Televizioni thotë Sartori është një mjet komunikimi, por është mbi të gjitha një instrument antropogjenetik dhe pikërisht si i tillë ka prodhuar një tjetër lloj njeriu homo videns (njeriu që sheh) i cili ka humbur mundësinë për të pasur një mendim racional, domethënë atë të mendimit të ideve të qarta dhe të veçanta.
Vitet e fundit publiku ka përjetuar një ushtrim marramendës të pushtetit të imazhit. Televizioni dhe në përgjithësi të gjitha mediat, kanë pasur një lloj fuqie të pakundërshtueshme në çdo sektor të jetës shoqërore, politike dhe ekonomike. Ekrani i vogël, në këtë mënyrë ka pasur një epërsi mbi fjalën e shkruar, ku imazhi jo vetëm nuk ka qenë në krah me fjalën por e ka mbisunduar atë. Nëse do të mund të ruhej një ekulibër atëherë mund të pretendonim për një situatë ideale komunikimi, të cilat ndërveprojnë me njëra- tjetrën duke qenë plotësuese të secilës.
Në fakt, detyra aktuale sot për median si dhe drejtuesit e tyre përfshirë dhe gazetarin është përpjekja për të shmangur ekzagjerimet jo vetëm në përmbajtje por edhe në formë sepse roli kryesor është ai emancipues. Për të kuptuar dhe parë më qartë çfarë është imazhi në një televizion dhe rëndësinë e tij, le të hedhim një vështrim të shpejtë dhe kritik mbi figurën kryesore të ekranit, atë të gazetarit i cili duket të shfaqet në shumësinë e herëve një maratonomak i vërtetë.
Folësi i lajmeve apo dhe gazetari, është një profesion tejet i veçantë sepse në përmbajtjen e tij ky profesion në fund të ditës mbetet një mision. Kështu komportimi, e folura, e veshura dhe të gjitha së bashku përcjellin mesazhe tek publiku nga më i thjeshti deri tek më i rafinuari. Kuptohet thelbi i këtij profesioni, mbetet komunikimi si art i të folurit bukur, mbartës i një kulture gjithëpërfshirëse, që i bën ata specifikisht të ndryshëm nga njeri-tjetri.
Në përgjithësi, për të krijuar një imazh të kënaqshëm për kameran është të orientohesh drejt thjeshtësisë dhe pastërtisë së portretit. Kjo për shkak se sot në një botë të re dixhitale, edhe kamerat me cilësinë më të mirë HD, nuk i lexojnë imazhet në të njëjtën mënyrë si i lexon syri i njeriut.
Koha kur gazetarët kundërshtonin bindshëm konsulentët e imazhit ndoshta dhe me të drejtë mbi look-un e tyre, sot duket e largët, sepse gjithçka ka të bëjë me pamjen. Nga eksperienca, një gazetar mund të mendojë dhe shprehet se nëse lajmi është me interes dhe i dobishëm për teleshikuesin, atëherë ata do të mund të ndjekin dhe ta vleresojnë atë pa patur ndonje paragjykim mbi veshjen apo dhe pamjen e gazetarit. Sigurisht për një gazetar, fokusi duhet të jetë lajmi apo historia njerëzore por gjithashtu ai duhet të shfaqet i veshur mirë. Është përgjegjësi për çdo gazetar të respektojë teleshikuesin, i cili i fton ata në shtëpinë e tij, në tryezën e shtruar me aq kujdes ndaj dhe gazetarit i duhet t’i përshtatet me aq kujdes dhe elegancë, pasi ka zënë një hapësirë të madhe të jetës së tyre. Ata duhet të kenë besim te ju dhe të ndihen mirë për çfarë dëgjojnë dhe shikojnë njëkohësisht.
Por a ndodh të jetë kështu në praktikë, në ekranet tona? A janë sot gazetarët të vetëdijshëm për rolin e imazhit personal? A eshte sot imazhi i gazetarit atje ku duhet, a vleresohet dhe a i jepet rëndësia e merituar nga ana e drejtuesve të medias? A kemi pasur ose kemi sot një model ku teleshikuesi të mund t’i referohet jo për tu bërë një kopje e tij por t’i ngacmojë imagjinatën dhe formimin e tij intelektual. A duhet të ketë konsulent imazhi për kujdesjen e gazetarit? Dhe nëse po, a bëhet ky profesion, d.m.th kujdesi i imazhit, nga njerëzit e duhur apo është një zgjedhje nga halli dhe krejt rastësore? A duhet t’i besojmë mendimit kritik të tij apo duhet të jetë nën diktat të disa sterotipeve të krijuara ngurtësisht dhe formatuar nga papjekuria e moshës ose uria e madhe e të qenurit protagonist.
Sot, kodi i veshjes për spikeret e lajmeve ka ndryshuar duke u lehtësuar shumë dhe modernizuar njëkohësisht. Ndërkohë në vitet ’80 –‘90 veshja e tyre ishte shumë më konservatore dhe tejet formale. Gazetarët e lajmeve në atë periudhe vishnin vetëm xhaketa ose kostum, ndërsa sot folësit mund të veshin edhe një fustan pa mënge apo dekolte, zbukurime të lehta si varëse apo vathe, apo dhe një grim pak më të guximshëm por kjo nuk do të thotë të tejkalosh masën, duke ndjekur me fanatizëm modën e fundit përndryshe duket sikur veshja mund të dominonte mbi historinë njerëzore. Zgjedhja më profesionale është të vishesh siç duhet për historinë dhe mesazhin që don të përcjellësh si në studio ashtu edhe në terren. Kod apo jo, veshja duhet t’i përmbahet disa normave të caktuara.
Shohim jo pak herë në ekranet tona moderatorë që ndryshojnë shpesh pamjen e jashtme në një hark të shkurtër kohor, duke e tepruar deri në ekzibicionizëm pamjen e tyre të jashtme. Ata mendojnë se tregohen më atraktiv se ç’duhet, duke përdorur tone të forta sysh e buzëkuq të thellë në kolorit, por këtu mendoj se gabohen. Por më keq akoma shohim se si ky model shumohet në mënyrë qesharake edhe nëpër dritaret e tjera televizive aq sa vet teleshikuesi, ndihet në kurth për të kuptuar se cili është sot modeli i duhur për ta por edhe për vetë drejtuesit të cilët kurojnë profesionalisht imazhin e tyre mbi bazën etikës dhe standartit që kërkon ekrani, i cili ka ligjet e veta.
Themi që televizioni është imazh i rëndësishëm i një shoqërie por në fakt tek ai investohet pak ose në menyrën e gabuar sepse media duke qenë në krizë i ka dhënë hapësire çdo personi të marrë pjesë në të, mjaft të pëlqejë modën dhe të ndjekë trendet e fundit të Guccit apo Armanit. Por një gjë duhet ta themi qartësisht, ekrani ka modën e tij, që sigurisht ndjek me syrin e akullt të kameras modën e të tjerëve, për të marrë atë që i duhet dhe i nevojitet ashtu siç bën edhe me fjalën e shkruar, duke çliruar gjithë potencialin shprehës të gazetarit model në këtë epokë moderne dhe për të cilin une besoj se kemi por që duhet gjendur tek syri kritik dhe i sinqertë i teleshikuesit dhe te askush tjetër. Ekrani dhe teleshikuesi, kanë çelësin e suksesit per gazetarin. Tre janë parimet bazë të sfidës që ai ofron; thjeshtësia, hijeshia, bukuria dhe intensiteti./AlpeNews.al
Ky opininon është ekskluziv i AlpeNews.al. Riprodhimi i tij në mënyrë të pjesshme apo të plotë, bëhet vetëm me lejen e redaksisë. Faleminderit!
Leave a Reply