• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 8th, 2026
  • HOME
EDMOND TUPJA/ Me xhirim të ngadalësuar
Home
Blog

EDMOND TUPJA/ Me xhirim të ngadalësuar

March 26th, 2018 Redaktor2 Blog 0 comments

Ditë dimri të lagështa, me mot të paqëndrueshëm, për gjithë lexueset e lexuesit e mi, si edhe për mbarë popullsinë e këtij vendi të hallakatur.

Përmbytje nga vërshimi i lumenjve dhe nga reshjet e dendura, shtrenjtësim mizor i jetës, pasiguri gjithëpërfshirëse e saj  (treqind vjedhje e grabitje këta tre muajt e fundit), papunësi e papërmbajtshme, trafik triumfues droge, korrupsion shpërthyes, lajme, vetëm lajme tronditëse në mediet e shkruara dhe ato elektronike.

Në këtë kontekst socialekonomik të rënduar edhe nga virozat e stinës, përshtypja e parë që i krijohet njeriut të përditshëm është ajo e një jete të zymtë jo vetëm në fshatra apo qyteza periferike, por edhe në qytetet e mëdha, madje edhe në kryeqytet.

Kështu, 10 a 15 minuta larg qendrës së Tiranës, e thënë ndryshe larg ish-sheshit “Skënderbe”, kushdo që del për të shëtitur pa paragjykime, por me sytë pa perdet e pa syzet e politikës mjerane shqiptare, nuk mund të mos e ndiejë zymtësinë gërryese që ka pllakosur njerëzit, ata të përditshmit, të rëndomtit, anonimët, të cilëve u duhet detyrimisht të lodhen e të mundohen, të robtohen e të sfiliten, të rraskapiten e të dërrmohen për të siguruar bukën e gojës dhe, gjithashtu, për t’u siguruar fëmijëve një të ardhme të paktën më të mirë, më dinjitoze se e tyrja.

Çdo mëngjes e vërej vetë këtë zymtësi që ulërin heshtjen e saj të dhimbshme në sytë e atyre që shkojnë në punë, ndërkohë që mendja u rri te fëmijët apo pleqtë e sëmurë që lënë në shtëpi; këtë zymtësi e shquaj në sytë e fëmijëve të mardhur nën peshën e çantës, prindërit e të cilëve nuk kanë makina për t’i shoqëruar deri në shkollë; këtë zymtësi e dalloj në sytë e pensionistëve që, pasi hedhin plehrat në kazanët përkatës, shkojnë të bëjnë pazaret e mëngjesit duke u dridhur me duart në xhepa e me jakën e palltos (kur e kanë një të tillë) të ngritur e të kopsitur dhe që ecin kokulur e çehrevrarë, tek flasin nganjëherë me vete; këtë zymtësi e pikas në sytë e fshatarëve të ardhur nga rrethinat në tregun gati jetim të mëhallës sime për të shitur kush qumësht e gjizë, kush presh, lakra e qepë, kush rigon, mendër e erëza të tjera; të njëjtën zymtësi vë re në sytë taksistëve që presin dëshpërimisht t’u vijë dikush që ta shpien diku nga halli e jo nga malli…

Lexueset dhe lexuesit e mi seriozë e kanë fare të lehtë ta imagjinojnë se ç’nivel arrin zymtësia në fjalë përtej kryeqytetit e disa qyteteve që, në rastin më fatlum, numërohen me gishtat e njërës dorë: mjafton t’i hedhin një sy realist gjendjes së qytezave e të fshatrave qoftë edhe nëpërmjet ekraneve, dhe do të binden se jeta, për shumicën dërrmuese të banorëve të tyre, i ngjan një filmi me xhirim të ngadalësuar, si në ato ëndrrat e këqija kur njeriu vrapon sepse po e ndjek një vrasës dhe, tek vrapon, e ndien që i hedh këmbët gjithnjë e më ngadalë, ndërkohë që nga prapa dëgjon hapat e ndjekësit përherë e më pranë, pastaj dëgjon dihatjen e tij mu prapa veshit dhe… dhe zgjohet i trembur për vdekje nga të rrahur e forta të zemrës së burgosur në kafazin e kraharorit!

Në këtë atmosferë gati të përzishme, kur dëgjoj të flitet me pompozitet nga qeveritarët tanë ose nga zëdhënësit e tyre për integrim të shpejtë e të pashmangshëm të Shqipërisë sonë zymtësisht demokratike në Bashkimin Europian, më kujtohet se para rreth dyzet vjetësh në Zvicër, për të mos u quajtur statistikisht i varfër, duhej, ndër të tjera, që shtetasi zviceran, të paktën një herë në javë, të shkonte familjarisht për të drekuar ose për të darkuar në restorant, të paktën dy herë muaj të shkonte në spektakël (kinema, teatër apo koncert), të blinte çdo vit të paktën disa libra dhe të shkonte me pushime të paktën një herë në vit jashtë qytetit apo fshatit ku banonte.

Por meqë Shqipëria e shqiptarëve ende nuk është bërë si Zvicra e zviceranëve, meqë historia e shqiptarëve është fort e ndryshme nga ajo e zviceranëve, meqë mendësitë shqiptare janë edhe ato fort të ndryshme nga ato të zviceranëve, gjermanëve, austriakëve, belgëve, francezëve, çekëve e sllovakëve, pa përmendur holandezët e popujt skandinavë, nuk e kuptoj se si qeveria jonë e nderuar, për t’u hequr bashkatdhetarëve e bashkatdhetarëve të mi zymtësinë që u ka pushtuar thellësitë e shpirtit, u flet atyre për një integrim të shpejtë e të pashmangshëm në Bashkimin Europian, duke u premtuar qiqra në hell që ato dhe ata të ngopen me lugë ose, më saktë, me garuzhdë, ose edhe më saktë, me kazan të zbrazët.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article MERO BAZE/ Gjithë dështimet e pandëshkuara të “Rrugës së Kombit”
Previous article ASTRIT PATOZI/ I lutem zotit që Luli të na falë

Redaktor2

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k