• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 5th, 2026
  • HOME
ENVER ROBELLI/ Një rrëfim dhe një boshllëk
Home
Blog

ENVER ROBELLI/ Një rrëfim dhe një boshllëk

October 28th, 2018 F.autor Blog 0 comments

Në radion publike të Zvicrës këtë javë u emitua një intervistë me Lindita Salihun. Ajo foli për përvojën e saj si fëmijë refugjat, ikjen nga Prishtina gjatë luftës, ditët e kaluara mes kufirit Kosovë-Maqedoni, ardhjen në Zvicër si 11-vjeçare, vështirësitë, traumat, sukseset. Lindita Salihu, këtë duhet thënë menjëherë, ishte e jashtëzakonshme në rrëfim, e logjikshme në prezantimin e kronologjisë së ngjarjeve, bindëse, e sigurt dhe – kjo ndoshta nuk është befasi – e shkëlqyeshme kur fliste në dialektin e Bernës. Dialekti i Bernës është një jehonë e ngadalshme e zërit që emocionet i bart me njëfarë lehtësie muzikore-vajtimtare.

Megjithatë, kjo intervistë pati një boshllëk: gjatë 16 minutave sa zgjati biseda me Lindita Salihun vetëm njëherë u përmend ushtria serbe (nga e intervistuara, jo nga intervistuesja). Moderatorja fliste për «policinë», «ushtrinë», «forcat e armatosura», por pa e theksuar se bëhej fjalë për forca të shtetit serb. A ishte kjo autocensurë? Mungesë përvoje gazetareske? Paramendim? Vështirë të dihet.

Rreth 100 mijë amvisëri shqiptare në Zvicër (në mos më shumë) parapaguajnë radio-televizionin publik zviceran. 100 mijë amvisëri nga 400 franga në vit bëjnë 40 milionë franga. Kush paguan, ka të drejtë edhe të bëjë pyetje. Mediat publike zvicerane kanë ombudsperson. Çdo banor i Zvicrës ka të drejtë t’i drejtohet atij me ankesë apo kërkesë për shpjegim lidhur me emisionet e emetuara në radio e televizion.

Kur u zhvillua ndeshja e futbollit mes Zvicrës dhe Serbisë gjatë Kampionatit Botëror në Rusi, futbollistët me origjinë shqiptare bënë shqiponjën. Moderatori i televizionit zviceran këtë gjest e quajti «budallallëk». Madje duke ngritur zërin e duke bërtitur me të madhe. Kjo i irritoi disa shikues, disa të tjerë ishin të një mendimi me moderatorin. Njëri nga shikuesit u ankua te ombudspersoni i televizionit, të cilin e pyeti nëse ishte e tolerueshme shprehja e moderatorit se gjesti i futbollistëve Xhaka e Shaqiri ishte «budallallëk». Ombudspersoni e arsyetoi moderatorin. Do të ishte interesant të dihej se si do ta arsyetonte ombudspersoni i radios faktin se në një intervistë për ikjen nga lufta e Kosovës të një vajze kosovare të mos përmendet shkaktari i tragjedisë – ushtria, policia, forcat paramilitare serbe, politikanët e Beogradit, shumicën e të cilëve i ka akuzuar Carla Del Ponte, e cila para se të shkonte në Hagë si kryeprokurore, këtë detyrë e ka ushtruar në Zvicër.

Duke qenë komunitet memec, i paorganizuar, shpesh histerik në reagime, nuk duhet llogaritur se ndonjë shqiptar me banim në Zvicër do të marrë mundin dhe të pyesë radion apo ombudspersonin se si qe e mundshme të flitet 16 minuta për luftën dhe tmerret e saj dhe moderatorja të mos përmend shkaktarin.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article VANGJEL TAVO/ Varrmihësit e shpresës
Previous article ARTAN FUGA/ Dorëheqja e ministrit të brendshëm

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k