Një origjinë e përbashkët
Lidhjet mes Europës dhe Shteteve të Bashkuara janë të vjetra e të thella. Europa është burimi më i hershëm dhe rezervuari më i thellë i traditës kulturore perëndimore, ose i atij fenomeni, të cilin, në gjuhën e përditshme, e quajmë qytetërim perëndimor.
Themelet e tij gjenden në Akropolin e Athinës dhe në Pantenonin romak. Librat e famshëm që ushqyen imagjinatën dhe mendimin perëndimor u shkruan nga europianët e mëdhenj—Homeri, Virgjili, Dante, Shekspiri, Loku, Volteri, Rusoi, Kanti, Hegeli, Marksi, Gëte, Balzaku, Tolstoi, Frojdi, Raselli—ashtu si arti dhe shkenca perëndimore nuk do të mund të kuptoheshin dot pa gjeninë krijuese të Fidias, Praksitelit, Da Vinçit, Mikelanxhelos, Van Gogut, Moxartit, Bethovenit, Dekartit, Njutonit apo Ajnshtajnit. Idetë e mëdha të Perëndimit mbi demokracinë, kapitalizmin dhe të drejtat e njeriut, origjinën e tyre e kanë gjithashtu, në kontinentin europian.
Vetë amerikanët e dinë se Kushtetuta e tyre dhe idetë e themeluesve të Republikës amerikane, të cilat janë themeli i qytetërimit të sotëm amerikan, janë mbështetur në idetë që transformuan Europën e shekullit të 18-të (idetë e Monteskjësë, Rusoit, Xhon Lokut etj.) dhe nuk do të mund të përfytyroheshin e të kuptoheshin dot pa to.
Kjo origjinë e përbashkët dhe vlerat që lidhen me të krijojnë një afinitet të tillë kulturor mes amerikanëve dhe “kushërinjve” të tyre europianë saqë, edhe sot, në këtë epokë të globalizimit gjithnjë e më të madh të shoqërisë, një amerikan ndihet si në vendin e tij kur viziton Londrën, Dublinin, Amsterdamin, Romën, Vienën, Pragën, Oslon ose Berlinin, gjë që nuk ndodh nëse ai viziton Kairon, Pekinin, Hanoin, Amanin, Ulanbatarin, Bangkokun apo Islamabadin.
Partnerë dhe aleatë në Luftën e Ftohtë
Për më shumë se një shekull, por veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore, Amerika dhe Europa kanë qenë dhe mbeten për njëra-tjetrën partnerët kryesorë ekonomikë, si në pikëpamje të shkëmbimeve tregtare, ashtu edhe të eksportit të kapitaleve, investimeve të drejtpërdrejta dhe kontributeve njerëzore, aq sa shumë prej kompanive amerikane dhe europiane janë sot në pronësinë e përbashkët të qytetarëve amerikanë dhe atyre nga vende të ndryshme të Bashkimit Europian.
Përveç kërcënimit sovjetik dhe interesave ekonomike reciproke (të cilat eventualisht mund të çojnë në krijimin e një “tregu të përbashkët transatlantik”, koncept ky aspak i huaj si nga kjo anë, ashtu dhe nga ana tjetër e Atlantikut), një faktor shumë i rëndësishëm që shpjegon përse Shtetet e Bashkuara dhe Europa Perëndimore qëndruan në aleancë të ngushtë me njëra-tjetrën për më shumë se gjysmë shekulli ka qenë një gjeneratë elitash dhe liderësh politikë, të cilët ishin mësuar të bashkëpunonin me njëri-tjetrin për një qëllim të përbashkët. Liderë të tillë ishin Franklin Roosevelt, Harry Truman, Winston Churchill, Dwight Eisenhower, J. F. Kennedy, Konrad Adenauer, Harold Macmillan, Harold Wilson, Lyndon Johnson, Willy Brandt, Ronald Reagan, Helmut Kohl, Margaret Thatcher, Bill Clinton, Tony Blair, George W. Bush. Së bashku, ata u përpoqën që t’i afrojnë gjithnjë e më shumë demokracitë e Europës Perëndimore me Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që, pothuajse të gjithë presidentët francezë, qysh nga përfundimi i luftës me Algjerinë—Charles de Gaulle, Georges Pompidou, Valéry Giscard d’Estaing, François Mitterrand dhe Jacques Chirac—vazhdimisht ua kanë kushtuar energjitë më të mëdha të politikës së tyre të jashtme pengimit të objektivave të politikës së jashtme amerikane. Jacques Chirac, madje, në mënyrë cinike, e ka pohuar këtë realitet duke u shprehur: “Përsa i përket politikës së jashtme unë kam një parim. Unë shoh se ç’bëjnë amerikanët dhe bëj të kundërtën”.
Lufta e Ftohtë, e cila nisi me krijimin e Traktatit të Varshavës, ishte kryesisht një garë për të ardhmen e Europës, në mënyrë të veçantë për të ardhmen e Gjermanisë. Por, edhe pse Gjermania përbënte frontin qendror të saj, Lufta e Ftohtë ishte gjithashtu një garë për Azinë Lindore dhe Paqësorin dhe, më vonë, edhe një garë për Lindjen e Mesme. Në fakt, betejat më të përgjakshme të Luftës së Ftohtë u zhvilluan në gadishullin korean dhe në atë të Indokinës, pra shumë larg “perdes së hekurt” që e mbajti të ndarë Gjermaninë dhe krejt Europën për afro gjysmë shekulli. Në këtë kuptim, ndërsa për Europën Perëndimore, Lufta e Ftohtë ishte një luftë kontinentale, e cila kishte të bënte me mbrojtjen e gjysmës perëndimore të kontinentit nga rreziku sovjetik, nga këndvështrimi i interesave amerikane ajo ishte një luftë e vërtetë globale, një front i së cilës gjendej në Europë. Në periudhën e Luftës së Ftohtë, edhe pse bashkëpunimi mes Europës Perëndimore dhe Amerikës arriti shkallën më të lartë, vetë Europa ishte—dhe mbeti deri në fund—pak e interesuar për zhvillimet përtej kufijve të saj. Kjo rrethanë e thelloi qysh në atë kohë hendekun midis tyre.
Fundi i Luftës së Ftohtë dhe një Perëndim i ri
Bashkëpunimi i ngushtë dhe intensiv mes Amerikës, Anglisë, Gjermanisë, Francës dhe vendeve të tjera të Europës Perëndimore që karakterizoi periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, kur Europa u nda në dy kampe antagonistë, nuk mund të mbetej më po ai edhe pas dezintegrimit të Bashkimit Sovjetik dhe shpërbërjes së Traktatit të Varshavës.
Me shembjen e sistemit sovjetik të qeverisjes në të gjitha territoret që shtrihen nga Fulda Gap në Vladivostok, sensi i domosdoshmërisë imediate të bashkëpunimit dhe koordinimit të politikave mes Uashingtonit dhe Europës Perëndimore nuk ishte më ai periudhës së Luftës së Ftohtë. Pas përfundimit të saj, Europa u përball me një situatë të re, në të cilën as “e kaluara gjermane” dhe as “e sotmja sovjetike” nuk i kërcënonin më paqen dhe sigurinë në kontinent. Rrethanat e reja i bënë disa liderë europianë, ekspertë dhe analistë të problemeve të sigurisë e të marrëdhënieve ndërkombëtare, të mendonin se Europa këtej e tutje mund të kujdesej vetë për sigurinë dhe punët e saj dhe se, në mungesë të një rreziku iminent nga jashtë, në periudhën pas Luftës së Ftohtë, vetë NATO ishte bërë një “anakronizëm”.
Ndryshimi i arkitekturës globale të sigurisë me rënien e superfuqisë sovjetike nuk kishte si të mos reflektohej edhe brenda vetë aleancës transatlantike. Në kushtet e reja të mungesës së kërcënimit ushtarak nga Moska, kjo aleancë do të duhej të angazhohej në një mision të ri, duke u shndërruar gradualisht nga një aleancë mbrojtëse, në një aleancë ofensive, e gatshme për të ndërhyrë në rajone dhe situata konfliktuale jashtë Europës. Një tranzicion i tillë, sidoqoftë, duket se nuk ka qenë i lehtë. Siç ka vënë në dukje Stephen Walt, “aleancat ofensive janë përgjithësisht më të brishta se aleancat mbrojtëse”. Për shkak të vet natyrës së saj, një aleancë ofensive është problematike, pasi ajo kërkon që vendet anëtare të saj të jenë të gatshme të sakrifikojnë gjakun e qytetarëve të tyre dhe resurset e tyre për një kauzë, të cilën vetë ato mund të mos e konsiderojnë të rëndësishme për interesat e tyre kombëtare. Qëndrimi i shumë prej vendeve anëtare të NATO-s ndaj luftës në Irak është një shembull kuptimplotë.
Edhe pse NATO u ka rezistuar transformimeve të thella që kanë ndodhur në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare pas mbarimit të Luftës së Ftohtë dhe dezintegrimit të Traktatit të Varshavës, shumë autorë mendojnë se kjo organizatë, pavarësisht zgjerimit të saj (me trembëdhjetë anëtarë të rinj nga viti 1999 deri më sot), përballet sot me një krizë “identiteti” dhe “qëllimi”, e cila, edhe pse nuk e ka vënë në pikëpyetje ekzistencën e NATO-s si një organizatë ndërkombëtare, vë në pikëpyetje rëndësinë e saj si një instrument kyç për ruajtjen dhe forcimin e sigurisë.
Për afro gjysmë shekulli, Europa u zhvillua e mbrojtur nën ombrellën amerikane duke përfituar çdo të mirë që i siguronte përfshirja në aleancën transatlantike, pa bërë vetë sakrificat e domosdoshme për ruajtjen e sigurisë së saj. Çdo hap drejt integrimit ekonomik dhe politik të Europës—duke filluar me Komunitetin Europian të Qymyrit dhe Çelikut më 1957—u hodh nën hijen dhe nën mbrojtjen e fuqisë amerikane dhe të NATO-s. Siç ka vënë në dukje Robert Kagan, pa fuqinë amerikane “kombet europiane pas Luftës së Dytë Botërore nuk do të ishin ndjerë kurrë aq të sigurta sa të riintegronin Gjermaninë [në komunitetin e tyre].
Prania ushtarake amerikane dhe përkushtimi i Amerikës ndaj NATO-s dhe mbrojtjes së Europës krijuan në këtë mënyrë mjedisin e nevojshëm për rindërtimin e saj pas Luftës si edhe për integrimin e saj ekonomik dhe politik. E mbrojtur dhe e sigurt pas mburojës së NATO-s, kostos së të cilës vendet e tjera anëtare të kësaj organizate i kanë kontribuuar shumë pak, Europa Perëndimore ishte në gjendje që të “kopjonte” arritjet e jashtëzakonshme të Amerikës pas Luftës së Dytë Botërore, duke krijuar një klasë të mesme numerikisht të gjerë dhe duke financuar një sistem arsimor dhe të mirëqenies për të gjithë.
Në fakt, marrëdhëniet e ngushta që u zhvilluan mes Amerikës dhe Europës Perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore kanë qenë të dobishme për suksesin e të dyja palëve. Siç vë në dukje David Calleo: “Eksperimenti i madh i Europës me shërimin e plagëve të saj, zor se do të kishte patur sukses pa praninë mbrojtëse të Amerikës, e cila u dha shteteve të plagosura europiane sigurinë për të bashkëpunuar. Në të njëjtën kohë, paqja e brendshme dhe prosperiteti i Europës e bënë të mundur një ekonomi globale relativisht të hapur, ndërsa Aleanca Atlantike e përforcoi dhe e legjitimoi lidershipin global të Amerikës. NATO-ja ofroi një strukturë multilaterale, e cila e ndihmoi Amerikën për të përdorur siç duhet fuqinë e saj. Përmes bashkëpunimit me Europën dhe me ndihmën e saj, Amerika ia doli, më së fundi, të përmbushte ëndrrën e saj Willsoniane për të udhëhequr botën, duke e ftuar atë [në misionin e saj]”.
“Zgjerimi i Europës”
Me largimin e rrezikut sovjetik, Shtetet e Bashkuara dhe Europa Perëndimore filluan të zhvillojnë marrëdhënie të reja me vendet që deri atëherë kishin qenë anëtare të Traktatit të Varshavës. Për më tepër, integrimi europian, i cili filloi si një proces për të forcuar bashkëpunimin mes vendeve të Europës Perëndimore dhe, përmes tij, paqen dhe sigurinë në Europë pas tmerreve të Luftës së Dytë Botërore, është zgjeruar në ditët tona duke përfshirë pothuajse të gjithë vendet e Europës Qendrore e Lindore. Sot, e gjithë arena e lojës ka ndryshuar. Ndërsa Gjermania e përqendroi vëmendjen e saj në sfidën e madhe të riintegrimit të ish-Republikës Demokratike Gjermane në një shtet të vetëm (çka sigurisht e prishi balancën mbi të cilën ishte krijuar Komuniteti Europian), Europa i përqendroi përpjekjet e saj në një sfidë më të madhe, e cila kishte të bënte me thellimin e proceseve integruese brenda Komunitetit (më vonë Bashkimit) Europian dhe me zgjerimin e këtij të fundit me anëtarë të rinj nga radhët e vendeve të Europës Qendrore e Lindore.
Me këtë evoluim të ngjarjeve në Europë ndryshoi në mënyrë fondamentale edhe roli i Amerikës në kontinentin e vjetër. Zgjerimi i NATO-s me vendet e Vishegradit, me vendet balltike dhe me shumicën e vendeve të Ballkanit, e shtriu ndikimin amerikan në pjesën qendrore e lindore të kontinentit europian dhe kërkoi angazhimin e tyre për zhvillimin dhe thellimin e lidhjeve të bashkëpunimit në shumë nivele, në të katër anët e kontinentit—nga perëndimi në lindje, nga veriu në jug. Dhe, ndërsa NATO dhe Bashkimi Europian u zgjeruan e vazhdojnë në lindje, vendet e reja anëtare nga Europa Lindore filluan, ashtu siç kishte parashikuar Václav Havel, të balanconin e të ushtronin një influencë pozitive mbi qëndrimet europiano-perëndimore ndaj Amerikës dhe sfidave të mëdha të kohës tonë. Nga ana tjetër, kjo ka bërë që, në raste të caktuara, të krijohen tensione mes vendeve të reja anëtare të BE-së dhe vendeve të vjetra, si edhe mes shteteve të mëdha dhe shteteve të vogla. Ky realitet i vë në dyshim të gjithë ata që mendojnë se “modeli europian” mund të ndiqet si shembull edhe në rajone të tjerë të globit, siç duket se konceptohen ASEAN; ASEAN+3 në Azi apo Mercosur në Amerikën Latine.
Ç’na mësojnë Bosnja dhe Kosova?
Krejt ndryshe nga sa pretendonte më 1991 Jacques Delors, në atë kohë president i Komisionit Europian, se kriza e Bosnjes kishte paralajmëruar gjoja që tashmë kishte ardhur “koha e Europës” dhe se në Europë nuk kishte më vend për Amerikën dhe rolin e saj, dhe po ashtu, krejt ndryshe nga predikimet e disa studiuesve liberalë se gjoja tashmë është krijuar një “komunitet pluralist i sigurisë” (pluralistic security community), i cili mund të garantojë paqen dhe sigurinë në shkallë globale, luftrat e Ballkanit në vitet 1990, në të vërtetë, nxorën në shesh mungesën e unitetit në radhët e Bashkimit Europian dhe dobësinë e tij. Në të kundërt, angazhimi ushtarak dhe diplomatik amerikan në krizat e Ballkanit demonstroi qartë dy gjëra:
Së pari, se Europa vetë, për paaftësinë dhe turpin e saj, nuk kishte as vullnetin dhe as aftësinë që të vendoste paqe dhe stabilitet në gadishullin e saj juglindor. Në kohën kur në Bosnje po ndodhte një tragjedi e vërtetë, të pavendosur për të luftuar në mbrojtje të vlerave e të principeve të qytetërimit të tyre, qeveritë europiane adoptuan politikën e një qëndrimi të butë, duke iu nënshtruar ideologëve luftënxitës të Serbisë. Kur forcat serbe të Bosnjes zunë robër paqeruajtësit europianë dhe i lidhën ata pas pemëve, këta nuk bënë asnjë rezistencë dhe qeveritë europiane nuk reaguan fare në përgjigje të këtij veprimi poshtërues. Më 1995, në Srebrenicë, trupat hollandeze që ishin ngarkuar ta mbronin atë qytet dhe popullsinë civile nuk qëlluan asnjë fishek mbi serbët e Bosnjes kur panë që ata ndanë forcërisht rreth 7,000 burra e djem nga gratë, nënat dhe motrat e tyre, i tërhiqnin zvarrë dhe i masakronin.
Së dyti, në kontrast nga një Europë e tillë pasive, e paralizuar dhe me një mendësi krejt tjetër nga idealizmi amerikan, Amerika ishte dhe mbetet—siç treguan qartë ngjarjet në Bosnje dhe në Kosovë—një aktor shumë i rëndësishëm për zgjidhjen e krizave dhe rivendosjen e stabilitetit në këtë rajon të rëndësishëm të Europës. Deficiti i kapaciteteve ushtarake dhe mungesa e vullnetit të Europës bënë që forca dhe vendosmëria e Shteteve të Bashkuara të ishin faktori vendimtar që u dha fund konflikteve në Ballkanin Perëndimor, duke konfirmuar edhe një herë të vërtetën se, kur vjen puna për çështje të sigurisë, Amerika fare pak mund të mbështetet në aleatët e saj europianë.
Çlirimi i Kosovës nga NATO dhe njohja e pavarësisë së Kosovës prej Amerikës, Anglisë, Gjermanisë dhe Francës, por jo nga pesë shtete anëtarë të Bashkimit Europian, ishin një tjetër shembull i vendosmërisë amerikane vis-à-vis pavendosmërisë dhe paaftësisë europiane për t’iu kundërvënë politikës shoviniste të Serbisë dhe presioneve kërcënuese të Rusisë. Edhe pse shtetet europiane anëtarë të NATO-s morën pjesë në fushatën e bombardimeve kundër Serbisë, në pranverë të vitit 1999, ishte Amerika ajo që i detyroi aleatët e saj europianë të vepronin, duke demonstruar forcën e saj përballë retorikës pompoze të Bashkimit Europian për dedikimin ndaj paqes dhe drejtësisë në Europë.
Zhvillimi i luftës në Kosovë, më 1999, nxori në pah diferencat e mëdha në aftësitë ushtarake brenda Aleancës Transatlantike. Shtetet e Bashkuara realizuan shumicën e fluturimeve; pothuajse të gjitha bombat e drejtuara me precizion që u hodhën në Serbi dhe në Kosovë ishin prodhuar në Amerikë dhe superioriteti i pakrahasueshëm i kapaciteteve teknike amerikane për mbledhjen e inteligjencës, bëri që 99 për qind e objektivave të propozuara për t’u goditur të vinin nga burimet amerikane të inteligjencës. Madje edhe vetë Anglia, një fuqi ushtarake serioze, mundi të kontribuojë me avionë vetëm në masën 4% dhe hodhi vetëm 4% të bombave.
Siç ka argumentuar Robert Kagan, dominimi Amerikan në atë luftë krijoi shqetësime për europianët në dy aspekte: Nga njëra anë, ai ishte “një goditje shokuese ndaj nderit europian”. Për strategët më të respektuar europianë në Francë, në Gjermani dhe në Angli, lufta e Kosovës nxori në pah “impotencën e forcave të armatosura të Europës”. Ishte “poshtëruese për Europën” që edhe në një rajon kaq të afërt, si Ballkani, “aftësia e saj për të përdorur forcë” ishte fare e vogël në krahasim me atë të Amerikës. Akoma më shqetësues për Europën ishte fakti që “varësia e saj nga fuqia ushtarake amerikane u dha Shteteve të Bashkuara një influencë dominuese jo vetëm mbi mënyrën se si u zhvillua lufta, por edhe në lojën diplomatike ndërkombëtare para, gjatë dhe pas luftës”.
Si Bosnja, ashtu dhe Kosova, treguan më së miri se Europa, po të lihet më vete, është mjerisht e paaftë që t’i kundërvihet tiranisë, madje edhe në “oborrin e pasëm” të saj, duke mos mundur të shkojë dot më larg dialogut me diktatorët dhe vrasësit. Bosnja dhe Kosova treguan, gjithashtu, se pas euforisë ngadhënjimtare të studiuesve liberalë në periudhën fill pas mbarimit të Luftës së Ftohtë, liberalizmi duket se e ka shterur aftësinë e tij shpjeguese mbi zhvillime të rëndësishme globale të kohës tonë dhe se realizmi, si shkollë, vazhdon të ketë epërsi në analizën e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Quo vadis?
Dekada e fundit e shekullit të 20-të evidentoi një ndryshim evolucionar në marrëdhëniet mes Europës dhe Amerikës. Kur Lufta e Ftohtë mbaroi, europianët filluan të “kërcejnë” me një “muzikë” tjetër. Megjithë problemet që krijuan rrethanat e reja, ndryshimet që ndodhën në vitet 1990 në marrëdhëniet mes Amerikës dhe Europës ishin të menaxhueshme. Dy dekadat e para të shekullit të 21-të, sidoqoftë, kanë krijuar një situatë të re. Pas atij uniteti thuajse universal me Shtetet e Bashkuara që u vu re pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001—unitet i cili u artikulua në mënyrën më brilante në titullin e faqes së parë të gazetës më të madhe franceze, Le Monde, të nesërmen pas 11 shtatorit: “Nous sommes tous Américains!”—opinioni popullor për Shtetet e Bashkuara, pothuajse në të gjitha vendet e Europës Perëndimore, filloi të bëhej më negativ. Shenjat e para të kësaj metamorfoze u vunë re qysh me ndërhyrjen amerikane në Afganistan për çrrënjosjen e regjimit të Talibanit, por kritikat dhe kundërshtimet ndaj politikës amerikane në Europë morën formën e tyre më virulente pas ndërhyrjes amerikane në Irak. Ato janë shtuar edhe më shumë (dhe jo pa arsye) pas ardhjes në krye të administratës amerikane të presidentit Donald Trump.
Edhe pse dallime të theksuara mes politikave të Bashkimit Europian dhe politikës amerikane ekzistojnë e do të vazhdojnë të ekzistojnë, ka shumë fusha të rëndësishme, në të cilat këto dy fuqi të mëdha bashkëpunojnë me njëra-tjetrën dhe do të vazhdojnë të bashkëpunojnë edhe në të ardhmen. Fusha të tilla kanë qenë dhe mbeten forcimi i paqes dhe i sigurisë kolektive, zgjerimi i dimensioneve të lirisë dhe promovimi i demokracisë dhe i të drejtave të njeriut në rajone të tilla si Europa Juglindore, Lindja e Mesme apo Azia Qendrore, të cilën Brzezinski e konsideronte si “Ballkanin Global” (Global Balkan), apo “rajonin më të pastabilizuar dhe më të rrezikshëm të botës në dekadat e ardhshme.
Amerika dhe Europa kanë interesa të përbashkëta jo vetëm në këtë rajon, por në mbarë globin. Së bashku, ato përbëjnë një koalicion, i cili është dominant në mbarë globin, në të gjitha dimensionet kryesore të pushtetit dhe të influencës. Siç vinte në dukje Brezinski, “Amerika dhe Europa janë, së bashku, baza e stabilitetit global, lokomotiva e ekonomisë botërore dhe neksusi i kapitalit intelektual global dhe i inovacioneve teknologjike. Ato, gjithashtu, kanë zhvilluar demokracitë më të suksesshme në botë”. Për këto arsye, Amerika dhe Europa mund të luajnë, së bashku, një rol shumë të rëndësishëm për krijimin e një klime paqësore dhe të një komuniteti ndërkombëtar më efektiv. Por, për të zhvilluar ato sfera interesash të përbashkëta dhe për t’i ulur dozat e sentimenteve anti-amerikane në Europë, Uashingtoni dhe Brukseli do të duhej të angazhoheshin në një debat konstruktiv, më të efektshëm në çdo nivel të organizimit shtetëror e shoqëror. Kur veprojnë në këtë mënyrë, pavarësisht kritikave dhe akuzave të ndërsjella, si njëra edhe tjetra palë kuptojnë se ato çka i bashkojnë Europën dhe Amerikën janë më të shumta e më të rëndësishme sesa ato çka i ndajnë.
Ashtu si në të kaluarën, edhe sot—por më shumë akoma në të ardhmen—Europa dhe Amerika kanë e do të kenë nevojë për njëra-tjetrën. Në analizë të fundit, as Europa dhe as Amerika nuk mund të gjejnë partnerë dhe aleatë më të mirë për veten e tyre, të cilët të mbështeten mbi të njëjtat tradita e të jenë të përkushtuar ndaj të njëjtave vlera e ideale politike. Nëse Europa dhe Amerika bien dakort mbi atë se cilat duhet të jenë rregullat dhe institucionet e rendit ndërkombëtar, është plotësisht e mundur që ato të kontribuojnë në krijimin e një rendi ndërkombëtar të drejtë dhe të qëndrueshëm.
Leave a Reply