Filmi ka luajtur një rol të rëndësishëm në promovimin e stilit si dhe Kulturës Materiale, por nga elitat e modës, deri në fund të 1920 veshjet e aktorëve të Hollivudit ende konsideroheshin një stil i tepruar apo i ekzagjeruar. Por ky imazh i vulgaritetit nuk do të zgjaste për shumë kohë, madje vitet ’30-’50 të
shekullit XX, për Hollivudin do të quheshin Epoka e Artë Stilistët të asaj periudhe i dhanë një look të pastër dhe të sofistikuar yjeve të kinematografisë, ku më shumë se sa modë, brënda kishte histori duke shfaqur potencialin femëror dhe një burim i mirëfilltë edukimi për imazhin e tyre në jetën e përditshme.
Moda e filmit paraqet veshje luksoze dhe romantike për gra, si ato që shohim në filmin “Mëngjesi te
Tiffany”( 1961), “Roberta”(1935), “Gatsby i Madh”(1949), duke paraqitur një hijeshi aristokratike si psh fimi “Mëngjesi te Tiffany”, e bukura Audrey Hepburn me fustanin e saj pa mëngë, doreza të gjata të bardha, me syze të mëdha të zeza, kthehet në një ikonë të modës si dhe mishërim i joshjes. Yjet e Hollivudit ose siç u quajtën më vonë “Bukuri Hollivudiane” u bë motori për formimin e industrisë së Modës në një spektër stilesh si psh. stili mascuiline (mashkullor) të aktores ektravagante Marlene Dietrich, e famshme për veshjen e saj kostum me pantallona, këmishë e bardhë dhe një beretë në flokë e këpucë me taka të ulëta. Ky stil, solli ndryshimin më të rëndësishëm të modës së shekullit. Moda e pantallonave të yjeve të Hollivudit si Marlene Dietrich, Greta Garbo, nxori në pah një feminitet më transgresiv, dëshirë për aventurë dhe në kërkim të vetes për të përmbushur dëshirat dhe kënaqësitë e tyre.
E për rrjedhojë ky stil ishte një revolucion për femrën dhe statusin e saj në shoqërinë e viteve ’30. Është e qartë se Hollivudi ndihmoi në formimin e sistemit modern të modës ndërsa aktorët u bënë përfaqësues të një kulture të bukurisë komerciale. Ka pasur bashkëpunime të shumta dhe të rëndësishme midis yjeve të filmit dhe të stilistëve më me emër duke bërë bashkëveprimin më fluid dhe fleksibël si, Hubert de
Givenchy në filmin Sabrina( 1954) me ikonën e elegancës Audrey Hepburn, Ralf Lauren ka dizenjuar kostumet për aktorin Robert Redford në filmin Gatsby i Madh (1974) Giorgio Armani, ka bashkëpunuar në një numër filmash American Zhigolo (1980) me Richard Gere etj. Filmi “Bashkë me erën”, ndikoi për disa dekada në stilimin e fustaneve të nuseve, ndërkohë Dior krijoi New look, duke studiuar
kostumet dhe historinë e filmit. Stilistja surrealiste, Elsa Schiaparelli thotë se, kinemaja në mënyrë të pashmangshme do të ndikojë tek moda e së nesërmes. Për të vërtetuar teorinë e saj mjafton të
kujtosh ikonat e kinematografisë të cilët u quajtën kapsulat e kohës së tyre, ku vetëm me një veshje ose aksesorë, ndryshuan rrjedhën e modës p.sh në vitet ’50 xhaketa e lëkurës, pantallonat bluxhins si dhe T-shirt i bardhë i James Dean apo i Marlon Brandon u bë i famshëm dhe u përhap masivisht, por jo vetëm, ato u kthyen në imazhin e bukurisë mashkullore dhe shumë prej tyre kërkonin të kishin fizikun e
tyre.
Ndërsa, vitet 1970 dhe 1980, Tom Cruise dhe syzet e tij të diellit në filmin “Top Gun” (1986) dhe telefoni celular i Keanu Reeves tek “Matrix” (1999) i veshur me një pardesy të gjatë të zezë, ndikuan menjëherë në modën bashkëkohore. Moda e Hollivudit, ka nxitur në periudha të caktuara fantazinë e shumë meshkujve dhe femrave, duke pasuruar dhe kultivuar shijen e mirë të stilit personal në ndjekje të idealeve të bukurisë edhe pse sot mjetet e informacionit masiv kanë ndikuar negativisht duke u përballur me shumësimin e pandalshëm të modeleve të bukurisë, gjithsesi i mbetet spektatorit fanatik të ruajë dritën dhe glamurin e këtij spektakli, i cili është shumë më dimensionale se vet jeta jonë prej vizitori, të veshur sipas modës së fundit të markave të njohura, të reklamuara nëpër revistat të ilustruara,
televizione, pra, nëpër mjetet e informacionit masiv./AlpeNews.al
Ky material është ekskluziv i AlpeNews.al. Riprodhimi i tij në mënyrë të pjesshme apo të plotë, bēhet vetëm me lejen e redaksisë. Faleminderit pēr mirëkuptimin!
Leave a Reply