Misioni i BE-së në Kosovë i tillë siç është duhet të mbyllet, sepse në vend të luftimit të krimit e korrupsionit është bërë pjesë e këtyre fenomeneve. Sistemi i drejtësisë në Kosovë mund të ndërtohet vetëm nëse vetë qytetarët e këtij vendi duan të kenë një shtet funksional. Alternativa është të jetohet edhe më tutje kështu: me shpresë se të huajt i ndjekin hajdutët dhe pastaj kosovarët mund të vazhdojnë rehatshëm gjumin. Në të vërtetë po vazhdoi ky gjumë i shoqërisë kosovare, atëherë disa fuqi si Rusia vetëm mund të fërkojnë duart dhe të hapin rrugën për forcimin e rolit të UNMIK-ut.
Malcolm Simmons e zgjodhi një gazetë prestigjioze për të publikuar lajmin e dorëheqjes së tij. Kryetari i Gjyqtarëve të EULEX-it tha për gazetën franceze «Le Monde» se po largohej nga Misioni më i madh i BE-së për shkak se nuk po luftohej korrupsioni. «Javëve të fundit kam raportuar disa raste korrupsioni brenda Misionit. Në veçanti kam ngritur çështjen e ndërhyrjes në emailin tim nga një tjetër gjyqtar i EULEX-it. Kam kërkuar nga ministria e Jashtme britanike dhe BE-ja të dërgojnë rastin në polici. Të dyja refuzuan të më mbështesin», tha Simmons. Kjo është një akuzë shumë e rëndë. «EULEX-i nuk është misioni i promovimit të sundimit dhe ligjit. Është një mision politik. Kushdo që mendon ndryshe, është naiv ose i marrë», vazhdoi juristi britanik. Simmons ka qenë pjesë e EULEX-it që nga themelimi në vitin 2008. Më 2014 ai u bë kryesues i Asamblesë së Gjykatësve të EULEX-it. Pra, bëhet fjalë për një gjykatës që ka një përvojë të gjatë brenda Misionit.
Pas dorëheqjes së Simmons EULEX ka reaguar me kundërakuza. Vetë Simmons, thuhet në një komunikatë të EULEX-it, na qenkësh nën hetime. «Përgjatë vitit të kaluar, Malcolm Simmons ka qenë objekt i disa hetimeve të pavarura në lidhje me disa pretendime të rënda kundër tij. Këto hetime janë duke u bërë nga një ekip, i cili është krijuar dhe që ndodhet në Bruksel, i kryesuar nga një ish-gjyqtar i Gjykatës Europiane të Drejtësisë. Këto pretendime janë në faza të ndryshme të hetimeve, kurse disa prej tyre janë dërguar në një Bord Disiplinor dhe tani janë në pritje të vendimit të këtij Bordi. Të tjerat janë në vijim e sipër».
Detaje të tjera EULEX nuk ka dhënë, por ka premtuar se të gjitha pretendimet e paraqitura së fundmi nga Simmons janë trajtuar me seriozitetin e njëjtë dhe, po ashtu, kanë rezultuar me hetime që janë në proces dhe duke u zhvilluar në të njëjtën mënyrë sikur edhe ato kundër tij. Përbetimet nga Brukseli se BE ndjek strategjinë «zero tolerancë» ndaj sjelljeve të pahijshme janë përsëritur automatikisht.
Skandali i fundit i EULEX-it në lidhje me Malcolm Simmons tregon sërish se ky Mision i tillë siç është duhet të mbyllet menjëherë, sepse në vend të luftimit të krimit e korrupsionit është bërë pjesë e këtyre fenomeneve. Larg më shumë se një miliard euro para të taksapaguesve europianë janë harxhuar nga EULEX-i dhe rezultati është tronditës: nuk janë arrestuar «peshqit e mëdhenj», siç premtohej në fillim, por – edhe më keq – EULEX-i është shndërruar në çerdhe intrigash, aferash e dashuriçkash të diletantëve. Edhe pas skandalit të fundit një zëdhënëse e BE-së ka paralajmëruar hetime, por si në skandalet e së kaluarës edhe kësaj radhe opinioni në Kosovë e ka vështirë të besojë se do të ketë transparencë gjatë hetimeve. Qëllimi i EULEX-it, siç dihet, ishte të ndërtojë një sistem stabil të drejtësisë dhe të merret me rastet e rënda, me të cilat nuk kishin guxim të merreshin prokurorët dhe gjykatësit vendorë. Fatkeqësisht, me kalimin e viteve gjykatësit dhe prokurorët e EULEX-it gjithnjë e më shumë u ngjajnë juristëve manipulues të Kosovës.
Që nga fillimi EULEX-i është akuzuar se nuk vepron për arsye politike as atëherë kur ka mjaft prova kundër hajdutëve lokalë. Nëse bën vaki që hajduti lokal të jetë politikan me ndikim që mund të rrezikojë stabilitetin, atëherë krerët e BE-së në Bruksel tërhiqen. Prioritet ka «stabiliteti në Kosovë». Kjo qasje është helm kundër sistemit të drejtësisë. Rrjedhimisht, pas skandalit të fundit opinioni në Kosovë nuk ka arsye t’i besojë asnjërës palë – as gjykatësit që dha dorëheqje, as përrallave të BE-së dhe të EULEX-it se tërë çështja po hetohet.
Intrigat dhe skandalet e EULEX-it rrënojnë besimin e qytetarëve ndaj BE-së. Kur krerët e EULEX-it negociojnë me të akuzuar nëse duhet të qëndrojnë në paraburgim apo në arrest shtëpiak, ky është një sinjal i keq. BE tashmë ka krijuar një aleancë me klikën e pushtetarëve të korruptuar të Kosovës. «Asnjëri nga përgjegjësit e EULEX-it nuk e thotë të vërtetën në Bruksel. Ata dërgojnë nga Kosova vetëm raporte të zbukuruara, të ashtuquajturat Okay-Reportings. Ndoshta janë të shtyrë ta bëjnë këtë për të ruajtur postet e tyre dhe për të punuar edhe më tutje për këtë Mision. Por, Kosovës kjo nuk i ndihmon», shkruante një polic gjerman i EULEX-it në magazinën «Der Spiegel» në vitin 2012.
Para disa ditësh Maria Bamieh, e cila ka qenë prokurore e EULEX-it në Kosovë dhe tani punon si avokate në Londër, tha se diplomatët e Britanisë së Madhe nuk i morën parasysh pretendimet për marrëveshje mes zyrtarëve të Misionit të BE-së dhe të dyshuarve për krime në Kosovë. Sipas Bamieh zyrtarët e kishin këshilluar të injorojë dëshmitë për pagesa ilegale. Më herët EULEX-in e patën lëkundur akuzat se gjykatësi italian Francesco Florit kishte marrë 300 mijë euro për të liruar disa të dyshuar për krime. Thuhej se pranim-dorëzimi i parave ishte bërë në një anije para Portit të Durrësit në Shqipëri. Florit kishte hedhur poshtë akuzat, por fakt ishte se ai kishte liruar nga akuza një të dyshuar për vrasje.
Të gjitha këto skandale po tregojnë se brenda Misionit që nga fillimi është zhvilluar një luftë mes shteteve të ndryshme. Disa gjykatës e prokurorë e shohin stabilitetin si prioritet dhe duan t’i mbyllin sytë, të tjerët nuk mund t’i mbyllin sytë dhe dalin në opinion, nganjëherë ndoshta edhe për të mbuluar skandalet e tyre. Kushedi. Por, një gjë është e sigurt: sa më shpejt që merr fund ky cirk, aq më mirë – për Kosovën dhe për BE-në. Sistemi i drejtësisë në Kosovë mund të ndërtohet vetëm nëse vetë qytetarët e këtij vendi duan të kenë një shtet funksional. Alternativa është të jetohet edhe më tutje kështu: me shpresë se të huajt i ndjekin hajdutët dhe pastaj kosovarët mund të vazhdojnë rehatshëm gjumin. Në të vërtetë po vazhdoi ky gjumë i shoqërisë kosovare, atëherë disa fuqi si Rusia vetëm mund të fërkojnë duart dhe të hapin rrugën për forcimin e rolit të UNMIK-ut.
Leave a Reply