Hashashi dhe Kushtetuta nuk kanë qenë asnjëherë rrena në Shqipërinë e pluralizmit. Kushtetuta është vërtetë një libër i shkruar edhe para, edhe pasi është botuar. Madje jo vetëm një herë, po disa herë. Hashashi, po ashtu, nuk ka qenë kurrë një përrallë në gojën e politikanëve tanë rrenacakë të këtij çerekshekulli.
Ndryshe nga libri, që “zakonisht”duhet të shkruhet para se të botohet, tymi i hashashit tek ne është shfaqur gjithmonë para korrjes së tij. Madje që para mbjelljes së farës. Madje madje, para se të formohej Lazarati si “fshat-shtet”. Por, meqenëse rrena ka dekada që tek ne ka fituar qytetarinë mbi të vërtetën, kjo e fundit ka dalë krejt e panevojshme.
Prandaj e mira e do që ta harrojmë të vërtetën. Sidomos sot, që jetojmë në një periudhë të artë për rrenën, nuk ka hiç nevojë për të vërtetën e Lazarat-kushtetutës fjala vjen. Se, rrenat, ashtu si edhe përrallat, që thoni ju, janë një e mirë shoqërore, nga të cilat askush nuk del humbës. Rrenat dhe përrallat kurrë nuk janë të padobishme. Ato thirren gjithmonë në emër të së vërtetës, në mbrojtje të Kushtetutës dhe, pikërisht për këtë shkak, janë ftesë për veprim. Janë ftesë për tym e flakë në mbrojtje të sovranitetit. Janë kushtrim për aksion konkret për të gjuajtur me çizme e ç’të jetë mbi “kodoshin e Amerikës” që shkeli Kushtetutë e na la pa Llallë…
Duhet bashkëveprim dhe ai sot mund të ndërtohet përmes përrallave, duke i paraqitur për të vërteta të padiskutueshme. Sa më shumë rrena të pakontestueshme, aq më e mbrojtur Kushtetuta, aq më e madhe lumturia jonë. Vuajtja më e madhe e shqiptarëve nuk është e vërteta për Kushtetutën, por pamundësia e politikanëve tanë për ta përrallosur atë.
Pikërisht për këtë arsye, atë që unë e kam ditur për të vërtetë vendosa ta ndaj me ju në formën e një përralle. Jo për ndonjë gjë, por vetëm për te mos ju prishur lumturinë juve që do të keni durimin të më lexoni. Përralla ime është pikërisht kjo:
Pranë Gjirokastrës na ishte dikur një fshat i varfër që quhej Lazarat. I varfër, se kodrinave të tij u mungonte uji dhe bimët thaheshin e vyshkeshin sapo mbinin. Varfëria filloi të largohej vetëm kur në fshat u shfaq bima e hashashit. Por, menjëherë me të, për gjethet magjike të kësaj bime të çuditshme, u përhap lajmi se Kushtetuta jonë e kishte shpallur të paligjshme dhe e ndalonte rreptësisht kultivimin e saj. Për trafikimin ajo e linte të nënkuptohej se ishte e ndaluar. Por ç’bënë Lazaratasit e mençur në atë situatë? – do të thoni ju. Ja u them unë. Thjesht fare. U regjistruan të gjithë në partinë- shtet të kohës dhe nxorrën kushtetutën e tyre që Lazaratin demokratikas e shpallte “fshat-shtet”. Për “qytet-shtete” në botë ishte dëgjuar edhe më parë, por për “fshat-shtet” gjer atëherë njerëzve as u kishin parë sytë e as nuk u kishin kapur ndonjëherë veshët. Kushtetuta e Lazaratit bëri mrekullira. Hashashi i Lazaratit pushtoi botën. Por që gjethet të rriteshin e të zhvilloheshin si flamuj partie duhej edhe shumë ujë. Por… Sipas Lazarat-kushtetutës, ujin për vaditjen e hashashit e kishin për detyrë ta sillnin zjarrfikëset e Gjirokastrës dhe ata e kryen më së miri këtë punë.
Udhëheqësit vendorë ngritën post blloqe dhe për kufinjtë e fshat-shtetit të tyre vendosën ca trima që i vigjëlonin 24 orë në 24 orë me kallash në dorë e antitanke mbi supe. Kushtetuta e tyre nuk lejonte cilindo të vizitonte fshat-shtetin Lazarat. Askush nuk mund të kalonte traun nëse nuk paraqiste garancinë e PD-së. As kandidati për deputet i ndonjë partie tjetër madje nuk kishte të drejtë të shkelte kufirin e Lazaratit. E provoi një herë nënkryetarja e Parlamentit të shkelte atë kufi, por ajo e di ç’vuajtje hoqi për t’u çliruar nga pengmarrja.
Kushtetuta e lazove parashikonte edhe mbrojtjen e hapësirës ajrore. Po, po. Le të guxonte kush ta shkelte atë, po e pësonte si avionët e policisë italiane që shkuan të fotografonin arat me ashash. Hej o Lazarat! Ç’të thuash më tepër? Në Europë mund të shkoje kur u liberalizuan vizat, ndërsa në Lazarat jo.
Kushtetutë ajo ishte, ajo e fshat- shtetit Lazarat dhe jo kjo që na e morën amerikanët. Në ’97-n Berisha e PD-ja ranë, Lazarati jo. E mbante të patundur “Hashash- kushtetuta”. Në mitingjet e asaj kohe kudo dëgjohej thirrja “Lazarat! Hej Lazarat!”… Kjo ishte përralla me Lazarat, hashash e Kushtetutë. Prandaj jua kujtova që mos e harroni këtë zanat dhe më 27 janar, por thërritni përsëri fort si atëherë e një kohë: Lazarat! Hej Lazarat!
Leave a Reply