• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 7th, 2026
  • HOME
DR. KLODIAN MUÇO/ Evazioni fiskal, një kancer që vret ekonominë dhe ushqen pabarazinë
Home
Blog

DR. KLODIAN MUÇO/ Evazioni fiskal, një kancer që vret ekonominë dhe ushqen pabarazinë

April 23rd, 2018 Redaktor2 Blog 0 comments

Rreth 700 milionë njerëz në mbarë botën jetojnë në varfëri të plotë, pjesa dërmuese e tyre gjenden në vendet në zhvillim, siç është  edhe Shqipëria. Në këto vende, çdo vit, rreth 230 miliardë euro evazion fiskal shkojnë nëpër parajsat fiskale. Kjo shumë është sa 6- fishi i shumës vjetore të nevojshme për të luftuar dhe eliminuar varfërinë ekstreme brenda 2025. Sipas disa përllogaritjeve, rreth 86% e kësaj pasurie të fshehur në parajsat fiskale i përket vetëm 0.013% të popullsisë.

Pra, janë të pasurit dhe sipërmarrësit e mëdhenj ata që bëjnë më shumë evazion fiskal dhe stimulojnë rritjen e pabarazisë. Sipas një raporti të “Global Financial Integrity”, në periudhën 2008-2013, fluksi i parave të dala nga evazioni fiskal dhe aktivitetet kriminale në 31 vende në zhvillim ka qenë më i lartë sesa buxheti që shkonte për shëndetësinë apo ai që shkonte për arsimin. Shpesh, në këto vende, shumë nevoja urgjente dhe esenciale për rritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit braktisen në favor të një klase oligarkike, që po pasurohet gjithmonë e më tepër.

Në dy dekadat e fundit, në vendet në zhvillim pabarazia e të ardhurave po rritet gjithmonë e më tepër. Të pasurit paguajnë gjithmonë e më pak në raport me fitimet e tyre e të varfrit janë të “dënuar” t’iu ngelen gjithmonë e më pak para për konsum. Evazionin që bëjnë të pasurit, e paguajnë të varfrit. Ky rregull vërehet me “përpikëri” edhe në Shqipëri. Evazioni në Shqipëri është i lidhur ngushtë me ekonominë, te ne ekonomia duket sikur nuk bën dot pa evazionin fiskal. Jo vetëm kaq, por edhe pse evazioni është në nivele alarmante e që përfaqëson një dëm për gjithë kombin, qeveria insiston gjithmonë e më shumë te fakti se evazionin e bëjnë mikrobizneset apo bizneset e vogla e, me dashje apo pa dashje, harron se rreth 75% e të ardhurave fiskale vijnë nga biznesi i madh dhe biznesi i vogël është 100% i varur nga ai i madhi.

Nëse do të luftosh evazionin, nis nga lart, pra, nga i madhi, për të vazhduar në vijim të më i vogli. Nëse fabrika e ujit regjistron dhe shet me faturë tatimore 100% të ujit që ambalazhon, biznesi i vogël e ka të pamundur që të blejë me faturë tatimore e të mos e regjistrojë atë si shitje. Po ashtu, qeveria duhet të kuptojë që nëse dëshiron të luftojë evazionin, inspektorët tatimorë duhet të jenë po aq të përgatitur sa janë edhe kontabilistët e miratuar. Pra, hapi i pari ndaj luftës së evazionit dhe informalitetit duhet të nisë nga përmirësimi i burimeve njerëzore, e në vijim nga kontrolli ndaj të mëdhenjve. Evazioni fiskal mund të konsiderohet si një luks, që vendi ua lejon disa sipërmarrësve të mos paguajnë taksat.

Ky evazion, në Shqipëri më shumë se në çdo vend tjetër, është i vështirë për t’u matur për arsye që dihen. Sipas Bankës Botërore, rreth 40% e bizneseve operojnë në informalitet, rreth 47% e TVSH-së nuk mblidhet, e në disa taksa, sipas tyre, evazioni varjon nga 50%-100%. Po vallë, si mund të luftohet evazioni fiskal? A ka praktika efikase, që kanë funksionuar në vende të ndryshme të botës? Përgjatë viteve janë propozuar një sërë praktikash për të luftuar evazionin.

-Në Tajvan, çdo kupon tatimor shoqërohet me një numër, ky numër të lejon të marrësh pjesë në një lotari që organizohet çdo 2 muaj, ku mund të fitohen deri në 25000 euro. Sa më shumë kuponë tatimorë të keni, aq më i lartë është probabiliteti për të fituar.

-Në Angli, në letrat që dërgojnë inspektorët tatimorë lokalë, përdoret një gjuhë shumë agresive, për vonesat e pagesave ndaj taksave arrihet, deri aty sa shkruhet “do vijmë do t’ju shqyejmë derën e do ju marrim edhe fëmijët nëse nuk paguani”.

-Në Itali kontrollohen shpenzimet e secilit individ, duke kontrolluar edhe kartat e klientit të supermarketeve për të parë se sa janë të ardhurat dhe shpenzimet e secilit individ e bëhen studime të ndryshme sektori. Po ashtu, stafi tatimor dhe personat përkatës që arrijnë të rikuperojnë evazionin fiskal, arrijnë të marrin deri në 50% të shumës së rikuperuar nga evazioni si institucion. Një pjesë e kësaj shume ndahet si bonuse për stafin.

-Në vendet nordike po stimulohet çdo ditë e më tepër paraja elektronike, kanë arritur deri aty sa të penalizojnë personat që paguajnë me para në dorë. Pagesat me karta krediti apo karta debiti japin mundësinë e regjistrimit të çdo pagese. Këto pagesa grumbullohen dhe shoqërohen me kodin fiskal të çdo klienti dhe shitësi pastaj përcillet çdo muaj te agjencitë kombëtare tatimore. Personalisht, nëse do më kërkohej mendim për reduktimin e evazionit fiskal, do të sugjeroja stimulimin e marrjes së kuponit tatimor me anë të avantazheve të prekshme, monetare, në të tilla kushte të gjithë do të kishin interes t’i kërkonin tregtarit kuponin tatimorm edhe nëse ai do hezitonte të mos të jepte atë.

P.sh. TVSH-ja paguhet nga konsumatori te shitësi, ky i fundit ia kthen shtetit. Por nëse ne do të shtonim edhe një kalim tjetër e pastaj ta mbyllnim këtë proces, evazioni fiskal në detaje do të reduktohej në mënyrë drastike. Mendoni nëse shteti ne do na kthente mbrapsht një pjesë të TVSH-së së paguar. Ne mund të dorëzonim një herë në tre muaj gjithë kuponët tatimorë dhe shteti do të na kthente mbrapsht 2-4% të TVSH-së paguar (kjo shumë e kthyer do të rikuperoj disa fish nga reduktimi i evazionit fiskal). Në këtë mënyrë jam i bindur se s’do kishte më qytetar që të mos kërkonin kuponin tatimor. Për më tepër, me një algoritëm të thjeshtë, institucioni tatimor do kishte mundësi në vijim të verifikonte edhe kush deklaron më pak xhiro sesa ajo reale.

Ky sistem mund të sofistikohet edhe më tepër, me anë të monedhës fiskale të propozuar nga S.Sylos Labini, ku kuponi tatimor mund të transformohet në monedhë për të bërë pagesa të tjera. Forma të tjera për të luftuar evazionin mund të jenë evitimi nga ana e shtetit të disa kostove, si dhurimi i kasave fiskale, të cilat nëse do bliheshin në një vend tjetër, do kishin një kosto sa 10% e çmimit që kanë në tregun shqiptar, apo kolaudimin vjetor të tyre falas. Më tepër investime në sistemin arsimor dhe bashkëpunim me universitetet, për të pasur profesorët si konsulentë për politikat që do të ndërmerren në të ardhmen.

Dhe në fund, por jo nga rëndësia, do të sugjeroja ligje më të rrepta për dënimin e korrupsionit. Sipas një studimi të universitetit të Lozanës në 2013, 4.1% e të burgosurve në Bashkimin Europian ishin për krime ekonomike dhe evazion fiskal. Në vendet me evazion të ulët si në: Principatën e Monakos kjo shifër shkonte 23.1%, në Angli ishte 18.2%, në Gjermani ishte 14.1%, në Finlandë 6.1%, ndërsa në vende të korruptuara, si Rumania, Italia dhe Greqia %, ishte përkatësisht 0.2%, 0.4% dhe 1.2%. Pra, sa më shumë të dënohet evazioni, aq më i ulët është ai.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article Gjurmëve të Skënderbeut në Has
Previous article Lajmet e rreme, e vërteta e hidhur dhemb

Redaktor2

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k