Ka shumë gazetarë shqiptarë që nuk janë gazetarë, por vetëm mashtrues, të tillë që shkruajnë me porosi dhe për para – të pushtetit dhe krimit të organizuar. Megjithatë, duhet pasur dëshmi të fuqishme për t’ia përmendur emrin dikujt. Një shkrim i një gazete greke, nuk mjafton. Fundja, kush e ka përkthyer, kuptuar dhe verifikuar këtë shkrim? Nëse kërkohet “vetting” në drejtësi dhe në politikë, atëherë përse jo edhe në gazetari? Është urgjentisht e nevojshme.
Fjala “vetting” nuk domethënë më shumë se verifikim. Por, ka disa fjalë që në viset tona hyjnë shpejt në përdorim të përditshëm për shkak se shqiptarët kanë qejf të përvetësojnë fjalët që i thonë “të huajt”. Kështu edhe fjala “vetting” bëri një karrierë të bujshme dhe shumë të shpejtë në opinionin shqiptar. E përdorën diplomatët e huaj për të kërkuar spastrimin e sistemit të drejtësisë. Për të bërë këtë kërkohej një verifikim i gjykatësve dhe prokurorëve. Pas shumë vështirësive (në Shqipëri çdo reformë miratohet pas shumë dramave) “vettingu” kaloi. Tashmë ka filluar procesi i verifikimit të punonjësve të drejtësisë. Disa prej tyre nuk kanë arritur ta dëshmojnë prejardhjen e pasurisë së tyre të madhe dhe kanë dhënë dorëheqje apo janë detyruar të japin dorëheqje. Opozita shqiptare e akuzon qeverinë në Tiranë se procesin po e shfrytëzon për të instaluar në sistemin e drejtësisë njerëz të dëgjueshëm, të besueshëm dhe të manipulueshëm. Pushteti kundërpërgjigjet duke thënë se kjo nuk është e vërtetë dhe duke ia kujtuar aferat korruptive opozitës. Pastaj opozita kundërgodet me akuza se edhe pushteti është i kriminalizuar dhe kanabizuar deri në fyt. Politikë shqiptare.
Ishte çështje e kohës kur dikush nga radha e gjatë e politikanëve llafazanë do të dalë e do të kërkojë “vetting” edhe për politikanët. Si e kanë bërë pasurinë? Sa është i pasur Sali Berisha dhe sa Edi Rama? Sa është i pasur i biri i Berishës dhe sa vëllai i Edi Ramës? Me cilat banda janë të lidhur socialistët, me cilat grupe kriminale mbajnë kontakt demokratët? Politikë shqiptare. Po të kishte Shqipëria sistem funksional të drejtësisë, përgjigjen në këto pyetje do ta kishin dhënë instancat gjyqësore – në procese të drejta dhe të pakompromis. Meqë nuk ka sistem të drejtësisë, ka llafazani.
Kjo llafazani e Tiranës u përvetësua edhe nga politikanët e Prishtinës. Edhe këta ia nisën të thërrasin “vetting”, “vetting”. Secili prej tyre përbetohet para publikut se është i pastër si loti dhe sa më të zhurmshme janë përbetimet, aq më të mëdha dyshimet se pikërisht këta «vettingaxhinj» mund t’i kenë duart e përlyera në afera korruptive. Por, edhe këtë dilemë do të duhej ta sqaronte drejtësia. Po të kishte drejtësi.
Ditëve të fundit një pjesë e portaleve të Shqipërisë dhe të Kosovës kanë përhapur një lajm të bujshëm: një listë me emra e mbiemra të gazetarëve apo yjeve të televizioneve të Shqipërisë, të cilët, siç thuhet, kanë marrë para nga shteti grek. Nuk thuhet eksplicit përse i kanë marrë këto para, por kjo nënkuptohet: greku korrupton gazetarin shqiptar për të punuar kundër Shqipërisë. Askund deri më tani nuk është përkthyer shkrimi i plotë i gazetës greke, e cila, siç po thuhet, ka shkruar për këtë skandal dhe ka botuar emrat e këtyre shqiptarëve faqezinj. Nëse janë faqezinj.
Në jo pak portale shqiptare vetëm thuhet se “mediat greke” kanë raportuar për këtë aferë, pastaj kanë raportuar «mediat në Shqipëri» e pas tyre edhe ato në Kosovë. Çfarë zinxhiri! Cilat janë ato media greke? Sa janë serioze ato media? A mund të bëhet verifikimi i fakteve pa një hulumtim serioz të akuzave? Ka edhe gazetarë shqiptarë në Athinë, të cilët ndoshta do të mund të ndihmonin. Por, jo, sepse kjo s’bëhet, sepse nuk duhet humbur kohë, sepse duhet shfrytëzuar koha për tituj senzacionalistë që sjellin «klikime» nga «klikanët», jo nga lexuesit. Me lajme të paverifikuara apo të mangëta nuk i bëhet kurrfarë shërbimi gazetarisë. Kështu vetëm shprehet një mungesë respekti ndaj lexuesit
Ka shumë gazetarë shqiptarë që nuk janë gazetarë, por vetëm mashtrues, të tillë që shkruajnë me porosi dhe për para – të pushtetit dhe krimit të organizuar. Megjithatë, duhet pasur dëshmi të fuqishme për t’ia përmendur emrin dikujt. Një shkrim i një gazete greke, nuk mjafton. Nëse kërkohet «vetting» në drejtësi dhe në politikë, atëherë përse jo edhe në gazetari? Është urgjentisht e nevojshme. Por, tani duhet edhe një “vetting” për ato që po prezantohen si fakte se ky filan apo ai filan janë thjeshtë njerëz të paguar nga greku. Ndoshta në mesin e këtyre personave që po përmenden vërtet ka mercenarë për shkresurina, por për ta dëshmuar këtë duhet pasur më shumë energji dhe përkushtim profesional dhe më pak trimëri për të riprodhuar ca shkronja të huazuara në portale të dyshimta në Tiranë. Bota shqiptare si kurrë më parë ka nevojë për gazetari cilësore, sepse nga cilësia e gazetarisë varet edhe cilësia e debateve publike, cilësia e vendimeve politike dhe vetë cilësia e shtetit.
Leave a Reply