Me shumë mundësi, Komisioni Europian do të japë rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Por kjo nuk do të thotë asgjë për ecurinë e Shqipërisë në këtë proces. Fjala e fundit do t’i takojë Këshillit Europian dhe aty është totalisht një histori tjetër, pasi bëhet fjalë për mendimin e vendeve anëtare dhe jo institucioneve të BE.
E megjithatë, rekomandimi për hapjen e negociatave është një frymëmarrje për qeverinë në këtë moment të vështirë politik që po kalon. Nëse do të ishte një rekomandim negativ, situata për të do të bëhej edhe më e vështirë.
Por, gjendja e politikës dhe ekonomisë shqiptare do të vazhdojë të jetë e njëjtë, dhe rekomandimi nuk ndryshon asgjë në këtë aspekt.
Kriza politika dhe tensioni midis palëve, do të vazhdojë të jetë e njëjta. Gjendja ekonomike dhe problemi i taksimit të lartë që po shqetëson shoqërinë shqiptare po ashtu.
Ashtu sikurse mendohet, në raportin e rekomandimit, Shqipëria nuk ka bërë hapa thelbësorë në avancimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë.
Objektivi më i rëndësishëm që pritet të jetë në raport, me siguri, është Reforma në Drejtësi. Kjo Reformë mbetet kushti kryesor për t’u përmbushur nga ana jonë për hapjen e negociatave. Dhe, me Reformën në Drejtësi, Komisioni Europian dhe BE, nënkupton hetimin e pushtetarëve dhe ndoshta, arrestimin e tyre. Në këtë kuptim, nëse vërtet duam të bëjmë hapa përpara, BE nga Shqipëria pret hapa konkretë.
Mirëpo, ky është pikërisht problemi. Politika shqiptare është në aleancë të plotë kundër Reformës në Drejtësi. Më të gjitha gjasat, do të kemi dhe arrestime të bujshme, por kjo nuk do të thotë që vërtet kemi për të instaluar drejtësinë e pavarur, apo kemi realizuar pritshmëritë e Reformës në Drejtësi. Rreziku në këtë drejtim, është fakti se mund të ndodhin arrestime për t’i hedhur hi syve Europës, dhe kjo është gjëja më e rrezikshme që mund t’i ndodhë drejtësisë shqiptare.
Deri më tani, për hir të së vërtetës ka patur zhvillime dhe iniciativa për hetime të rëndësishme, por rëndësia e tyre është ulur për faktin se ato janë në drejtim të një pale politike. Kështu që, prokuroria për të na bindur se, vërtet është e paanshme duhet të hetojë 360 gradë, pa dallim ngjyre politike.
Por, përtej çdo pengesë që i bëhet Reformës në Drejtësi, që duhet ta sqarojmë se nuk ka përfunduar ende, apo të gjitha dyshimet që ka mbi të, është e vetmja Reformë, që i ka dhënë shpresë Shqipërisë për të avancuar në procesin e integrimit.
Për të gjitha këto arsye, raporti për hapjen e negociatave, mund të themi se do ketë impakt ose jo në politikën shqiptare nga mënyra se si do ta lexojë ajo atë, dhe vullneti i institucioneve për ta lexuar në frymën e tij.
Në këto kohë të vështira dhe të dyshimta gjeopolitika, procesi i integrimit në BE, mbetet për Shqipërinë e vetmja shpresë për t’u atashuar më Perëndimin. Pa një proces të tillë, vendi do të futej në një izolim të thellë, dhe në një qorrsokak, i cili do të sillte pasoja të paimagjinueshme për ne.
Prandaj, me gjithë defektet dhe vështirësitë që ka Bashkimi Europian në këtë moment, vazhdon të mbetet një komunitet politik dhe ekonomi, që siguron dhe promovon demokracinë, paqen dhe të drejtat e njeriut.
Leave a Reply