Sapo zyrtarë të administratës ndërkombëtare, atë mars të paharrueshëm të vitit 1999 ishin stacionuar në Prishtinë, ende pa pushuar uturima e makinerive ushtarake të NATO-s, gjëja e parë që ata do të kërkojnë nga shqiptarët e Kosovës – dhe, tash në nivele tjera, ende vazhdojnë t’ua kërkojnë pa pushuar – është që t’i lënë prapa armiqësitë me serbët dhe të shikojnë kah e ardhmja. Sot e kësaj dite, ndërkaq, askush nuk e ka kërkuar e as shtruar seriozisht pajtimin e vetë shqiptarëve, atyre «paqësorë» e të «krahut të luftës», të cilët do të duhej të kenë një zë jo vetëm rreth qëndrimit ndaj serbëve e Serbisë, por edhe për shumë çështje të ndërtimit të shtetit të tyre të ri.
Në të vërtetë, po ndodhte e kundërta. Deri sa Hashim Thaçi, me aureolën e njeriut të luftës, po ngutej ta formonte njëanshëm Qeverinë e Përkohshme, qytetarëve ende u jehonin në veshë vlerësimet e tij aspak të këndshme për liderin paqësor Ibrahim Rugova.
Pasi që rreth një vit më herët, Rugova, me kërkesën e ShBA-ve (gjë që e ka pohuar edhe sekretarja e shtetit, Madeleine Albright në librin e saj të kujtimeve) ishte takuar me Sllobodan Millosheviqin, Hashim Thaçi, atëherë «drejtor politik i Shtabit të UÇK-së», në një deklaratë për medie e kishte gjykuar me fjalët më të ashpra këtë takim, qoftë «vullnetar apo i imponuar», i cili as më pak as më shumë, por «po e shkatërron seriozisht kauzën kombëtare». Madje, sipas tij, ky nuk ishte vetëm «sulm direkt kundër luftës së popullit të Kosovës», por edhe «kundër NATO-s, kundër SHBA-ve dhe kundër Grupit të Kontaktit». Ai kishte paralajmëruar se «veprime të tilla antikombëtare të zoti Rugovës do të dënohen ashpër».
Krijimi i armikut
I udhëhequr nga instinkti i tij politik, apo i mësuar nga këshilltarët i proviniencës së tij ideologjike, Hashim Thaçi e kishte të qartë pse po vepronte kështu.
«Para se të vijnë në pushtet dhe gjithçka të rregullojnë në harmoni me doktrinat e tyre, lëvizjet totalitare krijojnë botën e rrejshme të konsistencës, e cila më shumë u përshtatet nevojave të mendjes njerëzore se sa realitetit», shkruan Hannah Arendt në librin e saj «Burimet e totalitarizmit». Arendt, e cila ka hedhur bazat e hulumtimit të totalitarizmit modern, kishte vërejtur tendencën drejt krijimit të sistemit shoqëror, në të cilin iluzioni apo fiksioni do të paraqiten si realitet, ndërsa vetë realiteti si rrezik apo akt armiqësor ndaj rendit fiktiv.
Mendimtarja (si edhe shkrimtari George Orwell) vë në dukje se krijimi i fiksionit total më me efikasitet përshpejtohet me ekzistimin e një armiku, i cili «e minon shoqërinë tonë» dhe «kurrë nuk fle», e i cili përherë na mendon të zeza të reja dhe rrengje, por prijësi i mençur gjithmonë fiton dhe i zë në propagandë e rrena. Me akuzat që ia drejtonte, Hashim Thaçi padyshim se Rugovës donte t’ia linte këtë rol.
Si në Kosovë, edhe në Shqipëri vërehet se edhe sot e kësaj dite nuk është gjetur një formulë efikase e evitimit të polarizimeve, deri sa nëpër rrjete sociale apo në komentet e botimeve elektronike të gazetave, zhvillohen debate të ashpra mes ithtarëve të komunistëve dhe atyre të nacionalistëve, madje shpesh me aq pezëm, sa thua se Lufta e Dytë Botërore nuk ka përfunduar ende. Së paku jo në mesin e shqiptarëve. Sigurisht, në këto debate motiv nuk është gjithmonë e vërteta historike, por, nëse krijimi i një shoqërie totalitare megjithatë është i pamundshëm, për manipulime politike gjithmonë ka kohë.
Në Kosovë kohë për këtë pati me bollëk. Hashim Thaçi, ndonëse tendencat e tilla ishin të dukshme dhe synimi i tij dhe i grupimit të tij politik, për shkak të pranisë së përhershme të ndërkombëtarëve, nuk ia doli të krijonte një sistem totalitar, por megjithatë, ia doli ta dominojë jetën politike tërë këtë periudhë të pasluftës. Sigurisht, edhe të ruajë për vete «shtetin e kapur», term ky i cili ka hyrë edhe në dokumentet e BE-së. Në atmosferën ende të ndezur emocionesh të pasluftës, të etiketosh palën tjetër si «armik» do të thotë të tregosh se cili është autoriteti i vërtetë dhe të rreshtohesh pas tij. Vrasjet e pasluftës, kushdo që t’i ketë bërë, pos efektesh tjera, kanë pasur edhe këtë funksion.
Instinkti i tij i vjetër do të zgjohet përsëri, në çastet kur do të mendojë se sa rehat do të ndjehej sikur askush të mos ishte në gjendje t’i interferojë në pushtetin e tij absolut. Dëshmitarë të një rishfaqjeje të tillë qemë dhjetorin e kaluar, kur, duke na vënë kundër krejt botës perëndimore, u bënë përpjekje për zhbërjen e Gjykatës Speciale.
Edhe LDK-ja, deri sa gjatë fushatave zgjedhore trumbeton se do të ndriçojë vrasjet e pasluftës, pa e menduar kurrë seriozisht këtë asnjëherë, vetëm sa ndihmon në ruajtjen e polarizimeve dhe për të mbajtur të tubuar anëtarësinë e saj.
Vetëvendosje, me imazhin e ndërtuar me kujdes deri në idealizëm se «është e pastër si loti», s’bën gjë tjetër pos që krijon «botën e rrejshme të konsistencës» dhe sugjeron se nuk është e gatshme për gjëra më tokësore, për shembull angazhimi për krijimin e një koalicioni për «çkapjen» e shtetit, apo të luftës kundër korrupsionit. Duket sikur ata janë të gatshëm vetëm për realizimin e të parealizueshmes.
Krijimin e pamjes ideale për veten ka për qëllim edhe lufta për përvetësimin e heronjve. Edhe këtë herë, Hashim Thaçi publikoi një foto të tijën me Adem Jasharin, por nga krahu tjetër ofrohen dëshmi se «komandanti legjendar» i takonte krahut tjetër. As Ibrahim Rugova, e as Adem Jashari kurrsesi të na takojnë të gjithëve.
Prapa idealizmit fshihet mendësia totalitare. Prandaj nuk kemi pothuajse asnjë parti politike e cila shquhet për demokraci të brendshme, e cila angazhim të vërtetë ka vlerat europiane dhe Europën – të vetmen perspektivë tonë për të ardhmen. Me një fjalë, për ne e ardhmja kurrsesi të vijë.
Leave a Reply