Për herë të parë në 15 vjet aktivitet publik të z. Veliaj, unë u dakordësova me të, kur ky deklaroi se çështja e teatrit i ndau artistët në dy grupe. Megjithëse synimi i këtyre fjalëve të z. Veliaj ishte reklamimi i një peticioni që 54 artistë i kishin dërguar Presidentit, Kryeministrit, atij vetë dhe dy prej institucioneve ndërkombëtare më të rëndësishme në vend, konstatimi ishte real. Çështja e godinës së Teatrit, vërtetë, i përçau artistët në dy grupe: në grupin që kërkon prishjen e tij të menjëhershme, gjë që ia kërkuan me forcë edhe Presidentit dhe ndërkombëtarëve; dhe grupit që, të tretur tashmë në masën elitare të Tiranës, po lufton në mbrojtje të kësaj godine historike.
Ky fakt i pamohueshëm nga askush, që të sjelli dobi, duhet lexuar në kontekstin e tij specifik. Sepse, është e vërtetë se ndryshe nga 20 vjet më parë, kur artistët ishin të bashkuar kundër prishjes së Teatrit, sot janë të përçarë. Por është, gjithashtu, e vërtetë se ndryshe nga 40 vjet më parë, kur artistët ishin të unifikuar t’i shërbenin diktaturës nëpërmjet manipulimit të masave për mrekullinë socialiste, sot gjithashtu nuk janë në të njëjtën barrikadë. Sot, jo të gjithë ata janë në shërbim të shoqërisë për të mbrojtur godinën që po shkruan fatin e demokracisë; por, gjithashtu, jo të gjithë ata janë në shërbim të kastës për të konsoliduar një oligarki autokratike në vend.
Është ky sqarim minimalist që na drejton të kuptojmë se diçka e rëndë po ndodh me demokracinë shqiptare, dhe peticioni i 54 artistëve nuk mund të injorohet. Ai është aq i palogjikshëm në vetvete, sa është praktikisht e pamundur ta konsiderosh si komponent që synon të kontribuojë në zgjidhjen e këtij konflikti. Sepse është plotësisht e kuptueshme që 54 artistët kërkojnë një godinë të re për të ushtruar aktivitetin e tyre; dhe është po kaq e vlefshme kërkesa që godina e re duhet të ndërtohet sa më shpejt, porse, nuk bën asnjë kuptim insistimi i tyre ultimativ ndaj Presidentit dhe ndërkombëtarëve që u dashka ‘të prishet Teatri ekzistues’ që të mund ndërtohet Teatri i Ri!
Pse u dashka prishur diçka për të ndërtuar diçka tjetër?! Kush është lidhja shkak-pasojë për të cilën duhet të prishim godinën historike për të ndërtuar një godinë të re?! Kush mund ta shpalli këtë?! Ne, urbanistët dhe arkitektët, jo! Edhe pse pranojmë dëmet që i kemi lejuar qyteteve tona, kurrsesi nuk mund t’i shtojmë edhe këtë krim. Godina e Teatrit Kombëtar është element i një uniteti urban të pandashëm; një entitet arkitektonik unikal për historinë e arkitekturës; një identitet i konceptuar nga produkte ndërtimore eksperimentale. Dhe secila nga këto është një arsye e vetëmjaftueshme, pse në vlerësimin e çdo arkitekti dhe urbanisti kjo godinë nuk duhet prekur.
Nëse e shikojmë me qetësi, e gjithë çështja e prishjes së godinës së Teatrit dhe ndërtimit të kullave është një çështje që i përket urbanistikës. Përfshihen në të, pronësia e qeverisë qendrore mbi një godinë, pronësia e qeverisë vendore mbi një truall, dhe disa milionë euro të sipërmarrjes private, të cilat do të përzihen për të riformuar një situatë tjetër urbane e pronësore, por gjithsesi është një vendimmarrje që inicion me ribërjen e qytetit. Prandaj së pari, duhet të flasë urbanistika, dhe urbanistika bashkëkohore flet me Plane të hartuara e miratuara në procese demokratike të moderuara nga urbanistë dhe me pjesëmarrjen e të gjithë palëve të interesuara.
Në këtë kuptim, 54 artistët në peticionin e tyre janë jo vetëm të palogjikshëm në kërkesën për të ndërtuar një teatër të ri mbi gërmadhat e teatrit historik, por edhe jashtë kohëve për të kërkuar një godinë të re në vetvete. Vetëm një vit më parë u miratua Plani i Përgjithshëm Vendor ‘Tirana 2030’, dhe këtë nevojë ekstreme për ‘t’i dhënë Tiranës dhe Shqipërisë Teatrin Kombëtar të së ardhmes’ duhet ta kishin prezantuar atje. Ashtu sikurse u bënë bashkë sot, hartuan dhe nënshkruan një peticion për këtë nevojë, ashtu edhe dy vjet më parë duhet ta kishin shfaqur si domosdoshmëri në proceset e hartimit të këtij instrumenti të zhvillimit urban të së ardhmes.
Prandaj, 54 peticionistët janë dy herë në gabim kur i drejtohen Presidentit dhe ndërkombëtarëve me një peticion që duhet ta drejtojnë në tjetër vend dhe me të tjera kërkesa. Së pari, duhet t’i drejtohen vetes për të kuptuar se asgjë e së ardhmes nuk mund të qëndroj mbi themelet e diçkaje që duhet trashëguar. Së dyti, duhet t’i drejtohen përsëri vetes, kësaj radhe për të pranuar se qyteti i tyre është kështu si është, edhe për shkak të neglizhencës së tyre. Dhe së fundi, duhet t’iu drejtohen institucioneve që menaxhojnë çështjet urbane të Tiranës, që ato të kuptojnë nevojën e hartimit të një Plani nga qytetarët dhe për qytetarët, ku edhe ‘Teatri Kombëtar i së ardhmes’ të gjejë veten.
Leave a Reply