• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 5th, 2026
  • HOME
FATOS ÇOÇOLI/ A kanë gojë 3.4 milionë eurot?
Home
Blog

FATOS ÇOÇOLI/ A kanë gojë 3.4 milionë eurot?

July 5th, 2018 F.autor Blog 0 comments

Paratë nuk kanë gojë. Megjithatë, në kushte të caktuara, ato flasin. Në vitin 1931, Al Kapone (Alfons Gabriel Kapone), mafiozi emblematik amerikan, u arrestua për shmangie (evazion) nga taksat e shtetit amerikan për shumën 8.2 milionë dollarë. Kishte vrarë vetë ose urdhëruar të vriten mbi 100 persona, por u arrit të provohej fajësia e tij vetëm për evazion fiskal. Megjithatë, edhe këto para flisnin për masakrat e njëpasnjëshme të bëra nga gangsteri amerikan, për të fituar atë pasuri të përgjakur që kishte. Shteti amerikan nuk mundi të faktonte krimet e Kapones. I mjaftoi krimi fiskal, për ta futur brenda. Në vitin 1992, dy heronj të luftës kundër mafias, gjykatësit Paolo Borselino dhe Xhovani Falkone, shpenzuan tërë forcat dhe karrierën e tyre për të gjetur mafiozët dhe për të çrrënjosur forcën e mafies në Italinë e Jugut, sidomos në Palermo. Edhe ata ndoqën mafiozët në një gjueti qindra miliarda liretash italiane, përmes dhjetëra llogarive dhe transaksioneve bankare, duke gjurmuar paratë e tyre.

 

 

Po shteti ynë? Kemi Borselino apo Falkone ne? Sigurisht që jo! Megjithatë lind pyetja: këto 3.4 milionë euro të kapura në dy makinat e importuara dy javë më parë, a do t’i gjurmojë kush i aftë tek ne? Apo do të ngelen jetim, pa pronarë apo të pakthyer, si floriri i vjedhur në Kërrabë apo 7 milionë dollarët e rrëmbyera Bankës së Shqipërisë? 3.4. eurot flasin qartë: ”Erdhëm të pastrohemi!”. “Si ne, edhe shumë simotra tonat kanë ardhur më përpara”. Nuk ka rëndësi nëse destinacioni i tyre i fundit ishte Shqipëria, apo Kosova. Të dyja vendet tona janë shndërruar në lavatriçe gjigande parash të pista dhe kjo duhet të na shqetësojë seriozisht. Edhe pse nuk ka studime të mirëfillta në këtë fushë, paratë e kapura në sasi miliona euro, që presin të pastrohen në Kosovë apo Shqipëri, flasin vetë.

Vetë Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka treguar 4 rrugët kryesore që përdoren për të “formalizuar” në Shqipëri paratë e siguruara përmes krimit dhe korrupsionit. E para në listën e kësaj drejtorie është një skemë që shfrytëzon transferta nga shoqëri të regjistruara në parajsa fiskale, në favor të shoqërive “call center”. Dhe të tilla nuk kemi pak. Një shembull konkret u zbulua pak ditë më parë nga një hetim gazetaresk i gazetarëve të Birn, me kompaninë “Sunflower” të një shtetasi italian në Shqipëri. Skema e dytë fut paratë e pista përmes transfertave bankare të kryera me vende të Amerikës Latine, nga shtetas me lidhje familjare me persona të dënuar për trafikim lëndësh narkotike. Të afërmit e tyre dërgojnë për çdo muaj 18 deri 20 transferta nga 200 deri 1 mijë euro në një vend të Amerikës Latine, të cilat tërhiqen më pas nga të afërm të tjerë. Skema e tretë përdor transferimet e shpeshta të parave në sistemin bankar shqiptar.

Me gjithë mbikëqyrjen e rreptë të bankës sonë qendrore, Bankës së Shqipërisë, arrijnë të depërtojnë kapitale me origjinë të dyshimtë në bankat tona të nivelit të dytë. Për shembull, një shtetas shqiptar, i cili zotëron 4 biznese, ka marrë një shumë 310 mijë euro nga një kompani me të cilën ka marrëdhënie biznesi. Shtetasi ka kryer për rreth 6 vite transferta të tilla parash, ndërkohë që pas verifikimeve ka rezultuar me precedentë penalë për veprën e mashtrimit. Ndërsa skema e katërt, ndoshta më e përhapura dhe më e rrezikshmja, përdor investimet e siguruara nga aktiviteti kriminal në pasuri të paluajtshme: hotele, motele, butikë, dyqane, magazina, apartamente, etj., dhe këtu hyjnë zyrat tona noteriale, që formalizojnë transaksione shumë të dyshimta pa kërkuar asnjë garanci për origjinën e parave. Këto katër porta të hapura dykanatesh po e bëjnë pis Shqipërinë dhe po kriminalizojnë një pjesë jo të papërfillshme, tanimë, të ekonomisë së saj. Nuk ka rëndësi sa të pabaza në shifra janë denoncimet e opozitës sonë kryesore. Shqetësimi i saj, i zhveshur nga folklori partiak dhe sulmet personale, është real. Ai duhet të ngjitet në ndërgjegjen e secilit prej nesh.

Presioni i parasë kriminale nga stoku i krijuar në vend nga shitja e kanabisit dhe nga paratë e pista që presin të vijnë këtu e të lahen, është i jashtëzakonshëm, ndoshta në nivele rreth 200 milionë euro në vit. Ndaj këtij presioni, qeveria nuk duhet të luajë strucin dhe të pretendojë se nuk është real, por shpikje e të sëmurëve dixhitalë për pushtet. Denoncimet e skemave të lavatriçes gjigande nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave ngjajnë me thirrjet e beduinit në shkretëtirë. Nuk po shohim asnjë jehonë konkrete në veprime të koordinuara mes shumë ministrish dhe institucionesh që mund të zhbirojnë pastrimin e parave të pista. Disa takime apo nënshkrime marrëveshjesh-letra relacionesh publike, janë thjesht dhe vetëm një butafori e shëmtuar. Nuk duhet të lejojmë, qoftë edhe vetëm me ngritjen e opinionit publik, që papërgjegjshmëria dhe indiferenca e shumë strukturave shtetërore të kthehet në fatale për imazhin dhe personalitetin e vendit tonë dhe të qenit qytetar i Shqipërisë.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article EDUARD ZALOSHNJA/ NATO, Trump dhe Gjermania
Previous article MERO BAZE/ Për Teatrin rreth Tërmetit.

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k