Siç dihet në vendin tonë, fenomen shqetësues paraqitet korrupsioni, lufta kundër shfaqjeve të kriminalitetit, sidomos krimit të organizuar.
Korrupsioni vlerësohet se ka lindur me lindjen e transaksioneve të para ndërmjet njerëzve, por si koncept i mirëfilltë ai u shfaq me lindjen dhe krijimin e administratës se shtetit. Korrupsioni është një nga sfidat më të mëdha të kohës sonë, sidomos në vendet me demokraci të brishta apo ku demokracia ende nuk konsiderohet e konsoliduar dhe e zhvilluar, sikurse është edhe vendi ynë.
Ky fenomen paraqet një kërcënim jo vetëm për mjedisin, institucionet demokratike, shtetin e së drejtës dhe të drejtat e liritë themelore të njeriut, por minon gjithashtu zhvillimin dhe përparimin e vendit dhe thellon varfërinë për miliona njerëz në mbarë botën.
Është aktuale zbatimi i reformës në sistemin e drejtësisë, ndaj të cilit populli në një përqindje të konsiderueshme kishte humbur besimin për shkak të perceptimit të lartë të korrupsionit në radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Do të ishte iluzion të mendohej se korrupsioni ishte dhe vazhdon të jetë i përqëndruar vetëm në organet e drejtësisë. Për më tepër, sot në këtë fazë të zbatimit të reformës në drejtësi, shoqëria, institucionet si dhe klasa politike, duhet të pranojë se në radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve ka edhe njerëz me integritet, të cilët punojnë me ndershmëri dhe profesionalizëm. Zbatimi i reformës në drejtësi dhe në mënyrë të veçantë i procesit më kyç të kësaj reforme, atij të vettingut, është atribut ekskluziv i institucioneve të reja të pavarura të drejtësisë.
Deklaratat me natyrë përgjithësuese apo paragjykuese sa i takon rezultateve të para të zbatimit të vettingut, mund të cenojnë besueshmërinë e publikut në një nga komponentët më të rëndësishëm që qëndron në themelet e arkitekturës së kësaj reforme, atij të pavarësisë.
Raporte të ndryshme të organizatave vendase dhe ndërkombëtare për vendin tonë tregojnë se besimi i qytetarëve vijon të jetë i ulët për shkak të përhapjes së korrupsionit edhe në sektorë të tjerë publikë dhe institucione të tjera ligjzbatuese dhe rrjedhimisht edhe në sektorin privat, siç janë ato të shëndetësisë, ekonomi-financave, administratës publike, arsimit, prokurimit, partneritetit publik – privat, etj. Pavarësisht zhvillimeve dhe investimeve në sektorin publik të shëndetësisë, njerëzit vazhdojnë të ankohen se shërbimi i mirë u bëhet atyre që paguajnë. Në takimet sensibilizuese që Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka zhvilluar me studentë në Universitetet në Vlorë, Shkodër, Durrës, etj, na janë adresuar ankesa për favore të padrejta dhe të kundërligjshme që pedagogët u bëjnë studentëve, nëpërmjet inflacionit të të mirave ose përfitimeve të tjera.
Fenomeni i korrupsionit nuk mund të jetë i shkëputur nga politika, nga lidhjet e saj me krimin. Përkundrejt asaj që qytetarët kanë pritur në këto 27 vite, monitorimet e kryera nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit në prokurori dhe gjykata kanë evidentuar se zyrtarët apo funksionarët e lartë të shtetit nuk procedohen penalisht dhe as dënohen. Këto qëndrime bien ndesh me parimin kushtetues se njerëzit janë të barabartë para ligjit.
Dy muajt e fundit jepen informacione për procedimin penal dhe arrestimin e zyrtarëve në nivel vendor që akuzohen se kanë shpërdoruar detyrën ose kanë marrë rryshfet për tjetërsim dhe dhënie trualli apo toke me dokumente të falsifikuara. Personat e akuzuar prezumohen të pafajshëm deri sa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë. Megjithatë, të dhënat e publikuara në media për këto raste kërkojnë që të realizohet një hetim i gjithëanshëm dhe i plotë me inisiativë të vetë prokurorisë në të gjitha Bashkitë e vendit, për të verifikuar nëse abuzime me elementë të ngjashëm ka patur ose jo edhe në juridiksionin territorial të tyre.
Ligji antimafia është miratuar në vitin 2009, ndërkohë që kohët e fundit vihet re se ka patur sekuestrime apo konfiskime të aseteve që burojnë nga veprime kriminale që janë nga format më të rrezikshme për pastrimin e parave brenda dhe jashtë vendit. Për këtë bëhet fjalë edhe në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit.
Reformimi i sistemit gjyqësor vlerësohet i rëndësishëm pasi një gjyqësor i pavarur dhe i pakorruptuar do të mund të ç’rrënjosë korrupsionin në të gjitha hallkat e tij dhe rrjedhimisht do të ndërgjegjësojë shoqërinë se për të fituar një të drejtë, për të marrë një shërbim, për të qenë pjesë e një procedure tenderi apo prokurimi, për të konkuruar në një vend pune nuk duhet të paguash rryshfet dhe as të shfryëzosh lidhje të caktuara shoqërore, familjare, politike apo zyrtare por të gjitha këto mund ti marrësh me drejtësi dhe meritokraci. Ç’rrënjosja e kulturës së korruptimit në vetë shoqërinë tonë nuk është e lehtë, për shkak të keqfunksionimit të zinxhirit shtetëror në hallka dhe nivele të ndryshme të tij, ku për të fituar një të drejtë apo për të marrë një shërbim që me ligj të takon, duhet të paguash ose të joshësh me rryshfet.
Korrupsioni nuk është një fenomen që zhduket me një goditje, edhe për faktin se format e shfaqjes së tij janë nga më të sofistikuarat dhe shpesh rrënjët e tij janë të thella dhe nuk janë të lehta për tu zbuluar. Përveç ndërgjegjësimit të shoqërisë për të denoncuar çdo formë të korrupsionit, vetë shoqëria duhet të krijojë besim në luftën ndaj korrupsionit. Si mund të krijohet ky besim?
Nëse hedhim vështrimin tek vendet e tjera të cilat kanë përparuar në luftën kundër korrupsionit, një model i mirë është ai i Gjeorgjisë. Që nga viti 2004, Gjeorgjia përparoi në mënyrë progresive në luftën ndaj korrupsionit dhe rivendosjen e qeverisjes së mirë. Largimi i policëve të korruptuar të trafikut rrugor në vitin 2004 dhe krijimi i Këshillit ndërinstitucional kundër korrupsionit në vitin 2008 vlerësohen si shembuj të suksesshëm të reformës antikorrupsion në këtë shtet. Banka Botërore, ia atribuoi Gjeorgjisë suksesin në luftën kundër korrupsionit tek faktorë të tillë si: “shprehja e vullnetit të fortë politik; krijimi i hershëm i besueshmërisë; promovimi i sulmit frontal; promovimi i stafit të ri; kufizimi i rolit të shtetit; koordinimi i ngushtë; përshtatja e përvojës ndërkombëtare me kushtet lokale; etj.
Në vendin tonë, lufta ndaj korrupsionit kërkon angazhim serioz, në mënyrë të veçantë të organeve të pavarura dhe të specializuara të sistemit të drejtësisë. Ngritja dhe funksionimi i strukturave të posaçme kundër korrupsionit të njohura si SPAK është tepër e rëndësishme në këtë luftë, por po aq i rëndësishëm është krijimi i besimit të shtetasve në këto struktura. Besimi është një marrëdhënie reciproke ku qytetari së pari duhet të inkurajohet të denoncojë dhe së dyti, institucionet e specializuara ligjzbatuese, në sajë të punës, profesionalizmit dhe objektivitetit të tyre duhet të përçojnë bindjen se denoncimi është trajtuar me seriozitet dhe janë kryer të gjitha hetimet e nevojshme për zbardhjen e praktikave korruptive dhe vendosjen para përgjegjësisë të fajtorëve. Nëse zinxhiri i institucioneve të angazhuara në luftën kundër korrupsionit nuk jep rezultate të prekshme dhe jo-selektive, atëherë ky besim është i vështirë të arrihet. Sfidat dhe vështirësitë në këtë drejtim janë të shumta, pasi sot, korrupsioni ka krijuar tek shoqëria një gjendje apatie duke mohuar më themeloren e nevojave njerëzore: “shpresën”.
Vendi ynë ka miratuar një ligj tepër të rëndësishëm për denoncimin e rasteve korruptive, siç është ai për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve (bilbilfryrësve). Ndërgjegjësimi i shtetasve për këtë ligj vijon të jetë në nivele të ulëta dhe po ashtu edhe zbatimi i tij. Duke patur parasysh hapësirat e këtij ligji por gjithashtu edhe të ligjeve të tjera sikurse është ligji për të drejtën e informimit apo Kodi i ri i Procedurës Penale që njeh të drejta të zgjeruara të viktimës në procesin penal, KShH, ka ngritur një rrjet të ri avokatësh për ndëshkueshmërinë e korrupsionit dhe mashtrimit financiar, kur nga këto vepra dëmtohet interesi publik. Misioni i këtij rrjeti nuk është i lehtë. I rëndësishëm në këtë drejtim është jo vetëm integriteti moral i avokatëve por edhe dëshira për të eksploruar mundësi të reja dhe për të krijuar modele pozitive të mbrojtjes dhe përfaqësimit të të drejtave dhe interesave të qytetarëve të prekur nga korrupsioni, në përputhje me legjislacionin në fuqi./AlpeNews.al
*Avokate Erida Skëndaj, Drejtoreshë Ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.
Ky material është ekskluziv i AlpeNews.al. Riprodhimi i tij në mënyrë të pjesshme apo të plotë, bëhet vetëm me lejen e redaksisë. Faleminderit!
Leave a Reply