Mbi “Horrorin në Kombinat”: Vetëm sot mora vesh për ngjarjen tragjike që po diskutohet. Bashkohem me gjithë shqiptarët në ndjenjën e trishtimit. Po lutem për shërimin e Blertës si dhe për ngushëllimin e kësaj familjeje.
Kur shokohemi me diçka të tillë, duam të zbrazim indinjatën tonë tek dikush, t’i hedhim fajin dikujt. Kjo është e natyrshme. Kë do të ndëshkojmë? Dëshmitarët e Jehovait? Komshinjtë e tyre? Ungjillorët? Fetë në përgjithësi? Komitetin Shqiptar të Kulteve?
Unë jam më tepër i interesuar për dije, sesa për të gjetur një fajtor. Kur mora vesh që ato kishin frekuentuar një kishë ungjillore, nuk ndihesha i detyruar të mbroja besimin historik protestant/ungjillor nga akuzat apo implikimet që kanë qarkulluar, sepse askush me mend nuk do të pranonte seriozisht që ungjillorët miratojnë apo mësojnë veprime të tilla.
Madje, nëse ato kanë gabuar në diçka lidhur me besimin, mendoj se nuk ishte frekuentimi i një kishe ungjillore shqiptare, por largimi nga komuniteti ungjillor dhe izolimi.
Madje, edhe pse kam botuar disa artikuj të fortë kundër mësimeve dhe praktikave të “Deshmitareve e Jehovait”, nuk do të shfrytëzoj rastin për të sulmuar padrejtësisht një grup që nuk më pëlqen, se nuk ka asnjë provë deri tani që ai sekt po promovon vetëvrasjen.
Unë i marr këto gjëra si raste për vetëshqyrtim. Sa kollaj është të drejtoj gishtin te dikush! E kemi për sport. Por unë në këtë rast dua të mësoj më mirë për shenjat paralajmëruese të një tragjedie të tillë (qoftë me shkallë më të vogël).
Pra, dua të jem më i vëmendshëm për personat rreth meje që po vuajnë – komshinjtë, bashkëpunonjësit, vizitorët në kishën time – njerëzit që ndoshta po na kërkojnë, në menyrën e tyre të heshtur, “Më ndihmo!” Kam shumë miq që janë prekur me sëmundje mendore, madje miq brilantë, njerëz që janë të sëmurë vetë por që kane turp ta rrëfejnë këtë gjë tek të tjerët, ose të cilët jetojnë me të tillë në familjet e tyre.
Askush që nuk ka provuar diçka të tillë, nuk mund të kuptojë dot se çfarë po vuajnë. Dua t’i përkrah më mirë, t’i ndihmoj më shumë. Dua edhe që kishat ungjillore të rriten në përkrahjen e njerëzve të tillë. Por si?
Kjo është pyetja ime kryesore, dhe shpresoj që kjo ngjarje, edhe pse tragjike, të mos na çojë në reagime absurde, por në rritjen e ndjeshmërise dhe dashurisë për të afërmit tanë.
Leave a Reply