Fenomeni i mbiçmimit të lekut kundrejt euros në tregun e brendshëm valutor është duke ndikuar negativisht edhe eksportet shqiptare në vendet e Eurozonës, duke i bërë ato më pak eficente dhe konkurruese. Fenomeni, brenda kuadrit teorik të problemit, është i lidhur me të ashtuquajturin rreziku i këmbimit valutor (FX risk), i cili përkufizohet si mundësia që një eksportues shqiptar (shitës) të përfitojë në të ardhmen më shumë ose më pak sesa parashikimet e tij, në një valutë të huaj (si p.sh. dollari amerikan ose euro), nëse kursi i këmbimit valutor ndërmjet monedhës kombëtare dhe monedhës së huaj është i luhatshëm (independent floating), siç është rasti i Shqipërisë dhe nëse ai ka rënë dakord, kryesisht në bazë të një kontrate, që ta pranojë pagesën për mallin ose shërbimin e shitur/ eksportuar në monedhën e blerësit.
Në këtë kontekst, kur diskutohet për fenomenin e euroizimit, efektet negative të mbiçmimit të lekut kundrejt euros i ndjejnë eksportuesit shqiptarë, të cilët kanë rënë dakord që të paguhen në euro për produktet që ata shesin/eksportojnë në vendet e Eurozonës. Në këtë kuptim, duke qenë se edhe nga nivelet më të larta të Bankës së Shqipërisë pranohet se kursi i këmbimit ndërmjet euros dhe lekut, i cili përcaktohet lirisht në treg, është “jashtë parametrave normalë”, kjo ndikon edhe fuqinë konkurruese të eksporteve shqiptare, pra, fenomeni i mbiçmimit të lekut kundrejt euros jashtë normales godet rëndë një sektor kyç të ekonomisë shqiptare, bizneset eksportuese shqiptare në Eurozonë.
Shprehja se kursi i këmbimit ndërmjet lekut dhe euros “është jashtë parametrave normalë”, ndaj Banka e Shqipërisë duhet të ndërhyjë, është një deklarim sipërfaqësor mbi fenomenin, sepse nuk bën transparente arsyet që qëndrojnë në themel të tij, ndonëse në mënyrë të nënkuptuar pranohet se nuk jemi para një fenomeni që merr shpjegim nga arsyetime mbi ligjësi normale ekonomike. Më saktësisht, shumë ekspertë nuk besojnë se fenomeni i mbiçmimit të lekut mund të shpjegohet me arsye të nxjerra nga fondamentet e zhvillimit të ekonomisë shqiptare.
Prej këtej, mund të arsyetohet më tej se ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë për t’iu kundërvënë fenomenit, duke tërhequr apo injektuar likuiditete në euro në tregun valutor shqiptar, nuk mund të jenë adekuate, pra, mbetet të jenë vetëm sipërfaqësore. Siç pranohet tashmë edhe zyrtarisht nga drejtuesit e këtij institucioni, rënia e ‘euros” ka rezultuar në një sfidë për Bankën Qendrore, sepse konvencionalisht këto ndërhyrje kryhen për të moderuar apo qetësuar një “trend të përkohshëm” ose sezonal, që mund të vihet re në luhatjen e kursit të këmbimit ndërmjet euros dhe lekut, duke iu kundërvënë faktorëve të tillë si spekulimet në treg dhe/ose dukurive të përkohshme sezonale si hyrja e euros nga turistët/emigrantët që kthehen në atdhe për pushime.
Situata, pra e fenomenit të mbiçmimit të lekut, prezanton një racionale të re sepse është e shkaktuar nga një faktor i ri, ai i infuzionit në treg të euros krimininale, duke vënë në dukje fenomenin e ri të “financës kriminale”, si një alternativë e kreditimit të bizneseve jashtë sistemit bankar. Është pikërisht pra kjo “zonë gri” e ekonomisë dhe financave informale, e cila besohet nga shumë ekspertë të jetë shkaku apo faktori kryesor i rënies së euros dhe mbiçmimit të lekut.
Nga ky këndvështrim, argumentet zyrtare se e ashtuquajtura “politika e deeuroizimit të Bankës së Shqipërisë”, e implementuar në një koordinim të bashkërenduar me institucione të tjera rregullatore në “orbitën” e ekzekutivit, do të përmirësojë “efektivitetin e politikës monetare” apo do të përmirësojë të ardhurat nga “turizmi” etj., tingëllojnë të pamjaftueshme dhe jobindëse. Shqipëria duhet të përballojë pa komplekse, qoftë edhe në mënyrë profilaktike dhe të adresojë nën dritën e objektivave të tjerë ligjorë, fenomenin e zhvleftësimit të euros, që duket të jetë fenomeni real i “financës kriminale”.
Ky fenomen paraqet rrezikshmëri të veçantë, sepse “financa kriminale” ka lidhje të ngushta me “financën politike” dhe mund të shkaktojë “shkrirjen” (the legal meltdown) të vetë shtetit, ndryshe nga kriza e vitit 1997, ku shteti ra nën “grushtet e bashkuara” të financave piramidale dhe bandave kriminale. Nga ky këndvështrim, është rasti të parashtrohen në mënyrë modeste disa sugjerime, që i shërbejnë shëndoshjes së qeverisjes rregullatore të sektorit financiar:
1-Është tejet e vonuar situata në të cilën ndodhemi, kur ende nuk është ndryshuar ligji organik për Bankën e Shqipërisë dhe i institucioneve të tjera mbikëqyrëse (watchdog) të sektorit financiar, duke pohuar në mënyrë të shprehur në tekstet e këtyre ligjeve si objektiva të të këtyre institucioneve “mbrojtjen e reputacionit të sistemit financiar dhe reduktimin e krimit financiar”.
Kjo do t’i shërbente edhe debatit aktual që zhvillohet në publik dhe në arenën ndërkombëtare mbi besueshmërinë së kandidaturës së Shqipërisë për të hapur negociatat e anëtarësimit si shtet anëtar në BE. Për të reflektuar në lidhje me krizën e vitit 2014, deri më sot, Banka e Shqipërisë, në datën 02.12.2015, me vendimin nr. 90 të Këshillit Mbikëqyrës, ka miratuar statutin e saj të ri.
Ky statut, përveçse dështon të adresojë problematikat tradicionale të qeverisjes së saj të brendshme, tashmë të pranuara përgjithësisht, përmban edhe gafa të tilla profesionale, si ato të nenit 1, pikat 2 dhe 4, sipas të cilave Banka e Shqipërisë ka pavarësi “administrative dhe financiare”, pavarësi që nuk e ka as Banka Qendrore Europiane, mbi modelin e së cilës është ndërtuar, ose më saktë është kopjuar, pavarësia e pretenduar e Bankës së Shqipërisë.
E vetmja pavarësi që ka Banka e Shqipërisë dhe e vetmja pavarësi që Gjykata Europiane e Drejtësisë i ka njohur Bankës Qendrore Europiane është “pavarësia e politikës monetare”, madje, Gjykata Europiane e Drejtësisë ka mohuar shprehimisht se BQE gëzon “autonomi administrative”. Rendi administrativ i Bankës së Shqipërisë, ashtu si ai i BQE-së, i nënshtrohet rendit dhe parimeve të përgjithshme kushtetuese dhe administrative si të çdo institucioni tjetër të shtetit shqiptar. Aq më pak, Banka e Shqipërisë ka ndonjë pavarësi financiare, e hedhur poshtë si argument nga Gjykata Europianë e Drejtësisë ne çështjen e famshme OLAF, përndryshe pasqyrat financiare të Bankës së Shqipërisë nuk do të verifikoheshin dhe auditoheshin nga kontrollorët e jashtëm dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit.
2-Është e nevojshme të ndërmerren nisma konkrete ligjvënëse për shmangien efektive të konflikteve të interesave në veprimtarinë e sektorit bankar dhe financiar, si atij publik, ashtu edhe privat, duke rritur transparencën dhe disiplinën në tregun ekonomik dhe financiar.
3-Institucionet mbikëqyrëse duhen shndërruar në institucione të mirëfillta teknokratike dhe neutrale dhe duhet përmirësuar me përparësi qeverisja e tyre e brendshme. Parlamenti shqiptar duhet të miratojë një rezolutë, deri në hartimin e ndryshimeve legjislative, ku të kërkojë nga këshillat mbikëqyrëse të institucioneve rregullatore verifikimin ex post (a posteriori), dhe në të ardhmen ex ante (a priori,) të çdo emërimi në funksionet drejtuese dhe të çdo transaksioni në vlerë të konsiderueshme brenda sektorit financiar publik dhe privat, të kryer në situatat e konfliktit të interesit, pasi, siç dihet, janë këto situata “pjellore” ku lulëzon “korrupsioni dhe krimi financiar”.
4-Duhet të përcaktohen kritere objektive dhe transparente për emërimet që kryhen në Këshillat Mbikëqyrëse dhe bordet drejtuese të institucioneve rregullatore, duke parandaluar emërimin e individëve me background politik ose nga sektori privat, pasi eksperienca shqiptare dhe standardet ndërkombëtare, dëshmojnë dhe sugjerojnë se emërime të tilla, janë problematike dhe rrezikojnë të komprometojnë pavarësinë institucionale.
5-Së fundmi, një nga aspektet e ushtrimit të sovranitetit monetar të shtetit shqiptar, që i përket prerogativës ligjvënëse të Parlamentit (lex monetae) dhe jo funksionit të Bankës së Shqipërisë, si institucion agjent i specializuar për ekzekutimin e politikës monetare, është edhe kontrolli i këmbimeve valutore apo lëvizjeve të kapitalit për arsye të sigurisë kombëtare.
Në këtë drejtim, rregullorja nr. 70 datë 30.09.2009 “Për veprimtarinë valutore” e Bankës së Shqipërisë, si një dokument kryesisht me karakter deklarativ, i hartuar në kuadër të detyrimeve të Shqipërisë për implementimin e MSA me BEnë për liberalizimin e lëvizjeve të kapitalit, përfaqëson një akt nënligjor, që nuk ofron garanci juridike efektive për kontrollin e lëvizjeve ndërkufitare të kapitaleve të paligjshme. Është koha, që si shumë nga vendet fqinje të rajonit, Shqipëria të miratojë një ligj të mirëfilltë që trajton në mënyrë koherente të gjitha aspektet e lëvizjes së lirë dhe kontrollit të ligjshëm të kapitaleve monetare valutore ndërkufitare.
Leave a Reply