• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 4th, 2026
  • HOME
EDISON YPI/ Femra perfekte
Home
Blog

EDISON YPI/ Femra perfekte

December 16th, 2024 F.autor Blog 0 comments

Femra perfekte nuk duhet të jetë “kuq si molla”. Përkundrazi, duhet të jetë e verdhë, e fikur, e vdekur. Kësisoj, lëkura e femrës perfekte duhet të jetë aq e lëmuar sa të mos lerë asnjë dyshim se nën të, pra nën lëkurë, femra perfekte nuk ka mish për prekje dhe ngrehje, por vetëm mermer për kënaqësi estetike, kqyrje dhe mahnitje.
Femra perfekte duhet të ketë sedere sferike si dy gjysmat e një bostani që gjatë ecjes njëra gjysëm ngrihet, tjetra gjysëm ulet si tik-taku i sahatit në pritje të ethëshme të ditës së Kijametit.

Leshtë e kokës dhe të gjithë leshrat e tjera ku i ka e ku s’i ka femra perfekte, duhet tu ngjajnë ujvarave spektakolare që rrjedhin mbi faqe malesh teposhtë drejt lumit.
Goja e femrës perfekte duhet gdhendur sipas teknikave më të fundit të kirurgjisë plastike në përputhje me laryshinë e formës dhe relievit të brimave të fundshpinës dhe fundbarkut.

Nëse pas trashjes së buzëve të gojës me mishin e bythës, dikujt i ikën dëshira për të puthur femër, kjo nuk ndodh për asnjë arsye tjetër veçse nga tmerri i fatkeqit të cilit i ra për hise të mos puthi buzën, por bythën e femrës perfekte.

Femra perfekte po s’pati gju si gjuri i kalit, nuk është femër perfekte, është katunare.

Femra perfekte mban thonjtë të zgjatur, të stilizuar. Për shkak të thonjve si kthetra, femra perfekte me plot të drejtë, thotë: Hej, mos më thoni të zë me dorë ndonjë send a ndonjë punë, ndonjë gatim për shembull, se me gjithë këta thonj, nuk mundem.

Sytë e femrës perfekte janë si dy vorbuj uji, ku po re’ brenda, rrjedha të merr të gjallë në Prespë, të nxjerr të vdekur në Volorekë.

Sa i përket hundës, femra perfekte nuk mund të dalë në mixhliz me një hundë si, ta zemë, hunda me samar e Skënderbeut, por e gdhend me daltë, e bën si të katalogut.

Femra perfekte ndoshta pretendon më tepër, por teknikat e sotme me çvendosje mishrash nuk mundësojnë gjoks femre më të bukur se dy topa brumi byreku me nga një kumbanare secila në majë që dëgjohet në fund të botës kur litarin e të cilave e tërheq Kuazimodo, gungaçi që po puth gjoksin e Esmeraldës.

Nëse lartësia e shtatit të femrës perfekte lë për të dëshiruar, kompensohet me taka, lartësia e të cilave është e tillë që nëse prej atyre takave femra perfekte rrëzohet, dhimbja e coptimit të brinjëve që provon, është e krahasueshme me lemerinë e dhimbjes kockave që thyen kur bie nga një grataciel.

Ku ndodhet Skrapari, çfarë ka interesante në Shkodër, ku bie Bashtova dhe kalaja omonime, çfarë prodhojnë Myzeqeja, Zadrima, Dibra, Devolli, pse janë të famshme Mokra dhe Tropoja, pse s’duhen lënë pa u parë Thethi, Vermoshi, Vjosa, Këlcyra, Goliku, Mallakastra, duke qënë çështje që rrezikojnë ekuilibrin psiqik të saj, femra perfekte nuk është mirë t’i dijë.

Nuk është mirë gjithashtu që femra perfekte gjatë udhëtimeve të hajë bukë me djathë shoqëruar me dhallë. Ajo zjarrin e urisë sl brendëshme duhet ta shuaj si i ka hije. Nëpër restoranta, ku mes vringëllima thikash, krisma pjatash, vizëllime gotash, përplasje lugësh dhe pironjsh, pret të vijë kamarieri të sjelli nice fish.

Kur femra perfekte s’di asgjë, por i duhet të thotë diçka, e kapërxen këtë situatë duke qeshur si e marrë, duke hedhur flokët sa nga njëra anë e kokës në tjetrën, duke ndërruar këmbën mbi këmbë. Për aq kohë sa ata që e rrethojnë të japin shenja të sigurta që nëse ky teatër absurd vazhdon edhe pak, do futen në kuzhinë të therin veten me ç’të gjejnë: Heqësen e tapave të birrës, thikën e bukës, hapsen e kavanozave, qëruesen e patateve.

Veshit të femrës perfekte i mjafton të mos ketë brenda dyll, dhe të mos jetë llapush. Në mos, drejt e te klinika, kirurgu, bisturia.

Femra që ka lexuar qoftë edhe 1 roman në jetën e vet, s’është femër perfekte, është femër halabake.

Pas pak të gjitha femrat do bëhen femra perfekte, të gjitha femrat do jenë 1 femër.

Rroftë e qoftë femra perfekte që duke qënë 1, pra duke munguar tjetra dhe të tjerat, do zhduki përgjithmonë, bashkë me dallimet jashtëme, edhe papërsosmëritë e brendëshm, zilinë, xhelozinë, pabesinë, intrigën, cilësi këto që karakterizonin femrën jo perfekte, e cila do vdesi përgjithmonë, dhe bota do bëhet më e bukur, më simetrike, më në përputhje me Serinë e Fibonaccit, po do e mbulojë zia, se do jetë e pashijshme.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article LUTFI DERVISHI/ Bllokim rrugësh apo hapje shtigjesh…
Previous article KRESHNIK SPAHIU/ Kush janë të sëmurë psikik, Parashqevia apo ata që filmojnë depresionin e saj?

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k