Me rezultat tepër të ngushtë Lëvizja Vetëvendosje ka fituar dy komunat mbase më të rëndësishme të Kosovës – Prishtinën dhe Prizrenin. (Në Kamenicë fitorja e VV-së ka qenë e bindshme, andaj s’kishte polemika e kacafytje mes partive).
Në Prishtinë dhe Prizren beteja ishte e ashpër për shkak të peshës politike të kryeqytetit politik dhe kryeqytetit historik të Kosovës. Për Lidhjen Demokratike të Kosovës Prishtina me vite ka qenë një arenë e rëndësishme e bërjes së politikës dhe e bërjes së biznesit. Pa marrë parasysh a kanë përfituar direkt apo jo liderët e LDK-së nga qeverisja e Prishtinës, një gjë është e qartë: nga qeveria lokale e LDK-së kanë përfituar biznesmenë të afërt me këtë parti dhe figura me lidhje farefisnore.
Andaj, humbja e Prishtinës para katër vitesh për LDK-në ka qenë një goditje e rëndë. Tani, pasi Shpend Ahmeti ka fituar mandatin e dytë, LDK ka arsye të jetë e dëshpëruar edhe më shumë, por jo deri në atë nivel sa të sillet si parti anarkiste që nuk respekton vendimet e institucioneve sa i përket procesit elektoral.
Nga këndvështrimi elektoral fitorja e Ahmetit nuk mund të kontestohet. Por, fitore bindëse nuk është. Madje është një vërejtje serioze që zgjedhësit ia kanë dhënë Ahmetit dhe partisë së tij. VV është ankuar se të gjitha partitë e tjera qenkan bërë bashkë kundër saj, por para katër vitesh qenë bërë bashkë PDK dhe satelitët e saj për ta bërë Ahmetin kryetar. Atëherë kjo ndihmë ishte e mirëseardhur.
Edhe pa ndihmën e supozuar të partive të tjera, kandidati i LDK-së arriti ta sfidojë deri në djersitje Ahmetin. Duket se ekziston një masë kritike, e cila nuk është aq e kënaqur me performansën e kryetarit të Prishtinës.
VV është mirë të marrë seriozisht këtë mesazh dhe të mos njollosë njerëzit, duke i quajtur të gjithë pjesë të klaneve të dy partive (LDK dhe PDK). Nuk është e mundshme që gati 50 për qind e votuesve të Arban Abrashit të jenë militantë të LDK-së, ndërsa gjysma tjetër që përkrahu Ahmetin të jenë të gjithë engjëj të dekoruar me të gjitha medaljet e mundshme për mirësjellje demokratike.
Qytetarët nuk janë të verbër. Kanë parë në këto katër vite se si Vetëvendosje pothuaj çdo javë ka organizuar nga një eveniment për çlirimin e Çamërisë. Thua ti se Shpend Ahmeti dhe vartësit e tij në komunë nuk kanë punë tjetër përveç se të merren me tema të mëdha, me mobilizimin e lëvizjes çlirimtare për kthimin e Çamërisë në gjirin e ngrohtë të nënës Shqipëri.
Sa qesharak është ky aktivitet pseudopatriotik tregon fakti se ministri i Jashtëm i Shqipërisë para pak ditësh takoi kolegun e tij grek në Kretë dhe aty u morën vesh që çështjet e hapura të zgjidhen me dialog në të ardhmen. Çështja e Çamërisë nuk hyn në mesin e prioriteteve. Por, shyqyr që e kemi Vetëvendosjen dhe ajo kujdeset që vigjilenca atdhetare të jetë në nivel.
Në katër vitet e ardhshme qytetarët e Prishtinës nuk do të jenë të interesuar të dëgjojnë fare se çka mendon Ahmeti për Çamërinë. Qytetarët më shumë do të jenë të interesuar që qeverisja e Ahmetit të jetë transparente, të dihet a i kalon apo jo raporti i tij me kompaninë Devolli kornizat e së lejueshmes, a ka qenë qëndrimi në jaht në Mal të Zi një rastësi banale apo një favor?
Qytetarët e Prishtinës kanë nevojë urgjente që vizioni udhëheqës i kryetarit dhe ekipit të tij të kalojë dimensionin milimetrik të kifleve që u shpërndahen nxënësve në Prishtinë. Për të lënë gjurmë të dukshme dhe të mira në qeverisjen e kryeqytetit Ahmeti duhet të jetë më i pranishëm në qytet dhe më pak në Facebook, i rrethuar me adhurues të verbër që ia bëjnë qejfin për çdo punë që kryen, qoftë kjo edhe ngulja e ndonjë kunji.
Por, a nuk ka qenë premtim i ngahershëm i VV-së rrëzimi i garazheve të PDK-së? Në mandatin e parë Shpend Ahmeti ka kryer disa punë të mira në komunë. Kjo nuk mund të mohohet. Vërehet një rregull para dhe pas sporteleve, nëpër shumë zyra është hequr myku i administratave të kaluara. Por, kjo s’mjafton assesi. Prishtina mund edhe të stagnojë nëse Ahmeti e kalon këtë mandat duke bërë plane për karrierë nacionale politike ose duke u marrë me gjëra triviale siç është lufta e komandantëve të Vetëvendosjes kundër simboleve shtetërore të Kosovës.
Këtij kurthi duhet t’i shpëtojë kryetari i ri i Prizrenit Mytaher Haskuka. Nëse VV me vite të tëra ka denoncuar keqqeverisjen e PDK-së në Prizren, atëherë tani e ka rastin të ofrojë një model tjetër të administrimit të qytetit.
Fitorja e VV-së në Prizren u bë e mundshme sidomos nga LDK, andaj klithmat primitive të krerëve të VV-së se LDK na qenkësh e ngjashme me «klanin Pronto» tregojnë papjekuri politike dhe arrogancë. Nga tepria e arrogancës VV shpesh ka zënë në thua viteve të fundit dhe kjo s’përjashtohet as në të ardhmen.
Mbetet të shihet se cilat janë prioritetet e kryetarit Haskuka. Ndërtimi edhe i një xhamie, kësaj radhe në kala, apo krijimi i një rendi minimal në kaosin urban? Modernizimi i administratës apo mbushja e saj me militantë? Krijimi i kushteve për zhvillim ekonomik të Prizrenit apo menaxhimi i gjendjes ekzistuese? Shndërrimi i Prizrenit në magnet të turistëve apo humbja e kohës me heqje flamujsh, vendosje flamujsh, recitime vjershash dhe vallëzime para objektit të Lidhjes së Prizrenit?
Qeverisja e Kamenicës ka rëndësi simbolike për Vetëvendosjen. Kjo parti një kohë të gjatë ka pasur problem të gjejë një kandidat për këtë komunë (dhe për shumë komuna të tjera, gjë që u pa edhe në dështimin e njëpasnjëshëm të VV-së në shumë komuna). Qëndron Kastrati u sakrifikua mbase me dëshirë dhe nga Prishtina shkoi në periferi, në Kamenicë, ku do të qeverisë në katër vitet e ardhshme si kryetari më i ri i një komune të Kosovës. Performansa e tij do të matet edhe nga koha sa do të kalojë ai në Kamenicë.
Disa komuna të Kosovës viteve të fundit kanë pasur kryetarë me orar të kufizuar të punës, sepse pjesën më të madhe të kohës ata e kanë kaluar në Prishtinë. Duke qenë kryetar i një komune kufitare dhe multietnike Kastrati do të vlerësohet për nga aftësia e tij për të qenë kryetar i të gjithë qytetarëve dhe për të mundësuar një komunikim e bashkëpunim institucional dhe dobiprurës me Luginën e Preshevës.
Ky bashkëpunim nuk duhet të reduktohet në retorikën e rëndomtë të VV-së që sillet e mbështillet rreth simboleve dhe krekosjes me muskuj patriotikë. Nga Kamenica VV s’do të arrijë të çlirojë as Çamërinë, as Preshevën. Por, mund të «çlirojë» ndonjë rrugë në mënyrë që Kamenica dhe komunat përreth të kalojnë izolimin infrastrukturor.
Një angazhim më i madh për sjelljen e investitorëve nga mërgata do të ishte po ashtu në dobi të Kamenicës, por edhe të Prishtinës dhe të Prizrenit. Për të bërë këtë kryetarët duhet të vizitojnë bashkëkombësit në Europën perëndimore vetëm nëse kanë plane e oferta konkrete.
Vizitat me komandantë të VV-së nëpër diasporë nuk kanë sjellë asgjë në aspektin ekonomik deri më tani dhe nuk do të sjellin as në të ardhmen. Për VV-në fitoret në Prishtinë, Prizren dhe Kamenicë janë një sukses i madh dhe një obligim pambarimisht i madh. Këtë obligim duhet ta marrë seriozisht kjo parti. Sepse zgjedhjet vijnë sërish. Dhe arroganca ndëshkohet në atë çast që kalon çdo kufi.
Leave a Reply