– Memo Sovranit
Draftligji i ri ‘Për strehimin social’ e përmbylli rrugëtimin e tij në kanalet dhe filtrat e Kuvendit dhe u kthye të enjten e kaluar në ligj. Dhuratë kjo, që mazhoranca socialiste mori nga qeverisja rilindase, dhe që mund ta përdorë si një argument politik në komunikimet e ‘bashkëqeverisjes me qytetarët’ për arritjet e tipit ‘si asnjëherë në 25 vjet’ të qeverisjes së saj. Kaq është e gjitha, sepse ky ligj nuk ka asnjë vlerë tjetër praktike. Në të kundërt, si çdo ligj tjetër që është më mirë të mos jetë sesa është, ai realisht i zvogëlon shanset që një familje në nevojë të arrijë ndihmën e shtetit për strehim. Dhe këtë e bën në dy mënyra: së pari, duke zëvendësuar paratë publike të shpenzuara për këtë synim me fjalë e fjali boshe e demagogjike dispozitash ligjore; dhe së dyti, duke përfshirë e prioritizuar në përfitim grupe e komunitete që mund të kenë një mijë e një nevoja të tjera për t’u ndjerë integruar në shoqëri, por jo për të arritur një strehim të përballueshëm për ta.
Për ta bërë më të qartë për këdo dhe që në fillim, duhet thënë se strehimi social është një funksion i veti i qeverisjes vendore. Pra ky ligj, dhe 33 aktet nënligjore që pritet të dalin në zbërthim dhe zbatim të tij nuk vjen si një premtim qeverisës në formën e një angazhimi nga vet qeveria për qytetarët në nevojë, por si një miksim midis okupimit të këtij funksioni vendor nga qeveria qendrore dhe kufizim i mundësive dhe oportuniteteve të pafundme të pushtetit vendor për ta trajtuar këtë çështje vetëm me 6 programe që ligji përcakton. E thënë thjesht gjithë esenca e këtij legjislacioni qëndron te: pengimi i rritjes dhe fuqizimi i kapaciteteve lokale në ushtrimin e funksioneve të veta qeverisëse; shtimi i numrit të grupeve dhe komuniteteve përfituese pa faturë financiare të rritur, që duhet ta shoqëronte këtë veprim; dhe kornizimi e kufizimi i hapësirës së mundësive të vendimmarrjeve për pushtetin vendor, që ky të kryejë këtë funksion të vetin qeverisës.
Për t’i dhënë një dimension hierarkik dëmeve që shkakton ky ligj do ta nisim me frymën centralizuese që, sikurse çdo punë tjetër e qeverisë rilindase, e asfikson edhe këtë produkt legjislativ. E thënë thjesht nëse qeveria qendrore vendos të kalojë, në përfitim të qeverisjes vendore, taksën me ndikimin më të vogël në buxhetin e shtetit, gjysma e ligjit bie. Kjo sepse gjysma e dispozitave të tij, në mënyrë të drejtpërdrejt ose të tërthortë, kanë si target të krijojnë dhe të mbajnë një marrëdhënie varësie të thellë dhe të përhershme, nga qeverisja qendrore, të qeverisjes vendore në kryerjen e këtij funksioni qeverisës. Kjo është një gjë shumë e keqe edhe në lidhje me domosdoshmërinë e aftësimit të administratave lokale për ta kryer këtë aktivitet në të ardhmen. E vetmja rrugë për t’u aftësuar në kryerjen e një aktiviteti qeverisës është të mësosh duke e kryer atë aktivitet, ndërkohë ky ligj është draftuar që të bëjë ekzaktësisht të kundërtën!
Populizmi dhe veçanërisht demagogjia janë, gjithashtu, karakteristikat thelbësore të kësaj qeverisje të centralizuar. Prandaj edhe ky ligj nuk i ka shpëtuar frymëzimeve demagogjike të tipit ‘sa më shumë grupe apo komunitete përfituese të përfshijë, aq më i mirë është’. Ky është kuptimi që prodhon edhe dëmin më të madh të këtij ligji! Një ligj për strehimin social duhet të shërbejë për të lehtësuar familjet që e kanë të pamundur për të arritur një banesë në tregun e lirë. Tregu i banesave, sikurse çdo tjetër, nuk është racist. Ai nuk të refuzon për shkaqe sociale, por për shkaqe ekonomike. Nëse një familje e ka të pamundur të arrijë strehim në tregun e lirë, kjo ndodh vetëm nëse ajo familje nuk ka mundësi të paguajë për të. Dhe janë këto familjet që duhet të prioritizohen. Ekzaktësisht në të kundërt, ky ligj nëpërmjet preferimit të komuniteteve e grupeve sociale të caktuara, përjashton këto familje që kanë më shumë nevojë për ndihmën e shoqërisë.
Mënyrat e përzgjedhjes së familjeve përfituese nga programet sociale të strehimit të propozuara nga ky ligj janë vetëm gjysma e punës së tij. Gjysma tjetër, po kaq e rëndësishme, janë rrugët dhe mënyrat që ky ligj propozon për t’u siguruar këto banesa, që më tej do të shpërndahen për familjet përfituese. Ky është dëmi tjetër që sjell ky ligj! Përcaktimi dhe përkufizimi i një seti të mbyllur mundësish që pushteti vendor të sigurojë një stok banesash për ta ushtruar këtë aktivitet qeverisës, nuk bën gjë tjetër veçse e limiton dhe e kornizon nivelin potencial të suksesit. Dhe sa më i vogël suksesi në krijimin e stokut për t’u shpërndarë, aq më i vogël numri i familjeve përfituese. Me një fjalë, sikurse me dy dëmet e tjera edhe me këtë, vetë ligji punon që “puna” e tij të mos ketë produkt. Mirëpo, qeverisë shumë pak i intereson produkti praktik i punëve qeverisëse, asaj i intereson të këtë çfarë të thotë në shfaqjet e saj dhe ky ligj ia jep këtë mundësi.
Leave a Reply