• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 5th, 2026
  • HOME
ENVER ROBELLI/ Rroftë gjeli kosovar këndimgjatë dhe krenar!
Home
Blog

ENVER ROBELLI/ Rroftë gjeli kosovar këndimgjatë dhe krenar!

January 5th, 2019 F.autor Blog 0 comments

Nga Enver Robelli/

Si e shpalli qeveria e Kosovës racë të mbrojtur një gjel kosovar – dhe vendimin e arsyetoi me gjuhë pothuaj raciste dhe pavullnetshëm humoristike. Ndër argumentet që përmenden në favor të mbrojtjes së gjelit është se ai na qenkësh autokton dhe paskësh qëndrim krenar. Një shënim për një çudi kosovare.

15 tetori i vitit 2014 ka gjasa të hyjë në historinë e Kosovës. Atë ditë ministri i mjedisit dhe planifikimit hapësinor nënshkroi një vendim «për shpalljen nën mbrojtje të racës së gjelit kosovar këndimgjatë». Sipas vendimit bëhet fjalë për një lloj vendor të zbutur të gjelit. Në arsyetimin e vendimit thuhet se gjeli kosovar është racë autoktone e pulave dhe është kultivuar me mijëra vjet në trojet shqiptare – «kryesisht në fshatrat e Drenicës». Për gjelin kosovar këndimgjatë, nënvizohet në arsyetim, ka dëshmi të shumta. Për këtë gjel, sipas ekspertëve të gjelit kosovar, kanë shkruar shumë udhëpërshkrues, mes tyre edhe Evlija Çelebiu, udhëpërshkruesi i njohur osman. Për fat të keq zyrtarët e shtetit kosovar nuk japin ndonjë referencë se kur dhe ku ka shkruar Evlija Çelebiu për gjelin kosovar.

Mbresëlënës është përkushtimi i zyrtarëve për të përshkruar gjelin kosovar. Thuhet se ka varietete të ndryshme të kësaj race. Ajo e Dukagjinit këndon deri në 25 sekonda (me gjasë pandërprerë), raca e fshatit Brezhincë këndon deri në 12 sekonda, ndërsa raca e Gjilanit s’ndalet së kënduari 40 sekonda. «Secila nga këto përbëjnë varietet dhe dallohen për nga madhësia, pesha, ngjyra, zëri, melodia, tonaliteti i këndimit, por të gjithë janë racë e gjelit kosovar këndimgjatë».

Në arsyetimin e mëtutjeshëm zyrtarët e ministrisë së mjedisit dhe planifikimit hapësinor e rrisin dozën e alarmit gjuhësor. Ata thonë se gjeli kosovar këndimgjatë viteve të fundit i është ekspozuar rrezikut të vazhdueshëm «nga dy drejtime»: rreziku nga racat e huaja që kanë hyrë në Kosovë («mbarështimi me ato raca ku vjen deri te përzierja dhe humbja e tipareve gjenetike») dhe nxjerrja jashtë e ekzemplarëve më të mirë të kësaj race, të cilat merren nga vendet e tjera për mbajtjen dhe përmirësimin e racave të tyre. Kjo mënyrë e argumentimit flet mjaft për mendësinë e zyrtarëve të shtetit. Pretendohet se duhet të ruhet raca e pastër e gjelave dhe të ndërmerren masa kundër përpjekjeve të huaja (të armikut?) për ta «përlyer» racën e pastër të gjelit kosovar këndimgjatë. Sulmi nga dy drejtime kundër gjelit kosovar rrezikon dhe varfëron seriozisht racën – thuhet në arsyetimin e vendimit të ministrisë. Gjeli kosovar këndimgjatë është vlerë e trashëgimisë natyrore kosovare, nënvizohet në vendim. Vënia nën mbrojtje e këtij gjeli na qenkësh me rëndësi, sepse në rajon paskësh shtete që duan ta përvetësojnë këtë racë si racë të tyre autoktone – duke aplikuar metoda «jokorrekte, të dëmshme dhe pa kurrfarë baze historike».

Gjeli kosovar këndimgjatë ka formë specifike, sipas ekspertëve. Ai është – i zgjatur, me shpinën e zgjatur pak të lakuar, ka qëndrim krenar, të lartë, elegant dhe kokën e paskësh më të lartë në raport me majën e bishtit. Si specifikë e këtij gjeli lavdërohet edhe «kaçurota» në formë të shkronjës V. (Athua nga kjo «kaçurotë» e gjelit autokton shqiptar janë inspiruar shqiptarët kur në vitet ’90 dilnin të protestonin duke formuar shkronjën V me gishta?). Me entuziazëm të paparë ekspertët vazhdojnë të përshkruajnë sqepin, laprat, fytyrën, sytë, nënveshët, qafën, shpinën, gjoksin, barkun, krahët, bishtin, këmbët, «kaçikët», puplat, ngjyra, këndimi («i gjatë, i butë melodik. […] Nëse kombinohet me raca të tjera, humb gjatësinë e zërit, melodinë»). Gjatësia e këndimit (deri në 60 sekonda) na qenkësh elementi qenësor me të cilin identifikohet gjeli kosovar këndimgjatë. Edhe pula kosovare këndimgjatë nuk ia lëshon rrugën gjelit për nga bukuria. Ajo përshkruhet si «gracioze» dhe «elegante», «me lëvizja të theksuara». Që këtë vendim të marrë vesh edhe dynjaja, ai është përkthyer edhe në anglisht. Por, meqë në vendim thuhet se ka vende në rajon që duan t’ia marrin Kosovës gjelin, vendimi është përkthyer edhe në serbisht.

Po më 15 tetor 2014 ministri i atëhershëm i mjedisit dhe planifikimit hapësinor nënshkroi vendimin për mbrojtje me ligj të racës së qenit deltari ilir. Për këtë racë thuhet se paskësh shkruar jo vetëm osmanliu Evlija Çelebiu, por edhe «Calumella». Me gjasë fjala është për Lucius Iunius Moderatus Columella, shkrimtar romak, i cili ka shkruar sidomos për bujqësinë, kopshtarinë dhe arborikulturën. Si në rastin e gjelit kosovar këndimgjatë edhe deltari ilir, sipas autoriteteve të Kosovës, është i rrezikuar nga armiqtë e jashtëm, të cilët duan ta përvetësojnë, duke ia tjetërsuar tiparet gjenetike dhe duke e dërguar në vende të tjera, ku përzihet me raca të tjera.

Gjithsesi, mund të ketë arsye të bindshme që një racë e gjelit apo e qenit nga Kosova të vihet nën mbrojtje ligjore, por arsyetimet që jepen në vendimin e ministrisë shpeshherë nuk janë të bindshme, nganjëherë janë pavullnetshëm humoristike dhe kanë nuanca të gjuhës raciste. (Dialog Plus)

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article ANALIZA/ Kapitalizmi, kjo sëmundje që na ka hyrë deri në qelizë
Previous article SHENASI RAMA/ Këta deshën Saliun dhe Saliun morën e zgjodhën, mos na e hidhni ne fajin si shkuan gjërat

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k