Gazetar Jonuzi i “Panorama e ditës”, kish dalë nga redaksia pa ndonje ide të qartë. Nuk kish gjetur ende nje temë për të qenë për artikullin, për numrin e nesërm. E, gazeta e përditshme të bluan, se kërkon çdo ditë material. Jonuzi e dinte. Të rrinte në redaksi, nuk dilte gjë në dritë për të nesërmen.
Mori udhën për te Ministria e Gjelbër, në qendër të qytetit. Kjo mbulonte bujqesinë, blektorinë, pyjet, mjedisin dhe peshkimin. Prandaj kishte atë emër ajo. Goxha Ministri, nga më të mëdhatë në vend. Ajo ishte e lidhur me gjithë shqiptarët, se ishte në tavolinën e tyre tri herë në ditë. “Mbase, nuk do të më lerë pa gjë sot” – tha, duke iu afruar ndërtesës hijerëndë.
Te dera e Ministrisë kishte pak njerez. Atje punonte nje shok i tij si drejtor dhe mund te pinte një kafe me të, te kafeneja e institucionit. Pastaj, fjala sjell fjalën, mbase dilte ndonje temë për gazetën. Ai atë rubrikë mbulonte: “Bujqësia për të gjithë”. “Na bloi kjo gazetë!” – tha me vete.
Roja te porta tha se drejtori, që kërkonte, ishte në mbledhje te Ministri. Nuk besonte se do vonohej shume, prandaj vendosi të priste. “Rri nja dhjetë minuta, – mendoi. – Pastaj largohem, po u vonua më shumë.
Te porta priste për takim edhe një qytetar tjeter. Një djalë i ri, nja njezetë e pesë vjeç, paksa i xirë në fytyrë, sikur vinte nga plazhi, megjithëse tani ishte tetor. Edhe ai, mesa duket, priste ndonjë nga drejtorët. Edhe ata, në mbledhje te Ministri. Jonuzi e pyeti se nga ishte e përse priste aty dhe ai tha se vinte nga Durresi e donte të takonte Drejtorin e Kuadrit.
– Punë emërimi? – pyeti Jonuzi.
– Aty – aty – u përgjigj tjetri. – Po ti, për punë? –
– Edhe unë, aty – aty – tha gazetari dhe qeshi.
Jonuzit iu duk i lezeçëm ky djalë dhe prandaj e ftoi të shkonin në bufenë e Ministrisë. Nuk kishte pirë kafe ende atë ditë. Ata do prisnin se do prisnin, per të takuar drejtorët, kështu që, më mirë të rrinin atje. Edhe drejtorët besohej se do vinin në kafe, kur të mbaronte mbledhja.
U ulën te një tavolinë në qoshe. Nga jashtë vinte zhurma e makinave që kalonin në sheshin “Skënderbej”. Sa mire, të rrije ulur atje, mes erës së këndshme të kafesë së sapobluar, e të sodisje makinat që lëviznin! Po në mbrëmje, duhej artikulli në gazetë. Po të mos dilte shpejt shoku i tij nga mbledhja dhe t’i jepte ndonjë temë, e mori lumi për nesër. Rubria qe mbulonte, do të mbetej bosh. Hajde prit kritikat e kryeredaktorit pastaj.
– Me ç’punë merresh? – e pyeti gazetari djalin, pasi morën kafet.
– Akoma nuk jam në punë – tha ky.
– Nuk ke mbaruar shkollën apo nuk ke gjetur punë?
– Nuk kam gjetur ende punë – tha tjetri. – Po kërkoj, më kanë dhënë shpresa, por akoma, hiç.
– Përse e ke mbaruar shkollën?
– Për peshkim. Kultivim dhe përpunim peshku.
– Qenka degë e bukur, – tha gazetari. – Nuk e dija që kemi fakultet të tillë.
– Ashtu eshte, po ja qe nuk jam sistemuar akoma diku dhe kjo më vret pak. Edhe kam mbaruar me nota të larta.
– I ri je. Duhet pak durim, se nuk është aq e lehtë puna sot. Po si të ra mendja për këtë degë? Se, më duket interesante.
– Po ja, mbarova te mesmen dhe po mendoja ku të shkoja. Babai punon në një nga magazinat e grumbullimit të peshkut dhe prodhimeve të detit në Durres. Anijet e peshkimit e dorezojne atje mallin qe bien, kur kthehen nga gjuetia, se marrin subvencion nga shteti, mbi bazën e faturave. Atje pastaj furnizohen dyqanet dhe restorantet me prodhime deti.
– Paska punë të bukur, – tha Jonuzi. – Lum si ju! Kënaqeni me peshk të freskët, besoj. Peshk, ngjala, karkaleca deti, oktapobë, midhje, kallamarë… Keni mundësi të zgjidhni dhe me çmim të arsyeshëm. Ne, ketu në Tirane, e marrim shtrenjte, edhe nuk dihet sa ditë ka, që ka dalë nga deti. Po, babai të nxiti të shkosh në shkollë të lartë për peshkim?
– Babai ishte nxitësi kryesor – tha tjetri. – Më tha: nuk do të të dalë keq. Industria e peshkut po merr zhvillim dhe ti nuk do ngelesh pa bukë. Ja, kështu filloi. E mora me dëshirë këtë degë dhe mbarova mire. Mirepo për punë, eshte e vështirë.
– Ke bere ndonje gje deri tani?
– Kam takuar plot njerëz në Ministri. I kam qerasur edhe me peshk. Më kanë premtuar se do më ndihmojnë. Po deri tani, nuk duket gjë akoma.
– Po ndonjë lekë, ke dhënë gjëkundi për punën e emërimit? – Gazetari seç shkeli te telefoni i tij që kishte lënë mbi tavolinë.
– Jo, lekë nuk kam dhënë. Nuk e di se duhet dhënë lekë. Dhe as nuk jap dot, se më vjen zor. Kam frikë se ma marrin për keq. Pastaj, kujt t’i jap lekë? Ndodh që të marrin lekët e të mashtrojnë. Ku i dihet? Po pa gjë nuk i kam lënë. Jam çdo javë këtu dhe, sa here vij, nuk vij duar bosh. Mbush një tip ftohësi, punë termusi me peshk të zgjedhur deti, karkaleca ose kallamarë, i mbuloj me akull dhe ua sjell këtyre. E lë në makinë te parkingu dhe vijnë atje e e marrin.
– Kujt “këtyre”? – pyeti gazetari.
– Këtyre, pra, të Ministrisë.
– Po Ministria është e madhe, të gjithë i furnizon me peshk ti?
– Jo të gjithë, jo, po janë nja tre – katër vetë, drejtorë, që vijne e marrin. Pastaj ata thonë që u japin edhe të tjerëve të Ministrisë. Ua di edhe shijet tani. Psh, Sekretari i Përgjithshëm vdes për kallamarët.
– Edhe ata, e hanë karemin, domethënë, peshkun?
– Po po, e pranojnë pa problem fare. Kush nuk e ha peshkun e detit! Është cilësi e parë. E zgjedh vetë te magazina. Jam bërë i njohur këtu, nuk ka problem. Më falenderojnë dhe e marrin mallin me gjithë termus, që të mos prishet deri pasdite, kur shkojnë në shtëpi.
– Po termusin ta kthejnë pastaj?
– Po, po ma kthejnë. Ata e dine që do t’u sjell prapë peshk.
– Çudi, – tha gazetari. – Ke bërë gjithë këtë sakrificë, se peshku i detit është i shtrenjtë sot dhe prapë, nuk ke rregullluar gjë akoma. Më vjen keq për ti. Besoj se nuk u merr lek për peshkun atyre.
– Jo, – tha djali. – Nuk u marr. Në fillim donin të m’i jepnin. Po unë nuk i pranova dhe ata pastaj nuk m’i dhanë më. U mësuan, e marrin falas.
– Po mbase, peshkun ta kanë ngrënë njerëz që nuk kanë gjë në dorë për emërimin. Pra, të ka vajtur mundimi dëm.
– Ndoshta, – tha i riu. – Po unë jam çdo javë këtu. Dhe, nuk është se i kam sjellë peshk e ngjala vetëm një drejtori. Të gjithë kanë ngrënë. Edhe jo vetëm drejtorët. Edhe zëvendësministrat, madje – madje, edhe ministri vetë ka ngrënë nga peshku im. Të paktën, mua kështu më kanë thënë, se mbase më kanë gënjyer. Vinte e mirrte termusin me peshk shoferi i Ministrit.
– Po më çudit – tha gazetari. – Ke bërë gjithë këtë shpenzim dhe prapë nuk ke nxjerrë gjë në dritë për punën.
– Akoma jo – tha tjetri.
Gazetari pa orën. Kishte kaluar gjysmë ore që ata gjendeshin në kafene dhe mbledhja te Ministri nuk dukej të mbaronte. Ai mori telefonin, u ngrit dhe pagoi kafet.
– Unë po dal – tha. – Ishte kënaqësi të rri e të pi kafe me ty. Do largohem, se nuk mund të pres më shumë. Kushedi sa do vazhdojë mbledhja. Të uroj suksese në gjetjen e punës e mbase shihemi prapë. – I dha dorën të riut dhe u largua.
2.
Të nesërmen “Panorama e ditës”, më e madhja në vend, ishte hapur me kryeartikullin: “Plasi peshku në Ministri” dhe me nëntitujt: “Të gjithë e kanë ngrënë, përfshi edhe Ministrin. Sekretari i Përgjitshëm pëlqen më shumë kallamarët.” Poshtë tij ishte në kllapa: “Çdo gjë është e regjistruar. Nga rrëfimet e një qytetari anonim në kafenenë e Ministrisë”. Këto fraza ishin dhënë në pasqyrën e shtypit të ditës në të gjitha televizionet në mëngjes. Kuptohet, që ishin dëgjuar edhe nga vetë drejtuesit e Ministrisë së Gjelbër.
Sekretari i Përgjithshëm doli i mërzitur nga zyra e Ministres dhe u drejtua për te e tija. Kjo e kishte thirrur menjëherë sa kishte ardhur. Ajo ishte bërë ministre kohet e fundit, në kuadrin e barazisë gjinore. Kishte tundur në dorë gazetën dhe i ishte drejtuar Sekretarit:
– Ç’ështe kjo që shkruan gazeta për Ministrinë tonë? – Tjetri kishte ngritur supet. E kishte degjuar edhe ai në televizion, por nuk e kishte blerë gazetën akoma. Prandaj u ndodh i papërgatitur dhe nuk dinte si të përgjigjej.
– Do merrem me të e do ju informoj, zonja Ministre – tha.
– Dua që t’i kthehet përgjigje gazetës – tha Ministre Halimja. – Përgjigje e gjerë dhe e prerë. Aq sa eshte artikulli i gazetës si hapësirë. Nuk mund të lejojmë ne, të hedhin baltë mbi institucionin tonë. Edhe po nuk e botuan ata, do t’i padisim në prokurori për shpifje e do kërkojmë shpërblim për dëmtim të imazhit të dikasterit. Nuk mund të pranojmë kategorikisht akuza e fyerje te tilla.
– Si urdhëron! – tha Sekretari
– Edhe të më informoni, sa më shpejt, përsa të ngarkova – tha zonja Halime. “Ta lexoj vetë një herë artikullin – tha Sekretari i Përgjithshëm, duke hyrë në zyrën e tij. – Pastaj thërras drejtorët dhe bëjmë përgjigjen për gazetën.”
Ato që thuheshin në artikull, ishin të vërteta. Ata kishin ngrënë peshk të sjellë nga ai djalë nga Durrrësi, nuk është se s’kishin ngrënë. Kush më shumë, kush më pak, kush peshk, kush ngjalla, kush kallamarë, kush oktapod. Si t’ia bënin tani, të thoshnin se nuk kishin dorë në të? Njoftoi drejtorët dhe ata erdhën njeri pas tjetrit. Fytyrat e tyre ishin të trishtuara. Dukej se e kishin lexuar artikullin.
– Hë! – tha ai, kur ata ishin ulur. – E shikoni si na ngjau? – Ata nuk folën. Rrinin me kokën poshtë, duke vështruar mbi tavolinë. – Duhet të bëjmë përgënjeshtrimin – tha Sekretari. – Është urdhër i shefes. – Ata ngritën kokat dhe vështruan me habi dhe frikë. “Përgjigje gazetës!” – thoshin fytyrat e tyre të frikësuara. – Përgjigja duhet të jetë në ato përmasa, sa ç’është edhe artikulli – tha Sekretari. – Kjo është porosia e zonjës Halime. – Ai heshti për të marrë frymë. Drejtori i Kuadrit mori fjalën.
– Të bëhet përgjigjia – tha. – Sa më shpejt. Edhe të thuhet në të, se këto nuk janë të vërteta, janë shpifje, për të dëmtuar emrin e mirë të Ministrisë. Kaq kisha. – Ai heshti.
– Si thoni ju të tjerët? – pyeti Sekretari. – A jeni dakord me këtë mendim të parafolësit? Se duhet të dalim me një qëndrim të përbashkët.
– Unë them të mos nxitohemi – tha Drejtori i Peshkimit të Ujërave të Ëmbla. – Nxitimi të çon gjithmonë në rrugë pa krye. Për të diskutuar, le të diskutojmë, edhe propozime të bëjmë. Por me maturi, kuptohet. Prandaj jemi mbledhur.
– Nuk ka këtu se çfarë të diskutohet – u hodh prapë Drejtori i Kuadrit – Ministrja ka folur qartë: “Të bëhet përgënjeshtrimi me shkrim”
– Kollaj është ajo – tha Drejtori i Blegtorisë. – Por pastaj duhet menduar për pasojat. Ata të gazetës atë punë kanë. E botojnë përgënjeshtrimin, pastaj kushedi se çfarë nxjerrin tjetër. E mbushin gazetën me shkrime. Atyre nuk u kërkon njeri as grurë, as misër, as mish, as peshk, as perime, as fruta, as bostan. Prandaj, duhet kujdes, se, në vend që të vëmë vetulla, nxjerrim sytë. Kështu. Ai ta ka thënë copë në artikull: çdo gjë është e regjistruar. – Fjalët e tij u dëgjuan me vëmendje.
– Po kush na ka regjistruar ne, kur kemi marrë peshkun? – pyeti njeri.
– Nuk e di – tha Drejtori i Bujqësisë. – Nuk e di. Sot ka aparatura të sofistikuara sa të duash, për të regjistruar. Nuk është problem për këtë.
– Maskarai! – tha Drejtori i Kuadrit. Nuk merrej vesh, nëse e kishte fjalën për gazetarin, apo për atë djalë që kërkonte të fillonte punë dhe që sillte peshkun. Të tjerët heshtën. Pastaj e mori fjalën Drejtori i Ujërave të Kripura.
– Kjo punë duhet marrë me qetësi – tha. – Ne të gjithë e kemi ngrënë peshkun e atij djali, të mos e mohojmë. Kush më shumë e kush më pak, e kemi ngjyer gishtin. Edhe ti, zoti drejtor (ai iu drejtua atij të Kuadrit) njëlloj si ne e ke ngrëne. Nuk ka mbetur njeri nga ne pa të. Prandaj, duhet maturi.
– E kam ngrënë vërtetë – tha Drejtori i Kuadrit. – Nuk e mohoj. Po nuk e dija se do na nxirrte bojën në gazetë. Vetëm dy here kam marrë peshk prej tij.
– Njëlloj është si dy, si dymbëdhjetë, era peshk të vjen edhe ty që atje tutje.
– Hall i madh na ka gjetur! – tha Sekretari i Përgjithshëm. – Po nga e ka marrë vesh gazetari, xhanëm, që unë pëlqej më shumë kallamarët? Mos kemi ndonjë spiun këtu brenda, që na i çon punët në gazetë? Edhe nxitoni, të vendosim çfarë do bëjmë, se mua më prêt Ministrja për përgjigjen. – Ai heshti. Edhe ata, po ashtu. Pastaj e kërkoi fjalën Drejtori i Financave.
– Mendoj se kemi të bëjmë me dy probleme njëherësh, të lidhura pazgjidhshmërisht me njeri – tjetrin – tha ai. – I pari: dihet që Ministrja e sotme nuk ka ngrënë peshk prej atij djali, se ka vetëm dhjetë ditë që ka filluar punë këtu. Prandaj, ajo ka të drejtë të revoltohet nga artikulli. Kështu, është urgjente që gazeta të përgënjeshtrojë, të paktën pjesërisht, atë ku përmendet Ministrja. Kështu edhe emri i shefes pastrohet nga kjo histori, edhe e keqja përgjysmohet. A kemi ne njeri që mund ta dërgojmë në gazetë e t’u kërkojë atyre që ta bëjnë këtë? E dyta: ai djalë duhet sistemuar në punë diku. Ai është burimi i gjithë kësaj që shkruan gazeta. Pa u tharë ai burim, nuk zgjidhet problemi në mënyrë afatgjatë. Do kemi shqetësime edhe më tej me të. – Të tjerët vështruan nga Drejtori i Financave.
– U hodhën dy ide – tha Sekretari i Përgjithshëm – Le të diskutojmë rreth tyre. Kush ka ndonjë njohje në redaksi dhe t’u thotë atyre që të bëjnë përgënjeshtrim vetëm për Ministren. Për të tjerat, ka kohë. Pra gazeta të shkruajë: Ministrja aktuale nuk ka lidhje me këtë histori, sepse ajo ka vetëm dhjetë ditë që është këtu.
– Njohje kam unë me një nga zëvendëskryeredaktorët – tha Drejtori i Transportit. – Unë mund të shkoj dhe t’u lutem ta bëjnë këtë. Në këto raste, është më mire të gjendet një gjuhë mirëkuptimi me ta. Por ka një problem: artikulli thotë “e ka ngrënë ministri”, jo ministrja. Mos e ka gjë fjalën për ministrin që ishte më parë këtu?
– Punë e ngatërruar vërtetë – tha njeri nga të pranishmit.
– Ama, mirëkuptim! – tha Drejtori i të Kripurave.
– E ka një bisht edhe kjo puna e përgënjeshtrimit për Ministren. – vazhdoi Drejtori i Transportit. – Nëse gazeta thotë që Ministrja nuk ka ngrënë peshk (gjë që unë kam besim se do ta bëjë) kjo nënkupton se Ministri i mëparshëm e ka ngrënë. Po ashtu, edhe ne të tjerët, dalim zbuluar. Jemi në tavë ne, në tavën e peshkut. Kështu, nuk më tingëllon mire kjo punë.
– E drejtë – tha Drejtori i të Kripurave. – E kuptoj, po edhe duarlidhur nuk mund të rrimë.
– Sidoqoftë, unë po e mbaj shënim këtë propozim – tha Sekretari i Përgjthshëm – Fjalën e mori prapë Drejtori i Financave.
– Tani, për punësimin e atij djali – tha ai. – Ne e dimë që ai e ka mbaruar shkollën me rezultate të larta. Kështu që, i duhet afruar një vend pune. Kjo i takon më tepër Drejtorit të Kuadrit.
– Në asnjë mënyrë! – tha ky. – Edhe sikur ta kisha ndërmend ta bëja, tani ka marrë fund ajo punë.
– Unë vetëm mendim mund të shpreh. Psh, sikur ta emërojmë në Liqenin e Fierzës. Atje po mbarështrohet rasati i krapit. Pra, punë pikërisht në profesionin e tij. I ri është. Kështu e largojmë edhe nga Tirana, nga Ministria jonë, domethënë, se na zuri derën këtu.
– Kjo është të hysh në komeptencat e drejtorisë sime – tha Drejtori i të Ëmblave. – Nuk jam kundër në parim. Edhe ia mbyllim gojën, edhe e largojmë këtej. Vrasim dy zogj me një gur. Atje le të merret pastaj, me artikuj nëpër gazeta. Të shkruajë për bukuritë e bjeshkëve dhe të Liqenit të Fierzës. Të flerë edhe me arushën, po të dojë, se atje ka edhe arusha. Se kështu ia bëri vetes. Po kam frikë se nuk do të pranojë dreqi.
– Kështu e kemi filluar punën të gjithë ne, kur mbaruam shkollën e lartë. Në male e kemi filluar. Harruat ju, ku na emëruan, kur ishim të rinj? Dynjanë kemi ngrënë fshatrave, po ja ku jemi, nuk kemi vdekur. Kështu që, edhe ky, le të ndjekë shembullin tonë.
– Në qoftëse nuk pranon në Fierzë, ta çojmë në Liqenin e Butrintit – tha Drejtori i Financave. – Atje kemi problem ngordhjen e midhjes në verë nga temperaturat e larta dhe nga çlirimi i squfurit nga fundi i liqenit. I themi: shko djalë zgjidh këtë problemin e squfurit dhe të temperatures dhe pastaj të transferojmë në Durrës, pranë familjes. Daç, në Tiranë. Kaq gjë po të kërkojmë, nuk pot ë kërkojmë shumë. Dihet, që atë problem nuk e kemi zgjidhur dot prej dyzetë vjetësh, që kur ka filluar kultivimi i moluskut. Dhe kështu, o e zgjidh ai, o fundoset brenda, me gjithë midhjet. Edhe le të shkruajë artikuj pastaj sa të dojë.
– Jam dakord në parim – tha Drejtori i të Kripurave. – Po them të mos e çojmë aq larg. Mund ta sistemojmë diku në trekëndëshin Tiranë – Durrës – Lezhë. Kemi gjithë ata ujëmbledhës artificialë në këtë zonë, që kanë nevojë për një specialist të mire peshku. Kemi pastaj edhe detin. Dëgjonëmi mua. E kam për të mirën tonë. Hallit nuk i dihet në këtë jetë. Më mire ta kemi pranë. – Sekretari i Përgjithshëm mbante shënime. Pastaj foli:
– Atëherë, po i përmbledh mendimet kryesore që u shprehën – tha. – Drejtori i Kuadrit ta thërrasë atë djalë dhe t’i afrojë njerën nga të tri zgjidhjet: o në Fierzë, o në Butrint, o në trekëndëshin Tiranë – Durrës – Lezhë. Zgjidh e merr, t’i thotë. Dakord të gjithë? U bë. E dyta: Drejtori i Transportit të shkojë në redaksinë e gazetës e t’u thotë atyre të bëjnë përgënjeshtrimin për Ministren. Vetëm për Ministren. Për ne të tjerët, këtu jemi, kemi kohë e merremi vesh me ta. Fundja, premtou një drekë andej nga buza e detit, kur do emërohet në punë ky djali. Njerëz janë edhe ata të gazetës.
E treta, nëse më thërret Ministrja për t’i raportuar se çfarë kemi bërë, do t’i them që kemi ngritur një grup pune për të përgatur përgjigjen zyrtare për gazetën dhe ajo do të jetë gati sa më shpejt që të jetë e mundur. Dakord? Tani shpërndahuni. Vetëm Drejtori i Kuadrit të rrijë dy minuta këtu. – Të tjerët u shpërndanë të çliruar për në zyrat e tyre.
– Kur të vijë ai djali në zyrë, për t’i komunikuar detyrën, i thuaj të ngjitet e të më takojë mua, t’ia them edhe unë nja dy fjalë, ashtu siç e meriton. – tha Sekretari. Drejtori i Kuadrit doli. Sekretarit i kishte mbetur në makinë termusi i peshkut që i kishte sjellë një ditë më parë ai djalë dhe duhet t’ia kthente. “Çudia më e madhe, zgjat vetëm tri ditë” – mendoi. Në fund të fundit, çfarë krimi kishin bërë? Vetëm se duhet të qetësonin Ministren.
28 tetor 2017
Leave a Reply