Fjala e kryetares së Komisionit të Autoritetetit të Dosjeve, Gentiana Sula mbajtur me rastin e firmosjes se marreveshjes me qeverise shqiptare dhe ICMP per identifikimin dhe gjetjen e te zhdukurve te diktatures
Nga Gentiana Sula
Shoh emocion të thellë këtu, në nënshkrimin e marrëveshjes mes Qeverisë Shqiptare dhe Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, duke parë që materializohen përpjekjet tona shumëvjeçare për te zgjidhur këtë ngërc disa dekadash.
Me nje partner shume profesional si Komisioni Nderkombetar per Personat e Zhdukur, dhe angazhimin institucional qeveritar për kerkimin, gjetjen dhe identifikimin e eshtrave të të zhdukurve apo te humburve të diktaturës Ky Komision ka arritur rezultate shume te dukshme me 70% te gjetjes dhe identifikimit te personave te zhdukurve gjate konflikteve ne ish Jugosllavi, dhe na jep shprese se po behen perpjekje domethenese ne kete drejtim dhe do te kete rezultate.
Shteti po mer pergjegjsite e veta. Po merr nga pak tipare me njerezore.
Këtu u tha që rreth 6,000 qytetarë, të ekzekutuar me apo pa gjyq, ose të vdekur burgjeve, nuk mundën të ktheheshin në shtëpi, në mënyrën më çnjerëzore. Mes tyre ka figura të shquara dhe njerëz të thjeshtë.
Në cilësinë e familjares së një personi të zhdukur prej vitit 1952 dëshmoj se prej disa dhjetëvjeçarësh jemi përpjekur të bëjmë diçka për eshtrat e gjyshit tonë që unë nuk munda ta njoh kurrë. Sulejman Mara vdiq ne rrethana te paqarta dhe humbi në burgun e Burrelit, në moshën 44-vjeçare. Baba i 5 fëmijëve. Qytetar i respektuar në bashkësinë e tij.
Por emri i tij nuk figuronte si i humbur ne librat e shtetit. Prokuroria e rrethit Burrel nuk hapi ndonjë proces për kërkimin e tij. Në përpjekje për të bërë diçka për t’i vënë në vend dinjitetin, mësova me dhimbje se vendvarrimet e tilla ishin shpesh të pashenjuara, apo dhe të tjetërsuara në ndërtesa apo ngrehina të tjera, si psh., fushë sporti (rasti i Burrelit).
Ishim pajtuar mbase me faktin se shteti s’kishte mjete për të bërë një kërkim të tillë në mënyrë efikase sepse analizat e ADN-se ishin te kushtueshme, por mosrespektimi i vendvarrimeve të njohura si të tilla më dukej shumë i rëndë.
Ndihem kokulur që dinjiteti i tij sot është ende i nëpërkëmbur. Ndihem ende e dhunuar sot, ashtu si Aldo Terrusi, i biri i drejtorit qe Bankes Italine te viteve te pasluftes, i cili pati te njejtin fat si im gjysh, ne te njejtin vend. Per kete arsye, te gjithe ne ende vazhdojme perpjekjet prej njerezesish te lire dhe veterespekt, te kerkojme qe shteti te beje detyrat e veta.
Sfida të tjera do të vijojnë me hapjen e këtij procesi, por si qytetare e këtij vendi demokratik, është e rëndësishme për mua dhe më bën të ndihem më e lirë dhe e respektuar fakti që shoqëria dhe shteti shqiptar, më në fund e njohin këtë problematikë, e trajtojnë në disa plane dhe marrin përsipër të trajtojnë njerëzisht viktimën pa varr dhe pasardhësit e saj.
Kurse në cilësinë e politikëbërëses publike, detyra e zv/Ministres së Mirëqenies Sociale qe mbajta deri ne 2016, më dha mundësinë të avancoja agjendën e vështirë për këtë proces. Atëherë më bëri përshtypje të thellë fakti që shumë prej familjarëve të të humburve e kishin humbur shpresën se diçka mund të ndodhte dhe nuk po bënin më përçapje.
Keshtu, Qeveria Shqiptare, me propozim të MMSR dhe bashkepunim me ICMP adoptoi në dhjetor të 2015 një plan veprimi për kërkimin dhe gjetjen e të zhdukurve të diktaturës. Gjej rastin te falenderoj koleget e mij te cmuar ketu te pranishem ermira Shtino dhe Bilal Kola per perkushtimin dhe besimin qe theu cdo skepticizem dhe i dha fytyre ketij aksioni.
Grupi i posaçëm i OKB-së për të drejtën mbi të vërtetën dhe mospërsëritjen e abuzimeve masive me të drejtat e njeriut, në dhjetor 2016 raportoi gjerësisht për problemin e pazgjidhur të varreve të fshehura të diktaturës. Dhe konstatoi me te drejtë se familjet ishin krejtësisht të demoralizuara për të kërkuar të drejtën e tyre për të vërtetën dhe qartësimin e fatit të familjarit të munguar.
Raportet e Komitetit të Zhdukjeve me Forcë të Kombeve të Bashkuara, për herë të parë në 2018 përmendin çështjen e të zhdukurve të komunizmit;
Mes ketyre masave, krijimi i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës së Shqipërisë, të cilin e kryesoj që nga fillimi i 2017, mer nje rendesi te vecante. Sepse përparësi dhe kujdes i posaçëm i është kushtuar nga ana e legjislatorit dhënies të së drejtës për akses, mbi bazë kërkese në dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit për personat e vdekur dhe të shpallur të zhdukur, si dhe vënien në dispozicion te dublikatave të tyre, duke përcaktuar rendin ligjor të personave që përfitojnë nga kjo e drejtë dhe të të afërmve të tyre, në funksion të 1) qartësimit të fatit të të vdekurve apo të të zhdukurve, 2) për rehabilitimin, për 3) ruajtjen e të drejtave të personalitetit të të vdekurve apo të zhdukurve.
Po kështu, për kërkesat e paraqitura nga gjykatat, prokuroritë ose Policia Gjyqësore, për efekt të një procedimi penal të regjistruar, Autoriteti kryen verifikimet e përcaktuara në pikën 3 të këtij neni, dhe në çdo rast, vepron në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale në fuqi.
Në planin strategjik të AIDSSH, kërkimi dhe trajtimi i rasteve të personave të zhdukur është një nga elementet e punës së institucionit. Po ashtu, në marrëveshjen me IIPP-në, mes të tjerash, bashkëpunimi për të zhdukurit përbën një seksion të veçantë. Të dyja palët angazhohen të bashkëpunojnë për referimin e të zhdukurve, identifikimin e secilit prej rasteve të gjetjes së tyre, pra, një protokoll të përbashkët veprimi për të gjitha rastet e raportimit; krijimin e bazës së të dhënave me akses nga të dy institucionet me emrat e personave të pagjetur dhe vendvarrimet e vendekzekutimet, me synim përgatitjen e një regjistri të përbashkët me koordinatat e vendeve të ekzekutimit dhe varrimit të fshehtë, të raportuar nga familjet apo të gjendur përmes kërkimit në arkiva.
Ndërkohë, AIDSSH ka përgatitur urdhrin e posaçëm për trajtimin e veçantë të kërkesave të të zhdukurve, me formularët përkatës dhe institucioni ka gati aktet për vijimin e procesit. Për vënien e tyre në zbatim pritet të firmoset marrëveshja përkatëse me ICMP-në.
Në punën time të përditshme takoj shumë familjarë që shprehin dhimbjen e thellë dhe pengun që ende kanë familjarë të humbur e të parespektuar. Vlen të theksohet se numri i kërkesave që kanë të bëjnë me persona të zhdukur në AIDSSH e ka kaluar 40 dhe rritet ditë pas dite. Kjo lidhet me besimin ne rritje te familjarëve të të zhdukurve për të drejtën e tyre njerëzore për të kërkuar vendprehjen e të ekzekutuarve pa gjyq, e të zhdukurve në rrethana të paqarta, traumë që familja e ka mbartur për vite të tëra dhe ka mbetur e patrajtuar.
Gjej rastin këtu të shpreh nderimin tim më të lartë për familjarët e përkushtuar, si Nikolin Kurti, Hamza Kazazi, Vera Mborja, apo familjet Toto, Plaku, etj., që megjithëse gjatë këtyre viteve nuk ia kanë dalë, ende bëjnë detyrën e tyre humane të mos-humbjes së shpresës dhe respektit ndaj familjarëve të tyre të ndjerë që janë ende të humbur.
Një shembull i lartë i qëndresës dhe mbrojtjes së dinjitetit njerëzor është ai i familjarëve të të ekzekutuarve pa gjyq me pretekstin e “bombës” në Ambasadën Sovjetike, familjet Shehu, Kaceli, Peshkëpia, Kasimati, etj., të cilët jo vetëm mundën t’i rikuperonin eshtrat e familjarëve, por kanë 25 vjet që ende synojnë kthimin e vendit të ekzekutimit në vend të kujtesës dhe vetëdijësimi.
Si dhe mijera familje qe paten fatin e mire te kene mundesi permes rrugeve private te bejne nderimet e tyre familjareve te humbur ne diktature.
Me AIDSSH besojmë se çdo vendekzekutim dhe vendvarrim i fshehtë duhet të ruhet, shenjohet dhe të kthehet në vend ndërgjegjësimi.
Në këtë kuadër, Autoriteti ka bërë kërkesë pranë Ministrisë përgjegjëse për përfshirje në projektligjin “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë” të një pike ku të përfshihen si vende kujtese dhe vetëdijësimi vendet e pushkatimit dhe vendvarrimet e fshehta të periudhës së diktaturës komuniste.
Po ashtu, Autoriteti i është drejtuar me një propozim këshillit bashkiak të Tiranës për kthimin në vend të ndërgjegjes të vendvarrimit të fshehtë të viktimave të 26 shkurtit, në përkujtim të intetektualëve të ekzekutuar, të njohur si “grupi i bombës në Ambasadën Sovjetike”.
Hapat e ndërmarrë janë konkretë. Shoqëria e sotme – e cila mban peshën e të pathënave të së shkuarës, e asaj që ka mbetur pa zbuluar, pa dalë në dritë, e fateve të lëna në mes, e fëmijëve të rritur pa prindër që u zhdukën brenda natës, e pasardhësve që nuk identifikohen me të parët se u është tjetërsuar mundësia për ta bërë, – duket se është gati të përgjigjet dhe të marrë përgjegjësi.
Jam e optimiste se tani e shoh që perpjekjet disavjeçare ka arritur diçka dhe uroj ta bëjmë më të mirë shoqërinë ku jetojmë dhe rrisim fëmijët tanë, nëpërmjet së vërtetës, transparencës dhe respektimit të dinjitetit njerëzor.
Leave a Reply