E mbani mend Ilir Metën gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2017? Edhe pse nuk kishiin kaluar pak javë, që ishte zgjedhur president i Republikës, me votat e deputetëve socialistë, zhvendosej nga një qytet në tjetrin, në mitingjet e Lëvizjes Socialiste për Integrim, dhe me një retorikë të pazakontë për profilin e “qetësisë dhe dashurisë” që kishte shfaqur para shqiptarëve, sulmonte Kryeministrin Edi Rama, me goditje të njëpasnjëshme nën brez.
Qetësia i kishte humbur, ndërsa dashuri i kish mbetur vetëm pak, për Lulzim Bashën, aq sa duhej për të krijuar mbase një koalicion hipotetik pas zgjedhjeve. Presidenti i Republikës u thoshte mitingashëve lësëistë, dhe nëpërmjet mediave, edhe shqiptarëve, se të nesërmen e zgjedhjeve, Kryeministri do i telefononte Petrit Vasilit e do i lutej që koalicionin ta krijonte me PS-në, dhe jo me PD-në e Bashës.
Zgjedhjet dihet se si përfunduan. Edi Rama thelloi fitoren dhe shtoi numrin e deputetëve, Lulzim Basha e katandisi kokoshin e PD-së në një thelë, Petrit Vasili e mori lësëinë nga duart e Ilir Metës dhe e përcolli në duart e Monika Kryemadhit (a thua këta nuk e bënin dot këtë ceremonial një mëngjes të bukur, duke ngrënë vezë të ziera në kuzhinën e shtëpisë, pa patur nevojë për Petritin), ndërsa Ilir Meta, pasi i bëri një trajtim fytit të stërmunduar prej ulërimave të fushatës, mori detyrën e zyrtarit të lartë të shtetit, që duhet të qëndrojë mbi palët.
Por Ilir Meta i di vërtetë mirë punët e veta. Dhe historia e tranzicionit të gjatë të Shqipërisë, ka treguar se në shumicën e rasteve, punët e Ilir Metës nuk para përkojnë me punët dhe interesat e Shqipërisë. Përndryshe, nuk ka si të shpjegohet se udhëheqësi de facto i një prej forcave opozitare në vend, lësëisë së bashkëshortes së tij, Monikës, e ka lënë vendin prej një viti pa kryetar SHISH-i dhe tani, së fundi, edhe pa Ministër të Brendshëm. Dy pozicione kyçe sa i përket sigurisë kombëtare.
Shtoji kësaj edhe stërkëmbëshat e vazhdueshëm që i ka bërë reformës në drejtësi, qysh nga dita kur turfullonte ndaj ambasadorëve të SHBA dhe BE, në pozicionin e Kryetarit të Kuvendit, e deri sot që drejton shtetin nga pozicioni i Presidentit, dhe gjithësecilit i plotësohet kuadri i partnerit më të volitshëm të Sali Berishës.
Problemi është se, jo gjithmonë mosha shërben për të akumuluar eksperiencë dhe urtësi politike. Ndonjëherë, mosha shkakton humbje të instikteve. Të bën të mos mësosoh nga dështimet e të shkuarës, dhe prej kësaj, të zhytesh në bataqe nga të cilët zor se mund të dalësh. Përndryshe, nuk ka si shpjegohet fakti që Presidenti ynë nuk mësoi asgjë nga dështimi i bllofit të zgjedhjeve të 2016-ës, kur parashikonte telefonatën e dëshpëruar të Edi Ramës me Petrit Vasilin.
Nuk mësoi as nga dështimi i bllofit, në lojë e nisur një vit më parë e që vazhdon ende, për emërimin e kreut të SHISH-it. Dhe vendosi të bëjë edhe një tjetër bllof, që po e çon të hidhet me sukses të plotë, nga humbja në humbje. Duke shpresuar se, atë që nuk e merr dot më përmes kartonëve të partisë së tij në Kuvend, ta marrë në tryezë, përmes një shantazhi të mirëfilltë. Si dhe duke i bërë një dhuratë të shoqes dhe aleatit të saj në opozitë.
Vetëm se këtë herë, kostoja e shërbimit që po i bën Lulzim Bashës (i cili çuditërisht, i vetmi koment që kishte për Gjeneral Lleshajn ishte që “nuk e njoh”, me siguri sepse ishte në dijeni dhe në pritje të dhuratës prej aleatit në presidencë), është shumë më e madhe se sa të gjitha dëmet që Ilir Meta i ka bërë këtij vendi. Njeriu i LSI-së në presidencë po shkel Kushtetutën. Duke e shkruar kështu emrin e tij, në një tjetër kapitulli të zi në historinë e demokracisë së këtij vendi.
Leave a Reply