retorikë shkon, sepse, sot, zyrtarisht, ne po çelim negociatat që në një të ardhme të afërt të bëhemi anëtarë të Bashkimit Europian, të jemi pra me identitet europian.

Dhe këtu, unë, përkundër gjithë cinikëve të radhës, të cilët, me të drejtë ose pa të drejtë, nuk e durojnë retorikën nacionalromantike të shqiptarëve të martirizuar për Europën, po bëj një kalim të shpejtë dhe po mundohem të rifreskoj më së pari kujtesën time, megjithëse e di se koha që jetojmë është e mbushur më së shumti me avuj pesimizmi, dëshpërimi dhe ironie. Shpresa dhe gjendja normale apo ajo e pakëz e ngritur shpirtërore duket si një sëmundje për naivët.

Gjëja e parë që më erdhi sot ndërmend është studiuesja e njohur nga Venediku, Lucia Nadin që me librin e famshëm të saj « Shqiptarët në Venedik » dhe me tjetrin më pas « Statutet e Shkodrës » na riktheu me triumfalizëm në epokën europiane të shqiptarëve, në vitin e largët 1474 kur Shkodra ra dhe Shqipëria që kishte humbur edhe heroin e saj legjendar Gjergjin e Kastriotëve, do të zhytej në errësirën otomane për 500 vjet. Sot shqiptarët kanë vënë në dyshim gjithçka dhe shthurja mendore në disa raste i ka bërë që të shohin me dyshim historinë e tyre. Ka shqiptarë, sidomos në arealet e Kosovës apo të Maqedonisë, që nuk e duan këtë histori dhe identofikohen me turqit apo e shpallin Erdoganin baba.

Neotomanizmi nuk është frazeologji gazetash apo kefehanesh. Neotomanizmi është një projekt që po vepron edhe në Ballkan. Mirëpo instikti nacional shqiptar edhe në këtë shthurje të madhe nacionale e shoqërore nuk e pranon, por e refuzon atë. Reagimi në Kosovë pas ekstradimit të të ashtuquajturëve gylenistë ishte shembullor. Dhe ironia më e madhe ishte se gazetat greke, « Kathemirini », përktësisht, u detyrua të pohonte se Turqia duhet t’i bëjë llogaritë mirë në Ballkan, sepse nacionalizmi shqiptar apo sllogani « Feja e shqiptarit është shqiptaria » është më i fuqishëm se afshet e islamizmit.

Sot është një ditë e madhe sepse ne shqiptarët jo vetëm që kemi qenë të izoluar për gati 50 vjet, por edhe kur përmbysëm diktaturën dhe u hapëm me botën, nisëm të eksportojmë mjerim, varfëri, krim dhe prostitucion. Europa thuajse na kishte harruar dhe për të ne ishim një shtet atipik dhe një vend i askujt. Të gjithë e dimë se kur Perandoria Otomane po shkërmoqej, Kongresi i Berlinit apo Konferenca e Londrës mblidheshin për të përcaktuar fatin e popujve të krishterë që kishin qëndruar nën atë pushtim.

Të gjithë e dimë se si dolën trojet shqiptare pasi u shkërmoq Perandoria Otomane dhe të gjithë e dimë se çfarë makabritetesh vuajti ky vend e ky popull sidomos nga vitet 1912 e deri në vitet 1920 kur Konferenca e Paqes pas denoncimit të presidentit Willson hoqi dorë nga copëtimi i vendit. Se çfarë ndodhi në ato pak vite të qeverisjes së Mbretërisë gjithashtu e dimë mirë dhe sot është rasti të themi se Mbretëria Shqiptare, megjithë defektet që mund të ketë pasur, në një pikë duhet nderuar. Ajo e orientoi vendin drejt Europës. Ndërsa çfarë ndodhi me komunizmin shqiptar këtë e kemi të freskët sot e gjithë ditën. Sot nuk është vendi të bëjmë bilance, vetëm se një gjë duhet ta themi me zë të lartë. Projekti komunist që e shpallte Europën dhe Perëndimin si armiq të shqiptarëve, ishte projekti më tragjik dhe më kriminal që shqiptarët realizuan ndonjëherë.

Sot është një ditë e madhe sepse më në fund ne realizuam një ëndërr që do të na japë identitetin e nëpërkëmbur dhe të përdhosur prej të tjerëve dhe prej vetes. Por vetëm kaq. Që të sillemi si europianë duhet të bëjmë një revolucion të thellë në kokat tona. Në themel të Europës është Karta e Të Drejtave të Njeriut. Në themel të shteteve totalitare është e drejta e atdheut. Për fat të keq të gjithë diktatorët, të gjithë sharlatanët dhe të gjithë autoritarët fshihen pas dashurisë së atdheut. Atdheu nuk është pronë e askujt.

Atdheu është liria e secilit prej nesh dhe barazia para ligjit e secilit prej nesh. Europa na ka hapur dyert që të bëhemi pjesë e saj, por aty nuk mund të hyjmë me Atdheun folklorik, aty duhet të hyjmë si njerëz të barabartë dhe të përunjur. Kalimi nga psikologjia e turmave dhe e klaneve që e shpallin territorin e atdheut si pronë të luftëtarit apo të kriminelit të radhës në psiklogjinë e shqiptarit europian që respekton tjetrin e ndryshëm nga ai dhe ligjin, që është i barabartë para ligjit dhe që ka të drejta të barabarta mbi të mirën publike janë një kusht i vështirë që duhet përmbushur.

Sot është një ditë e madhe se ne kemi rastin që nga një popull informal që drejtohet nga emocionet nacionalromantike të nisim e të bëhemi një popull formal që e ndërton jetën e tij duke respektuar ligjet e shkruara e jo besimet dhe lidhjet e gjakut apo të tarafit e të klaneve. Reforma e thellë që po kryhet në sistemin e drejtësisë është vetëm fillimi i një rruge të gjatë që do të na kthejë nga një popull që mendon me mendjen te kuleta e tjetrit dhe te zhvatja publike në një popull që arsyeton me kode e ligje të miratuara nga të gjithë.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article MICHAEL IGNATIEFF/ Makiaveli kishte të drejtë
Previous article ARTUR AJAZI/ Cila është merita e Bashës dhe Kryemadhit në hapjen e negociatave?

Redaktor2

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k