• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 7th, 2026
  • HOME
ENVER ROBELLI/ Të rrëmbesh një njeri…
Home
Blog

ENVER ROBELLI/ Të rrëmbesh një njeri…

April 4th, 2018 Redaktor2 Blog 0 comments

Sa e tmerrshme është fushata kundër të ashtuquajturve gylenistë në Turqi, tregon ky fakt: në ishullin Lesbos të Greqisë nëntorin e kaluar dallgët e detit sollën tri kufoma. Ishin kufoma fëmijësh. Trupa të vegjël. Viteve të kaluara deti në Lesbos ka sjellë sirianë të vdekur, çanta dhe këpucë. Por tri kufomat e fëmijëve nuk ishin sirianë në përpjekje për të shpëtuar kokën diku në Europë, në përpjekje për t’i ikur ferrit të diktatorit të Damaskut, Bashar al-Asad. Tri kufomat që dallgët i përplasën në bregdetin e Lesbosit ishin fëmijë turq, fëmijë të një familjeje që regjimi i Rexhep Taip Erdoanit i kishte terrorizuar aq shumë, saqë vendosi të marrë botën në sy, të rrezikojë për të kaluar në Greqi. Nuk ia dolën.

Mediat greke dhe turke shkruan se fëmijët i takonin një familjeje arsimtarësh turq, të akuzuar se i përkisnin Lëvizjes Hizmet të Fethullah Gülenit. Arsimtari i fizikës Hysein Madan dhe gruaja e tij Nur, një edukatore, vendosën të iknin nga Turqia për t’i shpëtuar represionit shtetëror. Sipas qeverisë turke Güleni është organizator i përpjekjes për puç më 15 dhe 16 korrik 2016. Gülen jeton në ekzil në SHBA dhe qeveria amerikane ka refuzuar ekstradimin e tij në Turqi. Shërbimi sekret gjerman thotë se Ankaraja nuk ka ofruar dëshmi se Lëvizja Hizmet e Gülenit ka qenë organizatore e tentim-puçit. Hulumtimet e mediave gjermane kanë treguar se ithtarë të Gülenit gjithsesi kanë qenë të përzier në synimin për rrëzimin e qeverisë turke dhe presidentit Erdoan, të zgjedhur në mënyrë demokratike. Sidoqoftë, fushata kundër Gülenit tashmë ka marrë përmasa të një histerie shtetërore turke dhe kjo është arsyeja që shumë shtete refuzojnë të ekstradojnë gylenistët në Turqi.

Që nga viti 2015 (para puçit) Ankaraja ka bërë kërkesë te autoritetet gjermane që të dorëzojnë 115 shtetas turq. Berlini nuk ka dorëzuar asnjë. Gjermanët nuk besojnë se këta njerëz do t’i nënshtroheshin një procesi të drejtë gjyqësor. Gjatë përpjekjes për puç në Turqi në Greqinë fqinje ikën me helikopter tetë ushtarakë turq. Përkundër presionit të Turqisë, drejtësia greke ka refuzuar dëbimin e tyre. Në fillim të marsit Turqia arrestoi dy ushtarë grekë. Ata po akuzohen se kanë kaluar ilegalisht kufirin dhe kanë hyrë në një zonë të ndaluar ushtarake. Drejtësia turke ka refuzuar lirimin e tyre, ndonëse avokatët thonë se ushtarët nuk kanë bërë ndonjë shkelje. Disa politikanë në Athinë besojnë se Turqia i ka marrë peng ushtarët grekë me qëllim që t’i shkëmbejë me oficerët turq të arratisur në Greqi. Erdoan shihet si pengmarrës.

Mediat amerikanë kanë njoftuar se zyrtarë turq i kanë ofruar para gjeneralit të dyshimtë amerikan Michael Flynn për të marrë pjesë në një operacion për kidnapimin e Fethullah Gülenit në Pennsylvania. Në Zvicër shërbimi sekret turk përmes punëtorëve të tij në Ambasadën e Turqisë në Bernë ka tentuar të rrëmbejë afër Zürichut një biznesmen të afërt me Gülenin. Operacioni ka dështuar për shkak se shërbimi sekret zviceran i ka përcjellë hap pas hapi agjentët e Ankarasë duke përgatitur një krim në Zvicër. Autoritet e Bernës ia kanë bërë të qartë Turqisë se raste të tilla nuk guxojnë të përsëriten më.

Disa struktura të sigurisë në Kosovë, me gjasë me miratimin e presidentit, kanë vepruar ndryshe: janë bërë pjesë e një plani të shërbimit sekret turk MIT për të kidnapuar 6 shtetas turq që në Kosovë kishin lejeqëndrime të rregullta. Të kidnaposh një njeri – këtë nuk e bëjnë burrështetasit. Këtë e bëjnë njerëzit pa fije morali. Andaj duhet të largohen nga postet shtetërore. Nuk mjafton të digjet vetëm ministri i Brendshëm, i cili kur mori detyrën nuk e dinte apo nuk donte ta dinte se në çfarë grope me gjarpërinj kishte futur veten. Shteti i Kosovës nuk guxon të kidnapojë njerëz. Jo vetëm për shkak se shumë qytetarë të Kosovës kanë qenë viktima të arbitraritetit dhe brutalitetit shtetëror serb, por edhe për arsye parimore: Kosova është shtet me orientim perëndimor, ku respektohen të drejtat e njeriut. Rrëmbimi i turqve dhe dëbimi i tyre është krim. Dhe për këtë krim duhet të paguajnë çmimin të gjithë ata që kanë qenë të përzier në të. Këtu nuk ka amnisti për askënd, as për shefin e AKI, as për presidentin e Kosovës, prodhuesin e krizave të njëpasnjëshme dhe të rrezikshme.

Klasa politike e Kosovës duhet të tërheq një vijë të kuqe, që krime të tilla të mos përsëriten. Dhe garancia e vetme që diçka e tillë të mos përsëritet është që përgjegjësit të ndëshkohen. Nga policët që kidnapuan njerëz të enjten e kaluar deri te krerët më të lartë të shtetit. Nëse nuk tërhiqet vija e kuqe, Erdoan nuk do të ndalet. Ai ka falënderuar sivëllain e tij në Prishtinë për aksionin e fundit dhe ka paralajmëruar rrëmbime të tjera. Në stilin e një guvernatori të Kosovës ai ka kërcënuar kryeministrin e vendit, duke i thënë se do të paguajë çmimin. Erdoan ka kërkuar që shkollat e Gülenit në Kosovë t’i dorëzohen një fondacioni shtetëror turk. Kosova nuk duhet të hyjë në aranzhmane të tilla. Më mirë t’i mbyllë të gjitha shkollat turke, sepse ato në rrethanat e krijuara do të jenë vetëm institucione (para)politike.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article Nga Hamletët e Shekspirit, tek Buendiat e Markezit. 10 familjet më “të çmendura” të letërsisë
Previous article ERJON BRAÇE/ I propozuam Ahmetajt përjashtimin nga tarifa për banorët rreth rrugës Milot-Morinë

Redaktor2

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k