Kapja dje në portin e Durrësit e një sasie të madhe kokaine nga policia shqiptare u kthye në një ngjarje dite. U bënë deklarata të ndryshme nga ministri i Brendshëm, përfaqësues të opozitës ; në media u botuan një sërë informacionesh të ndryshme.
Në emisionet e mbrëmjes, pothuajse të gjitha kanalet televizive zhvilluan debate. Pjesëmarrësit e ftuar në këto panele : politikanë të PS, PD, LSI etj, specialistë, publicistë, gazetarë të kronikës etj, shkëmbyen argumente e kundërargumente mes tyre. Madje, ata u morën edhe me faktin nëse sasia e kokainës u kap nga policia shqiptare apo në bashkëpunim me partnerët e huaj !
Ata që e ndoqën këtë ngjarjeje, nuk e kanë të vështirë të kuptojnë politizimin e problemit të drogës. Në vend të diskutimit për kompleksitetin e parandalimit e të luftës reale kundër trafikut të drogës, secila forcë partiake apo individët pranë tyre u përpoqën të nxjerrin përfitimet e rastit në interes të luftës politike. E gjithë kjo që ndodhi mund të përmblidhet në atë shprehjen e njohur « shumë zhurmë për asgjë ».
Me sa duket, kështu do të ndodhë edhe në të ardhmen, sa herë të kapet drogë në portet apo aeroportet tona. Shkurt, bëhet politikë edhe me drogën. Por kjo nuk është me dobi për luftën e vërtetë kundër narko-trafikut, së paku, po të kemi parasysh përvojën e vendeve të Bashkimit Evropian. Teksa bëhej zhurma e madhe në Tiranë, pikërisht dje agjencia e lajmeve Belga njoftonte se në portin kryesor të Belgjikës, në Anvers, policia doganore kishte kapur 4500 kilogramë kokainë në një kontenier bananesh të ardhur nga Kolumbia.
Destinacioni i saj ishte qyteti holandez Oss. Pas këtij zbulimi, autoritetet portuale belge njoftuan policinë holandeze, e cila procedoi me konfiskimin e kësaj sasie kokaine dhe arrestimin e 6 të dyshuarve në qytetin ku do të arrinte kjo ngarkesë. Megjithëse sasia e kapur është disa herë më e madhe se në Durrës, në mediat belge nuk u bënë dekarata, akuza apo debate televizive etj.
Madje lajmi u konsiderua si një fakt i zakonshëm i kronikës. Dogana, policia apo agjencitë e specializuara, nacionale apo evropiane, bëjnë punën e tyre sipas ligjit, pa i shqetësuar apo frikësuar askush. Këtë e bëjnë në vazhdimësi, me rreptësi e profesionalizëm. Narko-trafiku është një sfidë e njohur dhe e vjetër tashmë në BE. Evropa është tregu më i madh i drogave që vijnë nga Amerika Latine, Azia, Afrika Veriore etj. Me drogën nuk duhet bërë shoë apo politikë, siç po veprohet vitet e fundit në Shqipëri, në interes të luftës për pushtet.
Ajo duhet marrë me shumë seriozitet, ndërgjegje e përgjegjësi. Sepse ajo kërkon masa komplekse, që nga edukimi, parandalimi, integrimi social, trajtimi i narkomanëve e deri te forcimi dhe modernizimi i organeve që merren me zbulimin, kapjen dhe ndëshkimin e trafikantëve e të mbështetësve të tyre, të cilatdo ngjyre politike qofshin ata. Në raportin e tij për vitin 2017, Observatori Evropian për Drogat dhe Taksikomaninë (EMCDDA) tregon sasinë e madhe të heroinës, kokainës, kanabisit etj, që kanë hyrë dhe janë kapur në vendet e BE-së, sidomos në Belgjikë, Holandë, Spanjë, Gjermani, Angli, Portugali, Itali etj. Edhe Shqipëria është një vend i lakmuar nga trafikantët e drogave, me portet dhe mundësitë e qarkullimit të tyre drejt tregut të pasur evropian. Sfida është e madhe dhe e përhershme. Si duhet vepruar? Si duhet mbrojtur shoqëria, sidomos të rinjtë? Duke bërë politikë edhe me drogën?!



Leave a Reply