• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 4th, 2026
  • HOME
ENVER ROBELLI/ Një ftesë për Vladimir Putinin për copëtimin e Kosovës
Home
Blog

ENVER ROBELLI/ Një ftesë për Vladimir Putinin për copëtimin e Kosovës

August 1st, 2018 F.autor Blog 0 comments

Mbi takimin e viganëve të kombit: Hashim Thaçi dhe Nexhat Daci dhe planin për ndarjen e Kosovës. Ndërkohë kryeministri shijon ditët në pushtet, për aq sa e lë aty Thaçi, ndërsa opozita mbetet e ndarë, e përçarë, e hutuar. Tani është momenti vendimtar për të folur e mbajtur qëndrim. Sepse për copëtimin e Kosovës nuk mund të vendosë një president nën hetim ndërkombëtar.

Nga Enver Robelli

E pata dëgjuar Nexhat Dacin duke vajtuar në televizion ndërsa përshkruante momentin kur ia pati ndërprerë fjalën Hashim Thaçit në Kuvendin e sapothemeluar të Kosovës pas luftës. Profesor Daci tha se në jetën e tij kurrë dikush nuk e kishte sharë aq rëndë si Hashim Thaçi. Pastaj profesor Dacit iu dridh zëri dhe tha: «Unë jam rritur jetim». Si shikues s’kishe si të mos ndjeje keqardhje për një burrë që hapur po tregonte se si një oponent politik e kishte poshtëruar pafund.

Sot, sipas shkëlqësisë së tij, lartmadhërisë së tij, presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, qenka zhvilluar një takim historik. Thaçi paskësh takuar profesor, doktor, akademik Nexhat Dacin. Paskan biseduar për hallet e Kosovës. Paskan nënvizuar domosdoshmërinë që në «dialog» mes Kosovës e Serbisë të kyçen të gjithë, i madh e i vogël, natyrisht edhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. Pas gjithë këtyre pallavrave, presidenti paskësh theksuar se: «Pretendimi i Serbisë për ndarje të Kosovës gjithmonë do të jetë i papranueshëm, por në kuadër të korrigjimit të kufijve duhet të shtrohet, në procesin e dialogut, tanimë kërkesa dhe e drejta e Luginës së Preshevës për t’iu bashkuar Kosovës». Ky është tani eufemizmi i ri për ndarjen e Kosovës: korrigjimi i kufijve.

Ndërsa Ramush Haradinaj si kryeministër bashkë me suitën e tij shijojnë ditët në zyra qeveritare duke shpresuar se Thaçi do të ketë mëshirë edhe pak ditë, javë apo muaj t’i lë në pushtet, ndërsa opozita mbetet e ndarë, e përçarë, e hutuar, presidenti i vendit hapur flet për ndarjen e Kosovës. Pothuaj çdo ditë Thaçi thërret një konferencë për shtyp. Pothuaj çdo ditë përsërit banalitetet e njëjta: dialog, marrëveshje, marrëveshje e dhimbshme, kompromis, korrigjim kufijsh, pastaj menjëherë shton se nuk do të ketë ndarje të Kosovës.

Ndarja e Kosovës nuk është lojë fëmijesh. Për këtë duhet të kenë qëndrim të gjitha partitë. Nëse ka pëlqim gjithëpartiak për ndarje të Kosovës – le të thuhet kjo. Le ta thotë hapur LDK, le ta thotë hapur VV, le ta thonë hapur edhe AAK, Nisma, Partia Socialdemokrate, le ta thonë hapur të gjithë. Kjo çështje nuk mund t’i lihet në dorë vetëm presidentit, një presidenti nën hetim ndërkombëtar, lehtë i shantazhueshëm, i cili madje, siç u mësua sivjet, i paskësh borxh edhe një avokati britanik, i cili paskësh punuar në përgatitje të mbrojtjes së presidentit nëse bën vaki më e keqja (për të).

Është thënë disa herë dhe prapë duhet thënë: këtë president Kosova e ka dhuratë nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Andaj, LDK tash duhet të marrë përgjegjësi dhe të mos fshihet pas kaçubeve, duke pritur që kur këta «të krahut të luftës» ta bëjnë punën pis, vjen LDK, ah, ajo partia institucionaliste, dhe i vë punët në dyzen. Jo, duhet qëndrim i qartë tani. Nëse kjo s’bëhet, atëherë për çështjet e rëndësishme të Kosovës flasin Thaçi (me legjitimitet të kontestuar dhe i frikësuar se do të ballafaqohet me drejtësinë ndërkombëtare) dhe Daci (pa asnjë votë).

Kodi Penal i Republikës së Kosovës, neni 124, paragrafi 2, thotë: «Kushdo që në cilësinë e presidentit të shtetit nënshkruan marrëveshje ndërkombëtare ose ndonjë akt me të cilin pjesë të territorit të Republikës së Kosovës jepen apo lihen nën sovranitetin e ndonjë shteti tjetër dënohen me burgim së paku pesëmbëdhjetë (15) vjet ose me burgim të përjetshëm». Pikërisht sot për mundësinë e copëtimit të Kosovës foli vetë presidenti. Para tij ministri i Jashtëm i Shqipërisë tha se «duhet të jemi të kujdesshëm të mos hapim kutinë e Pandorës». A është kjo vetëm kakofoni? Apo ajo çfarë thuhet publikisht është vetëm për argëtim të masave, ndërsa në prapaskenë ka zhvillime konkrete për ridefinim të kufijve në Ballkan?

Në këtë tollovi verore një pyetje është me rëndësi: përse po i ngutet Hashim Thaçit? Hallet presonale me Gjykatën Speciale? Serbia nuk mund të hyjë në Bashkimin Europian pa e pranuar Kosovën. Përse, atëherë, të ngutet Kosova për të falur territor që Serbia të hyjë më shpejtë në BE dhe pastaj, eventualisht, të pengojë hyrjen e Shqipërisë dhe të Kosovës në BE? Presidenti serb Aleksandër Vuçiq flet për domosdoshmërinë e zgjidhjes së konfliktit me Kosovën, por ndonëse është gjoja i gjithëpushtetshëm, ai nuk ka kurrfarë interesi që ta pranojë realitetin në Kosovë. Ky realitet quhet pavarësi e Kosovës. Për Vuçiqin Thaçi është partner i përshtatshëm për të lozur lojëra populliste dhe të rrezikshme për ndryshimin e kufijve në Ballkan. Serbia prej vitesh është duke kërkuar partner për ndarjen e Kosovës.

Serbët e Kosovës janë vetëm një monedhë për kusuritje. Ata do të flijohen të parët nga Vuçiqi, sepse pas precedentit të ndarjes së Kosovës i vjen radha Bosnjës. Nëse ndahet Bosnja përse të jetojnë gjysmë milioni shqiptarë në Maqedoni? Përse të jetë Ulqini pjesë e Malit të Zi? Beogradi gjatë është përpjekur ta fusë në lojën e ndryshimit të kufijve Edi Ramën. E pritën në Serbi me nderime, duke ia bërë me dije se serbët nuk kanë problem me burra modernë si Edi Rama, por me krerët e fiseve shqiptar të Kosovës. Kur kancelaria gjermane Angela Merkel ia tërhoqi vërejtjen Tiranës se po bënte lojën e djallit, Rama u tërhoq. Tani këtë rol e ka marrë Thaçi. Dhe për t’i prirë procesit të ndarjes ai manipulon me të gjithë dështakët politikë. Nexhat Daci është njëri prej tyre.

Kjo aventurë është ftesë që Rusia të involvohet edhe më hapur në dizajnimin e Ballkanit, ndërsa prej Amerikës tani nuk mund të pritet një qëndrim i vendosur në favor të çështjes shqiptare. Europianët, në fund dhe si përherë, do të aranzhohen me zgjidhje dosido që do të arrijnë Aleksandër Vuçiqi, Hashim Thaçi dhe Vladimir Putini.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article MERO BAZE/ Për një debat real për “Lojrat e Fatit”
Previous article ERION BRAÇE/ Bixhozi, presidenti, propaganda dhe unë kundër të treve!

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k