Besim Sahatçiu, një regjisor i njohur, por edhe publicist, kritik arti, eseist e përkthyes. Me veprat e tij, ai dha një ndihmesë të çmuar në përvijimin e jetës kulturore të Kosovës
Një personaliteti poliedrik, i cili i dha dritë kulturës kosovare, por i lënë në harresë… Ky është Besim Sahatçiu, regjisori i madh kosovar, i cili bashkëpunoi me të mëdhenjtë Rexhep Qosja, Ibrahim Rugova, Esat Mekuli, Ismail Kadare, Enver Petrovci, etj. Por që për fat të keq, ndaj tij ka patur një heshtje, edhe pse figura e tij rrezaton mjaft kulturë, teksa ai është shfaqur edhe si publicist, kritik arti, eseist apo përkthyes. I njohur tashmë edhe si gjyshi i këngëtares së madhe nga Kosova, Rita Ora, ai meriton një rivlerësim të kontributit që ka dhënë në kulturën kosovare, kjo edhe në një këndvështrim të ri të trashëgimisë kulturore shqiptare, si e tillë. Për më tepër, edhe si një vlerësim ndaj atyre personaliteteve që nuk bëjnë bujë…
Nga Kopi Kyçyku*/
Deri më sot, kontributi i një personaliteti poliedrik, siç është Besim Sahatçiu, në tërësi, ose në aspekte të veçanta, nuk ka përbërë objektin e ndonjë studimi të thelluar kritik. Për më tepër, emri i tij mungon në enciklopeditë dhe në fjalorët biografikë, në historinë e teatrit, kinematografisë, letërsisë apo gazetarisë, pra, në ato që do të duhej të përbënin kujtesën e kulturës së një populli. “Heshtja” e kritikës në lidhje me Besim Sahatçiun ka një shkak objektiv. Në kushtet, në të cilat ka qenë i nevojshëm rivlerësimi i trashëgimisë kulturore shqiptare, ishte e natyrshme që fillimisht t’u jepej përparësi personaliteteve të dorës së parë. Ama, fill paskëtaj, u duhej bërë vend edhe figurave të tjera me kontribut të madh e të gjithanshëm. Por ka edhe një shkak tjetër.
“Harresa”
“Harresa” apo lënia në heshtje, anashkalimi i një krijuesi si Besim Sahatçiu, dashur pa dashur është baraz me një gjykim negativ për të. Duke kaluar mbi rrethanat që kanë çuar te kjo dukuri, mund të thuhet se kritika e ka parë të udhës të mos merrej me personalitete që nuk bëjnë bujë. Këtu përfshihet edhe “gojëkyçuri”, modesti Besim Sahatçiu, me ndihmesën e vet të çmuar në përvijimin e jetës kulturore kosovare, si regjisor, publicist, kritik arti, eseist, përkthyes. Le të hedhim një vështrim panoramik mbi veprat e tij, për t’u ndalur, hap pas hapi, në secilën prej tyre. Ai është autor i regjisë së pjesëve teatrore: “Revizori” i N. Gogolit, shfaqur më 1972, në skenën e madhe të Teatrit Popullor të Kosovës (TPK); “Ora” e Shahip Grabovcit, shfaqur më 1973, në skenën e vogël të TPK; “Feniksi i shpejtë”, i Kristofer Frejit, shfaqur më 1974, në skenën e vogël të TPK; “Genci” i Ymer Shkrelit, ngjitur më 1980, në skenën e madhe të TPK; “Spiuni” i Fadil Haxhiçit, ngjitur më 1982, në skenën e madhe të TPK; “Mizantropi”, i Molierit, shfaqur më 1983, në skenën e madhe të TPK; “Lulja dhe zjarri”, i B. Milkoviçit, shfaqur më 1984, në skenën e vogël të TPK; “Tartufi”, i Molierit, shfaqur më 1984, në Teatrin Popullor të Gjakovës; “Nëna shkon në parajsë”, e Ymer Shkrelit, ngjitur më 1987, në skenën e madhe të TPK. Besimi ka qenë gjithashtu edhe regjisor i filmave në ekranin e madh: a. Filma artistikë të metrazhit të gjatë : – 1. “Era dhe lisi”, më 1978, prodhim i Televizionit të Prishtinës (T VP) dhe “Kosovafilm”-it; 2. “Përroi vërshues”, më 1983, prodhim i “Kosovafilm”-it; b. Dokumentarë të metrazhit të shkurtër: – 1. “Bukë, kripë e zemër”, më 1975, në “Kosovafilm”; 2. “117”, më 1978, në “Kosovafilm” etj; c. Filma televizivë: 1. “Trimi”, më 1976; “Pasqyra”, më 1977; “Tre vetë kapërcejnë malin”, më 1980; ç. Serialet televizivë: 1. “Era dhe lisi”, me gjashtë episode 1-orëshe, më 1978; 2. “Përroi vërshues”, me dy episode pesëdhjetëminutëshe, më 1984; d. Filma dokumentarë: “Pehlivanët”, etj.
Gjithashtu, Besim Sahatçiu xhiroi edhe me dhjetëra emisione televizive të të gjitha gjinive, teknikave e profileve, kryesisht me tema artistike dhe me pjesëmarrjen e aktorëve. Këtu do të veçonim: përshtatjen dhe xhirimin e shfaqjes teatrore të TPK “Duke pritur Godonë”, në humbëtirën ranore të Ulqinit; emisionin dokumentar “Lorenc Antoni”, kushtuar jetës dhe veprës së këtij kompozitori të shquar kosovar; emisionin dokumentar “No pasaran” (“Nuk do të kalojnë”), për jetën e veprën e Xhemajl Kadës, luftëtarit pejan në radhët e brigadave ndërkombëtare të Spanjës; një radiodramë në Radio Prishtina; përgatitjen dhe transmetimin e drejtpërdrejtë në T VP për rrjetin e atëhershëm të Radiotelevizionit të Jugosllavisë (RTJ) të manifestimit kulturor kosovar, më 1976, me pjesëmarrjen e të gjitha forcave krijuese artistike të Kosovës, rreth 300 vetë: aktorët e këngëtarët e ansamblit “Shota”, grupet e tjera të valltarëve, grupi i baletit i TPK, orkestra simfonike e Radio-Televizionit të Prishtinës (RTP) Colegium Cantorum etj. Gjatë dy sezoneve teatrore, Besimi ishte dramaturg, bashkëpunëtor i jashtëm i TPK-së. Ai e përtëriti konkursin tradicional “Katarina Josipi” për tekst origjinal, duke e organizuar jo më me afate të herëpashershme e të ndryshueshme, por të rregullta gjashtëmujore. Në juri përfshiu emra të njohur, si: Anton Pashku, Rexhep Ismajli, Ibrahim Rugova, Muharrem Qena etj. Me nismën dhe nxitjen e Besimit, u nënshkruan tetë kontrata për tekste teatrore me krijues të njohur në fushën e letrave, të cilët nuk patën marrë pjesë në konkursin “Katarina Josipi”. Aftësia dhe përvoja e Besimit u përfaqësuan në veprimtari të shumta me karakter artistik: anëtar i jurisë së RTJ për radio-dramë, në Ohër, më 1974-1975; anëtar i jurisë së Festivalit të Filmit Artistik në Pulë, më 1977; pjesëtar në Festivalin e Filmit Dokumentar, Artistik e Vizatimor, me metrazh të shkurtër, në Beograd, më 1981; pjesëtar në Festivalin e Aktorëve të Filmit, në Nish, më 1986; pjesëtar i Pleqësisë së festivalit të lartpërmendur të Pulës; kryetar, për dy mandate, i Punëtorëve të Filmit dhe Televizionit të Kosovës etj. Në kuadër të Javës së Kulturës Kosovare, në të gjitha kryeqendrat e dikurshme të ish-Jugosllavisë, Besim Sahatçiu ka marrë pjesë me filma, kryesisht me “117”, me “Era dhe lisi”, por edhe me ekranizime të tjera. Jashtë vendit është përfaqësuar në Shtutgart (Gjermani), me filmat e lartpërmendur, që janë shfaqur posaçërisht për shqiptarët me banim e punë të përkohshme atje. Më 1988, Besimi ka qenë në Monte Karlo, si pjesëtar i Kosovës në delegacionin e punonjësve të shtëpive televizive të ish-Jugosllavisë. Këto janë të vetmet udhëtime të tij në botën e jashtme, përveç pjesëmarrjes në Tiranë, në vitin 2000, në Festivalin e Filmit, të organizuar atje. Ndërkaq, shumë nga filmat e Besimit janë projektuar në ekranet e kinemave në Pezaro (Itali), Lisbonë (Portugali), Bilbao (Spanjë), Krakov (Poloni), Stamboll (Turqi), Damask (Siri), Tiranë etj. Nga fundi i jetës së vet, gjatë një bisede në T V 21, me një drejtues të “Kosovafilm”-it, Besimi mori vesh se “117” paskësh fituar edhe shpërblime ndërkombëtare. Krejt rastësisht, Besimi mësoi se “Kosovafilm”-i pat marrë pjesë në nja 35 festivale ndërkombëtare, ku janë shfaqur filmat e tij!
Vlerësimet
I madh është edhe numri i shpërblimeve vendore, si “Shpërblimi i publikut” në Tuzlla etj. Po përmendim mirënjohjet: Shpërblimi i Dhjetorit i Kosovës, për serialin “Era dhe lisi” (1979). Dhe fill pas këtij nderimi, Besimi zhvilloi një bisedë me Jusuf Gërvallën, ku, lidhur me shpërblimet, dha këto mendime: “Aq i përkëdhelur e orientues për një pjesë krijuesish, e sidomos për opinionin e gjerë, dhe aq i përbuzur nga një palë tjetër krijuesish, e dizorientues kur të bëhet shprehì ta gjakosh, shpërblimi na del herë dorë e butë nëne, që të inkurajon për pushtimin e hapësirave të reja artistike, herë djall me brirë, që të ndjell pas me koketime e përkëdhelje të rrejshme dhe të shmang nga rruga e mbarë. Ngjashëm me zànat dhe orët e Heraklit, që e ndillnin secila për vete, në rrugën e vesit a të virtytit. Shpërblimin e lakmojmë, e duam: e ngremë lart si transparent, që para botës ta konfirmojmë vlerën, të cilën s’e kemi konfirmuar, ndoshta, në një vepër të caktuar. Shpërblimin e urrejmë, e shajmë; ia nxijmë faqen ndërsy botës, kur bëhet për ne ‘rrush i thartë në pjergullën e lartë’. Ç’qëndrim të mbajë krijuesi – punë e vështirë”.
Pikëllim dhe optimizëm
Besimit i dhembte në shpirt që shumë nga mendimet e shfaqura hera-herës prej tij për ecjen më përpara të kinematografisë e të teatrit kosovar, nuk ishin marrë parasysh ose thjesht ishin shpërfillur nga “të deleguarit komitetllinj, që u ra ndërmend të shkelnin për herë të parë në këto fusha atëherë kur u emëruan drejtorë të pacenueshëm”. (Shënime të Besim Sahatçiut, Prishtinë, 14 mars, 2002, f.8). Le të hapim një kllapë të vogël. Më 1987-ën, Besimi u emërua redaktor përgjegjës i PKA në T VP, për një mandat 4-vjeçar. Paraqiti dorëheqjen pas vetëm një viti e shtatë muajsh, ngaqë keqtrajtohej sistematikisht nga drejtori dhe bashkëpunëtorët e tij serbë. Pas më pak se një viti, T VPrishtina u mbyll përgjithmonë. Megjithëse koha si redaktor përgjegjës ishte e shkurtër, Besimi bëri të mundur xhirimin e dy teledramave: “Lulepjeshkat e dashurisë” e Agim Sopit e “Dhembja…” e Ismail Ymerit. Kaq ishin xhiruar gjithsej gjatë gjashtë viteve të mëparshme (“Laura e Lita” dhe “Fluturimi i trumcakut”). Me pikëllim të ligjshëm, Besimi konstatonte se në shtyp synohej t’i fshihej emri dhe veprat nga “listat” përkatëse. “Bëhen aludime e spërkatje të fëlliqura” revoltohej me të drejtë. Qysh më 1980-tën, ai pati propozuar në shtyp përkthimin e afro pesëmbëdhjetë veprave të domosdoshme, por iu kundërvunë. Mjerisht, ishin përkthyer vetëm dy libra për teatrin, për filmin as edhe një i vetëm! Përsa u përket vlerësimeve që jepeshin për krijimet kosovare të skenës e të ekranit, Besimi thoshte se jo rrallë, ato “nuk do t’i bënin as shikuesit analfabetë të vendeve të zhvilluara”. Fill paskëtaj shtonte se i vinte keq që “duket se po e teproj! Nuk padit askënd për sjelljet vulgare e madje edhe vandale. Mungesa e punës i ka helmuar të gjithë, i ka bërë gati të pamundura kontaktet normale, të kulturuara e njerëzore!… Veçse ne jemi vitalë dhe evropianë! Edhe koha do ta bëjë të vetën… Do të bëhet mirë! Herëdokur!”
*Akademik
BASHKËPUNIMI
Si regjisor, me të mëdhenjtë e artit mbarëshqiptar
Sikurse kanë dëshmuar në raste të ndryshme mjaft kolegë, miq apo bashkëpunëtorë të afërt të Besimit, si Rexhep Qosja, Ibrahim Rugova, Esat Mekuli, Gazmend Zajmi, Vehap Shita, Ismail Kadare, Rifat Kukaj, Rexho Mulliqi, Akil Koci, Avni Spahiu, Naum Prifti, Hazir Myftari, Eqrem Basha, Arbër Xhaferi, Istref Begolli, Faruk Begolli, Ragip Loxha, Nyredin Loxha, Fehmi Agani, Enver Petrovci, Smalj Smaka e shumë të tjerë, ai, tek vihej në kërkim të rezultateve sa më të kënaqshme, i jepte rëndësi vendimmarrjes së shpejtë e të drejtë, por edhe aftësisë për ta ndryshuar mendimin, në momentin e duhur, në pajtim me rrethanat përkatëse. Besimi theksonte gjithashtu se regjisori duhet të jetë i vëmendshëm ndaj ndryshimeve e luhatjeve të modës; mundësisht t’i mësojë këto para se publiku ta ketë nuhatur një gjë të tillë. Kjo binte menjëherë në sy kur, bie fjala, një tip i caktuar filmi, i prodhuar “me seri” nuk honepsej më nga spektatorët e moshave dhe niveleve të ndryshme. Në këtë kuadër, Besimi përmendte faktin se një film që do të ishte dashur të fillonte të xhirohej pas dy ditësh, të themi, mund të shtyhej për shkak të sëmundjes së një aktori kryesor apo të vetë regjisorit, si dhe nga konstatimi, qoftë edhe në momentet e fundit, që skenari çalon e, si i tillë, nuk është më i përshtatshëm. “Pra, regjisori asnjëherë nuk duhet të bjerë pre e rastësive”, vinte në dukje Besimi. Dhe vërtet, regjisori i filmit është jo vetëm përgjegjësi, por edhe krijuesi kryesor i tij. Cilësia e regjisorit në rolin e udhëheqësit të krejt procesit krijues i mundëson atij të ngarkojë bashkëpunëtorët me detyra specifike: operatorët, skenografët, kompozitorët, aktorët, ekipin teknik etj.
VLERËSIMI
Rita Ora për gjyshin e saj, Besim Sahatçiu:
Në promovimin e librit të gjyshit të Rita Orës, regjisorit Besim Sahatçiu, për të pranishmit u projektua një sekuencë nga filmi “Era dhe lisi”, një ndër krijimet e panumërta të ekranizuara prej tij dhe u mbyll me interpretimin nga artisti i talentuar, Dilan Reka të këngës “Rit” të këngëtares me famë botërore, Rita Orës, mbesës së Besim Sahatçiut, për të cilin ajo është shprehur plot patos:“Më mungon gjysh… Të dua shumë… Ti më bëre të besoj se kjo është e mundshme. Ti besove te unë para se unë vetë të besoja në veten time…”.
POHIMI
Besimi, në Shqipëri: Shumë kemi vuajtur së bashku…!
Pas paraqitjes në kryeqytetin e Republikës së Shqipërisë të filmit “Era dhe lisi”, në vitin 2000, pyetjes se cili është më i vjetër: lisi, nën hijen e të cilit bisedojmë, apo ai plaku i urtë i fshatit, që lisi i moshuar e njeh të tillë që kur ishte fëmijë, Besimi i dha këtë përgjigje: “Mbaj mend vetëm që shumë kemi vuajtur së bashku, shumë erëra e stuhi janë përplasur mbi supet tona”.
Leave a Reply