Po të mos ishte i njohur gjerësisht në opinionin ballkanik si aktor dhe manipulator i madh, Aleksandër Vuçiqi do ta shtinte në gjynah jo vetëm Richard Grenellin. Në konferencën për media pas takimit me emisarin e Donald Trumpit, kryetari i Serbisë u ankua se vendi i tij, si pasojë e tarifave ndëshkuese kosovare, ka humbur 435 milionë euro, domethënë 1’039’000 në ditë. Për shkak të kësaj humbjeje, tha ai, edhe pensionet në Serbi kanë rënë për 1 për qind.
Kiamet i madh. Çfarë ndjenje e keqe të dëgjosh këso lajmesh nga Serbia, e cila ka vjedhur çfarë ka mundur nga Kosova, mes tjerash edhe Fondin Pensional, duke ua plaçkitur kontributet qindra-mijëra qytetarëve të Kosovës. Vuçiqi fliste sot pranë Grenellit si njëri nga shefat e ekipit politik serb që e ka vjedhur Kosovën. Përndryshe, tha Vuçiqi, Serbia nuk qenkësh fare fajtore për asgjë. Rrjedhimisht, ai e hodhi poshtë kërkesën e Grenellit që Beogradi të ndalë fushatën për bindjen e shteteve që të tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës në shkëmbim të heqjes së tarifave doganore të Prishtinës. Ja, pra, ku ka arritur Kosova: nuk ka më kërkesa perëndimore që Serbia të pajtohet me realitetin në Kosovë, por vetëm një insistim që të ndalë demontimin e shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Vuçiq mund të vajtojë dhe të presë heqjen e tarifave nga qeveria e Kosovës. Kjo që është në detyrë nuk do ta bëjë këtë, kabineti i ardhshëm nuk shihet askund. Andaj Kosova as nuk ka zë publik. Presidenti shkëlqen si përherë me disa fraza të thata, qeveria nuk është në nivel të përgjegjësisë që kërkohet prej saj, ndërsa dy partitë që kanë dalë të parat janë larg të qenmit serioze.
Richard Grenell ka gajle të tjera, që nuk lidhen vetëm me Ballkanin. Atij i duhet një sukses në rajon në vitin e zgjedhjeve amerikane në nëntor, në të cilat do të rikandidojë shefi i tij Donald Trump, i cili tash gjendet në procedurë shkarkimi. Në konfliktin me Korenë e Veriut Trump vetëm është tërhequr për hunde nga diktatori Kim Xhong-un. Konflikti me Iranin gëlon. Në Siri rolin kryesor nga akterët e jashtëm e luajnë Rusia dhe Irani. Në Venezuelë autokrati Nicolas Maduro ende qëndron në pushtet. Javën e ardhshme Trump pritet të prezantojë një plan për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez. Gjasat që ky plan të ketë sukses nuk janë të mëdha për shkak se Trump faktikisht legalizon pushtimin e tokave palestineze nga kolonistët izraelitë. Në këtë situatë Grenell është ngarkuar që ta zbatojë në praktikë parullën: Make Kosovo Great Again! Metoda është trumpiste, gjasat për sukses të hapura. Pa hyrë shumë në detaje tashmë si suksese po prezantohen linja ajrore dhe hekurudhore mes Prishtinës dhe Beogradit. Dreqi gjendet në detaje, por me këto detaje nuk merret Grenelli.
Parimisht është mirë që pas një mungese të gjatë Washingtoni kthehet në rajon. Por, ky kthim ka disa paqartësi. Është mirë të flitet për ekonominë në Ballkan. Këtu emisari i Donald Trumpit ka të drejtë. Mirëpo, para ekonomisë duhet të flitet për problemin thelbësor politik: sabotimin që Serbia i bën shtetësisë së Kosovës dhe refuzimin për të pranuar realitetin – pavarësinë. Nisma amerikane përmban shumë të panjohura dhe jo pak rreziqe, por ndoshta edhe një shans, qoftë edhe për të zgjuar BE-në dhe Berlinin nga gjumi. Treni politik është nisur dhe diku do të shkojë. Ose: plumbi i revolës tashmë është në tytë, dikur, herët apo vonë, do të shpërthejë. Po pati sukses Grenelli për të arritur ndonjë marrëveshje dosido, kjo do t’ia shtojë shanset të jetë në mesin e kandidatëve që Trump mund t’i marrë në konsiderim si ministër i jashtëm në mandatin e ardhshëm presidencial. Tani për tani gjasat e Trumpit për t’u rizgjedhur janë intakte.
Me lëvizjet e fundit amerikane, kryetari i Kosovës mund të mendojë se gjendet në ofensivë diplomatike dhe rivalëve të tij nuk u mbetet gjë tjetër veçse të vrapojnë pas tij. Këtë mësymje atij ia kanë lehtësuar shumica e partive politike që kanë qenë në pushtet deri më tani. Nuk është nismë politike të marrësh vendim për tarifa doganore dhe të presësh që Serbia së shpejti do të pranojë pavarësinë e Kosovës. Do të ishte fantastike, por nuk është reale. Sepse realpolitika është brutale. Tarifat ndëshkuese kanë qenë një masë e duhur, por nuk duhet të shndërrohen në qëllim në vetvete. Në këtë situatë është koha e fundit që pala kosovare të gjejë një rrugë nga qorrsokaku dhe një përgjigje. Fshehja pas tarifave ndëshkuese doganore nuk mund të zgjasë pafundësisht.
Nëse ka diçka pozitive në nismën e Grenellit, atëherë kjo: shkundja e BE-së nga gjumi. Plogështia politike e Brukselit dhe e shteteve si Gjermania e kanë futur Kosovën në krizë të thellë sa i përket konsolidimit të shtetësisë. Apelet e mirëdozuara se gjoja të dy palët – Beogradi e Prishtina – paskan barabartë faj, janë hipokrizi. Sidomos hipokrizi gjermane. Ka qenë në dorën e Gjermanisë të ndikojë në heqjen e vizave ndaj kosovarëve. Ka qenë në dorën e Gjermanisë të dalë me ndonjë nismë për Kosovën. Ka qenë në dorën e Gjermanisë t’i bëjë presion Aleksandër Vuçiqit që të kthehet në rrugën e pranimit të Kosovës. Asgjë nga këto nuk i ka bërë Gjermania me konsekuencë të duhur.
Në kuptimin simbolik në raport me Serbinë në 30 vitet e fundit vlen porosia e Richard Holbrooke: politikanëve serbë po nuk ua vure revolën në gjoks, nuk ka ecje përpara. Në dështimin e BE-së në zgjidhjen e problemit mes Serbisë e Kosovës, Grenell po e sheh shansin e tij për sukses. Rrjedhimisht, për nismat e tij ai as që ka njoftuar BE-në, ndërsa raportet e tij me politikanët në Berlin janë ose të acaruara ose të ftohta. Në këtë gjendje për Kosovën nuk ka rrugë të lehtë. Kërkohet mjeshtëri politike që edhe nëse dështon nisma e Grenellit, faji të mos i mbesë Kosovës. Për këtë Kosovës i duhen udhëheqës gjakftohtë.
Leave a Reply