Në Rijeka të Kroacisë kisha dy ditë që kisha mbërritur. Në agimin e ditës së tretë në radë hynë tri anije luftarake, të cilat nga distanca nuk mund të parcaktoheshin për identitetin e tyre. Mbas dy orësh ato iu afruan portit dhe në distancën 1.5 kilometra nga kalatat e ankorimit hodhën spirancat. Me shikimin optiko-pamor përcaktova se ishin dy kryqëzorë dhe një nëndetëse ruse. Ne takimet me autoritet portuale mora informacion se keto tre anije pasi ishin shkëputur nga baza e tyre detare e Sevastopolit në Detin e Zi, kishin kaluar ngushticën e Bosforit në Turqi dhe nëpërmjet Detit Egje, Detit Jon dhe Adriatik arritën në ujrat veriore të ish- Jugosllavisë. Me shpejtësi siguruam të gjitha të dhënat e nevojshme: emërtimin dhe numrin e bordit, kapacitetin mbartës, armatimin mbi kuvertë, sasine e personelit per cdo luftanije, e te tjera.
Nga rada, pas dy ditësh ato u ankoruan në kalatat e portit. Këtu u vizituan nga autoritet vendore dhe ushtarake të këtij qyteti. Afrimi i tyre na ndihmoi akoma më shumë për të marrë dhe konfirmuar të gjitha të dhënat e nevojshme luftarake.
Në Rijeka ndodhej edhe përfaqësia jonë tregtare, me dy atashe. Njeri prej tyre ishte Gani Kadria. Këtë njeri e kisha takuar vite më parë, kur ai ishte kamarier në hotel turizmi, në Kukës, kur une shkoja nga Tirana ne kufijte me Kosoven, nga ndiqnim te gjitha veprimtarite e ushtrise dhe policise serbe ne Kosove. Një nga ato ditë, kapiteni i anijes dhe unë pimë nga një kafe me Ganiun dhe bashkëshorten e tij, Shemsie Kadrinë, në një lokal në afërsi të bregdetit. Pronar i këtij lokali ishte një shqiptar i Malit të Zi.
Emri i çiftit Kadria tashmë në Shqipëri është bërë shumë i njohur. Dihet dhe nuk mund të harrohet se ata krijuan firmën rentiere “Gjallica” në Vlorë. Kompania e tyre famëkeqe është pjesë e dramës së vitit 1997, ku me mijra qytetarë humbën paratë e tyre dhe Vlora u kthye në një front të vërtetë lufte.
Me kthimin në atdhe dorëzova informacionin përkatës dhe kur po çmallesha me fëmijët e mi më njoftuan se më kërkonte ministry Kadri Hazbiu, i cili kishte zvëndësuar Mehmet Shehun në detyrën e ministrit të Mbrojtjes në 26 prill të vitit 1980.
Kur shkova në paradhomën e tij, menjëherë sekretarja më futi në zyrën e ministrit.
Ai qëndronte në krye të tavolinës. Ishim vetëm, pa asnjë njëri tjetër. Mbasi u ula, ai vazhdonte të përdridhte cigaren, që bënte vetë, ndërsa mbi ballë i kishte rënë një shtëllungë flokësh. Kaluam një heshtje disa sekondashe, pastaj, mbasi ngriti kokën, vlerësoi informacionin që kisha dorëzuar nga shërbimi, dhe më shikim mbi mua më tha: “Megjithë sukseset që ke, ti ke shkelur sekretin shtetëror”.
U krijua një çast tjetër heshtjeje, gjatë të cilit ai ndezi cigaren. Unë rrija dhe prisja, duke hamendësuar se ku mund te kisha gabuar. Është e vetëkuptueshme se çfarë presioni psikologjik kalon një zbulues ushtarak përpara kësaj akuze, terrorizuese, sidomos nga fakti se vinte direkt nga goja e ministrit te Mbrojtjes, Kadri Hazbiu. Pas saj vinin shpejt shkarkimi nga detyra dhe ndoshta edhe ndjekja penale, çka do të thoshte shkatërrim edhe familjarisht. M’u kujtua shefi i degës, Shefqet Troqe, një burrë baballëk nga Tragjasi i Vlorës që kishte përfunduar studimet në Bashkimin Sovjetik, i cili mbas një shërbimi jashtë shtetit, në Gjermani, kishte shkuar për kontroll në një qendër zbulimi në Shkodër Në bisedën konfidenciale me shefin e kësaj qendre i kishte thënë atij se ai kishte qenë me një shërbim jashtë shtetit, duke treguar edhe vendin. Kjo bisedë i ishte transmetuar menjëherë drejtorit të Zbulimit, Eqerem Osmani. Për këtë shkelje “sekreti” Shefqeti u ndëshkua rëndë. Me urdhër të ministrit u shkarkua nga detyra dhe u transferua, fillimisht në Sazan dhe pastaj në Tarabosh.
E mblodha veten dhe me qetësi i thashë ministrit Hazbiu se “kjo është krejtësisht e pavërtetë, mbasi unë jam një kuadër që kam dhënë prova në realizimin e misioneve jashtë shtetit dhe për ruajtjen e sekretit. Në vend që ne të gjejmë mbështetje morale dhe shpirtërore, kur kthehemi në atdhe, mbasi gjatë kohës që ndodhemi me misione jashtë shtetit edhe mund të arrestohemi nga agjenturat e huaja, gjendemi përballë akuzave të pavërteta”. Me telefonin e kuq ai thirri drejtorin e Zbulimit, Mehmet Musain, ndërsa drejtori i Kundërzbulimit, Agim Zenati, ishte në paradhomën e ministrit. Drejtor Musai nuk tha asnjë fjalë dhe nuk bëri asnjë prononcim, por kuptohej se ai ishte ne dijeni, ndoshta edhe relatuesi. Kjo u plotësua me vonë, mbasi, me arrestimin e Kadri Hazbiut, mua më thirrën zyrtarisht në Komitetin e Partisë dhe më treguan shkresën, që Mehmeti i kishte dorëzuar ministrit. Ishte koha kur unë me kurajo kisha denoncuar para ministrit me shkrim mos organizimin e saktë të këtij shërbimi të rrezikshëm jashtë shtetit, veçanërisht për komunikimin sekret.
E kuptova që ky dizinformim nuk kishte ardhur nga Gani Kadria, por nga njeri që më mbështeste mua në këto operacione jashtë shtetit, i futur nga miqësitë e asaj kohe. Kërkova fort burimin e informacionit, por kalohej në heshtje. Edhe më fort e më me këmbëngulje kërkova se cili ishte “sekreti” që kisha shkelur?! Sipas atyre, nga veprimet e mia, Gania Kadria, zbulues politik, kishte kuptuar që unë isha zbulues ushtarak. Dhe kjo përbënte shkelje të sekretit shtetëror e për këtë më kishin vendosur përpara akuzës. Ne ishim te dy zbulues: ai resident ne Rijeka, ndërsa unë jo resident, por në lëvizje. Aq më tepër që unë dhe Ganiu e njihnim njeri – tjetrin më parë. Por, në rastin konkret, nuk kishte patur asnjë fjalë apo veprim të dyshimtë tek unë, që ai të mësonte apo dëgjonte për veprimtarinë time te zbulimit. Që unë isha zbulues ushtarak, ai e kuptonte kur na shërbente në hotel Turizmi në Kukës, mbasi kisha shkuar edhe me uniformë ushtarake.
– Shoku ministër,- i thashë. Unë veten time e kontrolloj plotësisht dhe mendoj se juve ju kanë dizinformuar. Nëse ju nuk i tregoni vendin këtij dizinformatori, unë do t’i drejtohem urgjentisht komandantit të Përgjithshëm, mbasi ai është shumë i interesuar për veprimtarinë tone”.
Kur pa këmbënguljen time ministri e zbuti bisedën dhe urdhëroi të riverifikohej ky informacion.
Dola nga zyra e tij pa i dhënë dorën as ministrit, as drejtorit të Zbulimit dhe as drejtorit të Kundërzbulimit. Mbasi dola nga ministria, shkova tek klubi i Ministrisë së Punëvë të Brendshme. Këtu piva i vetëm një kafe dhe prej andej me qetësi shkova në Komitetin Qendror. Sapo mësuan se kush kërkonte takim me Enver Hoxhën, më shoqëruan në katin e dyte. Atje me priti z.Haxhi Kroi, shefi i kabinetit dhe këshilltari më i afërt i Enver Hoxhës. Më dëgjuan me shumë interes, mbajtën shënime, më falenderuan për informacionin dhe më thanë se do të infomohej të nesërmen vetë shoku Enver. Por unë nuk e dija që në ato ditë kishte filluar lufta e Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike kundër Kadri Hazbiut. Kur zbrisja shkallëve, këshilltari i Enverit më tha: “Mos i thuaj njeriu që erdhe tek ne. Rri i qetë se do të mësosh shumë gjëra karshi atyre që kërkojnë të hakmerren ndaj teje.”
Pas tre ditë heshtjeje, Kadriu kishte dhënë urdhër që unë të nisesha me shërbin në Rumani, ndërsa “mbështetësi” që unë isha i sigurtë se kishte dizinformuar, ishte shkarkuar nga kjo detyrë dhe ishte zëvendësuar me një tjetër. Këtë ndeshkim e bëri vetë ministri apo i erdhi urdhëri nga lart, unë nuk e kam mësuar. Ardhja në vënd të tij e Malosmanit krijoi harmoninë dhe raportet e nevojshme, qetësinë dhe sigurinë reciproke në realizimin e misionit. Pa diskutuar këtu aftësitë profesionale, të gjuhës italisht dhe të radiozbuluesit, që zotëronte ai. Në drejtori kisha edhe shokë mjaft të mirë. Këtu nuk mund të lë pa përmëndur zëvëndës drejtorin e Zbulimit, Xhevat Çela, i cili më karakterin dhe drejtësinë që përmbante dhe shprehte, më mbështeste, qoftë edhe heshturazi, por gjithnjë duke më dhënë kurajo për të mbrojtur të vërtetën deri në fund. Këtë e bënte edhe sekretari i organizatës së partisë, z.Faik Sinani, i cili më parë kishte punuar në zbulimin strategjik jashte shtetit, në Stamboll, por ishte djegur (zbuluar) dhe ishte kthyer para kohe në atdhe. Pa folur këtu për Tiger Godon, një ushtarak me cilësi dhe vecori të rralla, i cili fatkeqësisht në vitet 1997 vrau veten për problemet që kishte me sjelljet e djalit.
Në Kostancë të Rumanisë, mbas 5 ditësh u takova më sekretarin e parë të Ambasadës, shokun tim, Eqerem Petroshati, i cili kishte ardhur nga Bukureshti për tu takuar me ne. Duke pirë nga një kafe në një hotel të këtij qyteti, më tha se Kadri Hazbiu ishte shkarkuar më datën 10 Tetor (1982) nga detyra dhe ishte izoluar në shtëpi. Ishin kohë shumë të vështira. Më 17 Dhjetor 1981 kishte vetë vrarë veten në shtëpi kryeministri Mehmet Shehu. Kadri Hazbiu ishte ministri që kishte punuar gjithë jetën me këtë kryeministër, të cilin Enver Hoxha e akuzoi për “poli agjent”.
I tregova takimin e fundit që kisha patur me ministrin para nisjes, pa i folur për objektin konkret të takimit me të. Kadri Hazbiu njihej dhe vlersohej si ministri i Punëve të Brendshme më i aftë që kishte drejtuar zbulimin dhe kundër zbulimin e shtetit shqiptar për mbi 26 vjet në periudhën 1954-1980. Unë nuk mund të paragjykoj nëse ai ka qenë armik apo agjent i shteteve të tjera, por ai u dënua dhe u pushkatua më 10 shtator 1983, në një kohë kur në udhëheqjen e lartë të shtetit shqiptar, Enver Hoxha kishte ndërmarrë dhe vazhdonte ofensivën e spastrimeve nga ish- shokët e tij të luftës dhe te punës. Kur u ktheva në Atdhe, sapo kalova postbllokun e Ministrisë së Mbrojtjes, tek dera kryesore më priti drejtori i Zbulimit, Mehmet Musai dhe në hyrje dorezuam fletë hyrjen time të firmosur nga ish- ministri, Kadri Hazbiu.
Mehmet Musia kishte ardhur në këtë detyrë në tetor të vitit 1981, i cili zvëndësoi Eqerem Osmanin të shkarkuar me propozim të ministrit Kadri Hazbiu. Edhe drejtor Mehmeti dukej i tronditur dhe i frikësuar. Të gjithë zvëndës ministrat dhe shefi i shtabit te pergjithshem ishin shkarkuar dhe ishin larguar nga Tirana.
Edhe mbas ketyre tronditjeve e “tërmeteve” politike qe po kalonte shteti shqiptar, unë vazhdova misionet e zbulimit jashte shtetit për mbrojtjen dhe sigurinë e atdheut deri në gusht të vitit 1988, kohë në të cilën u riorganizua sherbimi i Zbulimit. Por duke qenë se pa u qetësuar nga një tërmet, Ministrinë e godiste tërmeti tjetër, edhe ne shpesh jetonim të pa sigurt e në ankth.
Unë lëvizja jashte shtetit me profesionin “ekonomist”dhe paguhesha në dy bordero mujore. Në njerën emërtimi ishte sekret, “ekonomist”, ndërsa në tjetrën, në qëndrën kryesore plotësohej rroga mujore e funksionit të vërtetë. Para tre vitesh, në 2015-ën, një oficer i marinës tregtare u takua me mua për një çështje konsultimi dhe i qetë më pyeti: “Ore Hajro, ju keni ardhur disa herë me mua, por cila ishte detyra jote konkrete ?”. Kur i thashë të vërtetën e misionit tim, shtangu. Ai mendonte se unë mund të isha oficer kundërzbulimi, por kur mësoi se kisha qenë zbulues ushtarak për zbulimin e forcave të armatosura të shteteve objekt zbulimi dhe jo për personelin shqiptar jashtë shtetit, përfshirë edhe të flotave luftarake në Mesdhe, me habi vazhdoi: Me të vërtetë atëherë ruhej shumë sekreti dhe prandaj lëvizjet tuaja nuk linin asgjë për të dyshuar…”
*Ish- zbulues strategjik
Leave a Reply