Që krerët dhe militantët e PD-LSI e kanë humbur toruan pas rekomandimit të Komisionit Evropian për çeljen e negociatave me Shqipërinë, kjo po duket sheshit. Madje këtë e kanë fare të qartë edhe partizanët dhe votuesit e opozitës, një pjesë e të cilëve mund të mos jenë dakord me zbatimin e planit të “tokës së djegur”, deri në qershor, në mënyrë që Këshilli i BE-së të mos e aprovojë rekomandimin e komisionit. Dhe kanë arsye për këtë.
Çelja e negociatave do të ketë ndikim pozitiv afatgjatë për zhvillimin dhe modernizimin e vendit. Gjatë kësaj periudhe shqyrtimi të 35 kapitujve pala shqiptare tërheq shumë më tepër fonde e investime evropiane se deri tani, kontrolli demokratik i BE-së forcohet, administrata publike dhe drejtësia funksionon më mirë për qytetarët, luftohet më mirë korrupsioni dhe krimi i organizuar etj, etj.
Pra, këto janë të dobishme edhe për votuesit e opozitës, por jo për shefat e saj, që synojnë rikthimin sa më shpejt në pushtet. Sigurisht, çdo opozitë politike synon pushtetin. Askush nuk e qorton për këtë, por për mjetet që po përdor aktualisht. Vërtet, qëllimi justifikon mjetet, por jo momentin e papërshtatshëm. Në këtë rast, mjetet mund të kthehen kundër atyre që i përdorin. Pra, në bumerang.
Të tillë moment të papërshtatshëm dhe “stërkëmbësa” ka përdorur edhe Edi Rama, në krye të PS. Ndoshta, rasti identik është ai i vitit 2010, gjatë procesit historik të liberalizimit të vizave. PS ngriti çadrën e grevës, sepse nuk pranonte rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme të 2009-s. “Berisha hap kutitë” ishte kërkesa e 200 protestuesve, por për hapjen e tyre nuk kishte vendim gjykate apo të kolegjit zgjedhor, për “mungesë provash”. Ndërkombëtarët nuk e përkrahën protestën e PS-së, sepse kishte të bënte me drejtësinë, për të cilën ata nuk ndërhyjnë. Nga ana tjetër, momenti i zgjedhur ishte i gabuar, sepse pengonte pikërisht liberalizimin e shumëpritur të vizave. Por PS-ja kishte hallin e pushtetit, jo të qytetarëve.
Në kohën e kësaj greve, zyrtarë të lartë dhe eurodeputetë, në Bruksel, që e kishin kuptuar qëllimin e “çadrës” në bulevardin e Tiranës, deklaronin se “ne po i heqim vizat për qytetarët, jo për politikanët, që lëvizin me pasaporta diplomatike. Ne e dimë se këta duan ta pengojnë këtë proces”. Tani, pas 8 vjetësh, krerët e PD-LSI po bëjnë të njëjtën gjë. Pra, po përsërisin gabimet e Ramës. Qëllimi i tyre i “mosbindjes civile”, i tensionimit të situatës me episode e protesta të stisura, synon ta pengojë hapjen e negociatave, pavarësisht se është në dobi të Shqipërisë dhe të gjithë qytetarëve. Problemi është pushteti. Po hapi Rama negociatat, hajde merrja pastaj qeverinë!
Ai do t’i fitojë edhe zgjedhjet e 2021. Edhe halli i tyre nuk është i vogël. Po a mund ta pengojë opozita këtë proces historik, për të cilin edhe ajo ka kontribuar, jo pak, kur ishte në pushtet, që nga viti 1992? Specialistët e dinë se ka fare pak gjasa për një refuzim në qershor. Si në rastin e liberalizimit të vizave, konteksti e favorizon përsëri Shqipërinë. Me sa duket, rekomandimi i Komisionit nuk do të kundërshtohet nga Këshilli i BE-së, sepse ai është i menduar dhe i konsultuar paraprakisht.
Për arsye gjeopolitike (evitimi i ndikimit ruso-turk), ka tashmë një konsensus midis Brukselit dhe vendeve anëtare për përfshirjen sa më të shpejtë në bllok edhe të rajonit problematik të Ballkanit. Kjo do të ishte një gjest force edhe për vetë Bashkimin Evropian, në përpjekjet e tij për të rifituar besimin e lëkundur brenda tij, pas goditjes së rëndë që mori nga Brexit
Leave a Reply