• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 8th, 2026
  • HOME
DR. LEKA SKËNDAJ/ Kërkimi shkencor – si një reflektim për tek e moralshmja
Home
Blog

DR. LEKA SKËNDAJ/ Kërkimi shkencor – si një reflektim për tek e moralshmja

February 22nd, 2018 Redaktor2 Blog 0 comments

Në hyrje të një reviste shkencore të botuar kohët e fundit nga një institucion i rëndësishëm shkencor më tërhoqi vëmendjen shënimi; “Kujtojmë lexuesin që secili autor mban përgjegjësi personale për përmbajtjen teorike dhe metodologjike të kumtesës së vet”. E nisëm me këtë shembull për të kujtuar se këto dukuri janë karakteristike të kontekstit shqiptar, janë situata shpërdoruese, për të cilat nuk do të ishim aspak krenarë. Për hir të së vërtetës, botimi në fjalë ishte i kujdesshëm, madje s’kishte vend për këtë shënim. Në botime të tjera të ashtuquajtura ‘shkencore’, ndoshta ky shënim duhej të shkruhej që në ballinë, madje në formë ulëritëse.

Në këto vite po futemi në një spirale sjelljeje absurde. Gati çdo ditë në internet, nga subjekte të ndryshme, institucione apo portale, shpallen thirrje për pjesëmarrje në konferenca shkencore (tashmë të gjithë i quajnë ndërkombëtare) ose për hapësira botimi në revista shkencore (me tituj intrigues në latinisht a hebraisht dhe me impakte vlerësimi x, y…). Entuziazmi dhe joshja virtuale përcillen me një guxim të mahnitshëm për të interesuarit që janë në fazën e plotësimit të dosjeve për grada a tituj shkencorë, duke u bërë pjesë e tregut. Veçuar me të kuq shquan shënimi; “Pjesëmarrja kushton 90 euro. Botimi i artikullit 150 euro. Për çdo bashkautor shtohen 50 euro”.

Dhe si vijon? Certifikatat e pjesëmarrjes merren edhe pa u paraqitur ose në rastin më të mirë kumtimi përfaqësohet vetëm nga një pjesëmarrës që është i regjistruar si bashkautor. Shpesh, ngaqë tematikat e pranimit të konferencave janë ‘gjithëpërfshirëse’, referuesi, i kënaqur për këtë, lexon ato dy faqe, që mjerisht i ngjajnë një hartimi të një nxënësi të shkollës së mesme. Aq është interesi. Duhet pjesëmarrja. Fakti u certifikua. Dhe ato, ‘arritjet’, radhiten bukur në C V.

Me një shije të hidhur flet për këtë ‘sëmundje’ edhe akademiku i nderuar Gjovalin Shkurtaj në hyrje të librit “Si të shkruajmë shqip” qysh në vitin 2008. “… Me kalimin e kohës, në vend që ajo hulli e mbarë të përvijohej e të thellohej, ka ndodhur e kundërta; kultura e të shkruarit në universitete, si dhe përgjithësisht në mjediset profesionale e zyrtare ka rënie të dukshme”.

Ka një perceptim të përgjithshëm për mungesë energjie dhe fiktivitet në botime dhe konferenca shkencore, që pasohet me një zbehje të ushtrimit të kontrollit. Arritjet shkencore po zëvendësohen me vlerat e tregut. Mall për qëllim. Marrëdhëniet po kthehen në një kulturë biznesi. Mjafton të lexosh disa prej abstrakteve të cilat dërgohen bashkëlidhur me faturën 150 euro në nr. e llogarisë. Duket se është thjesht një paragraf i shkëputur nga tema plagjiaturë. As nuk bëhet fjalë për metodën, për çështjet e diskutueshme, për vlerësimin dhe qëndrimin e autorit, për ballafaqimin e dukurive etj. etj. ‘Do të provohen, janë të rinj’, thotë dikush. Dakord, por nuk janë përjashtues vetëm ata. Po kultivojmë mendësinë se kërkimi shkencor dhe zbardhja në botime janë gjëra të lehta dhe çdo gjë që hidhet në letër, e bardha në të zezë, mund ta shohë dritën e botimit. Çështjet e kërkimit shkencor sot janë bërë më të prekshme në qarqet akademike, sepse kjo është e lidhur ngushtë me kushtet për akreditimin dhe certifikimin e universiteteve. Kjo konkurrencë gati agresive e ka bërë të domosdoshme praninë e standardeve, funksionimin dhe efektivitetin e saj. Madje databaza për kriteret dhe arritjet po faktorizohet deri në imtësi. Dhe mirë bëhet. Mirëpo, janë dy përballje të kundërta. Tjetër është t’i gjykosh ato nga rezultati dhe krejt tjetër nga qëllimi. Pra, këtu qëllimi justifikon mjetin. Kjo do të thotë që nga pozicione dhe dëshira meskine (për të mos thënë djallëzore) të nëpërkëmbet shenjtëria e arritjeve shkencore. Po bëhemi pjesë e këtij konteksti të mbrapsht politik, social e kulturor. Duket që edhe në këtë fushë të veprimtarisë njerëzore (si më elitarja) po anashkalohen disa parime bazë, si; 1. integriteti, 2. besueshmëria. 3. kontrolli i standardeve të cilësisë. Gjasat thonë se edhe këtu nuk po e përballojmë këtë spirale rënieje. Një devijim i frikshëm. Dhe sa dëshpëruese është kur kjo arrin në ashtin e shkencës. Ky do të jetë një tjetër mallkim. Apo do të vijojmë të kërkojmë hierarkinë e fajit? Duhet ta pranojmë. Janë fakte, nuk janë hamendësime.

Plagjiatura po shndërrohet në tendencë. Frika nga kontrolli dhe zbulimi i plagjiaturës nuk përbën më një makth. Dhe janë të rinj që as nuk skuqen as nuk zverdhen, madje paradoksalisht e kërkojnë duartrokitjen në panel. Injorim i përfaqësimit. Nga një mundësi për të dhënë dituri e përvojë , për të dhënë ndihmesën në një fushë të caktuar, për të projektuar objektivat dhe ambiciet si një sfidë e menaxhimit individual; shndërrohet në një bjerrje në ujëra të ndenjura, e etiketuar pastaj si një faj kolektiv dhe pësim po të tillë. Besimi dhe perceptimi duhet të jenë pjesë të sistemit. Ka edhe përpjekje për t’i normalizuar situatat. Dikush mund të thotë se ka polarizim në arritjet e shkencës. “Ku ka sasi, ka cilësi”. Një tjetër plotëson; “Nuk është sasia garant i suksesit, por cilësia dhe vlerat e individit. Elitat shkencore në të gjitha fushat po shënojnë arritje…”. Gjithsesi, po vihet re një qasje mediatike në fushën shkencore, çka ka sjellë formësimin e një kulture shumëplanëshe dhe dinamike, ku përfshihen burimet e informacionit, hapësirat e botimit, që për disa mund të duken marramendëse dhe për të tjerët abuzive. Mirëpo, me sa duket, këto janë kosto për faktorin “besueshmëri”. E thënë ndryshe. A jemi të aftë të vendosim provat mbi besimet e mëparshme? Sepse jo rrallë këto keqkuptime apo keqpërdorime po shmangin shkëmbimin e përvojës dhe të ndihmës, harmonizimin, njohjen dhe mirëkuptimin e situatave. Kështu ndodhi me rezolutën e Konferencës Ndërkombëtare “Gjuha dhe Letërsia në shkollë, politika, standarde – mësimdhënia dhe të mësuarit”, organizuar nga Departamenti i Gjuhës Shqipe në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të UT, mbajtur më 30.09.2010, ku që në krye nënvizohet; “Të gjithë kumtuesit dhe diskutuesit janë të mendimit se ndarja e gjuhës nga letërsia si orë mësimi dhe si tekste, është në të mirë të rritjes së cilësisë së përvetësimit të programeve të të dyja lëndëve”. Megjithëse në ata muaj po ngriheshin grupet e punës për riorganizimin e kurrikulave të reja të shkollës 9-vjeçare, asnjë nuk e vuri ujin në zjarr për këtë rezolutë.

Tekstet e gjuhës mbetën po ashtu. Një rezultat i ngjashëm me sferat e tjera të jetës. Cili institucion shkencor do ta kundërshtonte një vendim të tillë, përveçse një konferencë e këtij niveli? Nuk po ndërtojmë dot një sistem rregullator për bashkërendimin dhe kontrollin e standardeve të cilësisë. Nuk po gjejmë mekanizmat e duhur. Mungojnë analizat dhe argumentet shkencore. Nuk ka klimë bashkëpunimi. Kërkimi shkencor nuk ka nevojë për zhvendosje nga tradita metodologjike dhe pedagogjike. Duhet t’ua bëjmë të qartë studentëve se në sa filtra dhe me ç’rigorozitet shkencor kalonte një artikull shkencor deri në shkallën e miratimit për botim. Ç’mundim, por edhe ç’kënaqësi ndjente autori para dy dekadash, kur arrinte të botonte një artikull në revista të tilla, si: “Studime filologjike” apo “Gjuha jonë”; ndërsa tani, brenda 48 orësh të vjen njoftimi dhe e sheh artikullin të botuar. Pa recensë, pa korrektim… Në një pyetësor me studentët 67% e tyre konfirmojnë se nuk i konsultojnë me pedagogun drejtues të ashtuquajturat “detyra kursi” apo “tema vjetore”…

Kush i kontrollon dhe i legjitimon? A thua se duke qenë indiferent është më i paktë rreziku për t’u shndërruar në manipulator? Gjatë hedhjes së shënimeve për këto refleksione u rreka ta mpreh arsyetimin për të mos shkarë në qëndrime cinike , siç gjykohet rëndom sot politika, pushteti, administrata; me atë dëshirën që kërkimi shkencor, gjithashtu edhe zbardhja e tij në botime asisoj, mund dhe duhet të gjykohen në planin moral. Mirëpo, duke u thelluar nëpër labirintin e përsiatjeve, vërejta se kjo përpjekje mori përmasat e një sfilitjeje që mjerisht gjeneroi në mungesë shprese. Kjo për një shkak shumë të thjeshtë, që konsiston në faktin se modelet (gjedhet) e marrëdhënieve të politikës me pushtetin po shtrihen si metastaza edhe në fushat e shkencës, arsimit, kulturës… Ku mbeti morali? Kush po e mbart mbi shpinë mëkatin? Kur flasim për politikë, rrjedhoja është – pushtet, interes. Në këtë këndvështrim vlerat shkencore kalojnë në plan të dytë ose në funksion të interesit. Kësisoj të gjykuarit e problemit përmes kodit moral mbetet jo vetëm i dyshimtë, por fatalisht i dështuar. Pra, rruga për tek e moralshmja mbetet e izoluar. Le ta quajmë një reflektim për t’i kujtuar vetes se këto gjëra nuk janë pjesë e përkohësisë.

*Pedagog në Universitetin “I. Qemali”, Vlorë

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article AVIS GJYSHJA/ Gadishulli i Jukaktanit, kultuara Maya, Chich’en Itza dhe ca gjëra që nuk shpjegohen dot
Previous article MUSTAFA NANO/ Meta ka të drejtë në gabimin e vet

Redaktor2

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k