Sot dhe dje rrjetet sociale kudo ishin të tej mbushura me fotografi fëmijësh të veshur me uniforma shkollore e sigurisht nuk mungonin as buzëqeshjet e tyre të sinqerta e plot shkëlqim, të gatshëm për ditën e tyre të parë të shkollës. Uniformat shkollore kanë historinë e tyre shumë të hershme. Mendohet të ketë origjinën në Angli në shekullin e 16-të, kur fëmijet e një shoqate për bamirësi në prezantimin e një konvikti të një shkolle fetare u veshën me një mantel blu dhe çorape të verdha. Megjithatë, uniformat shkollore në konceptin modern janë një manifestim i veçantë i një uniformizimi më të përgjithshëm të popullatave, për të përmbushur kërkesat e industrializimit, kapitalizmit por edhe patriotizmit kombëtar. Megjithëse historikisht disa shkolla kanë pasur në rregulloret e tyre uniformat për arsye fetare ose për të ruajtur “traditën” e tyre, ato në përgjithësi janë frymëzuar nga koncepti estetik i bukurisë për të ruajtur një rend shoqëror më të sigurt.
Sot, uniformat në shkollat amerikane por edhe ato europiane ndjekin përdorimin tradicional të uniformave duke arritur në përfundimin se ato kanë “ulur ndjeshëm problemet e disiplinës”. Hulumtimi në vitin 2017 tregoi se uniformat e shkollave ndaluan fenomenin e bullizmit. Por nuk ka prova bindëse për të treguar se ato ndikojnë në përmisimin e rezultateve dhe formimin e tyre akademik. Përkrahësit pohojnë se uniformat e shkollave i bëjnë shkollat më të sigurta për studentët, krijojnë një “fushë loje të barabartë” që redukton pabarazitë socio-ekonomike dhe inkurajon fëmijët të përqëndrohen më shumë në proçcesin e nxënies dhe jo tek veshjet e tyre. Më 3 janar 1996, presidenti Bill Clinton në fjalimin e tij në Kongresin vjetor me mësuesit amerikan, shprehej se uniformat ndihmojnë fëmijët të “ndihen të lirë” dhe zvogëlojnë krimin dhe dhunën. Por kishte dhe nga ata që e kundëershtuan fort deklaratën e tij duke argumentuar se veshja e një uniforme ndikon në uniformizimin e njerëzve si koncept, si një qenie që kërkon uniformitet, ngjashmëri, kompromis dhe mungesë diversiteti.
Dilema e uniformës apo kodi i veshjes në shkolla vazhdon të krijojë debate edhe sot. Por deri në ç’masë uniformat e shkollave në të vërtetë ndikojnë në kërcënimin e autonomisë, vetëvlerësimit dhe dinjitetit të studentit?
Duhet të jenë autoritet arsimore, mësuesit, drejtuesit, prindërit dhe studentët të përfshirë të gjithë së bashku për arritjen e një vendimi jo vetëm për veshjen e një uniforme apo jo por gjithashtu të ofrojnë një shumëllojshmëri uniformash duke iu përshtatur gjinisë, kushteve klimatike; Me rëndësi është fakti që uniformat duhet të futen shumë herët, në ciklin e ulët, kështu nxënësit të mund të mësohen lehtësisht me to në vitet në vijim. Për materialin e copës, cilësia dhe koloriti është i rëndësishëm që të mund t’i rezistojë mjedisit, ndotjes, dhe t’i përshtatet tipit të lëkurës së nxënësve, dhe mbi të gjitha të jetë i rehatshëm. Ngjyrat e preferuara janë bluja apo jeshile e errët, e zezë, gri, kafe, të kombinuara këto me të bardhën.
Ndërkohë që shumë shkolla e kanë uniformën të detyrueshme, disa prej tyre janë shumë liberale, duke kërkuar që studentët të ndjekin një kod të veshjes vetëm. Shumë shkolla britanike duke patur një histori të gjatë të uniformave shkollore, kanë ndikuar në kodet e veshjeve diku tjetër madje duke u kthyer në trend dhe stil të përditshëm. Uniformat e shkollave më me famë për nga reputacioni si Eton dhe Harrow, u kthyen në modë për brezat e ardhshëm. Shumë artist e këngetarë të njohur kanë preferuar vazhdimisht të prezantohen në vidioklipet e tyre me look-un e studentit me uniformën e kolegjit, si psh Britney Spears me këngën ‘Baby one more time.’ Deri në vitet 1920, një uniformë tipike e djemve për shkollat e mesme dhe ato të larta përbëhej nga një kostum gri (ose xhaketë sportive prej leshi ose pambuku) dhe kravatë me ngjyrat e shkollës si dhe badge. Një uniformë tipike per vajza; një fustan, ose fund me pala, jakë të bardhë mëndafshi, xhaketë blunavi, çorape të zeza, sigurisht dhe një kapele panama.
Leave a Reply