Pikërisht në prag të Ditës Kombëtare të Zvicrës një anketë tregon se qytetarët me prejardhje të huaj i besojnë më shumë policisë dhe autoriteteve të tjera zvicerane se sa vendasit.
Këtu hyjnë edhe shqiptarët, të cilët vlerësojnë lart të jetuarit në një shtet funksional.
Një rrëfim për Fatmirin fiktiv, stërgjyshin e tij të lindur në Ferizaj më 1874, gjyshin e lindur më 1912 dhe babanë e lindur pak para Luftës së Dytë Botërore.
Ose: mërgimi mund të prodhojë edhe rrëfime të mrekullueshme. Si në rastin e Fatmirit, i cili rregullon pullazet e milionerëve zviceranë në malësinë e Bernës dhe edhe vetë gati është milioner.
Nga Enver Robelli
Zvicerani i ri është ky: quhet Fatmir, është rritur në kantonin e Bernës, ka themeluar një firmë për rregullimin e pullazeve, flet dialektin e Bernës, i cili, sipas banorëve të kantonit të Bernës, është «natyrisht» dialekti më i mirë në botë. Për dallim nga babai i tij, i cili kur erdhi në Zvicër e kalonte çdo mbrëmje duke dëgjuar lajmet për Kosovën, rreth Kosovës dhe mbi Kosovën, Fatmiri, sidomos pas pavarësimit të Kosovës, ka krijuar një distancë të balancuar ndaj vendit prejardhës.
Edhe Fatmiri dërgon para në Kosovë, por jo gjysmën e rrogës si babai i tij. Edhe Fatmiri vjen për pushime në Kosovë, por jo çdo vit, nganjëherë i pëlqen të shkojë për pushime në Spanjë apo për fundjavë në ndonjë qytet të bukur të Italisë. Çlirimi dhe pavarësimi i Kosovës i ka çliruar dhe pavarësuar edhe 200 mijë shqiptarë të Zvicrës. Dikur ardhja në Kosovë ishte mision, prononcim politik dhe akt patriotik. Tash është vetëm vizitë familjes – ose fundjavë nëpër kafehanet e Prishtinës, Pejës apo Gjilanit.
Fatmirët e Kosovës po integrohen në Zvicër. Kjo nuk është përshtypje publicistike. Këtë e dëshmojnë zhvillimet e çdoditshme. Hedh hapin e parë nga dera e shtëpisë dhe shkon të marrësh një kafe në stacionin e trenit, ku me buzëqeshje të presin nja pesë shqiptarë të zgjuar në orën 04:00 për të shërbyer popullin me pije të ngrohta. 100 metra larg banesës mund të shkosh të marrësh një pizza, natyrisht të gatuar nga një shqiptar dhe të pjekur në furrë. Thërret mjekun e syve për një kontroll dhe në telefon paraqitet dikush me mbiemrin Krasniqi. Por, mbiemri s’bën punë: zonja apo zonjusha Krasniqi është zvicerane, së paku kur hallexhiut ia bën të qartë: «Mund të vini për kontroll të syve në dhjetor». Më mirë është të mos silleni si budalla dhe t’i luteni zonjës a zonjushës Krasniqi që të bëjë një përjashtim, fundja «shqiptarë jemi, a mund të vijë këtë javë për kontroll?» Në rast të tillë zonja apo zonjusha Krasniqi do t’ju thotë: «Më vjen keq, por nuk është e mundshme. Ditën e mirë». Sa mirë që është kështu. Duhet mësuar të jetuarit brenda sistemit funksional edhe kur nuk të pëlqen, edhe kur ke harruar që me kohë të caktosh një termin te mjeku i syve.
Qe një shembull i freskët për funksionimin e sistemit: pikërisht në prag të Ditës Kombëtare të Zvicrës, më 1 gusht, një anketë tregon se qytetarët me prejardhje të huaj i besojnë më shumë policisë dhe autoriteteve të tjera se sa vendasit. Këtu hyjnë edhe shqiptarët, të cilët vlerësojnë lart të jetuarit në një shtet funksional. Enti Federal i Statistikave i Zvicrës, ky institucion i mrekullueshëm, i cili e di saktësisht edhe sa flutura dhe mushkonja i ka Zvicra, ka bërë një anketë mbi atë se si e vlerësojnë banorët e Zvicrës punën e policisë, gjyqeve, politikanëve. Dy prej tre personave me prejardhje të huaj i japin policisë notën mes 8 dhe 10 (në një shkallë vlerësimi mes 0 dhe 10). Edhe në Zvicër ka policë racistë, por me gjasë shumica janë profesionistë dhe korrektë ndaj çdokujt. Zviceranët «e vërtetë», bio-zviceranët, ata me mbiemrin Meier e Müller, i japin policisë notën 7,4 – dukshëm më ulët se të huajt. Megjithatë, edhe ky vlerësim është ndër më të lartit në Europë.
Stërgjyshi i Fatmirit ka lindur në Ferizaj në vitin 1874, kur ishte hapur hekurudha Mitrovicë-Selanik. Këtë hekurudhë e ndërtoi «Compagnie des Chemins de fer Orientaux» ose në osmanisht: «Demiryolu or İstanbul-Viyana Demiryolu». Aksionarët udhëhiqeshin nga bankieri austriak, Baroni Hirsch. Po të mos shpërbëhej Perandoria Osmane stërgjyshi i Fatmirit do të përfundonte si shitës salepi në Stamboll apo si rojtar hekurudhash në drejtim të Bagdadit. Fatmiri sot ndoshta do të ishte refugjat sirian në Köln të Gjermanisë. Fatimri do të quhej ndoshta Faruk.
Gjyshi i Fatmirit lindi në vitin 1912, kur Perandoria Otomane po tërhiqej nga Ballkani dhe Serbia po pushtonte Kosovën dhe Maqedoninë. Gjyshi i Fatmirit ishte analfabet. Si gati tërë Kosova. Në atë kohë, në fillim të shekullit të XX, i vetmi shqiptar i Kosovës që ishte i aftë të kuptojë gjeostrategjinë politike ishte – Hasan Prishtina. Babai i Fatmirit u lind pak para Luftës së Dytë Botërore. Kreu shkollën fillore, shërbeu në Armatën Popullore të Jugosllavisë dhe shkoi në Zvicër për të punuar në një ahur lopësh në Malësinë e Bernës. Në këto vise u lind Fatmiri, i cili tani rregullon pullazet e milionerëve zviceranë në malësinë e Bernës dhe edhe vetë gati është milioner. Mërgimi mund të prodhojë edhe rrëfime të mrekullueshme. Dhe këto rrëfime janë të bërë të mundshme për shkak të orientimit perëndimor të shqiptarëve.
Në komentin e gazetës «Tages Anzeiger» me rastin e 1 gushtit, mes tjerash, thuhet: «Kush është pjesë e Zvicrës? Vetëm zviceranet dhe zviceranët? Vetëm ai që është lindur e rritur këtu? Po të ishte kështu, ne do të ishim një vend i varfër – në aspektin kulturor, politik, ekonomik. Prosperiteti i Zvicrës nuk bazohet në izolim. Suksesi i Zvicrës ka qenë i mundur për shkak të hapjes. Hugenotët francezë e bënë të madhe industrinë tonë të orëve, mërgimtarët italianë ndërtuan rrugë e tunele. Pa mërgimtarët me kualifikim të lartë ekonomia e Zvicrës nuk do ta kishte kaluar kaq mirë ndryshimin strukturor gjatë viteve të fundit. Pa mjekë të huaj dhe infermiere spitalet dhe azilet për të moshuar qëmoti do të ballafaqoheshin me probleme të mëdha. Sipas ekspertit të emigracionit Etienne Piguet në 50 vitet e fundit në Zvicër kanë ardhur rreth pesë milionë mërgimtarë. Katër nga pesë prej tyre më vonë janë kthyer në vendet e origjinës ose kanë mërguar gjetiu. Ndërkohë ata e kanë bërë Zvicrën më të pasur».
Si Fatmiri, për shembull. Apo si Valon Behrami. Dhe qindra-mijëra shqiptarë të tjerë. Ata kanë vendosur të jetojnë në Besëlidhjen Zvicerane. Urime 1 gushti!
Leave a Reply