• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 7th, 2026
  • HOME
EDISON YPI/ Rrahja
Home
Blog

EDISON YPI/ Rrahja

July 27th, 2018 F.autor Blog 0 comments

Megjithse piruni s’kishte arsye ta bënte vezën të vuante, dhe vetë veza s’kishte bërë asnjë prapësi dhe dhimbjen nuk e ndjente, thuhej se veza para se të skuqet, duhet rrahur.

Për ndonjërin që aspironte karrierë, pa e specifikuar pse, në ç’mënyrë, dhe me çfarë mjeti, thoshin “rreh lart”.

Për të tjerë që “rrihnin poshtë”, domethënë ishin nisur drejt greminës, nuk thuhej asgjë. Për rrahjen dhe gjithçka tjetër që ata meritonin, kujdesej syshkaba Sigurimi dhe burrnesha policia.

Rrahja ishte omniprezente. Rrahja ishte fenomen që nuk i shpëtonte dot askush. Me dajak, me grushta, me shkelma, me çizme, ose me fjalë falë newspeak-ut të George Orwellit, rrahës ose të rrahur ishin të gjithë shqiptarët.

Gjithçka që lëvizte në mënyrë ciklike apo kaotike quhej “rrahje”.

Rrahja  ishte edhe atje ku s’ta merrte mendja. Zhurmat problematike brenda gjithçkaje që rrotullohej, çvendosej, brenda motorrave ose çdolloj makinerie, quheshin të gjitha “rrahje”.

Kur doje ta përgëzoje dikend që kishte bërë ndonjë gjë të mirë, nuk ishe i detyruar të zbatoje asnjë normë mirsjelljeje, për shembull t’i thoje ndonjë fjalë inkurajuese, t’i jepje dorën, apo ta përqafoje, mjaftonte t’i “rrihje” shpatullat. Nëse ja kishe me hile ose jo, pra nëse rrahja e shpatullave do mbetej me aq apo do vazhdonte me rrahje të tjera, varej nga aftësia nuhatëse e viktimës.

Këmba, shkelmi, dora, grushti i rrugaçit, këpuca e oficerit, çizmja e ushtarit, shkopi i policit, por edhe zemra, pulsi, syri, plaga, çekiçi, varreja, akrepi i sekondave, të gjitha vetëm “rrihnin”.

Për plogështinë që shkakton ndërrimi i stinëve i ankoheshin njëritjetrit duke i thënë; Ndjehem si i rrahur.

Gjithkend që takonin në mëngjez sapo dilnin nga shtëpia i thoshin; Aq i lodhur jam sa më duket sikur më kanë “rrahur” gjithë natën dhe mi kanë thyer të gjitha kockat.

Duke hyrë në një moskuptim torturues faktiko-linguistik, pa asnjë mundësi për të kuptuar cilat ishin mjetet dhe arësyet, nuk thoshin filani kalon vazhdimisht në X rrugë, por; Filani “e rreh” shpesh atë rrugë.

Në futboll, për skuadrën që kishte pësuar më tepër gola, nuk thoshin “u mund” por thoshin dhe thonë “u rrah”.

Lebërit mburravecë “e rrihnin” aq tepër gjoksin sa gjoksi u ishte bërë gropë.

Gruaja, thoshin, është për dy gjëra, për të bërë kalamaj dhe për ta rrahur.

Di ta rrahi mirë këtë temë, thoshin për ndonjë llafazan që fliste pafund nëpër mbledhje për rrethimin e egër imperialisto-revizionist, ose të tjera gomarllëqe.

Të doje ta zbrazje ndonjë thes nuk mjaftonte ta tundje ose ta godisje me ndonjë shkop. Duhej me atë shkop ta “rrihje”.

Rrahja e kudondodhur kishte hyrë edhe nëpër proverba; “Më mirë të hash dy herë se të rrihesh dy herë”.

Era dhe dallgët kurrë nuk e preknin ose lëpinin bregun e detit dhe shkëmbinjtë; gjithmonë vetëm i rrihnin.

Nuk rrihej vetëm njeriu. Rrihej edhe mishi për biftek, qeni, macja, kafsha shtëpiake, madje edhe uji në havan.

Më tepër se të gjithë rrihnin policët nëpër rajone policie dhe gardianët nëpër burgje. Por ata dhe rrahjet e tyre askush nuk guxonte t’i zinte në gojë.

Për tu familiarizuar me rrahjen e kudondodhur, në atë mënyrë që sado e egër të ishte të mos qe fatale, e vetmja rrahje që pranohej dhe për të cilën përkujdeseshin të vazhdonte ishte rrahja e zemrës.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article ERION VELIAJ/ Teatri. Skenar i qepur keq, ata që shkatërruan Zogun e Zi dhe sheshin Skënderbej janë po ata sot
Previous article REVISTA ITALIANE/ Rama, artisti përpara politikanit. Ju tregojmë një revolucion politik udhëhequr nga e bukura

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k