Çdo ditë akuza e njëjtë nga Ramush Haradinaj: Albin Kurti, sipas tij, na qenkësh mashtrues. Këtë e thotë njeriu që ende nuk ka treguar kush ia ka paguar hotelin ultraluksoz në St. Moritz të Zvicrës dhe pse e bëri rrush e kumbulla buxhetin e Kosovës? Këtë po e thotë kryeministri, i cili për të mos humbur kohë i shkakton nga dy skandale në ditë. Përkundër bilancit mizor të keqqeverisjes, Haradinaj edhe nesër, edhe pasnesër, edhe në ditën e parë të vitit të ri do ta quaj Albin Kurtin mashtrues. Albin Kurtin nuk e kemi parë ende duke i futur duart thellë në arkën e shtetit. Kur ta shohim, nuk do të shpëtojë më lehtë se paraardhësit e tij. Kuptohet, nëse bëhet kryeministër. Ramush Haradinaj nuk është kryeministër. Është aksident politik i Kosovës.
Nga Enver Robelli
Ramush Haradinaj e ka zbuluar një hobi të ri: del çdo ditë para mediave dhe bërtet: «Albin Kurti është mashtrues». Ta lëmë anash njëherë Kurtin, i cili, si çdo politikan, ka të metat e tij, dhe t’i kushtohemi pak personit që po e quan mashtrues Kurtin, pra Ramush Haradinajt.
Ai që çdo ditë e përsërit akuzën e njëjtë kundër Kurtit, ende nuk u ka treguar qytetarëve të Kosovës se kush ia pagoi hotelin ultraluksoz në St. Moritz të Zvicrës para dy vitesh. Aty u vendos pak kohë pasi mori pozitën e kryeministrit. Dhe këtë pozitë e mori duke ia dorëzuar gati të gjitha ministritë partive të tjera, madje ministritë kryesore i mori një partiçkë me një a dy deputetë. Për Haradinajn ishte me rëndësi të jetë vetë kryeministër.
Nuk ishte hotel dosido ai në St. Moritz, por ndër më të shtrenjtit në Zvicër, aty ku dy centilitra konjak Hennessy Richard kushtojnë 252 euro. (Një centilitër është një e qindta pjesë e litrit). Përkthyer në shqip: dy gllënjka konjak këtu kushtojnë gati sa një rrogë arsimtari në Kosovë. Njohësit e hotelerisë në këtë pjesë të Zvicrës thonë se në Carlton bëjnë qejf «të pasurit dhe grabitqarët», oligarkë rusë, përfitues të privatizimeve të dyshimta në Europë, por edhe shefa firmash europiane dhe më gjerë.
Ata vijnë në St. Moritz me avionët e tyre privatë, në mënyrë fare diskrete. St. Moritzi ka një pistë për aterrim, është aeroporti në lartësinë më të madhe mbidetare në Europë. Ende nuk dihet se si ka ardhur në dhjetor 2017 nga Zürichu në St. Moritz kryeministri i Kosovës – me tren, me veturë apo me avion. Nëse ka ardhur me avion privat nga Zürichu, atëherë çmimet për një fluturim të tillë sillen nga 4000 në 4500 euro. Ky është ekscesi më banal i Ramush Haradinajt gjatë qeverisjes së tij. Eksceset e tjera janë fatale. Gjatë qeverisjes së tij iu ndanë miliona euro kompanisë Bechtel & Enka – me vendime aspak transparente.
Kjo qeveri favorizoi oligarkë e biznesmenë të afërt me partinë e Haradinajt. Kjo qeveri shpërndau para nga buxheti me një gjakftohtësi të tmerrshme. Kryeministri tha se ia ka rritur rrogën vetes për pikë të qejfit (madje saktësoi se rritja e rrogës i duhej për të blerë kravata), ai ndau para për familjet e atyre që u vranë në aventurën e Kumanovës në përleshje me policinë maqedonase. Kryeministri e lëshoi me qira vilën e tij në Dragodan (dhe qiraxhinjtë turq një ditë i priti në zyrë dhe këtë pritje ia shiti opinionit si takim zyrtar). Thonë se kryeministri është rehatuar mirë në një lagje të mbyllur në periferi të Prishtinës.
I ka blerë vilat e reja apo jeton me qira? Pyetjet e tilla janë legjitime. Të parin vendim që e mori si kryeministër Haradinaj – ishte vendim i paligjshëm (lexuesve të vëmendshëm me siguri u kujtohet: bëhej fjalë për shkarkimin e Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, pa u respektuar kriteret e parapara me ligj). A ka mashtrim më të madh se sa me vite të marrësh pjesë në aksione të dhunshme kundër qeverisë së kryeministrit Isa Mustafa për të kundërshtuar marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi dhe këtë marrëveshje ta pranosh i gjunjëzuar sapo të marrësh pushtetin? (Për korrektësi duhet thënë: në aksionet për kundërshtimin e marrëveshjes kufitare me Malin e Zi ka marrë pjesë edhe Lëvizja Vetëvendosje, atëbotë për Haradinajn Kurti ishte partner, tash mashtrues).
Madje Kurti na qenkësh edhe popullist. Ok, edhe te Kurti ka elemente të popullistit, por aksioni më popullist i vitit ishte, gjithsesi, akti teatral i dorëheqjes së Haradinajt para se të shkonte në Hagë për t’u marrë në pyetje nga Gjykata Speciale. Një kalkulim i ndyrë për të fituar poenë me lot nga qytetarët e Kosovës. Por më 6 tetor qytetarët e Kosovës nuk e shpërblyen popullizmin e Haradinajt. Nuk doli partia e tij as e para, as e dyta, as e treta. Haradinaj premtoi se Marrëveshja për vijën kufitare me Malin e Zi do të rishikohet pas gjashtë muajsh. A ndodhi jo? Natyrisht që jo. Kush është mashtrues?
Në dy vitet e tij si kryeministër Haradinaj e ka kaluar kohën duke nënshkruar vendime për emërim zëvendësministrash (rreth 90). Kjo qeveri shpiku edhe koordinatorët nacionalë për çështje të ndryshme. Poste të kota për të vjedhur para. Haradinaj, sipas opinionistit të shquar Agron Demi, emëroi një këshilltar i cili në shumë raporte ndërkombëtare ishte cilësuar si person përgjegjës për kidnapime dhe vepra të tjera kriminale. Haradinaj emëroi një këshilltar tjetër i cili është dënuar me nëntë muaj burgim me kusht për keqpërdorim të fondit në vlerë prej miliona eurosh. Lista e vendimeve dhe veprimeve skandaloze të Haradinajt që Agron Demi e pati botuar te «Koha Ditore» është mahnitëse sa i përket vulgaritetit të përmbajtjes. Jashtëligjshëm u shkarkua Bordi i Këshillit Kombëtar të Cilësisë.
«Ndërhyrjet politike në Agjencinë Kosovare të Akreditimit ndikuan që Regjistri Europian për Siguri të Cilësisë (EQAR) ta përjashtojë Kosovën si anëtare të këtij institucioni», shkruante Demi. Dhëndri 27-vjeçar i Haradinajt u zgjodh në krye të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
Haradinaj ishte më i zellshmi në mbrojtjen e listës me veteranë të rrejshëm të luftës. Madje edhe Hashim Thaçi këtu u tregua si rrallëherë në jetën e tij politike pak i sinqertë dhe tha se është gënjeshtër që Kosova ka pasur 60 mijë luftëtarë. Më së shumti mund të kenë qenë 15 mijë. Haradinaj humbi nervat, kontrollin dhe me gjuhë të shfrenuar sulmoi prokurorin («hajn i pulave») që kishte nisur hetimet kundër atyre që frynë listat me veteranë. Prokurori iku në Amerikë. Deputetë të partisë së Haradinajt kërcënuan prokurorin. Qeveria emëroi Bordin e ri të PTK-së, ku katër nga gjashtë të emëruarit kanë lidhje të afërta politike e familjare me politikanët në pushtet. Emërimet e të paaftëve në pozita të rëndësishme janë shenjë dalluese dhe karakterizuese të kësaj qeverie. Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MIT), e cila drejtohet nga NISMA, për inspektor të tregut të naftës u zgjodh nipi i kryetarit të Këshillit Kombëtar të NISMA-s. A keni parë ndonjëherë këso absurdi: para se të shkarkohej nga pozita e ministrit të MTI-së, ministri Bajram Hasani u kujdes që të shpallte zonë ekonomike hapësirën në fshatin Bajë të Malishevës, vendlindje e kryetarit të partisë së tij. Pas kësaj, Hasani shpalli zonë ekonomike edhe komunën e Vitisë, prej nga e ka vetë prejardhjen. Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik gjeti një mori shkeljesh në tenderin e Ministrisë së Infrastrukturës për sinjalizimin e rrugëve rajonale. Përkundër këtyre konstatimeve të OSHP-së, Ministria e Infrastrukturës vazhdoi me dhënien e tenderit për kompanitë e njëjta. Dy muaj pas marrjes së mandatit, Qeveria Haradinaj shpenzoi 9560 euro për blerjen e peletit për ngrohjen e rezidencës «Ibrahim Rugova», ndonëse ky objekt nuk ndodhet në listën e objekteve të trashëgimisë kulturore. Ky shpenzim u konsiderua si i parregullt nga Zyra Kombëtare e Auditimit. Para se të jepte dorëheqje nga pozita e ministres në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj shkoi në Kanada për të marrë pjesë në një aheng familjar, por zyrtarisht e paraqiti edhe si takim në selinë e NATO-s, vizitë nga e cila deklaroi se ka marrë mbështetje për transformimin e FSK-së, ani se detyra e saj nuk kishte fare të bënte me mbrojtjen. Përveç kësaj NATO nuk ka seli në Kanada. Qeveria injoroi vërejtjet e Komunitetit Europian të Energjisë se kontrata për termocentralin «Kosovën e Re» paraqet shkelje të rregullave të Traktatit të Energjisë dhe përbën ndihmë shtetërore, çfarë mund të sjellë përjashtimin e Kosovës nga Komuniteti i Energjisë. Skandalet në Ministrinë e Jashtme nuk zënë vend në një artikull si ky. Kryeministri tha se nuk ka kohë të merret me bisedimet me Serbinë, por u ankua kur të tjerët, në mënyrën e tyre, vazhduan bisedat me Serbinë. Kryeministri ra në grackën e dy humoristëve rusë dhe tha se kishte folur në telefon me kryetarin e Ukrainës, Petro Poroshenko. Këtë javë kryeministri e njoftoi opinionin se paskësh vdekur kompozitori Alfred Kaçinari.
Në të vërtetë kishte vdekur kompozitori Gjergj Kaçinari. Nejse, ky nuk është mashtrim. Është dëshmi e paaftësisë kolosale të kësaj qeverie dhe shefit të saj. Andaj sa më shpejt që kjo qeveri ikë nga zyrat, aq më mirë për Kosovën. Derisa të largohet Haradinaj do të vazhdojë përrallën se me tarifat e tij ndëshkuese ndaj Serbisë e ka forcuar pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ky është mashtrim. Asnjëherë që nga shpallja e pavarësisë pozita e Kosovës nuk ka qenë më e dobët. Besimi se Kosova vetëm duhet të mbajë në fuqi tarifat ndëshkuese dhe një ditë Serbia do ta pranojë Kosovën është mashtrim. Edhe pa ftesën nga Haga, qeveria Haradinaj kishte humbur shumicën në Kuvend. Përkundër këtij bilanci mizor të keqqeverisjes, Haradinaj edhe nesër, edhe pasnesër, edhe në ditën e parë të vitit të ri do ta quaj Albin Kurtin mashtrues.
Albin Kurtin nuk e kemi parë ende duke i futur duart thellë në arkën e shtetit. Kur ta shohim, nuk do të shpëtojë më lehtë se paraardhësit e tij. Kuptohet, nëse bëhet kryeministër. Ndërsa Ramush Haradinaj do të ishte mirë të përgjigjej në pyetjen se përse kurrë nuk doli para drejtësisë për sulmin me armë kundër një familjeje rivale në një fshat të Dukagjinit?
Kjo mbase është pyetje e panevojshme, sepse Ramush Haradinaj është mbi ligjin. Por autorë të kësaj poshtërsie politike, të zgjedhjes së një qeverie krejtësisht të paaftë, janë Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi, sepse ata me çdo kusht duan që PDK të jetë në pushtet. E kanë dëshmuar disa herë se nuk kanë asnjë problem të bëjnë koalicion me këdo që ua lë të paprekur sistemin e tyre. Ramush Haradinaj nuk është kryeministër. Është aksident politik i Kosovës.
Leave a Reply