Më 1 shtator të 1994-s fillova punë si mësues në Belsh të Elbasanit. Ditën e parë të shkollës, duke bërë apelin, nxënësit për disa nga shokët e tyre që mungonin më përgjigjeshin: “Ka rënë merkosh.”?! I çuditur për këtë përgjigje i pyeta për kuptimin e saj dhe ata më sqaruan se donin të thonin se shokët e tyre mungonin për arsyen se kishin shkuar refugjatë…
Ç’do të thoshte e nga e kish prejardhjen shprehja “ka rënë merkosh” nxënësit e mi nuk dinin të ma shpjegonin. E kishin dëgjuar në shtëpitë e tyre nga të moshuarit sa herë që binte fjala për një burrë që mungonte kur e ftonin diku. Më pas pyeta një koleg vendas i cili më shpjegoi kuptimin e leksemën “merkosh”: “Në kohë të lashta ka qenë një zakon që, kur burri kishte gruan shtatzënë, aty nga muaji i fundit në prag të lindjes, shtrihej edhe ai ngjitur me të dhe, në momentin që asaj i vinin dhimbjet e thërriste, edhe burri i rënë merkosh, bënte të njëjtën gjë: Imitonte gruan e thërriste edhe ai…
Këto burra të rënë merkosh edhe Perandoria Osmane i falte nga rekrutimi ushtarak. Pra, burrit të rënë merkosh i shtyhej shërbimi ushtarak dhe dmth, për momentin, nuk merrej nizam… Ky është kuptimi i fjalës “merkosh” që, megjithëse ka humbur si funksion, mund ta dëgjosh ende sot në kuptimin e një burri që mungon me arsye, siç e përdorën nxënësit. Fjalët “Merkoshi”, ose në variante të përafërta “Makoçi” etj që mund ta hasësh edhe në mbiemra të njerëzve, atë prejardhje kuptimore kanë.”…
Kështu ndodh me fjalët. Gjuha është fenomen i gjallë dhe ndonjëherë, një fjalë apo një shprehje, rron më gjatë edhe se objekti apo subjekti të cilin emërton. Kështu kuptova se ka ndodhur edhe me shprehjen “ka rënë merkosh”… Por, duke qenë fenomen i gjallë, veç vdekjeve në gjuhë duhet të presim edhe lindje. Disa fjalë, duke u përdorur në rrethana të caktuara, zgjerojnë ndjeshëm nuancat e tyre kuptimore. Ca të tjera ruajnë vetëm kuptimin e mëparshëm por ndërkohë marrin famë nga rrethana kohore apo e vendit në të cilin përdoren. Është një ligjësi e njohur në sociolinguistikë që, ata që veprojnë normalisht apo zbatojnë ligjet e shoqërisë, edhe kur njihen, harrohen shpejt. Ndërsa ato të tjerët kujtohen më gjatë…
“Fama i pavdekshëm është vëllai binjak i nderit jetëshkurtër” – thotë Shopenhaueri. Nuk e di ç’ndodhi me të tjerët, por mua kur dëgjova për lejen dyvjeçare të lindjes që përfitoi Gjin Gjoni, m’u kujtua menjëherë “të rënit merkosh” dhe një këngë komike që u bë hit para ca kohësh… Fenomeni i kujtesës dhe pasojat jashtëgjuhësore të Vetingut, pasi riaktivizuan në fjalorin tonë një fjalë që ishte harruar prej kohësh: “dorëheqjen”, ja ku na dhuruan stilemën “e lejes së lindjes për burrat me cica” si Gjin Gjoni…
***
Si kudo e si gjithmonë, edhe për pritjen e Santa Klausit të sivjetshëm, përgatitjet do të fillojnë jo më vonë se aty nga mesi i dhjetorit. Gjithashtu, 12 dhjetori është dita kur skadon mundësia e apelimit të atyre që kanë rënë në rrjetën e Vetingut dhe me këtë, të mund të pengojnë formimin e SPAK-ut. SPAK-u pastaj, me Byronë e Hetimit, Prokurorinë e Gjykatën Speciale ia zgjeron kuptimin fjalës veting. Si? – do të pyesni ju. Ja ashtu, duke i zgjeruar mundësinë për të thërritur politikanë e zyrtarë të lartë për të kaluar e vizituar ambjentet e tyre, do të mësoni më gjerësisht për fuqinë e fjalës veting.
Prandaj, kujdes! Këtë fundviti është mundësia që Santa Klausi i 2019-s të na trokasë bashkë me Santa Vetingun dhe, ky i fundit, nuk vjen me lodra fëmijësh në krah, por me thesin e mbushur me byzylykë, që ndryshe quhen edhe pranga. Por sidoqoftë, Santa Vetingu nuk është ç’njerëzor. Të paktën, për sa kohë është i shoqëruar me Santa Klausin e mirënjohur për dashurinë që ka për fëmijët, edhe ai, për hir të foshnjave, i kursen nga prangat nënat lehonë. Po kur të marrë vesh që në Shqipëri ka edhe burra lehonë, si do të sillet Santa Vetingu?
E shikoni pra sesa u komplikua kuptimi i fjalës më të lakuar të vitit, vetingut? Ç’do ditë që vjen rrit pritshmërinë për prurje të reja në fjalorin e gjuhës shqipe. Fjalë të ndryshme, që para ca vitesh dukeshin sikur nuk kishin lidhje logjike mes tyre, tash e tutje, edhe kur të jenë të veçuara, do të na kujtojnë njëra tjetrën. Prej shoqërizimit të tyre fjalori ynë ka përfituar shumë. Kështu, me lejen dy vjeçare të lindjes që mori këto ditë Gjin Gjoni, sa herë të dëgjojmë për të, do të na kujtohen lehonat e, lehonat, vetingun… Vetingu pastaj do të na kujtojë Gjinin e, Gjini sigurisht cicat. Cicat, do të na kujtojnë këngën “Hop, hop ti Mamica/ Më çmend me ato cica!”.
Në këtë rast, Gjinit “me cica” i takon merita që solli në fjalorin e sotëm të shqipes këtë stilemë të re komike që është vazhdim i asaj që shpreh subjektin e “të rënit merkosh”, tamam si në refrenin e dytë kur pas “Hop, hop ti Mamica/ Më çmend me ato cica!” këndohet : “Hop, hop ti Mamica/ Sa shumë të tunden ato cica!”…
Leave a Reply